Berisha-pensionistëve: Pensionet tuaja duhet të ishin rritur të paktën 2.5 herë! Ju bëj thirrje të bashkoheni me betejën tonë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij të mbajtur në tubimin qytetar, denoncoi rritjen e çmimeve të ushqimeve në vend dhe pensionet qesharake të moshuarve shqiptarë. ‘Punëtori gjerman i blen ushqimet shumë më lirë se pensionisti shqiptar. Kjo është një dramë!’, u shpreh Berisha.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe kryeministrin Edi Rama se marin rrogë sa 40 pensione në muaj. Berisha theksoi se a mund të ketë pabarazi më ekstreme se kjo.

Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje pensionistëve t’i bashkohen betejës së opozitës kundër një narko-qeverie, që ka plan vetëm si të pasurojë veten e saj dhe jo të ndihmojë shtresat vulnerabël të shoqërisë.

Gjatë tubimit qytetar, Berisha tha se pensionet duhet të ishin rritur së paku, 2.5 herë më shumë, por theksoi se paratë që mund të ishin shpenzuar për pesnionistët shkojnë për shpenzime me kosto tejet të lartë të rrugëve të vendit nga Belinda Balluku.

Kryedemokrati, Sali Berisha i ka kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama i cili ka deklaruar më shumë se një herë, se opozita në zgjedhjet e 2025 do marri aq mandati sa ka marë në vitin e mbrapsht 1997.

‘I them në emër tuaj Edi Ramës, në zgjedhje të lira do marrësh ato që mori Spiro Koleka në vitin 1992’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha në tubimin qytetar.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme misionare dhe misionarë të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Mirënjohjen më të pakufishme oratorëve të mrekullueshëm që përcjellin nga platforma e fjalës së lirë në mbarë Shqipërinë, të vërtetat për qytetarët shqiptarë.

Të dashur miq, pasi trumbetoi me të madhe se do të rriste rrogat dhe pensionet si asnjëherë më parë, organizata kriminale e qeverisë së Edi Ramës me në krye kryehajdutin e të gjitha kohërave, në aktin më cinik, më të pashpirt, informoi se do rrisë pensionet me 4.1 përqind.

Ky vendim përbën një përqeshje, një përçmim, një përbuzje për qindra e mijëra pensionistë shqiptarë, shumica e të cilëve në mungesë të ndonjë ndihme tjetër, qajnë çdo ditë me lot mjerimi në skamjen në të cilën jetojnë.

Të rrisësh, të deklarosh se po rrit 4 përqind pensionet e atyre që sot me rritjen e çmimeve në këto 11 vite, blejnë rreth 50 përqind më pak se sa blinin me pensionin e tyre në vitin 2013.

Të dashur miq, po lexoja këto ditë se Gjermania rriti orën e punës në 15 euro.

Sigurisht që një shpërblim i tillë nuk mund të pritet të bëhet në Shqipëri.

Por mendja më shkoi tek pensionistët tanë.

Një punëtor gjerman merr në një ditë pensionin që marrin në një muaj mbi 300 mijë shqiptarë në pension.

Një punëtor gjerman merr në dy ditë më shumë, 20-30 përqind se sa marrin në Shqipëri mbi 600 mijë pensionistë.

Mirëpo Gjermania është Gjermani, Shqipëria është Shqipëri.

Megjithatë, ka një krahasim tmerrësisht të dhimbshëm, punëtori gjerman i blen ushqimet më lirë se pensionisti në Tiranë.

Dhe kjo është dramë.

Pra miqtë e mi, ai merr një rrogë 30 herë më të madhe se pensionisti shqiptar, kurse ky i blen ushqimet 10 deri në 45 përqind më shtrenjtë se mesatarja e BE.

A merrni vesh pra, a mund të quhet kjo trajtim njerëzor?

A nuk ka më çnjerëzor se ky trajtim?

Pensionisti gjerman, apo punëtori gjerman, ka shërbimin shëndetësor të garantuar sepse qeveria gjermane nuk u tha kurrë gjermanëve se do e keni falas.

Ka ilaçet që nuk mungojnë. Që veprojnë.

Pensionisti shqiptar nuk i merr dot ilaçet se çmimet në Shqipëri të ilaçeve janë më shtrenjtë se

në Gjermani, se në Greqi, se në Itali.

Pensionisti shqiptar, me të cilin u tall në mënyrë cinike, të pashpirt Edi Rama me 4 përqind rritje, vuan për kafshatën, vuan për ushqimet.

Ndërkohë, kryetarja e parlamentit me kryehajdutin e qeverisë marrin rrogë sa 40 pensione në muaj.

A ka pabarazi më ekstreme se kjo?

Dhe në vend se më së paku të dyfishonin pensionet, siç ishte premtuar, u katandis në rritjen më cinike, në përçmimin 4 përqind.

Unë mund t’u listoj ju jo një, po dhjetëra çmime ushqimesh bazë dhe mallrash të tjera të përditshme, çmimet e të cilave vetëm dy vitet e fundit janë rritur me 10-15-20 përqind.

Po pse ky cinizëm?

Pse ky qëndrim i pashpirt ndaj këtyre njerëzve që u shkrinë për këtë vend?

Ndaj këtyre njerëzve që u kaloi rinia në mjerim?

Kjo sepse Erion Veliaj me Edi Ramën vjedhin dhe zhdukin 130 milionë euro për djegësin e Tiranës.

Kjo sepse me një të rënë të lapsit, Lubi Balluku dhe Edi Rama vjedhin 50 milionë euro në tunelin

e Llogarasë, tunelin e ndërtuar me 65 mijë euro për frymë investim, që nuk e ndërton kush në botë, por që na duhej të vidhnim 50 milionë euro.

Kjo sepse Edi Rama me ‘Ismailin’ e tij shpenzon në dy vite dy herë më shumë se presidenti i

SHBA në udhëtime jashtë shtetit. Se kancelari i Gjermanisë. I çmendur pas udhëtimeve për të transportuar gjëra që vetëm ai e di, ai shpenzon 21 milionë euro në 141 udhëtime zyrtare dhe private dhe vendos instilacionin 4 milionë euro në oborrin e selisë së tij sikur të ishte oborri i familjes së tij.

Çfarë mbetet për pensionistët kur Erion Veliaj, taksat e qytetarëve të bashkisë i vjedh 100 përqind me drejtorët e tij?

Çfarë mbetet për pensionistët kur Lubi Balluku për 1 km rrugë shpenzon 10-12 herë më shumë se në Kroaci?

Çfarë mbetet për pensionistët, më thoni ju mua?

Ndaj jam sot para jush t’u bëj thirrje pensionistëve shqiptarë, nuk meritoni kurrë një trajtim të tillë.

Nuk them se një qeveri mund t’u shpërblejë ju ashtu siç e meritoni, por them se një qeveri ka detyrimin ligjor e moral t’u shpërblejë ju të paktën, minimumi, 2.5 herë më shumë se sot.

Dhe u garantoj për këtë, garanci për këtë është fjala ime.

Ju e keni provuar, unë nuk them se morët atë që meritonit, por ju e patë që u dyfishuan të ardhurat, pensionet.

Dyfishimi është i paktë tani. Duhet rritur dy herë e gjysmë që ju mund të dilni në kafe të qetë, të mos numëroni kafshatën, të merrni në farmaci ilaçet që u duhen.

Ndaj dhe bashkohuni, ngrihuni në krah me ne, bashkohuni në këtë betejë tuaj për veten tuaj, për mbesat dhe nipërit tuaj, për dashurinë që keni për këtë vend, për energjitë që keni shkrirë në Shqipëri.

Askush më mirë se ju nuk e di se çfarë race, çfarë soji janë qytetarët hajdutë që pasurohen me pasuritë tuaja.

Ndaj dhe të ngrihemi në këtë betejë, të shembim këtë narkoshtet që mbahet vetëm e vetëm se përçmon shqiptarët.

Mbahet si argat i Vuçiçit në Tiranë.

Mbahet si armik i shqiptarëve dhe kombit shqiptar.

Mbahet me flamurin e kozmopolitanit, me flamurin e internacionalizimit të babait të tij shpirtëror, Enver Hoxha dhe të babait të tij shpirtëror aktual, Xhorxh Soros.

Koha ka ardhur, së bashku të gjithë në këmbë në betejën pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndryshim të pushtetit, fitore të opozitës.

Dhe njëherë, i them në emër tuaj Edi Ramës, në zgjedhje të lira do marrësh ato që mori Spiro Koleka në vitin 1992.

Ato që mori Xhelat Rama në vitin 1992.

Prandaj dhe ti bën gjithçka për të mbijetuar.

Prandaj dhe ti largon shqiptarët se e di se vota e tyre nuk mund të jetë kurrë për ty.

Prandaj dhe ti përdor anëtarët e organizatës kriminale të Skapit tënd për të mbyllur dosjet elektorale.

Për të amnistuar krimin elektoral.

Për të vrarë procesin zgjedhor, këta kriminelë në zyrat e tyre.

Sepse zgjedhjet e lira janë fundi yt i tmerrshëm.

Fundi yt i tmerrshëm dhe jo vetëm i yti, por i të gjithë sojit tënd, sorollopit tënd, skapistë e çfarë janë.

Ndaj, duke u falënderuar edhe njëherë me mirënjohje të pakufishme, ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë gjer në fitoren tonë.

Fitoren e opozitës, fitoren e Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale