Berisha-pensionistëve: Kjo natë e shenjtë më frymëzon të zotohem para jush se pensionet tuaja do të dyfishohen

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, në natën e Kurban Bajramit ka uruar të gjithë besimtarët për këtë festë.

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha ka përshëndetur tifozët që kanë shpalosur në stadiumin e Dortmundit, parullën ‘Rama ik’.

Kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur para qytetarëve, ka akuzuar qeveritarët se si hordhi janë derdhur drejt Dortmundit me paratë që u janë vjedhur shqiptarëve. ‘Hordhia e zyrtarëve shqiptarë është derdhur drejt Dortmundit për të përtypur paratë e vjedhura të shqiptarëve’, tha Berisha.

Në fjalën e tij para qytetarëve, lideri i opozitës Sali Berisha është zotuar në këtë natë të shenjtë të Kurban Bajramit se me të ardhur PD-ja në pushtet, do të dyfishojë pensionet. ‘Kjo natë e shenjtë më frymëzon të zotohem para jush se pensionet tuaja do të dyfishohen’, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij para qytetarëve në tubimin e përnatshëm, ka akuzuar se mafia ndërkombëtare është e tëra në mbështetjen e Edi Ramës. Sipas kryedemokratik, kjo e bën betejën dy herë më jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush qëndrestare dhe qëndrestare të lirisë, shpresës dhe guximit.

Në emër tuaj, në emër të PD, më së pari dua të uroj besimtarët myslimanë kudo që janë sot, në Shqipëri dhe jashtë saj në këtë natë të shenjtë të Kurban Bajramit.

Nga zemra uroj të gjithë ata dhe çdo shqiptar që çdo sakrificë të pranohet nga i gjithëfuqishmi dhe t’u kthehet në mirësi për vete, familjen dhe vendin e tyre.

Miqtë e mi!

Pak çaste na ndajnë, më pak se një orë nga ndeshja e kombëtares tonë në Dortmund me kombëtaren e Italisë.

Është nder i madh të ndeshesh me njërën prej skuadrave më të forta të planetit, me një traditë të shkëlqyer.

Por akoma është më nder kur një skuadër e tillë ka frikë reale nga skuadra jonë kombëtare.

Prandaj edhe njëherë, le t’i urojmë suksese dhe fitore ekipit tonë kombëtar, futbollistëve, kapitenit, trajnerit dhe federatës.

Por një përshëndetje shumë të përzemërt tifozëve kuqezi, të cilët sot janë magjia e Dortmundit.

Miqtë e mi, me këtë rast në emër tuaj dua të përshëndes edhe ata guximtarë që kanë shpalosur në këto momente në stadiumin e Dortmundit parullën: Rama ik! Rama ik!

Ai edhe mund të mos ikë, por të paktën syrin e tij të keq e presin me atë parullë.

Kombi u është mirënjohës për aktin e tyre patriotik.

Të dashur miq!

Narkoshteti është shteti më i shëmtuar në të gjitha aspektet.

Ndeshja që zhvillohet sonte ka mbyllur të gjitha dyqanet qeveritare.

Ka mbyllur zyrat, ka mbyllur parlamentin tre ditë para.

Hordhia e zyrtarëve shqiptarë, të urryer të gjithë nga fansat kuqezi, janë derdhur drejt Dortmundit për të përtypur paratë e vjedhura të shqiptarëve.

Haram i paçin.

Për hundë do ua nxjerrim!

Beteja jonë është betejë për çdo shqiptar.

Është betejë për të sotmen, për të ardhmen e këtij vendi.

Është betejë që shqiptarët të mos braktisin vendin e tyre.

Është betejë që shqiptarët të jetojnë me dinjitet në këtë vend.

Miq!

Nesër është festë.

Po a e dini ju se qindra e mijëra pensionistë këtë festë të bekuar, e kanë festë të ndaluar sepse nuk u përgjigjen dot shpenzimeve të festës.

Miqtë e mi!

Ndaj pensionistëve shqiptarë është kryer këto vite një krim i rëndë dhe i paparë.

Këto 10 vite kanë qenë vitet në të cilat pothuaj çdo pensionist i këtij vendi është zhytur çdo vit e më shumë në skamje, sëmundje dhe mosmjekim.

Pas rritjes dhe dyfishimit të pensioneve, nga viti 2013 gjer sot, ato jo vetëm që nuk janë rritur më, por krahasuar me inflacionin, çdo pensionist merr sot të paktën 25 përqind më pak si fuqi blerëse se ç’merrte në vitin 2013.

Në një kohë kur 80, 90 dhe 100 përqind të investimeve publike vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen nga qeveritarët.

Të dashur miq!

Vetëm me vjedhjet e një viti, të cilat sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit në 9 muaj arrijnë në 930 milionë euro, mund të dyfishoheshin të gjitha pensionet në Shqipëri.

Sot pensionet janë, thashë dhe njëherë mjerim i vërtetë.

Sot pensionet pas 10 vitesh duhet të ishin jo dyfishuar, por më së paku të ishin trefishuar.

Kjo natë e shenjtë më frymëzon, më detyron të betohem para tyre, të zotohem para tyre se pensionet e tyre do të dyfishohen.

Se pensionet e tyre, pas dyfishimit do të ecin drejt trefishimit.

Se një kuadër ligjor, i cili nuk do lejojë kurrë që një pensionist të detyrohet të përdorë paratë e pensionit për kujdesin e tij shëndetësor.

Do ketë një minimum jetik, e kemi deklaruar, i cili do jetë 220 euro për çdo shqiptar.

Dhe me këtë thahen lotët e ftohta të mjerimit që derdhin shqiptarët që numërojnë kafshatën për shkak të pensioneve mizerabël dhe rrogave të ulëta.

Sot, ky grup hajdutësh, për këtë grup hajdutësh, qytetari nuk ekziston.

Hallet nuk ekzistojnë.

Taksat nuk janë mundi dhe djersa e tyre, por janë prona e hajdutëve që i vjedhin nga mëngjesi gjer në darkë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Vetëm qëndresa, vetëm mosbindja civile, vetëm guximi dhe revolta janë shpëtimtare për kombin nga kthetrat e kësaj mafie të tmerrshme.

Kombi shqiptar sot vuan nga një pushtim i egër mizor që po e varfëron, mjeron dhe shkelmon çdo ditë.

Edi Rama ka mobilizuar të gjithë mafien kombëtare, por dhe atë ndërkombëtare, me të cilën thotë se jam krenar.

Mos harroni kur thoshte se ndjehej krenar me McGonigalin, sepse ky bandit pa moral, kishte paguar për të manipuluar dosjet e Sali Berishës për të mashtruar.

Vetëm e vetëm që të forconte pushtetin e Edi Ramës.

Dje, padrinoja Edi Rama shprehte keqardhje për gjeneralin e sigurimit rumun, Koldea, mnjëlloj sikur një vit më parë thoshte se unë jam krenar me miqësinë që kam me McGonigalin.

Miqtë e mi!

Mafia ndërkombëtare është e tëra në mbështetje të Edi Ramës.

Ndaj dhe kjo e bën betejën tonë edhe dy herë më jetike, edhe dy herë më vendimtare për shpëtimin tonë, për shpëtimin e Shqipërisë.

Ndaj dhe duke shprehur mirënjohje të pakufishme ndaj jush të vazhdojmë këtë betejë gjer në mposhtjen e kësaj të keqe që ka kapluar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Le të vazhdojmë këtë betejë gjer në krijimin e qeverisë teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Të vendosur, guximtarë, të zemëruar, me revoltë drejt fitores.

Edhe njëherë gëzuar Bajramin.

Fitore, fitore, fitore, fitore dhe ekipit tonë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale