Berisha: PD po vazhdon ripërtëritjen e saj, kurse partia e krimit po shkon drejt shpërbërjes! Agasin e kanë çuar në burgun e Bradasheshit që kontrollohet nga Taulant Balla, Sara Mila dhe karteli Çela

KRYETARI I PD, SALI BERISHA BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, komentoi zhvillimet më të fundit politike në vend, procesin e ripërtëritjes së PD-së, protestat qytetare, arrestimin e Ergys Agasit, situatën ekonomike, reformën territoriale dhe marrëdhëniet me Kosovën, ndërsa iu përgjigj edhe pyetjeve të qytetarëve për zhvillimet brenda mazhorancës dhe veprimtarinë e SPAK-ut.

Berisha e cilësoi javën që lamë pas si një moment të rëndësishëm për Partinë Demokratike, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të partisë, ku në fokus ishte procesi i ripërtëritjes dhe modernizimit të strukturave. Sipas liderit demokrat, në qendër të këtij procesi duhet të jetë anëtari i PD-së, iniciativa dhe hapësira e tij për të kontribuar, me synimin që partia të shndërrohet në një forcë më të organizuar dhe konkurruese përballë mazhorancës.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij hyrëse, Berisha ia kushtoi arrestimit të Ergys Agasit. Ai ngriti dyshime mbi rrethanat e arrestimit, duke theksuar se bëhet fjalë për një person me lidhje të rëndësishme me pushtetin dhe struktura kriminale. Berisha vuri në pikëpyetje edhe transferimin e Agasit në burgun e Bradasheshit, duke bërë me dije se ky institucion kontrollohet nga persona të lidhur me mazhorancën. Megjithatë, ai theksoi se dyshimet nuk mund të konsiderohen si fakte të mirëfillta dhe kërkoi që çështja të monitorohet edhe nga agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.

Duke iu përgjigjur një qytetari në rrjetet sociale që e pyeti për kreun e SPAK-ut, Klodian Braho, dhe një udhëtim të tij në Shtetet e Bashkuara, Berisha tha se nuk mund të përcaktojë arsyen e thirrjes së këtij të fundit, por vlerësoi si të rëndësishëm angazhimin amerikan në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Ai përsëriti qëndrimin e tij se Shqipëria është shndërruar në një narkoshtet dhe deklaroi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit duhet të ketë mbështetje më të madhe ndërkombëtare.

Berisha u ndal edhe te situata ekonomike, duke iu referuar të dhënave që ai ia atribuoi Eurostat-it. Kryetari i PD theksoi se prodhimi industrial në Shqipëri ka pësuar rënie të ndjeshme dhe kritikoi rritjen e sektorit të ndërtimit, duke argumentuar se rritja ekonomike nuk është reflektuar në mënyrë të barabartë te qytetarët. Sipas tij, çmimet e larta, papunësia, emigracioni dhe dobësimi i shërbimeve publike janë disa nga pasojat e politikave të qeverisë.

I pyetur për deklaratat e Ulsi Manjas për Kosovën, Berisha reagoi ashpër, duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme. Ai akuzoi Edi Ramën se ka mbajtur qëndrime të dëmshme ndaj Kosovës dhe deklaroi se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm gjatë 17 viteve të fundit. Berisha solli si shembuj çmimet e karburanteve, subvencionet për fermerët dhe pagat e mjekëve, duke pretenduar se në disa prej këtyre treguesve Kosova qëndron më mirë se Shqipëria.

Pyetjes së një qytetari për zhvillimet në Bashkinë e Tiranës dhe shkarkimit të kryetares së komanduar, Anuela Ristani, Berisha iu përgjigj duke folur për një përplasje në rritje mes Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Ai e interpretoi këtë zhvillim si shenjë të dobësimit të kryeministrit dhe tha se konflikti mes tyre mund të krijojë hapësirë për opozitën. Berisha deklaroi se viktimë e kësaj përplasjeje janë qytetarët e Tiranës dhe kritikoi gjendjen e qytetit dhe veçanërisht ndotjen në lumin e Tiranës.

Sa i takon protestave qytetare, Berisha deklaroi se PD do të mbështesë pjesëmarrjen masive të demokratëve, por kërkoi që ata të marrin pjesë pa simbole partiake dhe në cilësinë e qytetarëve. Sipas tij, protesta ka luajtur një rol të rëndësishëm në denoncimin dhe ndërkombëtarizimin e problematikave që opozita ngre ndaj qeverisë.

Një tjetër pyetje në lidhjee me pasurinë e Edi Ramës dhe zyrtarëve të tjerë. Berisha theksoi se pasuria e kryeministrit mund të jetë shumë më e madhe nga sa është bërë publike dhe iu referua disa rasteve të zyrtarëve dhe biznesmenëve të akuzuar ose të përfolur për pasuri të mëdha. Ai kërkoi krijimin e një agjencie të posaçme për hetimin e pasurive të fshehura të zyrtarëve, personave të lidhur me krimin dhe narkotrafikantëve, duke e cilësuar këtë si një proces jetik për vendin.

I pyetur nëse PD do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore në rast se mazhoranca miraton në mënyrë të njëanshme reformën territoriale, Berisha tha se opozita do të ndjekë të gjitha rrugët për të mbrojtur qëndrimet e saj. Ai deklaroi se PD synon një hartë me 100 bashki dhe se mund të propozojë edhe krijimin e bashkive të tjera, në varësi të konsultimeve me komunitetet. Sipas tij, reforma territoriale ka ndikuar edhe në procesin e shpopullimit të vendit.

Një tjetër qytetar e pyeti Berishën se përse Edi Rama përmendet në dosje kriminale, por nuk thirret nga SPAK. Berisha përsëriti akuzat e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe ngriti një seri akuzash për funksionimin e AKSHI-t dhe tenderat publikë. Ai theksoi se persona të afërt me qeverinë kanë pasur ndikim në proceset e tenderimit dhe iu referua një materiali që ndodhet në dosje hetimore. Berisha akuzoi gjithashtu SPAK-un se nuk ka hetuar sa duhet këto pretendime.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha u pyet edhe për zërat se Grida Duma mund të marrë një rol të rëndësishëm në qeveri dhe të përdoret nga Edi Rama për të zëvendësuar Belinda Ballukun. Lideri demokrat i cilësoi këto pretendime si “llafe kafeneje” dhe tha se Rama vazhdon ta kontrollojë politikisht Ballukun.

I pyetur nëse mund të përballet me ndonjë hetim ndërkombëtar Edi Rama, Berisha deklaroi se institucione të vendeve partnere kanë në dispozicion materiale dhe dosje që lidhen me kryeministrin. Kryetari i PD përsëriti akuzat për përdorimin e avionëve dhe udhëtimet jashtë vendit, si dhe akuza për transportimin e parave jashtë Shqipërisë, duke thënë se këto çështje duhet të hetohen.

Në fund të bashkëbisedimit, Berisha konfirmoi se pret të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara në shtator, ku pritet të marrë pjesë në një konferencë në Teksas në kuadër të aktiviteteve të lidhura me zgjedhjet e mesmandatit. Ai tha se ka marrë edhe një ftesë nga një institut amerikan dhe se po shqyrton mundësinë e zhvillimit të takimeve të tjera gjatë vizitës.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryetari i PD-së u bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës që të marrin pjesë në protestat qytetare dhe demokratëve që të angazhohen në procesin e ripërtëritjes së Partisë Demokratike. Berisha e lidhi këtë proces me nevojën e Shqipërisë për një ndryshim të thellë politik, duke kërkuar nga strukturat dhe mbështetësit e PD-së të shumëfishojnë angazhimin në “kilometrat e fundit” drejt ripërtëritjes së partisë.

FJALA HYRËSE

Java që lamë pas është një javë që do shënohet në analet e kohës.

PD mblodhi Këshillin e saj Kombëtar kushtuar ripërtëritjes dhe rolit të anëtarit të kësaj partie në procesin e ripërtëritjes.

Domosdoshmërisë jetike të transformimit të saj si një forcë që ecën e sigurt drejt fitores, drejt pushtetit.

Me një ekspertizë të çmuar ndërkombëtare, pas një pune intensive të drejtuesve, specialistëve dhe ekspertëve tanë më të mirë, është arritur në krijimin e të gjithë instrumenteve të domosdoshme për transformimin e komunikimit, organizimit, modernizimit të kësaj partie.

Theksoj edhe njëherë, në epiqendër të së cilës duhet të qëndrojë anëtari, iniciativa dhe hapësira e tij.

Në kah të kundërt janë zhvillimet për partinë e krimit.

Kjo parti, siç konstatoni, kalon nga një vilë e kuqe në një vilë tjetër të kuqe qeveritare, për të faktuar këtu se, shteti dhe partia janë një.

Ikën dhe u shmanget qytetarëve, protestuesve, anëtarëve të saj.

Në panik dhe e pashpresë, de facto ajo po shpërbëhet.

Ndërkohë, zjarre kanë shpërthyer në të katër anët e vendit dhe ato janë preokupimi më i pakët i padrinos dhe i narkoshtetit.

Por unë dua të përshëndes dhe të shpreh mirënjohje, për të gjithë ata heronj të zjarrfikësve, punonjës që përballen me flakët për shërbimin që i bëjnë vendit.

Sakrificën e tyre në kushtet më të vështira.

Dënoj si aktet më kriminale, breshëritë e trafikantëve kundër zjarrfikësve.

Në një seri zonash të zjarreve të vëna me qëllim, apo që ndodhen afër arave të kanabisit, rojet kriminale të plantacioneve të kanabisit pengojnë zjarrfikësit, qëllojnë në drejtim të tyre për të mbrojtur krimin monstruoz, për të mbrojtur drogën dhe parcelat e drogës.

Pra, këta njerëz veprojnë në kushtet e një narkoshteti që ka humbur çdo interes tjetër dhe merret vetëm me drogë.

Të dashur miq, këtë javë u arrestua Ergys Agasi.

Ergys Agasi kishte të përqendruar në duart e tij të gjithë fuqinë e autorizuar nga pushteti ekzekutiv i padrinos.

Të gjithë pushtetin e zi, të errët të karteleve të drogës, dhe mjerisht të gjithë fuqinë e kontrollit të internetit në territorin e Shqipërisë.

Në këtë kuadër, ai padyshim ishte krahu i djathtë, eksponenti më i rrezikshëm i mafies pas padrinos, pas Edi Ramës, në Shqipëri dhe më gjerë.

Që në momentin e arrestimit, se ai ka tetë muaj që lëviz lirshëm absolutisht pa asnjë pengesë, lëviz në Durrës, në Xhafzotaj, në vilën e tij në plazh, në Manzë, për hir të të vërtetës edhe në Surrel dhe në hipodromin e tij.

Pra, që në fillim lindën dyshime se kemi të bëjmë me një arrestim të negociuar.

Qytetarët digjitalë informuan se këto negociata janë realizuar nga Taulant Balla në Elbasan, gjë që duhet hetuar.

E vërteta është se, njëlloj si Balili, edhe ky kishte një polic si oficer. Dhe ky polic ditën që po transportonte Agasin nga Elbasani në Durrës, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së diplomave në Akademinë e Policisë.

U gjetën me nallane, bluza pa kurrfarë mjeti mbrojtës dhe armë.

Pra, të gjitha këto çuan dyshimet se kishim të bënim me një arrestim të negociuar.

Por dyshimet janë dyshime, nuk mund të merren si të mirëfillta.

Ajo që është jashtëzakonisht e rëndë, ajo që fakton dorën e zezë të Edi Ramës, është çlirimi i tij nga akuza e pengmarrjes.

Dhe ky është një akt shumë i rëndë.

Ergys Agasi ëshutë personi i implikuar direkt në organizimin e dy pengmarrjeve.

Edi Rama ka urdhëruar që të hiqet termi pengmarrje dhe të quhet heqje lirie. Janë dy kategori, të cilat kanë vepra penale me dallim të madh në penalitete.

Në mënyrë qesharake, akuzohet për pabarazi në tendera një njeri që zyrtarisht me ligj, me rregullore nuk ka pasur autoritet për të zhvilluar asnjë tender.

Por përkundrazi, ka përdorur dhunën, forcën për të diktuar për shumë e shumë tendera.

Ndaj dhe del Maksi, avokati i tij i nderuar dhe thotë se të akuzosh për pabarazi në tendera, po të thonë se cilat tendera ka organizuar ai në hipodrom.

Kjo është si ta mbrojnë o miqtë e mi. Po mo, nga hipodromi dhe nga zyra e tij ai ka diktuar çdo tender dhe kjo është krejt tjetër.

Dhe e treta, tani e marrin dhe e çojnë në burgun e Bradasheshit.

Hajde tani, më thoni ju mua, se a është e negociuar kjo apo jo?

E çojnë në burgun që kontrollohet totalisht nga Taulant Balla, Sara Mila dhe karteli Çela.

Sepse thuhet se muajin e fundit Troplinët e përzunë, i hoqën mbrojtjen.

Pra më thoni mua se, çfarë janë këto?

Në vend se të shkojë në qelitë e sigurisë më të lartë, e izolimit më të thellë, shkon tek Taulant Balla dhe Sara Mila.

Ata e kanë burgun si repart të tyre, si seksion të PS.

Pra, të gjitha këto lënë shumë për të dyshuar.

Megjithatë, duke e konsideruar një akt realisht pozitiv arrestimin e tij, iu bëj thirrje agjencive ndërkombëtare të zbatimit të ligjit të angazhohen në hetimin dhe monitorimin e këtij procesi që është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet partnere dhe NATO-n.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT

Fatmir Agolli: Kreu i SPAK, Klodian Braho është thirrur në SHBA. A mendoni se është thirrur për kartelet e drogës dhe pasivitetin e SPAK?

Sali Berisha: Nuk mund të them se pse është thirrur. Por ajo që  theksuat ju, është shumë e drejtë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Sekretari i Shtetit i Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, zyrtarë të tjerë dhe me akte të tjera zyrtare, kanë shprehur shqetësimin e madh të Shteteve të Bashkuara për veprimtarinë e organizatave kriminale dhe të karteleve të drogës. Lidhjet e tyre me pushtetin.

E vërteta është që me administratën e presidentit Trump, lufta kundër trafikut të drogës ka njohur dimensione shumë të rëndësishme.

Në këtë kontekst, unë përshëndes çdo lloj ndihme që mund t’i jepet këtij vendi, mbasi është sot narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë.

Të dashur miq, asgjë s’ka shkatërruar këtë komb, pas murtajës së zezë, sa droga e Edi Ramës.

Më lejoni t’ju jap vetëm disa të dhëna të shkurtra. Dëgjoni çdo ditë të flitet për ekonomi. Me krenari. Po cilat janë të dhënat e Eurostat-it?

Eurostat thotë se nga viti 2021 gjer në vitin 2026 prodhimi industrial në Shqipëri ra më shumë se në çdo vend tjetër të Europës përveç, përveç Ukrainës që është në luftë. Dhe zonat më industriale i ka në zona lufte. Ka rënë 15.5%.

Pra, pikërisht paraja toksike që po shkatërron në Shqipëri euron dhe dollarin, ka bërë të falimentojnë mijëra sipërmarrje eksporti. Ka bërë të pavlerë pasuritë tona të pafundme natyrore. Sepse ato në qoftë se nxirren, nxirren duke paguar me lekë. Dhe tregtohen me euro ose me dollar.

Pra, po ka një sektor që është tre herë mbi mesataren e Bashkimit Europian dhe ky sektor është ndërtimi. Pra kush, kur ndonjëherë një rritje ekonomike e një vendi nuk është bërë më e pabarabartë se në Shqipëri.

Rritja ekonomike në Shqipëri është rritje që shkon e tëra për narkoqeveritarët, narkotrafikantët, narkobiznesmenët. Dhe përkundrazi, than xhepat e qytetarëve. Si i than thoni ju? I than me rritjen e çmimeve. Si i than thoni ju? I than me largimin, me shpunësimin masiv të shqiptarëve. Çmime stratosferike si në Shqipëri në ushqimet bazë dhe në ilaçe, nuk gjen kund. I than me shkatërrimin e shërbimeve.

Pra, në këtë, në këtë kuadër, ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe e vendeve partnere ka një rëndësi të jashtëzakonshme për të ndaluar këtë rrokullisje të madhe të Shqipërisë në honet e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.

Igli Dorzaj: Ulsi Manja, njeriu që del në përgjimet e dosjes 184 duke iu referuar rastit Sheholli, akuzon Kosovën se nuk po bën shtet prej 17 vitesh. A është normale kjo deklaratë nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë në një kohë që në krye të SHISH është një grua që akuzohet në Kosovë për lidhjet me Serbinë?

Sali Berisha: Tani do më falni, po kjo është një deklaratë tipike që bëhet nga ultranacionalistët serbë në parlamentin e Beogradit.

Dhe e kam thënë, e theksoj përsëri, Edi Rama dhe organizata e tij kriminale janë armiq të egër të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Nuk ka deklaratë më të papërgjegjshme, po seriali i deklaratave të papërgjegjshme të Edi Ramës kundër Kosovës nuk ka të ndalur.

Kosova në 17 vite ka bërë progres dhe është sot, në të gjithë treguesit, jo një, po disa herë më mirë se Shqipëria.

Kosova nuk është narkoshtet, por është shtet ligjor, i cili problematikat i zgjidh me mekanizma demokratikë dhe jo me drogë.

Kosova ka një zhvillim të harmonishëm, të admirueshëm në të gjitha aspektet.

Krahasoni pak fermerin shqiptar me fermerin shqiptar në Kosovë. Fermeri shqiptar në Kosovë blen naftën, ndonëse Kosova nuk nxjerr 1 litër naftë, po blen naftën 30-40% më lirë se fermeri në Shqipëri. Fermeri në Kosovë subvencionohet për sipërfaqen që mbjell, për prodhimet, 5 herë më shumë se fermeri shqiptar.  Merrni rrogat e mjekëve në Kosovë. Qartësisht, më të larta se rrogat e mjekëve në Shqipëri.

Merrni rrogat e tjera, po shkoni pak bëni pazarin në Prizren apo në Gjakovë. Cili është çmimi i produkteve bazë ushqimore atje? Cili është çmimi? Pra, shumë më lirë sesa në Shqipëri.

Kosova nuk është, edhe njëherë, nuk është narkoshtet, por shtet ligjor dhe e ka faktuar këtë.

Dhe vërtet ka pasur zgjedhje të përsëritura, por ka pasur zgjedhje të pranuara nga të gjitha palët. Ka pasur zgjedhje të vlerësuara nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndaj dhe e vetmja gjë që duhet të themi, zoti e ruajt Kosovën nga armiq si Edi Rama dhe Uluziu i tij… dhe çeta e uluzinjve të tij.

Hasan Kuçi: Përshëndetje z. Berisha. Erion Veliaj shkarkoi atë patronazhisten e Ramës nga bashkia. Keni ndonjë info se çfarë po ndodh me këta rilindasit? Kokën hëngshin, se s’më ha meraku shumë për ta, po desha të di a ka ndonjë shans që bashkia t’i shkojë Partisë Demokratike në këto zgjedhje? Dhe një sugjerim: Do bënit mirë që kandidatin e bashkisë ta vendosnit vetë, se me primare kam frikë se do të krijohet ndonjë përçarje.

Sali Berisha: Të falënderoj shumë për pyetjen dhe sugjerimin. Hasan, akti i djeshëm i Erion Veliajt dëshmon përfundimisht se Edi Rama po bëhet një kalë i ngordhur që dalin tani t’ia heqin dhe patkonjtë, e kupton vetë.

Pra, dhe kjo është një e vërtetë. Në qoftë se qytetarët e kanë konstatuar, e kanë ndjekur, ai është një person në rrethim, që për të mbrojtur shkon nga një vilë qeveritare në një vilë tjetër qeveritare. Dhe që njofton ndryshime po s’bën dot asnjë ndryshim. S’bën dot asnjë ndryshim.

Në këtë kuadër është fillimi i hapur i sulmit të Erion Veliajt ndaj tij.

Nuk mohohet se Gjykata Kushtetuese vlerësoi si antikushtetues procedurën e shkarkimit nga Edi Rama nëpërmjet këshilltarëve bashkiakë socialistë të tij.

Por momenti që u zgjodh nga Erion Veliaj për t’i hedhur dorezën dhe për ta sfiduar në mënyrë përfundimtare është dëshmi e dobësisë ekstreme të Edi Ramës. Dhe pra, gjithçka veprohet në një betejë midis tyre.

Po viktimë janë qytetarët e Tiranës, me keqardhje të madhe. Kam publikuar dje një video të një qytetari ku tregonte se si është transformuar lumi i Tiranës që unë në memorien time nuk e mbaj mend kurrë në atë gjendje të mbushur me të gjitha llojet e plehrave në brigjet e lumit.

Pra, në këtë rast kjo Ristani, e cila nuk shkarkohej nga nënkryetare por i hiqeshin të gjitha kompetencat e deleguara, dhe duke mos ia deleguar dinjitetin asaj apo këtij apo atij, i mbante vetë Erion Veliaj duke i thënë Edi Ramës: ‘dil në mejdan të tregoj se sa vlen ti’, nuk ke punë.

Pra, është një zhvillim pozitiv kjo betejë. E quaj pozitiv, se sa më shumë të shkërmoqen, t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, aq më shumë e meritojnë.

Erlis Sina: Si mendoni se duhet të koordinohet opozita me protestën dhe kërkesat e protestuesve? Pra, çfarë mund të bëjë më shumë PD-ja dhe vetë protesta?

Sali Berisha: Elvis, të përshëndes dhe të falënderoj për pyetjen. Mendoj se protesta ka bërë dhe po bën një gjë të jashtëzakonshme në denoncimin, zgjimin, ndërkombëtarizimin e problemit të Shqipërisë.

Në tërësi, në qoftë se e ke vënë re, nuk i kam lejuar vetes të jap asnjë këshillë, por kam kërkuar dhe kërkoj demokratëve të marrin pjesë masivisht.

Ndaj dhe unë ju garantoj ju, z. Sina, se ne do bëjmë gjithçka për një pjesëmarrje sa më të madhe të demokratëve në këtë protestë me kusht të vetëm që ata të jenë aty si qytetarë, jo me simbole partiake, dhe në mbështetje të idealeve qytetare që po luftojnë prej 90 ditësh në rrugë dhe sheshet e Tiranës.

Pra, në këtë aspekt ne e konsiderojmë protestën si protestë e kauzave tona, të cilat prej kohësh kemi luftuar, dhe do bëjmë gjithçka, kemi në dorë për pjesëmarrje sa më masive të kontribuojmë në suksesin e saj.

Dalila Myrta: Agasi orë 350 mijë euro, Balluku 300 apartamente, Ermal Beqiri kështjellë. Pyetja është, sa pasuri ka Edi Rama?

Sali Berisha: Do shtoja këtu në listën e këtyre, doli së fundi me nëntë shtëpi Mirela Kumbaro. Nëntë shtëpi me rrogë.

Pra, kurrë ndonjëherë ky komb nuk është vjedhur si në këtë periudhë. Kurrë.

Unë ju garantoj ju që me rrogë, asnjë zyrtar, përfshi presidentin apo kryeministrin, nuk mund të blejë një apartament, pa marrë kredi. Nuk e blen dot një apartament të ri.

Këta vijnë dhe bëhen me qindra apartamente.

Pra, sa janë të Edi Ramës? Pa asnjë dyshim janë miliarda, jo qindra milionë.

I nderuar zotëri, në vitin 2014, OSBE-ja rodhi një raport, u kujtohet besoj, në të cilin shkruhej se Edi Rama ka në kontot e tij offshore 200 milionë euro, që i kishte bërë si kryetar bashkie.

A mund ta imagjinoni tani ju, që ata jo janë dhjetëfishuar, po mund të jenë pesëdhjetëfishuar. Pasurinë e tij askush s’mund ta llogarisë.

Do t’ju jap një shembull tjetër. Nuk e di a i lexove ti përgjimet telefonike të Ermir Ndreut apo Cincos. Çfarë thoshte ai? Ky ishte njëri prej dhjetëra grupeve.

Çfarë thoshte ky? I thoshte atij në telefon: ‘Kemi 30 milionë euro që duhet t’u japim rrugë, duhet t’i investojmë, dhe këtu pjesë është dhe kryeministri.’

Kur ishte kjo? Në vitin 2021. Po nga viti 2021 e gjer sot, ky i ka dhënë me mijëra leje dhe është aksioner… As ato 300 apartamente të Lubisë, ato janë kafe krahasuar me apartamentet dhe me pronat e tij.

Pra, edhe asnjë njeri nuk mund të thotë se sa është pasuria e Edi Ramës. E vetmja gjë që mund të themi, dhe do jetë çështje madhore elektorale, krijimi qoftë edhe me referendum popullor, me votë, krijimi i një agjencie të gjithëfuqishme për të hetuar të gjitha pasuritë e krimit, të fshehura të qeveritarëve, zyrtarëve, narkotrafikantëve dhe narkobiznesmenëve të çdo gjëje të paligjshme.

Shqipëria e ka jetike këtë proces.

Ndaj dhe ne qëndrojmë të vendosur në krijimin e kësaj agjencie.

Spartak Dano: Përshëndetje Doktor. A do të bëhet pjesë e zgjedhjeve vendore Partia Demokratike në qoftë se Partia Socialiste do të kalojë në mënyrë të njëanshme ndarjen e re territoriale dhe a do ta ndryshojë Partia Demokratike ndarjen territoriale kur të vijë në pushtet? Faleminderit.

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen.

Ndarja territoriale është një proces i një rëndësie të jashtëzakonshme, mbasi ndarja e Edi Ramës u shndërrua në njëfarë mënyre, bashkë me drogën, në levën e Arkimedit për shpopullimin e Shqipërisë.

Dhe për shpopullimin në atë shkallë, dy herë më të fuqishëm sesa i Kosovës nga platforma e Çubrilloviçit.

Atëherë, ne po ndjekim çdo hapësirë dhe çdo mundësi për të mbrojtur pikëpamjet tona me 100 bashki, dhe potencialisht edhe 20-30 të tjera në varësi nga konsultat e gjëra që do bëhen në komunitete. Do të shqyrtojmë dhe do të përpiqemi të bëjmë gjithçka për organizim referendumi.

Ju them ju që, reforma territoriale është e një rëndësie të jashtëzakonshme.

Ervin Alla: Si ka mundësi doktor që, Ramës i del emri në çdo dosje kriminale dhe nuk thirret asnjëherë në SPAK? Ky Klodian Braho për çfarë është vënë atje, për të trembur sorrat tip Erion Veliaj? Po s’e bën dot atë punë, le të hapë krahun.

Sali Berisha: I nderuar zotëri. SPAK-u u përzgjodh mbi kritere strikt politike partiake. Dhe nuk duhet të kemi asnjë iluzion, se ai mund të cenojë qoftë dhe një fije floku, jo Ramës, po asnjërit të lidhur me Ramën. Jo Ramën, po asnjë të lidhur me Ramën!

Duhet të dish një gjë, AKSHI-n nuk e ka kontrolluar vetë Rama. AKSHI-n e ka kontrolluar Linda e Surrelit. Dihet kjo. Botërisht! Më fal, cilido që e vë në dyshim, i lutem të kontrollojë në Google deklaratën time të 15 qershorit 2024. Në të cilën unë, nga shtëpia në arrest ku isha nga dritarja, lexova dokumentin… në të cilin Gerond Meçe, të cilit i kishin futur regjistruesin në tavolinë në zyrën e tij, tek bisedonte me një person tjetër, A.K. me iniciale, këto i kisha nga dosja unë, i cili i kërkonte dhe i thoshte ‘Gerond, më ndihmo të fitoj ndonjë tender në AKSHI’. Dhe ky, fjalë për fjalë i thotë se ‘ABS-ja… Advanced Business Solution, është në fakt e Armand Frangut. Dhe Armandi, dhe Linda,’ thotë ky, ‘i diktojnë të gjithë fituesit e tenderave në AKSHI.’ Çfarë ndodhi?

Ky regjistrim, siç po ua them unë, ishte në dosje dhe dosjen e kishte prokurori Vladimir Mara, prokurori në SKAP, Mara.

Linda e Surrelit bën çdo përpjekje që prokurori ta grisë këtë dokument. Ai në fakt do ta griste, po e kuptoi që dokumenti ndodhej edhe në dosje të tjera, edhe nuk e grisi.

Po të them një gjë tjetër, në dhjetor, kur u denoncua Ermal Beqiri nga SPAK-u, mediat shkruan një gjë shumë interesante: Një person tjetër është pronari i vërtetë i AKSHI-t.

Po kush mund të ishte pronar i AKSHI-t tjetër përveç Armand Frangut? Askush tjetër.

A keni dëgjuar mediat të flasin më për këtë? Kjo është e paimagjinueshme. U arrestua këto ditë Gysi Agasi. Po çfarë kujtoni ju të dashur gazetarë, se Gysi Agasi i kishte për llogari të vete të gjithë ato kontrolle?

Ai ishte kopshti privat i Edi Ramës dhe në kopshtin privat të Edi Ramës, shtyllë, bazë ishte Armando Frangu dhe natyrisht supervizore e rreptë ishte Linda e Surrelit. Këto emra janë jashtë fjalorit të mediave.

Po pse? Sepse kanë frikë. Dhe unë shpreh keqardhje. Gysi Agasi i ka bërë të gjitha, ka përfituar vetë e çdo gjë, po fakti, AKSHI, kopësht privat i Edi Ramës, është drejtuar totalisht nga Linda, dhe e thotë Gerond Meçe. Dhe kunati që ka fituar me dhjetëra tendera sekretë. Armand Frangu ka fituar në AKSHI, në firmën e Lindës së gjorë, se kështu do na e bëjnë tani, e keni parë kur del Rama e bën edhe Gysin të gjorë… Me firmat e Lindës gjorë, tendera sekretë, të ndaluar me ligj, ai ka fituar me dhjetëra, dhjetëra tendera vetëm sekretë.

Po nja 40 publikë e të tjerë me radhë. Pra, njeriu, kopshtari i kopshtit privat të Edi Ramës ishte shoqja. Argati aty ishte Frangu, kunati, që paraqiste tendera, kjo është e vërteta.

Prishila Domi: Doktor, flitet se do të shkoni në Amerikë më 9 shtator. Sa e vërtetë është kjo dhe a keni ndonjë axhendë takimesh në Departamentin e Shtetit atje?

Sali Berisha: Tani, që të jem i hapur, unë ju kam qenë në fillim kur jam pyetur, kam deklaruar se do shkoj në ndonjë konferencë.  Në këtë kuadër, Partia Republikane Amerikane zhvillon në Teksas konferencën për zgjedhjet e mid-term, që i quajnë ata zgjedhjet në mes të mandatit.

Dhe Unioni Demokrat Ndërkombëtar, në të cilin Partia Republikane ka peshën më kryesore, se është partia më e madhe me të gjitha ato, ka krijuar një delegacion me kryetarët e rreth 30 partive të këtij unioni për të marrë pjesë në konferencën në Teksas.

Por përveç kësaj ftese në përbërje të delegacionit, unë kam dhe një ftesë tjetër nga një institut amerikan që ka lidhje me këtë konferencë. Kështu që unë pres dokumentet dhe do marr pjesë. Përsa i përket takimeve, nuk kam fiksuar, por shpresoj që të fiksoj gjatë ditëve të ardhshme.

Elio Borni: Doktor, Fatmir Sheholli është arrestuar si agjent i BIA-s serbe, e cila ka axhendën e mbushjes së Kosovës me xhami në mënyrë që Kosova të radikalizohet dhe të duket si vend i Lindjes së Mesme. A është kjo një provë më shumë se Rama rreth vetes ka mbledhur këlyshët e Vuçiçit dhe ka axhendë antishqiptare?

Sali Berisha: Është absolutisht e vërtetë. Janë të dërguar, unë e kam bërë këtu, dhe e kam thënë në mënyrë të hapur se kushdo tjetër. Se këta janë, këta puthadorë të Edi Ramës që vijnë nga Kosova dhe shpërfytyrohen në studiot televizive me avokatinë ndaj tij si s’e bën asnjë njeri tjetër, këta janë mercenarë të fjalës së lirë, të mendimit të lirë.
Janë shahollë e stërshahollë në funksion të të mbrojtjes së Edi Ramës, argatit të Aleksandër Vuçiçit. Nuk ka dyshim. Po nuk është vetëm Sheholli, janë disa për fat të keq.
Të gjithë kanë vërshuar, po këtu kanë një përgjegjësi… kanë një përgjegjësi.
Por pronarët e mediave që i pranojnë janë njerëz të kontrolluar totalisht nga… unë nuk them që t’u mbyllen televizionet, jo, askujt. Por që ata të bëhen turpi i botës duke, duke kaluar nga studio në studio si puthadorë të Edi Ramës dhe paraqitur Edi Ramën ashtu siç do Vuçiçi, kjo është jashtëzakonisht e rëndë.

Shtëpia Lala. Z. Berisha dua një përgjigje për këtë pyetje. Përse nuk reagon Brukseli apo Ambasada Amerikane për këtë lloj korrupsioni që ka mbërthyer vendin?

Sali Berisha: Mendoj se Brukseli, me raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, raportin e COELA-s, ka dëshmuar se realiteti shqiptar i Shqipërisë, për Parlamentin Europian por dhe për COELA-n është një forum i përbërë nga përfaqësues të të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian, jashtëzakonisht i rëndësishëm që ndjek proceset e integrimit.

Them se situata ka ndryshuar, dhe kjo është anë pozitive. Mos të harrojmë që Bashkimi Europian dhe Brukseli, janë forume apo institucione me përfaqësime 27 anëtarë, në të cilën secili ka hapësirën e vet, dhe nuk mund të them se Edi Rama ka mbetur pa asnjë mbështetje në Europë.

Jo, ka mbështetës përsëri për fat të keq.

Për fat të keq ka akoma. Por ndryshimi i madh ka ndodhur. Besoj që Ambasada e Shteteve të Bashkuara, në vlerësimin tim, në mënyrë të përsëritur ka theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit. Por, duhet të jemi të sinqertë këtu. SPAK-u nuk justifikon mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare. Dhe ky është një realitet i hidhur. Një realitet që do bëhet më evident çdo ditë e më shumë.

Edmond Lleshaj. Unë jam një banor i Durrësit në Hamallaj. E kam lënë emigracionin në 2005-ën. Punova me bujqësi, u detyrova të largohem nga Shqipëria në 2019-ën. Pyetja: Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike që e uroj me gjithë shpirt, çfarë do të bëhet për rikthimin e emigrantëve që janë si unë?

Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen, Edmond.

Në fakt, të them të vërtetën më të plotë, e gjithë shtylla e politikës sonë ekonomike, sociale, e të gjithanshme, do të synojë rikthimin e shqiptarëve dhe popullimin e Shqipërisë. Krijimin e kuadrit ligjor më të favorshëm duke u bazuar në parimin se popullimi i Shqipërisë është i vlefshëm për çdo çmim. Kur ti përcakton këtë parim, atëherë ti mobilizon çdo potencial në funksion të tij.

A jam unë optimist, Edmond? Jam optimist. Sepse ky është një eksperiment i bërë. Në vitet 2008-2012, në regjistrin në Shqipëri, janë kthyer 180,000 emigrantë shqiptarë. Dhe kanë filluar bizneset për shkak të kushteve 5 vite pa taksa e të tjera e të tjerë me radhë.

Prit. I dëgjoj tani, i dëgjoj tani, dhe janë jo të paktë ata që thonë: ‘Epo u kthyen se ishte kriza në Itali e Greqi’.

Po Shqipëria ku ishte? Çfarë do të thotë kjo? Kjo është merita akoma më e madhe. Shqipëria nuk ishte në krizë. Pra, Shqipëria sigurisht, përveç vitit 2008, unë nuk mund të them se Shqipëria nuk u lëndua sidomos nga rënia e Italisë në reçesion, se kishim gjithë shkëmbimet.

Po prapëseprapë u mbajt falë atyre politikave fiskale, falë lirisë ekonomike, të cilën Silvio Berluskoni i ndjerë, në një konventë të Forca Italia, e ka marrë si shembullin më të mirë për partinë e tij.

Pra, ndonëse në kushtet e një krize të fortë europiane, ne arritëm ta bëjmë Shqipërinë tërheqëse për t’u rikthyer, ne do ta bëjmë atë edhe njëherë duke vendosur parimin se popullimi i Shqipërisë është i vlefshëm për çdo çmim, dhe ne do ta realizojmë atë.

Ersen Dobrovoda: Doktor, ka zëra se Grida Duma do të jetë balluku tjetër i Edi Ramës dhe do të përdorë emrin e saj për ta nxjerrë nga bataku. Mendoni se kjo ka qenë një agjendë e paracaktuar duke pasur parasysh edhe lëvizjet e Salianjit?

Sali Berisha: Tani unë i kam ndjekur këto, po unë nuk i besova që në fillim. Po a mund të imagjinosh ti, i dashur mik, se do mund të pranonte Lubia, të zëvendësohej nga Grida Duma? Kurrë në kurrës.

Kështu që unë sapo i dëgjova këto fjalë i quajta llafe kafeneje. Të tilla janë.

Sot për sot, Edi Rama e kontrollon totalisht dhe pamëshirësisht Lubinë. Kjo është e vërteta.

Lidor Gërmenji: Sa herë është në siklet ky i gjati, nxjerr tezën e shtetit Bektashi në tavolinë. Mos keni ndonjë info doktor, po i vjen vërdallë ndonjë akuzë penale? Natyrisht nga ndonjë hetim ndërkombëtar, se këta tanët i kemi parë.

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Pa asnjë dyshim, se jo një, po disa… institucione t♪ disa vendeve partnere, dosjet e zeza të Edi Ramës nxijnë dhe nuk mbyllen dot ndonjëherë.

Por faktori më kryesor, burimi më kryesor për Edi Ramën, duhet ta dinë shqiptarët se është SPAK-u i partisë.

Unë i dashur mik, kam denoncuar në mënyrë të përsëritur 140 fluturimet e Edi Ramës me Air Albania dhe një kosto prej 22 milionë euro në dy vite.

Dhe kjo përbën një abuzivitet të jashtëzakonshëm saqë nuk ka kryeministra apo kryetarë shtetesh të tjera që mund të kenë një numër të tillë fluturimesh.

Por mos harroni ju lutem, se kam denoncuar në mënyrën më të përsëritur, transport parash nga Edi Rama jashtë Shqipërisë, me valixhe diplomatike.

Unë një akuzë të tillë nuk mund ta bëja kurrë po të mos kisha bindjen për dokumentat që ekzistojnë. Kur unë kërkova komision hetimor parlamentar për këtë, dhe ky problem për fat të mirë këto dokumente ekzistojnë jo vetëm në një vend, Edi Rama e hodhi poshtë në mënyrë kategorike, nuk lejoi hetimin.

Pra, nuk është se mungojnë dokumentat. Dokumentat janë të shumta. Dosjet janë… ja merr ti, merr pak, keni dëgjuar, e patë ju, do thoja, Gys Agasi na doli me nallane dhe ora 500 mijë euro ora. Ora 500 mijë euro.

Tani çfarë thonë? Nuk e di, po thonë që orën ia ka bërë dhuratë Rama për ditëlindje. Po. Ishte pak e çuditshme prania e orës dhe e nxori orën ai.

E nxori orën. Rama i ka bërë interiorin atij të vilës… shkoni ju, pyesni ndërtuesit. Rama shkonte sikur të ishte designer, arkitekti i brendshëm i vilës së Gys Agasit, saqë unë për vete e quaja se vila është e Ramës.

Ç’është e vërteta, të jemi të sinqertë, se të shkojë burri i botës të thotë jo këtë pllakë, këtë ngjyrë, këtë këtë, tapet ky, kështu kështu, atëherë ai punon për vete.

Pse, këto janë të vërteta këto që them? Ndaj dhe në këtë kuadër mburojë e tij e vetme dhe e familjes së tij është SPAK-u. Kjo është e vërteta, me ato thellë-thellë mandate që ka, të cilët neutralizojnë edhe në qoftë se ndërmerret një veprim spontan aksidental nga SPAK-u.

FJALA PËRMBYLLËSE

Ju falënderoj shumë për pyetjet, për komentet, për vëmendjen dhe në radhë të parë ju ftoj çdo qytetar, çdo demokrat edhe demokrate, të mbështesë me të gjithë potencialin e tij si individ, si familje, protestën rinore qytetare. Mbështetja qytetare dhe triumfi i saj do të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme në historinë kombëtare. Ndaj dhe duhet konsideruar për secilin një shans i madh për të dhënë kontributin e tij, për t’i dalë zot këtij vendi në një rrokullisje shumë të rëndë. Ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, në kilometrat e fundit të bëjmë gjithçka për ripërtëritjen. Shqipëria ka nevojë jetike për ripërtëritje. Çdo demokrat e demokrat duhet të kuptojë dhe duhet të jetë i bindur, se domosdoshmëria e Partisë Demokratike për ripërtëritje është e lidhur, është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me domosdoshmërinë jetike të Shqipërisë për ripërtëritje. Ndaj dhe le të vazhdojmë ne, të shumëfishojmë energjinë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale