Berisha: PD përshëndet samitin e sotëm, i cili varrosi në ndërtesën mauzole të diktatorit, projektin e Ballkanit të Hapur

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur samitin e sotëm të liderëve të vendeve anëtare të BE dhe Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Tiranë, ndërsa theksoi se ‘PD, si lokomotivë e proceseve integruese euroatlantike, garanton pjesëmarrësit e këtij samiti se ajo mbetet e vendosur, e përkushtuar me programin e saj, të bëjë gjithçka për të avancuar procesin e rëndësishëm të integrimit’.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, u shpreh se ky samit e ka varrosur pikërisht në mauzoleun e diktatorit, projektin e Ballkanit të Hapur.

‘PD shpreh gjithashtu vlerësimin më të madh për samitin e sotëm sepse sot, këta burra të shquar të BE, varrosin pikërisht në ndërtesën mauzole të diktatorit, projektin e Ballkanit të Hapur, të Edi Ramës’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha.

DEKLARATA E PLOTE E KREUT TE PD, SALI BERISHA

Partia Demokratike mbështet dhe përshëndet samitin e sotëm të liderëve të vendeve anëtare të BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, si një ngjarje ndër më të rëndësishmet, pas samitit të Selanikut 20 vite më parë.

Samiti i sotëm në Tiranë dëshmon vullnetin, konsekuencën e BE dhe liderëve të vendeve anëtare për të mbështetur perspektivën evropiane të vendeve të rajonit tonë, për të mbështetur procesin e integrimit të tyre në BE.

PD, si lokomotivë e proceseve integruese euroatlantike, garanton pjesëmarrësit e këtij samiti se ajo mbetet e vendosur, e përkushtuar me programin e saj, të bëjë gjithçka për të avancuar procesin e rëndësishëm të integrimit në BE si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë, në paqe, begati dhe zhvillim.

PD thekson se nga samiti i Selanikut gjer sot, kanë kaluar 20 vite, por mjerisht vetëm një vend i rajonit nga ajo kohë, është sot anëtar i plotë i Bashkimit Europia, Kroacia. Dhe kjo, absolutisht jo se ka munguar predispozita apo dëshira e BE për integrimin e këtyre vendeve, por sepse 10 vitet e fundit, procesi i integrimit për shkak të regjimeve autokratike të instaluara në disa vende të këtij rajoni, u shndërrua në një horizont që largohej gjithnjë e më shumë.

Prania sot e liderëve të BE është një garanci më shumë për shqiptarët dhe popullin opozitar se asnjë lloj fasade e Edi Ramës nuk do mund të pengojë ata të shohin muret që Edi Rama ka ngritur dhe që ndajnë Tiranën me Brukselin. Të shohin murin e kleptokracisë dhe korrupsionit, murin e drogës dhe krimit të organizuar, murin e varfërisë dhe mjerimit, murin e monizmit thuaj të plotë dhe luftës antikushtetuese, antiligjore ndaj opozitës.

Por, PD shpreh gjithashtu vlerësimin më të madh për samitin e sotëm sepse sot, këta burra të shquar të BE, varrosin pikërisht në ndërtesën mauzole të diktatorit, projektin e Ballkanit të Hapur, të Edi Ramës.

Projekt ky, de facto ruso-serb, i cili synonte në një mënyrë apo në një tjetër, rikthimin e Serbisë së Madhe dhe rikthimin e rajonit në zonë influence të Rusisë.

Ky projekt, në të cilin Edi Rama u bë promotor kryesor dhe tundte flamurin e tij, që mbështetej fuqishëm nga Sergi Lavrov, por në fakt edhe nga Aleksandër Soros, sot, thashë dhe njëherë, varroset në këtë samit dhe kjo është një arritje e madhe për shqiptarët, një arritje e madhe për të gjitha kombet e rajonit, që shohin të ardhmen e tyre më të mirë në BE.

Kjo është një goditje e të gjitha aspiratave të hegjemonizmit serb dhe influencës ruse në rajon.

Ndaj dhe njëherë, e mbyll këtë deklaratë duke iu uruar sukses të plotë punimeve të këtij samiti historik për rajonin dhe Europën në Tiranë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale