FJALA PËRMBYLLËSE E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN PËR MINIMUMIN JETIK
EKSTRAKT
Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka akuzuar Edi Rama për grabitje të pasurive publike, duke u ndalur veçanërisht tek projekti i Portit të Durrësit, që sipas tij është ‘pasuria numër një’ në Shqipëri. Ai u shpreh se mbi 45% të popullsisë në vetëm një dekadë, duke e cilësuar si një fenomen të paprecedentë në historinë e vendit.
Duke u ndalur tek Porti i Durrësit, Berisha e cilësoi atë si një pasuri strategjike me vlerë shumë të madhe kombëtare, madje duke e krahasuar me Kaskada e Drinit. Ai akuzoi qeverinë se po e zhduk këtë port për t’i hapur rrugë një projekti ndërtimi me apartamente, hotele dhe struktura turistike, që sipas tij përfshin mijëra njësi banimi dhe facilitete luksoze. Berisha deklaroi se në vend të portit ekzistues po planifikohet ndërtimi i një porti të ri në Porto Romano, i cili sipas tij do të jetë ‘gjashtë herë më i vogël’ në kapacitet.
Kryedemokrati Sali Berisha, duke folur në takimin për minimumin jetik të organizuar nga Departamenti i Çështjeve Sociale në PD, hodhi akuza të forta ndaj Edi Rama, duke deklaruar se, ka bllokuar arrestimin e Belinda Ballukut, pavarësisht se sipas tij ajo rrezikonte deri në 36 vite burg nga dosjet e shqyrtuara. Berisha tha se bëhet fjalë për afera që arrijnë në mbi 1.2 miliardë euro, duke shtuar se këto përfaqësojnë vetëm një pjesë të çështjeve në hetim. Ai u ndal edhe tek situata ekonomike, duke deklaruar se rritja ekonomike në vitet e fundit është mbështetur kryesisht tek taksat dhe jo tek prodhimi real. Berisha theksoi se pensionet dhe të ardhurat nuk përballojnë më rritjen e çmimeve, duke e cilësuar këtë si pasojë direkte të keqqeverisjes dhe abuzimit me fondet publike.
Gjatë fjalës së mbajtur në takimin për minimumin jetik dhe programin për mbështetjen sociale të qytetarëve, kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh se, këto realizohen vetëm me largimin e qeverisë së Edi Ramës. ‘Për sa kohë ne nuk i japim duart atij, varfëria do bëhet gjithnjë e më e madhe, fëmijët tanë do ikin gjithnjë e më shumë, njerëzit tanë do vdesin gjithnjë e më shumë të pamjekuar, Shqipëria do boshatiset gjithnjë e më shumë. Ndaj dhe është sot më imperative se kurrë të angazhohemi të rinj, mosha mesatare, të moshuar, t’i japim duart sepse mundësitë e vendit janë të jashtëzakonshëm’, u shpreh Berisha.

FJALA E PLOTE:
Sot në propocion ne jemi kombi që braktisim më shumë vendin sa asnjë komb tjetër.
Ne qëndrojmë në krye të boshatisjes së vendit.
Vetëm në vitet 2014-2023, sipas EUROSTAT, janë larguar nga Shqipria 1 milionë e 99 mijë vetë, këta vetëm në zonën e Shengenit, pa llogaritur qindra mijëra të tjerë që janë larguar drejt Kanadasë, SHBA dhe zonave të tjera të planetit.
Në fakt pra i bie mbi 45 përqind e shqiptarëve në 10 vite.
Kurrë nuk gjendet një pushtues që të ketë larguar kaq shumë shqiptarë nga Shqipëria.
Shqiptarët e larguar nga Shqipëria gjatë këtij regjimi janë dy herë më shumë se ata që u larguan nga Kosova në zbatim të platformës së Vaso Çubrilloviçit.
Dhe cilido që lexon elaboratet famëkeqe, gjen se janë përdorur në Shqipëri pothuajse të njëjtat metoda që sugjeronte Vaso Çubrilloviç të përdoreshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Por në themel të të gjithë faktorëve që kanë krijuar këtë goditje të tmerrshme kombëtare, që u hoqën shqiptarëve, të jemi realistë, faktorin më kryesor të përballjes në sukses në ekzistencë me kombet e tjera, faktorin demografik, qëndron varfëria.
Varfëria në një tokë, në një vend, i cili për sipërfaqen që ka, mund të jetë toka dhe vendi i pasurive më të mëdha në Evropë ose kudo më gjerë.
Nuk ka një vend të dytë, u them me bindje absolute, por edhe me të dhëna të padiskutueshme, që të ketë pasuritë përrallore të Shqipërisë në një sipërfaqe 28 mijë metra katrorë. Nuk gjendet një vend tjetër.
Por ajo që ka ndodhur këto 12 vite, ka ndodhur ajo që në histori ka ndodhur me kombet e kolonializuara.
Në vendet e kolonializuara, pasuritë kombëtare shndërroheshin në mallkim kombëtar sepse ato nuk ndryshonin jetën e qytetarëve, por grabiteshin, plaçkiteshin nga kolonizatorët, kurse qytetarët shfrytëzoheshin.
Në Shqipëri, e thatë shumë drejt, në këto 13 vite është vendosur sistemi i oligarkisë, është vendosur një sistem plaçkitje universale ku oligarkë dhe qeveritarë në një konglomerat gjigant plaçkisin çdo ditë qytetarët.
Është vendosur një sistem i cili të mirat publike, pasuritë publike i shndërron në pasuri të grupeve të vogla dhe ua plaçkit qytetarëve.
Do ndalem vetëm në një shembull, dhe kurrë nuk duhet të harrojë asnjë shqiptar, porti i Durrësit si vepër publike, është sot pasuria numër një në vlerë po ta vlerësosh edhe më e madhe se kaskada e Drinit. Në vlerë po ta vlerësosh në tërësi.
Ajo zhduket para syve tanë në mënyrën më të paimagjinueshme.
Del një arap nga deti dhe thotë do ndërtoj Dubain e 1001 netëve me Edi Ramën.
Vetëm sipërfaqja, trualli është 1 milion e 200 mijë metër katrorë. Pa llogaritur të gjithë investimin mijëravjeçar të shqiptarëve në hyrjen e portit, në kalata, etj me radhë.
Ky tani zhduket.
Do ndërtojmë një port tjetër.
Zhduket se aty do ndërtohen 12 mijë apartamente të Dubait të Edi Ramës, gjashtë hotele, pesë pishina, etj me radhë.
Dhe, do ndërtojmë portin tjetër, normal, shtetet ndërtojnë porte.
Por të lësh një port mijëravjeçar, të grabisësh një port mijëravjeçar me këto vlera, dhe të shkosh ta zëvendësosh me një port 6 herë më të vogël si kapacitet dhe tua shesësh shqiptarëve si porti më i madh i rajonit, në një kohë që është 40-50 herë më i vogël Porto Romano se Pireu dhe dhjetëra herëmë i vogël se Selaniku e me radhë, do të thotë të tallesh dhe të injorosh si pushtues qytetarët e këtij vendi.
Dhe këtë port të ri do ta ndërtojnë po taksapaguesit shqiptarë, do e paguajnë këta që numërojnë kafshatën.
Ju morët ca shembuj nga e shkuara.
Unë do flas si mjek.
Ai ishte një regjim që një nga katër format e tiranisë që kishte, kishte edhe urinë. Se unë e kam përjetuar atë periudhë dhe më binte raste të diagnostikoja sëmundje që vinin nga uria kronike.
Por u jap të drejtë në një gjë shumë se tregu, një nga mrekullitë më të mëdha të njerëzimit, aq sa është mrekulli, aq është edhe mizori në qoftë se ti nuk mbron qytetarin.
Dhe që t’i krijon të gjitha mundësitë që ta mbrosh.
Po ta marrësh këtë shtet, këto 3-4 vite, e dini ju që kontributi kryesor në rritje ekonomike është fiskal, nuk është prodhim. Janë taksa që u merren qytetarëve.
Pra dalim prapë aty, e tha ai zotëria që me një pension mbante një familje, prapë varfëri ndanin, por sot nuk mban as veten e tij ama me këto çmime.
Pse? Sepse vidhet dhe plaçkitet pasuria.
Nuk ka qeveritarë si këta.
Këtu vjedhja është bërë ligj.
Këtu ndarja e pasurive publike me vëllezërit, motrat, kushërinjtë, baxhanakët, tezet, hallat është bërë ligj.
Prandaj dhe sot ke punuar gjithë jetën dhe nuk përballon dot jetën me një pension.
Kjo është e vërteta. Se pensioni ka mbetur, kurse çmimet, tregu është fuqi natyrale, nuk e ndal dot.
Pra, në këto kushte, është e një rëndësie jetike mbrojtja e dimensionit social dhe ne i qëndrojmë.
Absolutisht jo vetëm që do vendosim minimumin jetik, por do vendosim vrapin në rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Nuk ka një vend të dytë të pasur si Shqipëria. Jo.
Por nuk ka një vend të dytë të vjedhur dhe të keqqeverisur si Shqipëria.
Do t’u them një gjë këtu, nuk ka pasur kurrë njerëz injorantë dhe më të papërgjegjshëm në qeveri se ç’ka sot. Jo. Lexoni. Njerëz me diploma false dhe pa materie.
Me në krye zhgarravitësin, i cili flet më shumë se kushdo tjetër, por nuk i dëgjon një fjali prej qeveritari në ato që thotë.
Ekziston vetëm vjedhja dhe tani së fundmi kreu një akt të paimagjinueshëm, bllokoi edhe veprimin e drejtësisë ndaj asaj, e cila në dosjet e shqyrtuara kishte 36 vite dënim se janë mbi 1.2 miliardë euro aferat e atyre tenderave.
Dhe ato janë vetëm një pjesë e dosjeve, nuk janë as gjysma, as një e pesta e dosjeve.
Ndaj dhe ne qëndrojmë fort për rivendosjen e dimensionit social dhe u garantoj se këto janë vetëm hapat e parë.
Nuk ka asgjë më të dhimbshme se sa i sëmuri me një sëmundje të pamëshirë që të mos mjekohet. Është krim. Krim i madh shumë.
Kjo është pothuajse ligj në spital, çdo ditë lexoj një gazetar që i bën një shërbim shumë të madh vendit dhe shoqërisë, me gjithë kërcënimet mafioze që i kanë bërë, ai raporton nga dera e spitalit se të sëmurët nuk marrin ilaçet, se aparatet janë prishur dhe ata nuk mjekohen. Se paratë e ilaçeve të tyre vidhen nga drejtoria e spitalit dhe ministria.
Ndaj dhe ka nevojë për një përmbysje të madhe, për një transformim të madh në qëndrimin ndaj qytetarit. Në vendosjen e tij në epiqendër.
A mundet Shqipëria ta bëjë këtë? Plotësisht. Por jo këta. Këta kanë vetëm një qëllim, të vjedhin, të vjedhin çdo ditë.
Ju shtruat shumë probleme, problemin e strehimit, probleme të shumanshme.
Të gjitha do të marrin përgjigje dhe duhet të marrin përgjigje.
Nuk ka diskutim se ndërtimet për qëllime sociale, angazhimi i qeverisë dhe i shtetit kundër kësaj që ndodh në Shqipëri, a mund të imagjinoni ju, ne me çmimet më të shtrenjta të banesave për Parsit dhe Mynihut.
Sepse janë çmimet që i përcakton miliarderi i drogës, që bashkëpunon me Edi Ramën, që ndërton me Edi Ramën dhe pastaj të rinjtë duhet të marrin rrugët.
Por thirrja ime është përsëri, për të bërë realitet një program tjetër, duhet të largojmë këtë qeveri.
Duhet të jemi të gatshëm për çdo sakrificë.
Edi Rama, javën e fundit, ka bërë një hap që nuk e ka bërë askush tjetër që nga viti 1946. Javën e fundit ai para shqiptarëve dhe botës deklaroi se të gjitha pushtetet në këtë vend i ka ai dhe vetëm ai. Se drejtësia është në dorën e tij dhe se ai do përdorë ligje, mandate, vota për të vazhduar për t’i vjedhur lirisht shqiptarët.
Dhe për sa kohë ne nuk i japim duart atij, varfëria do bëhet gjithnjë e më e madhe, fëmijët tanë do ikin gjithnjë e më shumë, njerëzit tanë do vdesin gjithnjë e më shumë të pamjekuar, Shqipëria do boshatiset gjithnjë e më shumë.
Ndaj dhe është sot më imperative se kurrë të angazhohemi të rinj, mosha mesatare, të moshuar, t’i japim duart sepse mundësitë e vendit janë të jashtëzakonshëm.
Edhe njëherë, me besim të madh që do realizojmë programin, do realizojmë qëllimin, misionin, unë garantoj shqiptarët se hapat më të para tonat do të jenë vendosja e minimumit jetik dhe fillimi i një vrapi rritje rrogash dhe pensionesh gjersa shqiptarët të dalin përsëri njerëzit më të mirëpaguar të rajonit.


