KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme me gazetarët, ka përshëndetur protestuesit që morën pjesë në protestat e fundjavës në Tiranë, duke i cilësuar ato si një moment historik në betejën kundër qeverisë së Edi Ramës. Ai deklaroi se pjesëmarrja masive e qytetarëve dhe e shqiptarëve të diasporës tregoi, sipas tij, se qeveria e Ramës është drejt fundit politik. ‘Manifestimi dhe rrethimi epik i epiqendrës së krimit është një arritje historike, e cila e bën të pashpresë, e bën fund e krye të pashpresë sundimin e Edi Ramës dhe mafies së tij në Shqipëri’, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha falënderoi shqiptarët që udhëtuan nga vende të ndryshme të Europës dhe botës për t’iu bashkuar protestës në Tiranë, duke e cilësuar fundjavën e kaluar si ‘fundjavën e diasporës’. Sipas tij, protesta ka rikthyer shpresën tek shqiptarët dhe ka dëshmuar vendosmërinë për largimin e qeverisë aktuale. ‘Ky akt madhështor ka mbushur me besim dhe shpresë zemrat e mbarë shqiptarëve dhe të kombit shqiptar’, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së Sali Berisha e akuzoi Edi Ramën për korrupsion, keqqeverisje dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi, ndërsa theksoi se protestat do të vijojnë deri në realizimin e objektivit politik të opozitës. ‘Ndaj dhe kërkoj edhe njëherë dorëheqjen e tij të menjëhershme. Krijimin e një qeverie kujdestare jo të forcave politike, por të përbërë nga ekspertë dhe njerëz të përgjegjshëm që i rikthejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve votën e lirë’, deklaroi kreu i PD-së.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe mbështetësve të opozitës që të mos tërhiqen nga protesta, duke theksuar se ‘vendi i çdo demokrati është në shesh dhe në rrugët e Tiranës’. ‘Çdo demokrate e demokrat duhet ta ketë të qartë se vendi i nderit i tij është në fushëbetejën qytetare. Të vazhdoni pa impresion, pa asnjë hezitim, të jepni kontributin tuaj maksimal në suksesin e kësaj proteste’, theksoi ai.
Lideri i opozitës Sali Berisha, shprehu bindjen se lëvizja protestuese do të triumfojë. ‘Unë kam besim të madh se revolucioni apo protesta do të triumfojë dhe se Edi Rama, çfarëdo që të bëjë, do marrë atë që meriton’, tha gjatë konferencës, kryetari i PD-së Sali Berisha.

FJALA E PLOTE
Jam këtu për të përshëndetur përzemërsisht dhe me mirënjohje të pakufishme ata dhjetëra mijëra apo qindra mijëra qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, që udhëtuan nga të katër anët e Evropës dhe botës dhe u bashkuan të shtunën dhe të dielën me dhjetëra mijëra qytetarë, duke i dhënë Tiranës dhe kombit një det të vërtetë shprese me protestën e tyre të paparë ndonjëherë.
Uikendi që kaloi, kryengritja paqësore më e fuqishme apo protesta paqësore më e fuqishme e njohur në histori mund të quhet si uikendi i diasporës, i atyre të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që udhëtuan mijëra e mijëra kilometra, nga toka, deti dhe ajri dhe u bashkuan me bashkëatdhetarët e tyre për largimin e regjimit autoritar më të egër që Shqipëria ka njohur pas diktaturës totalitare të Enver Hoxhës.
Ky akt madhështor ka mbushur me besim dhe shpresë zemrat e mbarë shqiptarëve dhe të kombit shqiptar.
Me vendimin dhe pjesëmarrjen e tyre, bashkëatdhetarët tanë nga diaspora në shumicë dërrmuese anëtare dhe mbështetës të PD, që zgjodhën të mbështesin protestën qytetare për rrëzimin e Edi Ramës, Pashiqit shqipfolës apo Çubrilloviçit që me qeverisjen e tij të keqe ka përzënë shqiptarët nga Shqipëria dy herë më shumë se Pashiqi dhe Gjeorgjeviçi në zbatim të kësaj doktrine nga Kosova.
Manifestimi dhe rrethimi epik i epiqendrës së krimit është një arritje historike, e cila e bën të pashpresë, e bën fund e krye të pashpresë sundimin e Edi Ramës dhe mafies së tij në Shqipëri.
Ndaj dhe thirrja ime për çdo demokrate e demokrat, për çdo mbështëtese dhe mbështetës të PD, por edhe çdo qytetar shqiptar që e do këtë vend, të vazhdojë protestën më të fuqishme që ka njohur vendi në misionin e madh shpëtimtar ndaj vendit dhe kombit, largimin sa më parë të Edi Ramës, mbi të cilin rëndon një mal me dosje korrupsioni.
Mbi të cilin rëndojnë akte të tradhtisë më të lartë kombëtare ndaj kombit shqiptar, përzënia masive e shqiptarëve nga Shqipëria dhe thikat pas shpinës ndaj Kosovës dhe autoriteteve të saj.
Mbi të cilin rëndojnë vjedhjet e tmerrshme të tij. Vetëm në vitin 2014, në raportin e OSBE, Edi Rama akuzohet se ka depozituar offshore si kryetar bashkie 200 milionë euro të vjedhura taksapaguesve shqiptarë.
Po pas kësaj, seria e dosjeve është sa mali i Dajtit në kuptimin e miliardave që përfshijnë.
Sulltani i Surrelit është dëshmuar familjarisht një hajdut i pamëshirë ndaj shqiptarëve.
Ai ka grabitur me suitën e tij miliarda, miliarda euro.
I ka shndërruar në pallate, vila për veten e tij, në saraje.
Familjarët e tij figurojnë në dosjet kriminale të AKSHI-t, në dosjen kriminale të Porto Romanos dhe në dhjetëra e dhjetëra dosje të tjera.
Pra, protesta e pothuaj gjysmë milionë shqiptarëve ditën e shtunë dëshmon se Edi Ramën nuk ka forcë në botë që ta shpëtojë.
Ndaj dhe kërkoj edhe njëherë dorëheqjen e tij të menjëhershme.
Krijimin e një qeverie kujdestare jo të forcave politike, por të përbërë nga ekspertë dhe njerëz të përgjegjshëm që i rikthejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve votën e lirë dhe bëjnë që ata të zgjedhin njerëzit që duan me votën e tyre.
Jam këtu gjithashtu për t’u kërkuar demokratëve kudo që janë, çdo natë vendi i tyre është në sheshin dhe rrugët e Tiranës në betejën për liri, për votën e lirë dhe kundër autokracisë.
Asnjë slogan, asnjë parullë, asnjë mashtrim i hedhur aty kundër opozitës së vërtetë, asaj opozite që në kushtet më të vështira të një kalvari të vërtetë, qëndroi e pamposhtur në dhjetëra e dhjetëra protesta kundër regjimit.
Të asaj opozite që u burgos, por nuk u mposht.
Që u sanksionua, por nuk u mposht.
Të asaj opozite që me komisionet e saj, me denoncimet e saj, depozitoi një mal dosjesh në SKAP, pavarësisht se heshtën.
Të asaj opozite që ia doli me betejat e saj të damkosë regjimin e Edi Ramës në tetë rezoluta ndërkombëtare si narkoregjim.
Të denoncojë e para narkoshtetin e tij dhe ta stipulojë atë në rezoluta ndërkombëtare.
Të asaj opozite që realizoi mbrojtjen e votës së lirë dhe që bëri të mundur që zgjedhjet e 11 majit të damkosen si farsë elektorale në një përpjekje shumë të madhe.
Pra, çdo demokrate e demokrat duhet ta ketë të qartë se vendi i nderit i tij është në fushëbetejën qytetare, kësaj radhe jo me flamurin dhe simbolet e partisë pasi kjo është një protestë qytetare, të cilën ne si të tillë e respektojmë plotësisht.
Të cilën ne bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë, por vetëm e vetëm si qytetarë.
Askush nuk duhet të impresionohet ndaj klithmave të atyre që janë unikë në botë që protestojnë kundër opozitës, të kompleksuar si vegël e qeverisë mendojnë se hapin rrugën e tyre duke sulmuar, duke shpifur, trilluar kundër opozitës.
Asnjë gjethe, asnjë degëz nuk duhet t’u pengojë ku të shihni trungun qytetar të kësaj proteste, kauza e të cilës në çdo pikë të paraqitur ka qenë dhe është kauza juaj, kauza e PD.
Ndaj dhe të vazhdoni si sot, pa impresion, pa asnjë hezitm, të jepni kontributin tuaj maksimal në suksesin e kësaj proteste.
Unë kam besim të madh se revolucioni apo protesta do të triumfojë dhe se Edi Rama çfarëdo që të bëjë, me çdo makinacion, çdo vegël që do përdorë, çdo mashtrim që do përdorë, do marrë atë që meriton.
Së fundi, në një nga aktet e shumta të ndërhyrjes së Shërbimit Informativ Kombëtar, të drejtuar nga bashkë-agjentja Rama-Vuçic me emrin Vlora Hyseni, e përjashtuar nga Shërbimi Informativ i Kosovës për grabitjen dhe eksportimin e të dhënave të këtij shërbimi në drejtimin që ajo deshi, është kryer dje një akt i vërtetë kriminal ndaj gazetarit Osman Stafa.
Osman Stafa, për të gjithë shqiptarët, është një gazetar guximtar, i cili është përballur me një guxim të admirueshëm, me mafien ndër më të rrezikshmet dhe më të fuqishmet, mafien e bluzave të bardha, në interesin më të mirë të të sëmurëve, të cilët Edi Rama dhe ministret e tij, drejtorët e tij, i linin pa ilaçe në spitalin onkologjik për shkak të babëzisë dhe vjedhjes së tyre.
Këto ditë, gazetari Osman Stafa ka mbajtur fjalime në këtë protestë qytetare, duke përfaqësuar veten e tij, betejën e tij kundër mafies shtetërore dhe kjo e ka tmerruar Edi Ramën.
Dje, para Hotel Tiranës, një çift i lidhur me pushtetin, të shkuarën e zezë, njëri prej tyre që ka glorifikuar të keqen aty ku ka punuar, bashkë me bashkëshorten, ia afrohen gazetarit tek qëndronte edhe me gazetarë të huaj dhe vendas dhe i vërsulen shtazërisht, e godasin për shkak të detyrës, e dëmtojnë fizikisht, vetëm e vetëm për fjalët e tij në protestë.
Jo vetëm kaq, por edhe për rolin që ai ka luajtur të pamohueshëm në betejën kundër mafies shtetërore të ilaçeve.
Provokatorë të turpshëm, në një kohë kur ai bisedonte me gazetarë të huaj dhe të tjerë, i afrohen dhe pretendojnë për ato që nuk kishte ndodhur kurrë dhe e agresojnë.
Dënoj me forcën më të madhe këtë akt absolutisht të porositur nga segmente kriminale të këtij shteti dhe Edi Rama, i cili me gjithë aparatin e tij po bën presionet më të jashtëzakonshme mbi eksponentë të protestës, mbi qytetarë të protestës, të të gjitha llojeve.
Duke dënuar me forcën më të madhe agresionin brutal ndaj gazetarit Osman Stafa, i them Edi Ramës që për çdo akt me pasoja do mbash përgjegjësinë më të madhe.
Gazetarët dhe cilido duhet të jetë i lirë në detyrën e tij, të marrë pjesë dhe të thotë ato që mendon.
Pra, kjo është mënyra se si ka zgjedhur Edi Rama të heshtë zërat, të cilët denoncojnë regjimin.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Marsi Korreshi, SYRI TV: Nisur nga fakti që kreu i qeverisë Edi Rama është sot në një takim zyrtar në Francë me presidentin Macron, cila mendoni se është tashmë pozita në arenën ndërkombëtare të kreut të qeverisë në një kohë që Bashkimi Europian ka miratuar një rezolutë në mbështetje të kërkesave të protestuesve dhe protestat kanë bërë jehonë në mediat e huaja?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Po, është njoftuar një takim, drekë, në Elize midis presidentit Emmanuel Macron dhe Edi Ramës.
Normalisht mund të përgjigjesha që nuk kam ndonjë koment dhe vërtet unë nuk di qëllimin. Por di një gjë. Në traditën e pallatit të Elizesë, drekat janë, si të themi, eventet për t’i shprehur haptas mendimet e veta Franca ndaj të ftuarit, që në rastin e drekës i jep privilegjin e një të ftuari në drekë.
Më kujtohet si sot në këtë traditë, kur i ndjeri presidenti Zhak Shirak ftoi ish-kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Dhe e ftoi për një drekë në Elize. Pas tre orësh drekë dhe bisedimesh, Koshtunica i paraqiste presidentit Shirak një realitet që nuk ekzistonte.
Dhe në një rast të pazakontë, presidenti Shirak, i ndjeri presidenti Shirak lëshoi një komunikatë në të cilën thotë: ‘Edhe si një transparencë ndaj francezëve që kanë një miqësi tradicionale me kombin serb- është e njohur kjo- që unë ftova kryeministrin e një kombi mik, por pashë që absolutisht ai nuk besonte realitet tjetër përveç atij që kishte në kokë dhe që nuk ekziston’.
Tani a do jetë kjo komunikatë apo tjetër, unë nuk mund të them se çfarë do jetë, por ky është një variant.
Varianti tjetër është edhe për të shprehur mbështetje. Nuk e di se cili do jetë, por unë uroj dhe dëshiroj që presidenti Macron të mbajë parasysh se realiteti që përshkruan Edi Rama, për bajlozin e zi, algoritmin, për agjenturat e huaja, greke, iraniane, ruse, serbe tani së fundi, nuk është ai realitet që ekziston në bulevardin e Tiranës ku qindra mijëra qytetarë protestojnë prej 22 ditësh në mënyrën më civile dhe më të qëndrueshme ndaj një regjimi që i ka plaçkitur ata në mënyrën më të pamëshirë.
Që i ka përzënë ata nga vendi i tyre nga viti 2015 deri në vitin 2024 në 10 vite, më shumë se çdo pushtues i egër i mëparshëm i kësaj toke.
I ka pakësuar ata edhe më shumë se murtaja e zezë e viteve 1300. Prandaj do dëshiroja që në atë bisedë presidenti Macron ta kishte të qartë se bajlozët e zinj që ai quan algoritmet; se shtojzovallet dhe shtrigat që ai konsideron blogerë e influencierë, janë që të gjitha fantazi e sëmurë e një njeriu të lidhur me pushtetin më keq se mishi me thoin për shkak të krimeve të tij të panumërta që ka kryer, dhe që nuk pranon në asnjë mënyrë ta dorëzojë atë, po bën gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij.
Uroj nga zemra që ky takim në Elize, të bëjë që Edi Rama të marrë mesazhin e duhur në interesin më të mirë të Shqipërisë, të rajonit, por dhe të miqve të Shqipërisë, mbasi sigurisht presidenti Macron e ka ftuar atë si një mik të Francës.


