Berisha: Piro kokaina u emërua ministër Mbrojtje, sepse Sinaloa kërkon të sjellë në portet tona, nëndetëset e drogës. Sot foli Rama, nesër flet Arben Ahmetaj. Nesër del me të gjithë shëmtinë e vet, shpirti, morali i rilindjes dhe Ramës

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA  NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar kongresin e sotëm të Edi Ramës dhe PS-së. Në fjalën e tij përpara qytetarë në tubimin e përnatshëm, Berisha tha se, ai ishte kongresi i spiropalizimit të rilindjes.

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha komentoi edhe sulmet e Edi Ramës ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës. Sipas Berishës, ‘Edi Rama volli vrer nda opozitës njëlloj sikur aty të ishte ulur Spiro Koleka, daja i tij biologjik apo Kristaqi që firmoste varjen e disidentëve’.

Lideri i opozitës ka akuzuar Edi Ramën se është në luftë të përditshme me shqiptarët, ndërsa PD bashkë me shqiptarët është në luftë me të keqen më të madhe, Edi Ramën. ‘Në luftë me shqiptarët është Edi Rama, PD bashkë me shqiptarët është në luftë me këtë të keqe të madhe, Edi Ramën’, tha Berisha.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar, ka folur edhe për largimin e Lindita Nikollës dhe Ermonela Felajt nga drejtimi i parlamentit. ‘Linda e parlamentit dhe Ermonela u flakën vetëm për shkak të debateve të forta të opozitës kundër Edi Ramës dhe Olsi Ramës’, theksoi Berisha gjatë fjalimit të tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, ka komentuar gjatë fjalës në tubimin qytetar edhe ndryshimet në ministritë kryesore. Duke folur për secilin prej zgjedhjeve të bëra nga Edi Rama, Berisha është ndalur veçanërisht tek ministri i ri i Mbrojtjes, Piro Vengu, pse Piro kokaina siç e quajti ai. ‘Piro kokaina u emërua ministër Mbrojtje, sepse Sinaloa kërkon të sjellë në portet tona, nëndetëset e drogës’, deklaroi kryedemokrati Sali Berisha në fjalën e tij.

Kreu i PD-së, Sali Berisha u kujtoi qytetarëve në tubim dhe atyre që e ndiqnin në ekran, se nesër në SYRI TV do të flasë Arben Ahmetaj. ‘Sot foli Edi Rama, nesër flet Arben Ahmetaj. Ndaj dhe nesër del me të gjithë shëmtinë e vet, shpirti, morali i rilindjes dhe Ramës’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha në fund të fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje më të përzemërta, mirënjohjen të pakufishme ndaj jush, qëndrestarëve dhe qendrestareve të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Të dashur miq!

Sot para shqiptarëve doli me të gjithë lakuriqësinë e tij të shëmtuar, kongresi i partisë me katër emra, i cili në dallim nga çdo kongres tjetër në 83 vite, sanksionoi se ajo parti, në atë parti nuk ekziston asnjë forum tjetër, asnjë anëtar forumesh të tjera, ekziston njishi, njishi dhe të gjithë të tjerët janë zero me bisht pas tij.

Në këtë kontekst, mund ta vlerësojmë kongresin si aktin politik të metamorfozës së rilindjes, metamorfozës së plotë të rilindjes.

Miqtë e mi!

Parë në çdo aspekt, ky kongres ka fytyra njërën më të shëmtuar se tjetrën. Ai në fakt u mbyll edhe si kongresi i spiropalizimit të rilindjes.

Figura më fantazmagorike në 32 vite të politikës shqiptare, Zilie Pali, apo Zilie Gjoka u zgjodh kryetare e kuvendit të Shqipërisë.

Por dua të jemi të sinqertë dhe gjërat duhet ti shohim jo me pasion të madh politik se i kemi kundërshtarë, por fjalët që tha ai për deputetët e tij, ishin një kopje e zbutur e fjalëve të mia për ata deputetë.

Hajdutë, interesaxhi, antipopullor, dhe çdo epitet tjetër.

Sot kreu i narkosit gjeti të lavdërojë vetëm Vullnet Sinën se i ka dhënë dorëheqjen me probleme madhore me fshatarët e Gjormit dhe Labërisë, seç bën atje me gurore, ujëra etj. Kurse të tjerët i quajti minj portalesh, intrigantë, gjuhë nepërkash që ju mbetet jashtë.

I quajti dhe çfarë nuk i quajti or miq, dhe e dini se pse, se ata jo se nuk kanë mëkate, se janë mëkatarë të mëdhenj, por mëkati i tyre më i madh për Edi Ramën është se, ata nuk e mbrojtën Ramën dhe Olsin kur opozita i bëri radiografinë në parlament.

Miqtë e mi!

Si pasardhës i një xhelati të diktaturës Hoxhiste, nuk mund të kishte fjalë tjetër për opozitën, veç se ato që tha.

Në përroin e tij psikik, opozita sipas tij është një cisternë helmi dhe pluralizmi është një helm dhe volli vrer njëlloj sikur të ishte ulur aty Spiro Koleka, daja i tij biologjik apo Kristaqi që firmoste varjen e disidentëve, ndaj opozitës.

Deklaroi se opozita ka mbjellë që në themelim me pluralizmin, luftën shqiptarit, kundër shqiptarit.

Miqtë e mi!

Për disa që kanë qenë aktiv në vitet ’90, ju kujtohet se argumenti kryesor kundër pluralizmit që sillnin etërit e Edi Ramës, ishte përçarja kombëtare. Se na e përçanë kombin ne.

Pas 33 vitesh, Edi Rama parashtron dhe del para shqiptarëve me tezën e ndasisë politike që sjell opozita në Shqipëri. Ky është një qëndrim armiqësor, antidemokratik ndaj pluralizmit politik dhe demokracisë në Shqipëri.

Në një kohë kur PD ka patur dhe ka si kryefjalë të veten bashkimin dhe unitetin e shqiptarëve, pa dallim bindjesh, status, gjinie, moshe. PD-ja është e angazhuar në bashkimin e shqiptarëve kundër narkoshtetit që dëboi rreth 40% të shqiptarëve nga Shqipëria.

Është e angazhuar me shqiptarët në betejën kundër krimit të organizuar që ka vrarë dhe vret shqiptarët e pafajshëm.

Është e angazhuar së bashku me shqiptarët në betejë kundër qeverisë më të korruptuar të kohërave që ka kthyer pasuritë e shqiptarëve në një mallkim për shqiptarët.

Pra miqtë e mi, nuk ka asnjë betejë të shqiptarëve kundër shqiptarëve, sot ka vetëm një individ me një grusht të vogël rreth tij, që u ka shpallur luftë shqiptarëve.

Ai është Edi Rama që shqiptarëve u vjedh votën.

Në luftë kundër shqiptarëve është vetëm Edi Rama që prej 12 vitesh i grabit ata në mënyrë të pamëshirë.

Në luftë kundër shqiptarëve është vetëm Edi Rama i cili ktheu mbrapa historinë dhe zhvillimin, çoi arsimin tonë 25 vite mbrapa.

Luftë kundër shqiptarëve ka bërë dhe bën Edi Rama i cili u angazhuar për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, i cili u angazhua me të gjithë ligësinë dhe shpirtin e tij antikombëtar në sanksione kundër Kosovës dhe vëllezërve tanë shqiptarë në Kosovë.

Në luftë kundër shqiptarëve është vetëm Edi Rama që ka krijuar drejtësinë e Dumanëve, Gjokave me 4 mbiemra, ju ka mohuar shqiptarëve drejtësinë, ka vendosur burgjet politike, proceset politike në Shqipëri.

Në luftë me shqiptarët është Edi Rama, që i privon fëmijët e këtij vendi me politikat që ndjek, nga tre vakte ushqim në ditë, që i privon të sëmurët nga ilaçet shpëtimtare për jetën e tyre.

Që privon pensionistët, por edhe rrogëtarët nga shpërblimet më minimale, për jetë normale.

Në luftë me shqiptarët është Edi Rama që në 12 vite ndërton rrugë me çmime 8-10 herë më të larta se në Europë, sepse vjedhe 80-90% të investimit.

Është Edi Rama në luftë me shqiptarët, sepse zhduken pa nam dhe nishan, në kontot e tij bankare dhe të Erion Veliajt 136 mln euro djegësi i Tiranës.

Sepse Porti i Durrësit do të shndërrohet në parajsën e tij. Porti i Durrësit një pasuri shumëmiliardëshe e qytetarëve shqiptarë, shndërrohet në begati, parajsë personale të tij dhe arabit miliarder.

Turizmi ky potencial i jashtëzakonshëm i këtij vendi që ja ka dhënë natyra, është shndërruar mallkim për qytetarët shqiptarë, si për asnjë qytetar tjetër në Europë dhe botë.

Për çdo turist, qytetari më i varfër i Europës fiton gjithsej 4 euro në të ardhurat tatimore. Dhe po në të ardhurat e tij tatimore, taksat që paguan, shpenzon për çdo turist 215 euro.

Krim i shëmtuar.

Kurse baronët e drogës, pronarët e resorteve pasurohen, shpërblejnë Edi Ramën.

Pra në luftë me shqiptarët është Edi Rama, PD bashkë me shqiptarët është në luftë me këtë të keqe të madhe.

Miqtë e mi!

Kongresi nuk kishte asnjë fjalë për qytetarin.

Nuk kishte asnjë fjalë për rrogat, pensionet.

Nuk kishte asnjë fjalë për kujdesin shëndetësor, shkollat.

Kongresi zulmonte vjedhjen dhe korrupsionin e madh.

Në paradën e tyre, ministrat në spote televizive dilnin para shqiptarëve për të mbrojtur vjedhjet e tmerrshme që kanë bërë.

Miq, ua them unë sot.

Në rast se i bini globit nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, nuk kemi për të gjetur kurrë një njeri të pangopur në vjedhje, si Belinda Ballukun.

Dhe natyrisht ju garantoj ju, se çdo qindarkë që vjedh e ndan me Edi Ramën.

Pra, çfarë ishte kongresi? Ishte kongresi i kurorëzimit të korrupsionit, i legjitimit të korrupsionit.

Tani dy fjalë për ndryshimet, sepse lexoj interpretime të ndryshme, por unë do të ju them ju të vërtetën.

Linda e parlamentit dhe Ermonela u flakën vetëm për shkak të debateve të forta të opozitës kundër Edi Ramës dhe Olsi Ramës. Kjo është e vërteta.

Sepse ato ndonëse fanatike të verbërta të Edi Ramës, sigurisht nuk arrinin dot të dominonin dot

zërin e vërtetë të opozitës në parlament dhe u flakën si limon i shtrydhur.

Nuk ka nevojë të komentoj për Taulant Ballën se e kuptoni ju që ja flakën të tjerët.

Por tani kam disa fjalë unë, sepse mediat thonë se u emëruan kandidatura jo politike. Madje

pati dhe ndonjë që tha të rinj. U emëruan hajdutë të klasit të parë.

U emëruan hajdutë dhe vetëm hajdutë.

Po marr atë të Financave. Petrit Malaj. Dëgjoni miq, ai kishte disa shkolla nuk mohoj, por

problemi i tij ai kishte shkollën më të keqe që mund të ketë njeriu, shkollën e Belindës.

A e kuptoni se pse shkoi në Financa ai, ai shkoi se ka bërë shkollën e Belindës në AKBN.

Po në mbrojtje. Piro kokaina. Piro kokaina është njeriu që u mandatua për të garantuar pasazhin e plotë të kokainës në Portin e Durrësit dhe që kur ka shkuar Pirro aty dhe Taulanti në ministri, në Durrës kanë kaluar tonelata e tonelata dhe nuk është kapur asnjë kilogram kokainë.

Piro kokaina edhe ai është me shumë mbiemra. Mund të quhet edhe Piro Alabari. Sepse merret dhe u mor me operacionin e tmerrshëm korruptiv disa miliardësh të portit të Durrësit.

Por Piro Vengu, dale nga vijnë lidhjet.

Vjen nga ajo familje që firmoste me Kristaq Ramën, varjen në litar, ekzekutimin e kundërshtarëve politik në presidiumin e kuvendi famëzi popullor.

Jo, jo nuk është e thjeshtë.

Piro kokaina miqtë e mi, është një delinkuent i vërtetë. Ai njëlloj si Irena me 4 mbiemra është i dënuar në Greqi sepse ka braktisur shërbimin ushtarak, nuk është paraqitur për shërbim ushtarak.

A mund të imagjinoni ju miq, ministër Mbrojtje një njeri që ja ka mbathur dhe nuk ka kryer shërbimin ushtarak. A ka turp më të madh se ky.

Po pse shkoi ai në Mbrojtje thoni ju. Shkoi sepse Sinaloa kërkon portet për nëndetëset e drogës. Kërkon të sjellë drogën me nëndetëse në brigjet tona dhe duhet të jetë ky, Piro Vengu, Piro kokaina për të garantuar këtë krim të shëmtuar.

Po ai tjetri, Ervin Hoxha.

A e dini ju, ai është shkarkuar me firmë dhe urdhër të Edi Ramës nga detyra.

Si ndodhi thoni ju. Ua them unë. Ishte kryetar i hetimit tatimor dhe shkon e ulet në një resort turistik në Sarandë, zhdepet gjithë natën duke ngrënë dhe në mëngjes ikën pa paguar.

Ankohen si përfundim, Edi Rama thotë ky na e mori fytyrën dhe e shkarkon.

Pra u shkarkua për një darkë që nuk e pagoi dhe emërohet ministër.

Imagjinoni ju se çfarë ka paguar ky dhe çfarë fuqie ka ky i shkarkuari për korrupsion. Ky është famoz.

Ka qenë dhe nëndrejtori i policisë rrugore. E shtriu ryshfetin në çdo kilometër rrugë. Të nderuar anëtar të medieve dhe të respektuar. Këta janë anëtarët e rinj me të cilët u hap Edi Rama. Këta janë jopolitikët që rekrutoi Edi Rama.

Këta janë hajdutë me çizme, secili prej tyre.

Po Mete pse iku. Iku si mec i Arben Ahmetaj, po iku se e kishte mbajtur si manar me vete Arben Ahmetaj dhe e hoqi atë.

Miqtë e mi!

Ky ishte kongresi i korrupsionit të PS-së.

I spiropalizimit të PS-së.

I metamorfozës së rilindjes.

Po dhe i hajdutëve të rinj që kanë pasion të çmendur për vjedhjen dhe mbështetjen e Edi Ramës në vjedhje.

Edi Rama sot njëlloj si Adolf Hitleri që ju thoshte gjermanëve muajt e fundit, se Rajhu do të zgjasë nja 1 mijë vjet, njëlloj si Enver Hoxha që u thoshte shqiptarëve se socializmi do të ecë mijëra vjet, sot u tha rilindësve se do të jemi edhe 100 vite në pushtet.

Miqtë e mi!

Le të zotohemi ne para shqiptarëve se Edi Rama do të ketë një dimër të ngrirë.

Se forcë në botë nuk na ndalon ne pa krijuar qeverinë teknike, zgjedhjet e lira, ndryshimin, ndryshimin e pushtetit, fitoren e opozitës.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Miqtë e mi!

Pasi sot foli Edi Rama, nesër flet zëvendësi i tij, Arben Ahmetja.

Ndaj dhe nesër plotësohet plotësisht, del me të gjithë shëmtinë e vet karakteri, shpirti, morali i rilindjes dhe Edi Ramës.

Fitore, fitore, fitore.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale