Berisha: Përshëndes të gjithë qytetarët që janë ngritur në protestë kundër narkokraturës së Edi Ramës! Dënoj me forcë krahasimin që Rama u bëri protestuesve me falangat e Hitlerit

BASHKËBISEDIMI ME QYTETARËT I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur protestat qytetare kundër Edi Ramës dhe ka akuzuar këtë të fundit për sulme ndaj qytetarëve, manipulim të opinionit publik dhe fshehje të një afere që, sipas tij, lidhet me interesa korruptive dhe shkelje të ligjit.

Në bashkëbisedimin e tij me qytetarët, Berisha deklaroi se protestat kanë marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. ‘Përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë në protestë kundër narkokraturës kleptokratike të Edi Ramës. Dje, Europa dhe bota dëgjoi më fuqishëm se kurrë zërin e shqiptarëve jo vetëm në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit, por edhe në metropolet kryesore të Europës, ndërsa sot shqiptarët protestojnë pranë përfaqësive të narkokratit Edi Rama në SHBA’, u shpreh kreu demokrat.

Kryedemokrati Sali Berisha dënoi ashpër deklaratat e Ramës, i cili sipas tij krahasoi protestuesit dhe sloganin ‘Shqipëria shqiptarëve’ me retorikën naziste. ‘Dua të dënoj me forcën më të madhe krahasimin që Edi Rama u bëri protestuesve me falangat e Hitlerit. Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Të krahasosh sloganin e Mit’hat Frashërit ‘Shqipëria shqiptarëve’ me sloganet e Adolf Hitlerit do të thotë të kesh humbur çdo sens të realitetit’, deklaroi Berisha.

Sipas tij, kryeministri është ‘i damkosur para shqiptarëve dhe botës’ dhe po përdor teori konspirative për të shmangur përgjegjësinë politike.

Kreu i PD-së Sali Berisha u shpreh se, Edi Rama ka dhënë leje zhvillimi në një zonë që, sipas tij, po hetohet nga organet e drejtësisë për korrupsion dhe krim të organizuar. ‘Si mundesh të japësh leje zhvillimi në një zonë për të cilën e di mirë se po hetohej nga prokuroria speciale për krim të organizuar dhe korrupsion? A nuk është ky një kurth i shëmtuar për qëllimet e tua?’, pyeti Berisha. Ai u shpreh se, mungesa e transparencës rreth projektit dhe konfliktet e pronësisë në zonë janë prova të një afere që duhet hetuar deri në fund.

Duke iu referuar shqetësimeve për mjedisin, lideri i demokratëve Sali Berisha tha se qeveria po cenon një zonë të mbrojtur me rëndësi europiane. ‘Zvërneci është zonë e mbrojtur për Bashkimin Europian dhe nuk ke autoritet të veprosh në kokën tënde dhe në xhepin tënd në atë mënyrë’, deklaroi ai. Berisha solli edhe shembuj nga qeverisja e mëparshme e PD-së, duke thënë se projekte infrastrukturore janë ndryshuar për të shmangur dëmtimin e habitateve natyrore.

Kreu i opozitës Sali Berisha u shpreh se kërkesat e protestuesve janë të drejta dhe përbëjnë një rrugëdalje nga situata aktuale. ‘Kërkesat e paraqitura nga protestuesit janë kërkesa që i japin zgjidhje krizës. Ndaj kërkoj menjëherë zbatimin e tyre’, tha ai. Sipas tij, largimi i Ramës nuk do të krijonte vakum institucional. ‘Çfarë je ti, fundi i botës po ike? Ata që kanë kundërshtuar në gjykata, në parlament dhe kudo aktet e tua do t’i zbatojnë këto kërkesa’, deklaroi Berisha.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se ka urdhëruar ministrin Blendi Gonxhe që të tentojë të zbehë protestat duke organizuar sa më shumë koncerte. ‘Ka urdhëruar Blendi Gonxhen që, në mënyrë që të shuajë protestën, të organizojë sa më shumë koncerte. E dënoj këtë praktikë. Të shpenzohen dhjetëra milionë euro për të dëmtuar protestën është e papranueshme’, tha Berisha. Ai theksoi se lëvizja qytetare nuk do të ndalet deri në arritjen e objektivave të saj. ‘Jam i bindur se me asgjë nuk mund të pengohet ky uragan pa realizuar qëllimet e tij’, theksoi kreu i opozitës Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale.

FJALA E PLOTE:

Së pari, një përshëndetje të përzemërt të gjithë qytetarëve shqiptarë në protestë kundër narkokraturës kleptokratike të Edi Ramës.

Dje, Evropa dhe botë dëgjoi më fuqishëm se kurrë zërin e shqiptarëve jo vetëm në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit, por dhe në metropolet kryesore të Evropës dhe sot në SHBA shqiptarët protestojnë pranë përfaqësive të narkokratit Edi Rama.

Unë gjithashtu dua të dënoj me forcën më të madhe krahasimin që Edi Rama u bëri protestuesve me falangat e Hitlerit.

Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë.

Dje, në përçartjet e tij, ai u rrek të krahasojë të pavdekshmin, luftëtarin e lirisë, Mithat Frashëri me Adolf Hitlerin, barbarin e kohërave për fajin e vetëm se ata protestuesit përdorin një slogan të mirënjohur të Mithat Frashërit, kreut të Ballit Kombëtar, projekti i të cilit për Shqipërinë ishte projekti më madhështor i kohës.

Të krahasosh sloganin e Mithat Frashërit ‘Shqipëria, shqiptarëve’, me sloganin e Adolf Hitlerit se ky vend është vetëm i juaji, me të cilin ai organizoi Holokaustin, krimin e njerëzimit më të shëmtuar të kohërave, do të thotë të jesh i çmendur, do të thotë të kesh humbur çdo sens nga realiteti yt.

Edi Rama është tashmë i damkosur si kurrë më parë para shqiptarëve dhe botës.

Deklaron në mediat më të mëdha të botës me paturpësinë më të madhe se jemi në një luftë hibride duke aluduar kështu se Greqia apo ndonjë vend tjetër po bën gjithçka për të bllokuar investimet dhe turizmin, një idiotësi e pashoqe.

Greqia, e cila ka mbi 3 mijë kilometra brigje, dhe ka brigjet më të bukura dhe ujërat të përshtatshme, paska problem të madh se në Shqipëri u investokan 2 apo 3 miliardë euro.

Është pikërisht psikologjia e trashëguar e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, për armikun e brendshëm dhe të jashtëm, e atit të tij biologjik që firmoste varjen në litar të Havzi Nelës si kundërshtar politik, ajo që e shtyn Ramaduron t’u vendosë epitete nga më të ndryshme dhe mediat e tij.

Duhet të deklaroj këtu se këto ditë nxorën në pah një kurth të madh që Edi Rama kishte organizuar për investitorët, dhe konkretisht e them me bindje të plotë, për vajzën dhe dhëndrin e presidentit të SHBA.

Më lejoni të dashur qytetarë ta zbërthej pak këtë moment.

Së pari, çfarë del këto ditë?

Del se aty ka probleme madhore pronësie.

Fermeri, dje në Zvërnec ia plasi në fytyrë, i tha pyete pak Ardit Bidon se e kujt është toka.

Çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë se në dokumentet arkivore, ai zotëri kishte gjetur tokën e baballarëve të tij që po e rrëmben Edi Rama.

Dhe pastaj i kthehej dhe i thoshte mos më fol për gjykatën se më prish me Evropën.

Po kur shave gjykatën me regjistër dhe prokurorinë për Lubi Ballukun, për Lindat e tua, për Ergys Agasin, nuk u prishe me Evropën, kurse për pronën e tjetrit që po ia grabit, u prishke me Evropën. Demagog i pacipë.

Çfarë zbuloi dje takimi në Zvërnec?

Zbuloi se Zvërneci po hetohej prej një viti nga ai organ që ka dy vepra penale në hetim, korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar.

Pra, në një dosje ku prokuroria shqiptare kishte nisur hetimet për krim të organizuar ose korrupsion në nivelet më të larta, zotëria e tij jepte lejen e zhvillimit për kompaninë duke shpresuar se autoriteti i zotit Kushner dhe vajzës do të mjaftonin për të mbyllur çdo dosje.

A nuk është ky një kurth i shëmtuar i një të paburri që bën çdo lloj akti për përlyer cilindo për përfitime të vetat?

Si mundesh ti të japësh leje zhvillimi në një zonë, e cila e di mirë se po hetohej nga prokuroria speciale për krim të organizuar dhe korrupsion?

Çfarë doje të bëje ti me këtë?

Pra, a nuk është ky një kurth i yti për qëllimet e tua?

Çfarë del tjetër tani?

Se e kam thënë që në fillim, se në këtë aferë, ajo që të bën që në fillim një përshtypje tepër dërrmuese është mungesa totale e transparencës. Zero transparencë.

Çfarë pamë ne?

Ne pamë telat me gjemba, pamë një njeri që zvarritej, pamë protestuesit dhe qeveria që fajësonte kompaninë se nuk ke zgjidhur problemet me pronarët, paçka se i kishte dhënë titullin e investitorit strategjik, paçka se i kishte dhënë lejen e zhvillimit.

Pyesni pak, çfarë qeverie është kjo?

Të vijmë tani çfarë kanë nxjerrë të dhënat e tjera tepër tronditëse.

Zotëria e tij rrjedh në media se do ndërtohen dhjetë mijë dhoma.

Dhjetë mijë dhoma të dashur miq nuk janë duke filluar nga Karabaruni gjer në Ksamil.

Imagjinoni ju se çfarë batërdie…

Sepse nuk janë 10 mijë dhoma, janë edhe 10 mijë garazhe, anekse, etj.

Aty pra, ky i cili e mori Zvërnecin zonë të mbrojtur, e hoqi nga zona e mbrojtur, e heq ti, po nuk e heq Evropa, sepse habitatet e mbrojtura nuk janë vetëm për vendin përkatës, por janë për të gjitha vendet anëtare të BE dhe për vendet që ndjekin procesin e integrimit në BE.

Tani do më falni të dashur qytetarë, do u shpjegoj një moment të qeverisjes së mëparshme me Vjosën.

Po ndërtonim rrugën Levan-Vlorë, të financuar nga dy bankat e mëdha evropiane, për të cilat unë u jam shumë mirënjohës. Banka Evropiane për Investime dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në një moment të caktuar, grupet e mbrojtjes së mjedisit, të cilat i falënderoj, ngritën me të drejtë çështjen se autostrada shqetësonte habitatet, se kalonte në afërsi.

Bankat reaguan menjëherë dhe i kërkuan qeverisë tonë të ndryshojë projektin, ta largojë nga habitati.

Ndryshimi i projektit na kushtoi ne 18 milionë euro.

Por ne e ndryshuam projektin sepse rruga është rrugë, ato janë habitate të përjetshme dhe ato nuk preken.

Së dyti, qëndrimi ynë ndaj habitateve. Në vitin 2012, po afrohej afati që skadonte koncesioni i Rinasit dhe ne na lejohej të ndërtonim aeroporte në vend.

Dhe aeroporti i parë që kishim planifikuar ishte ai i Vlorës.

Dërguam grupin e specialistëve, specialistët tanë u kthyen dhe na thanë se aty ku ka qenë aeroporti nuk mund të ndërtohet për shkak të habitateve.

Sollën propozimin që aeroporti të ndërtohej tek kthesa e Levanit, gjetën edhe tokën të papërdorur dhe që nuk kishte prodhime dhe ishte vendi më i përshtatshëm sipas tyre dhe ishim plotësisht dakord sepse ky aeroport i shërbente edhe Beratit, i shërbente edhe Gjirokastrës. I shërbente jugut në tërësi.

Të njëjtën kanë bërë këta në vitin 2017. Kanë dërguar grupin.

Dhe ne sigurisht e spostuam aeroportin, ne vendosëm ta ndërtojmë tek kthesa e Levanit.

Këta dërguan grupin, Lubi Balluku. Dhe grupi u kthye me të njëjtin konkluzion, përveç tre servilëve që mbajtën anën e qeverisë.

Të gjithë të tjerët i thanë jo, aeroporti nuk ndërtohet aty, është në zonë të mbrojtur, shkatërron habitatin e flamengove dhe nuk mund të ndërtohet.

I nxorën për leckash jashtë dhe Edi Rama në mënyrë brutale vendosi ndërtimin e aeroportit, ku i ka dhënë një goditje fatale habitatit të shpendëve, të cilët nën zhurmë dhe nën uturimat e avionëve nuk mund të qëndrojnë më në atë lagunë.

Prapë vazhdojmë pak më tutje në këtë mes.

Në qoftë se e vutë re ju, presidenti i Këshillit Evropian, Costa, në vizitën e tij në mënyrë direkte, të hapur u ndal tek Zvërneci, në të cilën i kujtoi Edi Ramës se duhet të respektosh direktivën e Komisionit Evropian.

Direktiva e Komisionit Evropian për peizazhin natyror është e tillë. Mund të ndërtosh duke pasur parasysh katër kushte.

Edi Rama nuk ka plotësuar asnjë kusht.

Ka dhënë lejen e zhvillimit pa përfillur asnjërin prej kushteve.

Prandaj presidenti i Këshillit Evropian ndalej dhe i kujtonte se Zvërneci ëshët zonë e mbrojtur për BE dhe nuk ke autoritet të veprosh në kokën tënde dhe xhepin tënd në atë mënyrë.

Pra, ka pasur një seri zhvillimesh, ndërsa ky i quante hoxho bondo, bondo hoxho etj, etj me epitete.

Cili prej jush pa intervistën e tij në CNN. Turpi i shekullit, turpi i dheut.

U garantoj se Kim Jong Un po të fliste, nuk do fliste ndryshe.

Rrekej t’i mbushej mendjen gazetares se nuk ka projekt.

Po ti si e dhe lejen e zhvillimit? Pse nuk bën publike çfarë kriteresh ke përcaktuar ti në përputhje me direktivën Natyra 2000, e cila kërkon vlerësimin e përshtatshmërisë, kërkon një seri, kërkon gjetjen e zëvendësimit të habitateve në qoftë se ato preken. Dhe në qoftë se këto nuk ndodhin, ti nuk mund të ndërtosh, është shumë e prerë.

Të gjitha këto ky i kapërceu duke thënë se është ndërtuar në filan lagunë. Në qoftë se ndërtohet, ndërtohet në përputhje të plotë me peizazhin dhe je i detyruar që çdo cenim të habitatit ta kompensosh. Jo ta kompensosh mbrapa Dajtit siç bën ai.

Pra, kemi të bëjmë me një mashtrim shumë të madh dhe mendoj se kërkesat e paraqitura, të formuluara nga protestuesit janë kërkesa që i japin zgjidhje krizës.

Ndaj dhe kërkoj menjëherë zbatimin e këtyre kërkesave.

Është mashtrim me bisht se kush do i zbatojë kërkesat e tjera në qoftë se ti jep dorëheqjen.

Po çfarë je ti, fundi i botës po ike ti.

Do i zbatojnë kërkesat e tjera ata të cilët i kanë kundërshtuar aktet që ke nxjerrë ti.

Ata të cilët kanë vite që kundërshtojnë me gjykata, në parlament e kudo korporatën tënde të korrupsionit, investitorët strategjikë që i përdore për ministrat e tu dhe akrobatët e tu.

Kanë kundërshtuar me forcë ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtur.

Kush t’i bëjë ato?

Ato i bën parlamenti dhe ti duhet të largohesh menjëherë, të dëgjosh zërin e qytetarëve.

Dhe hiq dorë nga intrigat.

Ka urdhëruar Blendi Gonxhen tani që në mënyrë që të shuajë protestën të organizojë sa më shumë koncerte.

E dënoj këtë praktikë.

Pra, të shpenzohen dhjetëra milionë euro për të dëmtuar protestën, e cila ka qëllime shumë të larta dhe jam i bindur se me asgjë nuk mund të pengohet ky uragan pa realizuar qëllimet e tij.

BASHKEBISEDIMI ME QYTETARET:

Albanian Americans: Hetimi ndaj Belinda Ballukut është thelluar dhe SPAK tashmë ka njoftuar dhe dy akuza shumë të rënda, korrupsion dhe pastrim parash. Nëse këto akuza provohen, flitet për rrezik dënimi deri në 15 vite burg. Sa serioze i konsideroni këto zhvillime dhe a mendoni se kemi hyrë në një fazë të re të hetimeve ndaj figurave të larta të qeverisë?

Sali Berisha: Faleminderit shumë i dashur bashkëatdhetar për pyetjen. E drejtë.

Në dosjen e parë Lubi Balluku sipas prokurorit dënohet me 36 vjet burg. Po të shtohen dhe këto 15, del me 60 vite burg. Por atë e ka bllokuar dhe e bllokon Edi Rama me të gjitha mënyrat, me të gjitha format e presionit.

Ndaj dhe ju bëj thirrje, sot ju bashkëatdhetarëve tanë në Neë York dhe kudo që jeni, të ngriheni fuqishëm kundër kësaj diktature autoritare, plaçkitëse, që bazohet në krimin, dhunën, vjedhjen, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Është rruga e vetme për të hapur Shqipërisë rrugën e integrimit dhe rrugën e të ardhmes, largimi me urgjencë i Edi Ramës i cili nuk ka asnjë legjitimitet. Në qoftë se ju keni parasysh dokumentet ndërkombëtare, së pari: qeveria aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në meritën e saj më të madhe nuk i dërgoi telegram urimi sepse zëdhënësi i Departamentit të Shtetit u shpreh se qeveria amerikane përgëzon vetëm ata që bëjnë zgjedhje të lira.

Së dyti: zhvillime të tjera madhore treguan se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan në kushtet e partisë-shtet. Jo më larg se tre javë më parë, raporti i komisionit të jashtëm të Parlamentit Evropian shprehet se në zgjedhjet në Shqipëri fusha ishte e pabarabartë sepse u shkri, u fshi vija ndarëse midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake.

Pra Edi Rama zhvilloi zgjedhje në kushtet e partisë-shtet. Të njëjtin rekomandim jep dhe raporti i Këshillit të Evropës për zgjedhjet në Shqipëri, ku thotë rekomandohet të ndahet partia nga shteti. Jemi në këto kushte të dashur bashkëatdhetarë.

Zëri juaj kundër kësaj qeverie është më i çmuar se kurrë, aty ku jeni. Faleminderit.

Dritan Çaushaj: Përse bëhen protagonistë në protestë sorosianët dhe neomarksistët e egër? Demokracia në vendin tonë e ka sulmuar pa pushim komunizmi, në forma nga më të ndryshmet deri në revolucionin komunist në 97. Këto 13 vite u instalua një organizatë marksiste me financime nga Sorosi. Politika e Rama-Durrës ishte dhe është: shkatërroi votën e lirë, shkatërroi institucionet demokratike dhe korrupsioni në majat e tij, sa duhet një qeveri antikorrupsion, jo një ministri. Mënyra rezultative për të mbajtur ishte dhe është sulmo opozitën, kompromenton mediat, kompromenton ndërkombëtarët. Në këtë protestë valëviten simbolet komuniste, hidhen parrulla kundër Partisë Demokratike. Kjo protestë duhet të ruhet nga këto fenomene, të mos përfundojë si një lëvizje çartiste.

Sali Berisha: I dashur mik, shqetësimet që ti ngre bazohen në shfaqje të kësaj proteste, por ajo çka unë do t’u këshilloja miqësisht, nuk duhet që gjethet të na pengojnë për të parë trungun.

Trungu i kësaj proteste është një e vërtetë e madhe. Është një regjim i kalbur për të cilin qytetarët shqiptarë nuk ekzistojnë. I dashur mik, përfytyroje veten për një moment banor të Zvërnecit. Erresh në darkë në shtëpinë tënde dhe zgjohesh në mëngjes dhe gjen gardhin me tela me gjëmba si në kampin më të egër të përqendrimit.

A mund ta imagjinosh? A ka shpjegim? Dhe ky burrec, se është burrec, i ka dërguar, menjëherë i ka dërguar gazetarët mesazh, i kanë thënë: ‘Zoti Rama ç’bëhet kjo, si ka mundësi?’. S’ka kthyer asnjë përgjigje. Tani do të lajë duart si Pilati, që ‘unë s’dija, s’isha’, a diçka e tillë. Pra, së pari.

Së dyti… në çdo hap, po të bëj një pyetje ju: a keni gjetur ti në këtë proces qoftë dhe dritaren më minimale të transparencës? Edi Rama gjithçka e ka bazuar në mashtrimin.

Së treti, bëji një pyetje Edi Ramës. Edi Rama, çfarë deshe ti që çove Agaçin dhe Agaçion aty? Thuaju shqiptarëve sa hektarë ka blerë Engjëll Agaçi dhe ti je gjë aksioner, në zonën e ngjitur aty. Je gjë aksioner me Engjëll Agaçin në ato qindra hektarë që ka rrëmbyer Engjëll Agaçi?

Je gjë aksioner ti në hektarët e Don Agaçios?

E di ti që kishte një hetim njëvjeçar edhe për Arubën, dhe ndërkombëtar për Arubën? Çfarë pazaresh u bënë në Aruba? Dhe ja u the ti investitorëve strategjikë se ka një hetim dhe për një aferë të tmerrshme aty?

Tani, sigurisht qëndron ajo që thotë ai. Aty në qoftë se korpusi pra, është një korpus në kuptimin absolut patriotik dhe po lufton për demokraci, gjethe të opozitës… të atyre që përpiqen të nxjerrin gështenja me duart e të tjerëve që janë të damkosur si marksist-leninistë të njohur dhe përpiqen të manipulojnë një protestë të tërë të kthejnë bërtasin që s’do jetë politike, atëherë këto janë krejtësisht të pavlera dhe ne nuk duhet të intimidohemi përkundrazi.

Demokratët kanë marrë, do marrin pjesë dhe do mbështesin çdo protestë të drejtë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, pa asnjë lloj kompleksi. Po, dua ta them këtu, kam kërkuar deputetëve dhe drejtuesve kryesorë të Partisë Demokratike në respekt të deklarimit të protestës si një protestë qytetare që të mos shkojnë aty për të bërë lajme se protesta po tentohet të akaparohet.

Forca politike e mbështet kudo në Tiranë dhe në rrethe. Demokratët kanë qenë të pranishëm dhe do jenë të pranishëm si qytetarë. Natyrisht, kauza e shpallur e largimit të qeverisë dhe vendimet pasuese janë kauzë që i ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme Partia Demokratike dhe i mbështet plotësisht.

Muharrem Kurti: Doktor Berisha ju përshëndes, jemi pro çdo proteste, por një gjë nuk e kuptoj nga kjo protestë. Kur vendoset në peshore të barabartë pushteti me opozitën.

Sali Berisha: Nuk janë qytetarët ata. Ata janë opozitarët e opozitarëve. S’kanë asgjë të përbashkët me qytetarët. Janë thjesht vegla të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.

Mos u merrni me ta.

Qytetarët nuk kanë asgjë të përbashkët me ta. Lexoni çfarë janë korpusi kryesor i tyre, dhe bashkohuni me ta sepse e vërteta është që ata po përballen në mënyrën më dinjitoze me një regjim që nuk ka asnjë ditë legjitimitet.

Ndaj dhe sugjerimi im është ky: Edi Rama nuk ka legjitimitet, ai doli nga zgjedhje të plaçkitura, ai mbrojti haptas korrupsionin dhe ai mashtroi me problemin e Zvërnecit në mënyrë monstruoze sikur ta kishte pronë të Kristaq Ramës, dhe jo një territor i tërë, me banorët e vet, me qytetarët e vet, dhe një pasuri jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e Europës.

Endri Tufina: Zoti Berisha, dje në Vlorë Rama akuzoi se u zhdukën dokumentet e tokave përgjatë qeverisjes së PD që ishin ruajtur dhe nga regjimi diktatorial. Prandaj jemi në këtë situatë. Unë do desha nëpërmjet jush t’i bëj një pyetje, po dokumentet e Baba Pilos për 224 mijë metra tokë në Vuno, ku i gjeti ky, beu i madh i jugut?

Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Të garantoj se ato 224 mijë metra nuk i përkasin kurrë Spiro Kolekës, Baba Pilos, vëllait të Edi Ramës, Edi Ramës, mamasë së ndjerë të Edi Ramës, të cilët në të gjitha dokumentet ishin një familje e varfër me 3 dhi dhe një gomarë, të regjistruar në regjistrat e shtetit të asaj kohe.

Po, ka ekzistuar një Spiro Kolekë tjetër, burrë i shkëlqyer, ministër i qeverisë së Sulejman Delvinës, që ka udhëhequr luftën e Vlorës me sukses të madh.

Dhe ai nuk ka asnjë pretendim, asnjëri prej familjarëve të asaj dege për kanionin e Gjipesë, kurse këta duan ta vjedhin.

Dëgjoni pak, Artan Lame, i cili ç’është e vërteta ndjesë pastë nuk flas më për të se është i ndjerë tani, një gjë bëri, nuk ia firmosi kurrë.

Nuk ia firmosi Edi Ramës.

Tani thuhet se me Ardit Bidon, nuk e di, duhet të hetohet, ka falsifikuar dokumente në arkivë dhe ndaj Ardit Bido u lartësua në deputet, iu dha imuniteti i deputetit.

Këto janë çështje hetimi, por çdo çështje pronësie, PD ka evaduar 54 mijë dosje pronësie.

Sigurisht mbeten të tjera.

Në mënyrë absolute me vendosmërinë më të madhe do të trajtonte çdo dosje.

Por nga ana tjetër, ne vumë ligjin që në qoftë se investitori i huaj blen tokën bazuar në dokumente origjinale shtetërore dhe pas kësaj, pasi fillon punë, dalin pretendentë se ky dokument nuk është i vërtetë, në këtë rast çdo pretendim i kalon shtetit.

Dhe në këtë rast shteti paguan nga fondi i tij me çmimin e tregut pronarin dhe ndëshkon falsifikatorin.

Ky, këtë ligj e modifikon siç don.

Dhe e nxori kur unë denoncova ekzistencën e tij mbi dy ose tre herë.

Griselda Selimaj: Z. Berisha prej 6 ditësh qytetarët dhe aktivistët protestojnë me të drejtë kundër projektit të Zvërnecit dhe ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura, duke e cilësuar këtë si një aferë të radhës korruptive të kësaj qeverie. Ne e dimë që PD ka mbajtur gjithmonë qëndrim parimor dhe në mbrojtje të interesit publik dhe pronës kombëtare. Nisur nga kjo situatë, ku ndjeshmëria qytetare është shumë e lartë, si mendon opozita ta bashkojë forcën e saj politike me këtë reagim të shoqërisë civile për të ndalur këtë projekt në Zvërnec. Dhe konkretisht, cili është zotimi i programit të PD-së për të anuluar këto ligje klienteliste dhe për të garantuar që pas ndryshimit të pushtetit, pasuritë tona natyrore si Narta dhe Zvërneci do t’u kthehen qytetarëve dhe nuk do të preken më kurrë.

Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen. Qëndrimi i Partisë Demokratike ndaj protestës ka qenë, ne mbështesim çdo protestë dhe në këtë protestë kanë marrë pjesë pa asnjë lloj kufizimi të gjithë ata që e kanë konsideruar kauzë të drejtë për të protestuar. Përsa i përket kërkesave, unë i pashë pesë kërkesat e përfaqësuesve.

Kjo është protestë qytetare dhe e tillë është e vërteta e saj. E shoqërisë civile, dakord, sepse kanë treguar një… dua ta them këtu. Kanë treguar një shkallë ndërgjegjësimi shumë të lartë.

E thoshte bukur një analist, është brezi digjital. Është brezi i informacionit të gjerë. Brezi i inteligjencës artificiale.

Pra, në këtë kuadër, ju rikujtoj se Partia Demokratike ka votuar kundër dhe ka çuar në gjykatë ligjin e zonave të mbrojtura të tij. Shëmtimin që i bëri këtij ligji. E ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e ka votuar kundër dhe e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese. Partia Demokratike dha shembullin. E spostuam disa kilometra autostradën, Levan-Vlorë, na kushtoi 20 milionë dhe pothuajse 18 muaj vonesë dhe një urë më shumë sapo u gjet, por u mbrojt, ne jemi për mbrojtjen e zonave.

Të gjitha çështjet e ngritura nga shoqëria civile dhe qytetarët në ato pika të shpallura, janë të drejta dhe kanë patur kundërshtimin e hapur në parlament, në gjykatë dhe jemi të gatshëm t’i votojmë që nesër. Pra, Edi Rama u thotë protestuesve ‘Après moi, le déluge’ (Pas meje, gremina).

‘Pas teje është e ardhmja e shqiptarëve e sigurt. Me ty është gremina’. I them sot këtu.

Desada Metani: Doktor, përshëndetje. Keni postuar një video ku Rama pranonte se me anë të DPA-së po përgjonte rrjetet sociale dhe qytetarët. Çfarë domethënë kjo, që jemi në përgjim në këtë kohë protestash?

Sali Berisha: Ju e dëgjuat vetë. Përshëndetje Desada, ju e dëgjuat vetë se si u thotë fermerëve se si arritëm, si u rrit fluksi digjital nëpër Shqipërinë aq e kaq e aq e kaq, çka do të thotë se dihet, se sistemi që instaloi, pas mbylljes së TikTok-ut për të survejuar internetin e të gjithë shqiptarëve, po e përdor gjerësisht kundër protestuesve, kundër fermerëve, por asnjëri nuk duhet të impresionohet. Në mënyrë absolute, ai do marrë vendin që meriton.

Ndoc Bushgjoka: Zotni Berisha, po flitet hapur e nën dorë se për protestat kanë dorë greku, Kosova, turku e të tjerë e të tjerë, e tash së fundi ai i Olimpikut na sqaroi se është dora e këmbë iraniane. Dikush tha se janë produkt i majorëve të Zelandës meqë ata në manifestimet e tyre thërrasin fort, si në protestat tona të ditëve të fundit. Presim mendimin tuaj, i nderuar doktor.

Sali Berisha: Vlerësimi im, kjo është një protestë qytetare ndër më të fuqishmet në historinë e një vendi. E thashë dhe një herë, gjethet apo degëzat kurrë nuk mund të errësojnë trungun.

Kauza e këtyre qytetarëve është për shpëtimin e Shqipërisë nga një regjim që po shkatërron, i cili është vlerësuar nga publicistë të mëdhenj europianë, si Pashiqi, si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit. Domethënë si njeriu që ka mbrojtur, ka shkërmoqur interesat e shqiptarëve në mënyrën më të vendosur dhe ka mbrojtur interesa të tjera.

Ato fobirat e tij, ai vetëm sa nxjerr setapin e etërve të tij për armiqtë e jashtëm. Një herë thotë irani, herë tjetër thotë rus, herë tjetër thotë grek, herë tjetër marrëzira të tilla që s’kanë absolutisht asnjë lidhje me korpusin e fuqishëm të protestës qytetare të shqiptarëve në këtë maj.

Dhe grupi parlamentar do kërkojë mbledhjen urgjente të parlamentit për t’i dhënë përgjigje krizës së thellë në të cilën po rrokulliset vendi. Qytetarët kanë të drejtë, çdo orë, çdo dokument, çdo gjë që doli, u jep të drejtë atyre.

Shyqyri Myrtollari: Doktor, përshëndetje. Dje xhaxhai i Enea Mekollit e bëri të qartë se jemi në mëshirën e krimit, i cili vret policë dhe kërcënon biznese. A nuk duhet një komision hetimor për të hetuar lidhjet e Edi Ramës me elementë të krimit, duke pasur parasysh dekorimet e Çyrbjes dhe të elementëve të tjerë kriminelë?

Sali Berisha: Faleminderit i dashur Shyqyri për pyetjen. Keni shumë të drejtë, por besoj se dy aktet e fundit në qytetin e Durrësit janë akte të cilat nuk lexohen, nuk gjenden as në realizmin fantastik të Garcia Markesit.

Shpallja fisnik i Partisë Socialiste i të atit të Ergys Agasit ishte një sfidë e hapur e tmerrshme për qytetarinë e Durrësit. Qytetarinë e mrekullueshme të Durrësit, virtytet, vlerat, përgjegjësinë e saj qytetare.

Merita e vetme e Bardhyl Agasit është se i dha Durrësit dhe Shqipërisë një famëzi, një djalë famëzi, si Ergysi. Dhe me medaljen që i jep Edi Rama, e bën atë të mbrojtur të plotë nga hetimet e SPAK-ut apo hetimet e tjera, ku unë nuk kam të dhëna, por nuk është çudi që ai noton mbi pasurinë kriminale të djalit të tij.

Po në Durrës, siç e dini ju, u shpall fisnik i Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja. Ish-deputeti socialist që shërbente si informator i Altin Hajrit. Vrasësit që ndau në copa trupin e Jani Prengës në lokalin e tij. Dhe që rrinte i lirë. Dhe që Jurgis Çyrbja e informonte atë për çdo lëvizje të policisë, që meritonte vite e vite të tëra në burg.

Dhe del nga burgu dhe Edi Rama ditën që mbante vetë fjalimin në Bruksel, i dorëzon pallaskën e partisë me Bledi Klosin në qark.

Unë dëgjova me shumë dhimbje, me shumë, shumë dhimbje fjalën e xhaxhait, të dëshmorit të atdheut, Enea Mekolli. Jashtëzakonisht e dhimbshme.

Djali i tyre, të dashur qytetarë dhe qytetare, pas fatkeqësisë së madhe që pësoi familja e tyre, humbi nga sëmundja djalin e veshur polic, mendoi të zëvendësonte vëllain, të vazhdonte misionin e vëllaut të vet.

Dhe ra nga një dorë kriminale që mbështetej nga shteti. Sigurisht që dje kam kërkuar që Komisioni i Sigurisë do të nisë nesër hetimin, sepse jam i sigurt që krerët e policisë së shtetit dhe qeveria do bëjnë gjithçka për të falsifikuar dhe për të mashtruar rreth kësaj ngjarje.

Por do përpiqemi dhe një herë u shpreh ngushëllimet. I garantoj se s’kam asnjë tendencë se e bëj këtë kurrë për politizim, por nuk mund të them se sot jetët e shqiptarëve janë në duart e krimit dhe kjo ishte fatkeqësi edhe për familjen Mekolli.

Përparim Ajazi: Doktor, çfarë fitojmë ne nga këto investime? Shqipëria po kthehet në një model Haiti apo Santa Domingo ku ka resorte apo ndërtesa luksoze dhe varfëri të tejskajshme në popullsi. Resortet e Samirit, Hydajetit apo Artan Gacit nuk i kanë sjellë asgjë vendin. E ç’më duhet mua vjen Kushner apo ndonjë tjetër kur një natë në këto resorte kushton 500 euro dhe shkon gjysma në Katar dhe gjysma në Izrael?

Sali Berisha: Unë bie dakord me ju plotësisht në këtë pikë. Gjatë qeverisë së PD, së pari, se e përmendi një ditë 1 euron, por kurrë asnjë gjë nuk jepej pa garë të hapur.

Së dyti, nga derdhja e Bunës, për të mos thënë nga Zogajt tek liqeni i Shkodrës gjer tek kepi i Stillës, nuk ka pasur asnjë përjashtim nga taksat. Zero përjashtim.

Po, qeveria e mëparshme vendosi me ligj përjashtimin nga taksat për të gjithë ata që investojnë në zonat malore.

Pse këtë? Sepse ne kemi më shumë male se çdo gjë tjetër. 80 përqind e sipërfaqes tonë është kodër e mal.

Ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm për të shpalosur dhe që jemi vetëm në metrat e para, është Valbona dhe Thethi, Dardha, Voskopoja, pra nuk kemi asgjë pothuaj në zonat malore.

Ndaj dhe ne menduam që ata që investonin, por jo në kuadrin e iniciativave të tij gjobëvënëse, vëllavrasëse, nuk marrim ne tokën e kujt për ta dhënë, ai që donte të investonte me dokumente të rregullta, do përjashtohej tetë vite nga taksat.

Shkoni mbrapa Dajtit, po të shkoni atje, 20 minuta përtej Shëngjergjit, ju keni disa zona përrallore që 99 përqind e qytetarëve të Tiranës nuk i njohin, nuk i shfrytëzojnë.

Ato janë parajsa malore.

Por të investosh atje, kostoja pa dyshim është dy ose tre herë më e lartë se të investosh në Tiranë.

Siç ua bëri ky në Theth që u futi ruspat në mënyrën më kriminale ndërtimeve të bëra në tokën e babës, një zonën e lejuar për ndërtim dhe shkoi dhe i shkatërroi.

Pra, ne kemi rezervuar regjimin pa taksa në ligjin tonë vetëm për zonat malore.

Përndryshe, në qoftë se e vendos në regjim pa taksa, kushdo që të jetë aty përfitohen taksat, përfitohen taksat shoqërore, etj me radhë.

Shkëlzen Kolgjini: Rama në burg, Berisha në burg. Çfarë keni për të thënë për këtë Doktor?

Sali Berisha: Së pari, qytetarët janë të lirë të shprehin ç’të duan. Kurse ata që e dirigjojnë këtë, të mos i dominoj se nuk e meritojnë as emrin t’ua përmend, janë opozitë e opozitës, janë vegël e qeverisë. Kaq!

Komisari Memo: Zoti Berisha, do të desha t’u pyes për sa i përket barbarisë që është bërë nga parku i Butrintit gjer në Bunë, nga Berati në Gjirokastër me betonizimin. Pyetja është, çfarë mund të bëhet dhe si mund të bëhet rikuperimi i kulturës dhe natyrës, por mbi të gjitha për cilësinë e jetës. Ju lutem një shpjegim?

Sali Berisha: Jam dakord me ju, këto kanë qenë 13 vitet e shkatërrimit më të madh të këtij vendi.

Përmende Butrintin, parku i Butrintit, unë nuk mund të them se kam shëtitur gjithë botën, por parku i Butrintit me ato 9 mijë hektarë tokë dhe liqene që kishte, në mendjen time ishte një nga pasuritë më përrallore natyrore, arkeologjike, historike.

Dhe duhet të them i dashur mik, se për sa kohë qemë në pushtet, në mënyrë absolute përveç zgjerimit të rrugës për arsye të turistëve, sepse rruga ishte e ngushtë dhe autobusët rrezikoheshin, nuk është bërë as edhe një ndërhyrje. Është respektuar me rigorozitetin më të madh.

U jam mirënjohës lordëve Rothschild dhe Sansbary, të cilët ngritën një fondacion që shërbeu për promovimin e pasurisë përrallore të këtij parku, por duhet të them se për kohën që ne ishim në pushtet, ata, jam dëshmitar i kujdesit maksimal që ata tregonin për mosprekjen e parkut.

Kam korrespondencën me ta vetëm për zgjerimin e rrugës, ku unë shpjegova që kjo u bë e domosdoshme.

Ai park është një pasuri përrallore që duhej t’u kalonte shqiptarëve gjeneratë pas gjenerate.

Ai park u kafshua për vdekje nga Edi Rama, nga Mirela Kumbaro, ai park faktikisht është në kërcënim të ekzistencës së tij.

Dhe jo vetëm ai.

Edi Rama hoqi 110 mijë hekëtarë zona të mbrojtura nga bregdeti dhe i degdisi në zona nga Mali me Gropa gjer në Bulqizë.

Unë nuk them se aty nuk ka peizazhe natyrore. Jo, ka. Por ti këto të bregdetit, ku njeriu mund t’i shkatërrojë, ti nuk mund t’i hiqje kurrë nga mbrojtja.

Dhe ky i hoqi.

Ndaj dhe cili do jetë?

Sigurisht do jetë rikthimi i tyre në zona të mbrojtura.

Do ketë përpjekje të mëdha për rehabilitim.

Aty ku është e mundur rizhvillim i habitateve, mbrojtje e mëtejshme, kjo mund të bëhet.

Por dëmet janë, ju keni shumë të drejtë, të pallogaritshme.

Ju e vutë re, vetëm në një zonë të Nartës, jo në tërë zonën, se në të gjithë zonën mund të jenë të planifikuara nga mafia shqiptare, nga Ergys Agasi, Agaçëra, Alket Hyseni famëzi… po Pjerin Ndreu, kur ky më thoshte se ka dalë një Gjon dhe ka marrë kaq mijë hektarë në breg. Ajo ishte familja e Gjon Boçarit, pasardhësit e Gjon Boçarit, dhe ky e paraqiste mirditor, pavarësisht se kur i del Pjerini i tij në Zvërnec, e çel gojën? E tha një fjalë për Pjerinin?

Nuk e flet dot se është vetë me Ergysin.

Nuk e flet dot se është vetë me Alketën.

Nuk e flet dot se ka vënë të gjithë mafien socialiste aty.

Kjo është e vërteta, por unë kam bindjen e plotë se gjërat do sqarohen.

Prishila Sterkaj: Në Vlorë dje ishte i angazhuar vetë drejtori i policisë Skënder Hitaj, që mos të ndodhte gjë lartmadhënisë. Nuk do bënte mirë që të angazhohej pak më tepër për kapjen e kriminelëve që po vrasin policët në detyrë?

Sali Berisha: Të them në fakt janë një pjesë e madhe e tyre me në krye Skënder Hitën, janë bashkëpunëtorë me kriminelët. Nuk mund të presësh kurrë prej tyre.

Por, a mund të shfrytëzoj këtë pyetjen tuaj të shpreh mirënjohje ndaj qytetarëve të Vlorës që e bojkotuan?

Në antimitimun e tij të turpshëm, që do regjistrohet si turpi më i madh në histori, ta dini ju, ai kishte çuar, mesazhet që të paraqiten me detyrim, janë rreth 5 mijë punonjës rrogtarë nga Lushnja, nga ura e Rrogozhinës, deri në Konispol.

Ata nuk u paraqitën, shumica e tyre, dhe unë u them se kanë bërë një akt patriotik dhe socialistët e Vlorës unë i përgëzoj që nuk u bashkuan me mezin e tij dhe me atë grup që mbetën aty, e diskredituan, karriget bosh dhe antimitimun e dështuan.

Flamur Dardani: Prej disa ditësh vendi po ndjek protestën e njohur si protesta e flamingove, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka deklaruar se do të rifillojë ciklin e protestave sapo të përfundojë procesi i ristrukturimit të brendshëm. Kur pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar për zgjedhjen e kryesisë dhe a ka një afat të përafërt se kur mund të mbahet protesta e ardhshme kombëtare e opozitës?

Sali Berisha: Shumë e drejtë pyetja. E vërteta është që ne kemi patur në projekt të thërrasim protestën kombëtare, por nuk e kemi bërë për shkakun e vetëm të protestës së përditshme të qytetarëve.

Iu kemi dhënë atyre, në respekt të tyre i kemi dhënë përparësi, ndërkohë demokratët, të gjithë ata që kanë dashur të protestojnë kanë shkuar dhe kanë protestuar. Ky është qëndrimi.

Pra, as nuk kemi bërë përpjekje, kemi respektuar e kanë thirrur të tjerë, dhe kanë meritën e tyre, e kam quajtur të jo të arsyeshme që ne të rivalizojmë me një protestë, por përkundrazi të bëhet gjithçka për suksesin e saj në pjesëmarrjen qytetare, si qytetar.

Kështu që nuk mund të them se ne e ndjekim me shumë angazhim këto zhvillime, shohim që kriza po thellohet në mënyrë të pandalshme.

Shohim qëndrimet e Edi Ramës bëhen çdo ditë e më të papërgjegjshme. Por ne, thashë, jemi të gatshëm në çdo moment, në çdo kohë, të vazhdojmë përmbushjen e misionit tonë.

Përsa i përket mbledhjes, këtë javë mblidhet Këshilli Kombëtar, këtë javë zgjidhet Kryesia e Partisë Demokratike, këtë javë pra plotësohen të gjitha.

Është lënë edhe pak kohë se ka patur ndonjë ankesë dhe shpresoj që çdo njeri që ka dyshimin më të vogël në numërimin e votave, është i ftuar nga unë të vijë të rinumërojë votë për votë votat e tij.

Isuf Zalli, Dublin: A ka mundësi që bashkë me këta që janë në protesta, të heqim këtë armik, Edi Ramën? Unë do vij sot nga Irlanda në protestë.

Sali Berisha: Unë të përgëzoj, të jesh një atdhetar i flaktë dhe ju garantoj se Edi Rama po ecën me shpejtësi drejt fundit që meriton. Faleminderit!

***

Për ta mbyllur këtë bisedë, unë mund të them se kjo protestë nxorri në pah para Shqipërisë, para shqiptarëve dhe botës, shëmtinë e regjimit të Tiranës.

Dëshmoi se çfarë është në gjendje të bëjë Edi Rama, se çfarë cinizmi, urrejtje ka ky ndaj qytetarëve, të cilët s’e ka për gjë t’i vlerësojë si pasardhës të Hitlerit apo nazistë.

Të krahasojë Mit’hat Frashërin me Adolf Hitlerin, arrin gjëra në çmenduri të tilla! E them me bindjen më të thellë, se është një akt i turpshëm, i turpshëm, përpjekja e tij për të implikuar vajzën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe dhëndrin e tij, duke ju ofruar atyre për investim strategjik, një zonë e cila hetohet nga prokuroria shqiptare për krimin e organizuar dhe korrupsionin e niveleve të larta.

Një zonë në të cilën përfliten trafikantë, përfliten vrasës, kriminelë, zyrtarë, mafiozë të Partisë Socialiste e të tjera e të tjera. Unë nuk besoj kurrë se një qeveri serioze mund t’ia ofrojë kujt përveçse ligjit, ligjit dhe vetëm ligjit.

Edi Rama mendon se ndofta, nëpërmjet autoritetit të kompanisë, do mund të shuante hetimin, do mund të mbyllte, ka pak të hapur të asaj afere. Pra të gjitha këto tregojnë se çfarë është i aftë të bëjë ai.

Dhe tani deklaron se kjo nuk ishte asgjë, po të mos ishte emri i dhëndrit të presidentit Trump. S’ishte asgjë zvarritja e qytetarit sipas tij! S’ishte asgjë ajo, s’ishin asgjë telat me gjemba rrethimi i fshatit me tela me gjemba.

Nuk ishin asgjë, të cilat të gjitha i dinte vetë ai. Ndaj dhe largimi i tij sa më parë.

E përshëndes zotin Zalli, që merr mundimin të mbështesë, të gjithë diasporën, dhe ftoj të gjithë diasporën aty ku janë, të rrethohen dhe të protestojnë pranë përfaqësive të Edi Ramës, të cilat duhet të bashkohen me protestuesit dhe jo të përfaqësojnë Edi Ramën aty ku janë. Është një regjim turpi, narkoshteti, një regjim i cili turpëron kombin, vendin dhe njeriun e qytetëruar.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale