Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, akuzoi sërish mazhorancën se po i heq opozitës të drejtën për të bërë pyetje direkte ‘si burri-burrit’.
Gjatë fjalës së tij, Berisha sulmoi ashpër deputetët dhe ministrat e qeverisë, duke i quajtur ‘mëkatarë me dosje’ dhe duke pretenduar se shumë prej tyre janë nën hetim nga SPAK.
Ai ironizoi ikjen nga salla të disa deputetëve të mazhorancës, ndërsa akuzoi qeverinë për ‘kompromis të errësirës’ dhe përpjekje për të fshehur korrupsionin. ‘Dilni e betohuni këtu në Kushtetutë se nuk keni dosje në SPAK’, deklaroi Berisha mes ndërhyrjeve dhe reagimeve nga mazhoranca.
Kreu i opozitës theksoi se debati për ndryshimet në rregullore po përdoret për të mbyllur gojën e opozitës, ndërsa vetë qeveritarët, sipas tij, ‘flenë mbi dosjet e krimit’.
FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetarë dhe qytetare!
Nuk mund t’i përgjigjem një njeriu që ia vodhi bixhozi rininë, por çështja është jashtëzakonisht serioze.
Mëkatarë, me dosje palë-palë, dhe gjumashë mbi dosjen e krimit, kanë bërë një kompromis që të fshihen para jush që të fshihen para jush duke na hequr të drejtën të bëjmë pyetje direkt si burri-burrit, si qytetari-qytetarit, si përfaqësuesi juaj në këtë parlament.
Këta të gjithë këtu janë në konflikt interesi.
Dil e betohu këtu në Kushtetutë se nuk ke dosje në SKAP?
Dil betohu!
Cili prej jush… pse iku Blendi, më thoni pak ku shkoi ai, pse ia mbathi?
Sepse ju jeni me dosje … edhe ti nuk je në rregull.
Belinda po ikën dhe të shohësh pastaj se do të të marrë me vete se ministri i Belindës të thonë të gjithë ju.
Po ato janë punët tuaja, nuk janë punët tona.
Ne kemi punë të bëjmë transparencë, t’u themi qytetarëve se pse korrupsioni rritet, se pse paratë e tyre… mos fol aty mbrapa ti.
Nuk e kam faj unë që të thonë ministri i Belindës, këta të thonë. Mua nuk më bjen ndërmend as për ty, as për Belindën.
Problemi juaj është se ju keni rënë në një kompromis për të vendosur errësirën.
Ne kërkojmë të bëjmë pyetjet, të na gjykojnë shqiptarët për pyetjet që bëjmë.
Është e vërtetë që ka një manual i cili në asnjë fjalë nuk thotë se bëhen pyetjet me gojë. Është i drejtë dorëzimi me shkrim, jam plotësisht dakord, se ai që pyetet duhet të ketë kohën për t’u përgatitur.
Por kjo nuk përjashton në mënyrë absolute autorin e pyetjes të lexojë pyetjen integralisht siç e ka bërë, me qëllimin që e ka bërë.
Kjo është.
Ore unë mbaroj, por nuk mbaroni ju e keni nënshtresën. E dëgjuat ju burgun apo jo. Hëhë.
Është frojdane, bëri eksplozion të subkoshiencës, e quajti burg.

