Berisha: PD mori mbështetje të plotë nga PPE, të bashkohemi nesër në kryengritjen më të fuqishme paqësore

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me qytetarët gjatë ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dha një mesazh të fortë politik dhe mobilizues, duke e vendosur fokusin tek situata e brendshme politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe thirrja për reagim qytetar.

Në fjalën e tij, kryedemokrati Sali Berisha theksoi mbështetjen e gjerë që, sipas tij, opozita shqiptare ka marrë nga Partia Popullore Evropiane, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për legjitimitetin dhe forcimin e saj në arenën ndërkombëtare. ‘PD pati vendin e saj të merituar dhe mori mbështetje shumë të madhe’, u shpreh Berisha, duke shtuar se ‘demokracia shqiptare sot ka miq dhe mbështetës të mëdhenj dhe të vërtetë’. Ai nënvizoi se në takimet e zhvilluara në Bruksel me liderë evropianë, ishte e qartë se ekziston një ‘njohje e plotë për rrëshqitjen e Shqipërisë në një narkoshtet apo narkodiktaturë’.

Në vijim, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha lëshoi akuza të ashpra ndaj Edi Ramës, duke e cilësuar atë si ‘një diktator në rreth të kuq, pa të ardhme në Shqipëri dhe në Evropë’. Berisha u shpreh se, Rama dhe qeveria e tij ka bllokuar sistemin e drejtësisë dhe ka ndërmarrë hapa për të mbrojtur, sipas tij, korrupsionin në nivelet më të larta: ‘Edi Rama mori përsipër të gjithë fajësinë, duke bllokuar sistemin e drejtësisë në mënyrë përfundimtare’.

Kreu i PD-së, Sali Berisha theksoi se Shqipëria ka mbetur pas në rrugën e integrimit drejt BE-së në krahasim me vende të tjera si Mali i Zi, duke u shprehur se: ‘Me Edi Ramën nuk ka asnjë progres drejt BE, përkundrazi ka kthim mbrapa gjithnjë e më të madh’. Berisha nënvizoi se, ky është një tregues i izolimit në rritje të vendit dhe dështimit të politikave qeveritare.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri apel shqiptarëve që të bashkohen në një protestë të madhe paqësore, duke e konsideruar atë si një detyrim qytetar: ‘Është një detyrë e çdo qytetari shqiptar të ngrihemi fuqishëm kundër këtij regjimi. Të bashkohemi nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës për të treguar forcën tonë, me kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Tirana. Ftoj nesër edhe njëherë të gjithë qytetarët që të bashkohemi që zëri ynë të ushtojë në Shqipëri, Europë dhe botë’ theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë bisedë timen në rrjetet sociale.

Së pari edhe njëherë gëzuar Fitër Bajramin, nga zemra uroj që Zoti i madh t’ua kthejë të gjithë sakrificat në mirësi dhe mbarësi për ju dhe familjen tuaj.

Sapo kthehem nga samiti i 50-vjetorit të Partisë Popullore Evropiane, një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për këtë parti, e cila ka qenë më anëtarët e saj, lokomotivë kryesore e zhvillimit, prosperitetit, demokracisë në Evropë dhe ka rrezatuar fuqishëm në mbarë botën.

PD, anëtare e asociuar e PPE, ishte e ftuar në të gjitha evenimentet ku u morën vendime shumë të mëdha, të rëndësishme së pari për vetë BE-në dhe për kompeticionin brenda këtij bashkimi ose kompeticionin e këtij bashkimi me rregulla të reja lehtësuese të mëdha për garën dhe biznesin.

Diskutime të mëdha dhe vendime për Ukrainën, mbështetjen e saj të plotë si dhe rrugët e përballimit të krizës energjetike të krijuar tashmë nga lufta në Lindjen e Mesme dhe dëmtimet e mëdha që Irani u ka shkaktuar instalimeve të naftës dhe gazit në rajonin më nevralgjik sa i përket energjisë në planet, rajonin e Gjirit Persik.

Natyrisht në këto aktivitete unë takova shumë miq të hershëm, por edhe të rinj, takova kryeministra, kryetarë partish, personalitete të shquara.

Diskutimi ishte sigurisht mbi gjendjen e Shqipërisë.

Ajo që mund t’u them qytetarëve është se njohuritë janë të plota për rrëshqitjen e Shqipërisë në një narkoshtet apo një narkodiktaturë dhe Edi Rrama sot është një diktator në rreth të kuq, pa të ardhme në Shqipëri dhe në Evropë.

Mbështetja për opozitën dhe përpjekjet e saj është e plotë nga PPE, nga liderët e këtyre partive, nga partitë e mëdha, CDU, partitë e tjera të qendrës së djathtë në Evropë.

Diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin me këto parti si dhe i njoha me vendosmërinë tonë, rezistencën tonë, kryengritjen tonë paqësore për të përmbysur këtë regjim të paligjshëm, zhvillimet dramatike të javëve të fundit, në të cilat Edi Rama mori përsipër të gjithë fajësinë, siç e ka, duke bllokuar sistemin e drejtësisë në mënyrë përfundimtare, paketën ligjore që po përgatit si mburojë për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve.

Pra, mund të them se në këtë samit, PD pati vendin e saj të merituar dhe mori mbështetje shumë të madhe.

Bëmë takime në parlamentin belg dhe në parlamentin e kryeqytetit të Belgjikës, në të cilat ne informuam bashkëbiseduesit, miqtë tanë për të gjithë situatën dramatike që kalon Shqipëria.

Me këtë rast unë shpreh mirënjohje të thellë për Partinë Popullore Evropiane, kryetarin Ueber, Sekretarin e Përgjithshëm Montserrat dhe të gjithë ata që mbështetën partinë gjatë këtyre viteve dhe e mbështesin sot fuqishëm në përpjekjet e saj për një Shqipëri ku qytetarët të votojnë të lirë, një Shqipëri demokratike.

Falënderoj shumë të gjithë miqtë që takova aty për dashamirësinë që treguan, mbështetjen që treguan si dhe përfaqësuesit e parlamentit belg dhe parlamentit të Brukselit.

Pra mund të themi se demokracia shqiptare sot ka miq dhe mbështetës të mëdhenj dhe të vërtetë, opozita shqiptare ka miq të mëdhenj dhe të vërtetë, të cilët e mbështesin PD-në.

Duhet t’u them këtu se ai që dikur pranohej apo shpallej në mënyrë absolute të paqenë si sukses, tani ylli i tij është shuar, është një figurë e nxirë.

Rastisi, por ishte koincidencë, por gjatë kohës që ne ishim në Bruksel, Mali i Zi u votua për të mbyllur kapitujt e rëndësishëm, kurse Shqipëria mbeti në klasë dhe nuk i mbylli dot.

Dhe i garantoj shqiptarët se me Edi Ramën nuk ka asnjë progres drejt BE, përkundrazi ka kthim mbrapa gjithnjë e më të madh.

Pra, këto doja të informoja në këtë bisedë shkurtimisht dhe të shfrytëzoj rastin të bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të përmbushim detyrën tonë ndaj këtij regjimi, të ngrihemi fuqishëm kundër Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, e cila më së fundmi mbylli edhe dyert e Evropës për Shqipërinë me mburojën që krijon për vjedhjet e tij dhe të organizatës së tij kriminale.

Sot është një detyrë e çdo qytetari shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij, se unë jam i bindur se shqiptarët votojnë për një Shqipëri në Evropë, një Shqipëri që integrohet në BE, votojnë për një Shqipëri që respekton shtetin ligjor, që lufton në mënyrë të vendosur dhe ligjore korrupsionin, të bashkohemi nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës për të treguar forcën tonë, shpirtin tonë të pamposhtur me kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Tirana.

BASHKEBISEDIMI ME QYTETARET:

Çim Ndregjoni: Çështja Balluku, duket se po harrohet. Ju keni pasur deputetët tuaj në Këshillin e Mandateve, pse nuk nxirrni detaje të tjera nga kjo dosje. Kjo do ti jepte fund dhe zërave se në dosje janë implikuar dhe dosje të opozitës.

Sali Berisha: Do të më falni, por dosja Balluku nuk u është dhënë deputetëve. Atyre u është dhënë një raport për të cilin ata kanë firmosur para prokurorit se mbajnë përgjegjësi penale në rast se e nxjerrin raportin.

Tani nëse ndokush mund ti shkojë mendja se në dosjen Balluku ekzistojnë emra opozitës,  gabojnë shumë, shumë rëndë. Ju garantoj se nuk ekziston asnjë emër i tillë, kurrë.

Por do të ju them një gjë. Unë jam kryetari i kësaj partie, unë jam kryetar i kësaj partie, unë deputetëve, anëtarëve të atij komisioni nuk i kam kërkuar as për veten time, të shkelin deklaratën që kanë bërë në përgjegjësi penale. Jam kryetar partie dhe nuk ua kam kërkuar një gjë të tillë. Sepse ajo është ligjore dhe janë të detyruar të zbatojnë ligjin.

Ju mos u bëni viktimë në shpifje në ndihmë të Edi Ramës, sepse sot një kor i tërë krijon dhe shpif çdo ditë, gjëra se si e si të lehtësojë pozitën e Edi Ramës.

Por ti them një njeri që ka firmosur me zotim, që mbaj përgjegjësi penale për këtë, unë atë nuk e bëj, nuk ua them.

Ju siguroj se nuk ka ngelë gjë reale, e rëndësishme pa dalë. Se dosja nuk është dhënë, por janë dhënë në relacionin që ka sjellë prokuroria.

Natasha Taho: Nafta ka shkuar 220 lek litri. Keni propozuar ndonjë draft për uljen e saj.

Sali Berisha: Kemi përgatitur draftin me të cilin ne kërkojmë menjëherë përgjysmimin e taksës së qarkullimit dhe lëvizjen e akcizës.

Pra ligji ynë propozon përgjysmimin e taksës së qarkullimit dhe lëvizjen e akcizës. Ne do të kërkojmë dhe të vendoset sistemi fiskal që ekziston në Kosovë dhe Maqedoni, vende në të cilat nafta rritet, kur rritet në tregun botëror, por kjo rritje përsëri bën që në këto vende përsëri çmimi të jetë 70% më i ulët në Shqipëri.

Muharrem Kurti: Përshëndetje Doktor Berisha, e para duhet t’u bëni thirrje strukturave vendore për organizimin e protestës. Së dyti, duhet të rrethojmë kryeministrinë dhe protesta të mos jetë dyorëshe.

Sali Berisha: Shumë faleminderit Muharrem për sugjerimet shumë të drejta. Mendoj se strukturat e PD, sot më shumë se kurrë, duhet t’i përgjigjen misionit të tyre, pasi ky mision është shpëtimtar për Shqipërinë dhe opozita është shpresa e vetme për këtë vend.

Së dyti, jam plotësisht dakord me ju se protesta e qëndrueshme dhe e vazhdueshme është rruga e vetme e përmbysjes së regjimit.

Albanian Americans: Zoti Berisha, cili ishte thelbi i amendimeve që kërkoi i PPE dhe a do ia paraqesë Parlamentit Evropian?

Sali Berisha: Amendimet i janë paraqitur Parlamentit Evropian, por duhet të keni një gjë parasysh se Komisioni i Jashtëm i Parlamentit dhe Parlamenti Evropian janë pluripartiakë.

Por unë, me deklaratën që pashë dhe që është publikuar të raportit të AFET-it, raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit që ishte me mision faktmbledhës, unë gjeta se aty ishin pasqyruar shumica dërrmuese e shqetësimeve dhe problemeve tona, çka tregonte se edhe socialistët evropianë kanë një ndërgjegjësim më të madh për zhvillimet në Shqipëri.

Thelbi i kërkesave tona është i qartë, dënojmë me forcë bllokimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e vjedhjeve dhe korrupsionit qeveritar nga Edi Rama, lidhjet me krimin e organizuar dhe farsën zgjedhore.

Ju besoj e morët vesh se po këto ditë Shqipëria është shpallur nga instituti më prestigjioz në Evropë për vlerësimin e demokracisë dhe të drejtave, V-Dem quhet ky institut, është shpallur diktaturë autoritare apo autokraci elektorale e shprehur, çka përbën kjo sigurisht një lajm shumë të hidhur.

Por nga ana tjetër përbën një ndërkombëtarizim të problemit të Shqipërisë, të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Evropë dhe në botë.

Vojsava Çaushaj: Jam ish-studente e dhjetorit të demokracisë, jetoj në Itali, pjesëtare e grupit të riorganizimit të PD, Itali, një grup atdhetarësh demokratë prej 60 personash, çdo ditë në rritje, nga Bergamo në Taranto ku unë jetoj. Po presim me padurim një takim me ju qoftë dhe online.

Sali Berisha: Me kënaqësi, unë do të ju përgjigjem kërkesave për takime dhe online dhe të gjitha formave.

Dhe ju falënderoj shumë për punën që bëni Vojsava.

Greta Beqiri: Si e komentoni rritjen e çmimeve në Shqipëri, kryesisht të karburantit. Çfarë masash do të marrë PD.

Sali Berisha: Rritja e çmimeve është një spekulim i madh në Shqipëri, mbasi qeveria shqiptare vendos mbi litrin e naftës taksat prej 1.1 euro si asnjë vend tjetër.

Pra zotimi ynë është dhe ka qenë, i prerë që në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk mund të shitet një litër naftë më shtrenjtë se në Maqedoni dhe në Kosovë, çka do të thotë se ne do të barazonim taksat me këto dy vende dhe pastaj gjithçka tjetër do të goditej me dorë të hekur si spekulim.

Sepse Maqedonia dhe Kosova nuk kanë asnjë pëllëmbë det, dhe naftën e marrin nga Durrës apo Selaniku dhe naftën e shesin rreth 70% ndën çmimin e Shqipërisë.

Kështu që duke niveluar taksat me këto vende ne i hapim rrugën një çmimi të barabartë me këto vende.

Megi Zogaj: Cilat ishin mesazhet kryesore që i përcollët PPE-së për situatën në Shqipëri dhe a morët mbështetje konkrete nga PPE për opozitën shqiptare?

Sali Berisha: Megi, faleminderit për pyetje. Tani, të themi të vërtetën, PPE vetë ka dhënë një ndihmë këtu, pavarësisht se propaganda dhe zhurma nuk ka lejuar të perceptohet, por i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme politike Shqipërisë.

Po të kemi këtu parasysh vetëm deklaratën e Valencias, që u votua nga të gjitha partitë e qendrës së djathtë të Evropës, ajo është platforma politike dhe mbështetja politike më e madhe për këtë vend, në të cilin Edi Rama dhe regjimi i Shqipërisë dënohet si një diktaturë autoritare që shtyp pluralizmin, përdor institucionet për të shtypur pluralizmin, që zhvillon farsa elektorale, që ka lidhje të ngushta në nivelet më të larta me krimin.

Përveç kësaj, kjo rezolutë ka ardhur pas rezolutës që PPE ka miratuar në Maltë.

Natyrisht kulmore për ndihmën ndaj nesh ishte misioni faktmbledhës që erdhi 3 javë më parë në Shqipëri, i përbërë nga sekretarët ndërkombëtarë të 30 partive politike të qendrës së djathtë të BE dhe vendeve të asociuara, ku ata hartojnë një raport që e qarkullojnë për qeveritë e tyre dhe institucionet ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, sigurisht që takimet që zhvilluam aty dhe bisedat ishin shumë të rëndësishme.

Por të them të vërtetën, aty ekziston një vetëdije e plotë për situatën në Shqipëri dhe ka një mbështetje të plotë për ne. Edi Rama sot është i bllokuar.

Edhe njëherë e theksoj se ai që përmes mashtrimit dhe lobimit kishte arritur të konsiderohej si një shembull që shkëlqente, ylli i tij është shuar përgjithmonë dhe sot është një figurë e zezë në rreth të kuq që pritet me padurim largimi i tij.

Ervis Azizolli: Përshëndetje doktor, a do të jetë protesta e nesërme një qëndresë e gjatë dhe si i vlerësoni aktualisht reagimin e ndërkombëtarëve ndaj krizës politike në vend.

Sali Berisha: Protesta e nesërme do të jetë kryengritja më e fuqishme paqësore dhe do të jetë mesazhi më i fuqishëm që shqiptarët i dërgojnë regjimit të Edi Ramës.

Mendoj se qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar ka qenë jashtëzakonisht i drejtë dhe duhet të kemi parasysh se, komuniteti ndërkombëtar ka spektrin e tij, por deklaratat e bëra në kuadrin e komunitetit ndërkombëtar kanë qenë një mbështetje e hapur për shtetin ligjor, dënimin kundër korrupsionit, denoncim i vendimeve që Edi Rama për të bllokuar prokurorinë speciale dhe heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Sikundër Komisioni Europian në qëndrimin e tij, veçoi Shqipërinë nga Mali i Zi dhe Malin e Zi votoi për kalimin e kapitullit me vlerësime shumë pozitive, ndërsa Shqipëria mbeti në klasë.

Pra mund të them se, komuniteti ndërkombëtar ka mbajtur qëndrime kundër grushtit të shtetit që po bën Edi Rama me bllokimin e drejtësisë, dhe në mbështetje të funksionimit të shtetit ligjor, në mbështetje të kushtetutës dhe në mbështetje të kërkesave të opozitës shqiptarë që janë në këtë linjë.

Ky është vlerësimi im dhe kam mirënjohje e theksova dhe më parë për PPE dhe për Komisionin Europian për qëndrimet e tyre. Natyrisht ata marrin masat e tyre, por ne na takon, njeri këtu në Shqipëri që të vijë të heqë qeverinë nuk do të ketë.

Do të jemi në vetë, të mbështetur jemi ne sot, sepse po luftojmë për një kauzë të drejtë, një qeveri që bllokon luftën kundër korrupsionit që shndërron zgjedhjet në farsë nuk ka legjitimitet ndaj dhe po bëjmë gjithçka për largimin e saj.

Geraldina Kola: A pritet ndonjë lëvizje tjetër nga ana e komunitetit ndërkombëtar? A mund të bëjnë ata diçka më shumë.

Sali Berisha: Ata nuk pajtohen kurrë, as me farsën zgjedhore, as me bllokimin e luftës kundër korrupsionit dhe bllokimin e drejtësisë. Por duhet të kemi një gjë parasysh, lëvizja e fundit e Edi Ramës është lëvizja më antishqiptare që është bërë ndonjëherë, lëvizje me të cilën Edi Rama kërkoj nga BE-ja që ti japin Shqipërisë së bashku me Serbinë vetëm marrëveshjen tregtare dhe lëvizjen e lirë, kurse paketën politike dhe përfitimet dhe të drejtën e votës të mos e japin.

Pse e bëri Edi Rama këtë akt? Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, padroni dhe argati e bënë këtë në kundërshtim me interesat flagrante të kombeve të tyre dhe vetëm e vetëm për pushtetin e tyre. Por ana tjetër, Edi Rama me këtë akt antikombëtar e rreshtoi Shqipërinë krahas Beogradit, krahas aleatit kryesor të Moskës në rajon.

Barazoi Shqipërinë me Beogradin i cili nuk respekton sanksionet e BE dhe NATO-s ndaj Rusisë. I cili nuk pranon kurrë të njohë Kosovën.

Edi Rama e gjeti tani për ortak një akt i shëmtuar antikombëtar, por që ka treguar para shqiptarëve karakterin e vet dhe dua të informoj shqiptarët se, ky argat i Vuçiçit ka urdhëruar ambasadat që të mos kenë asnjë lloj takimi me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla sepse ajo denoncoi publikisht me guxim letrën e përbashkët Rama-Vuçiç.

Arrin deri në këtë verbëri që të kërkojë, e cila me shumë mundësi Donika është edhe shtetase shqiptare se, ajo ka ardhur këtu fëmijë dhe është rritur në Shqipëri, shkon në verbërira të pafundme.

Megjithatë e them këtu prap se, nuk ka asgjë më jetike se sa të mbrojmë vokacionin tonë perëndimor, të mbrojmë procesin e integrimit tonë në BE. Në vend të pasaportës Europiane që premtoi në çdo miting dhe takim, tani ofron pasaportën e Beogradit.

Ne këtë nuk do të ja pranojmë kurrë.

Genti Çela: Përshëndetje Doktor, duke njohur disi pasionin tuaj për letërsinë, gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Poezisë. Cilët janë poetët tuaj të preferuar shqiptarë dhe të huaj? Ju përshëndes nga Pogradeci.

Sali Berisha: Poeti im më i dashur shqiptar është Lasgush Poradeci. Por pastaj unë lexoj më kënaqësi dhe poetë të tjerë.

Kam pasur periudha të tëra i lidhur me Fishtën sa nuk ka më shumë. Dhe padyshim për mua është një gjeni i epikës shqiptare dhe evropiane.

Kam dashur shumë Mjedën, Nolin, por Lasgushi sepse në njëfarë mënyre poezia, ndonëse ka variantet e veta, ka zhanret e veta, por liri ka, është edhe shpirti i saj.

Dhe Lasgushi është liriku më i madh shqiptar.

Sokol Deliaj: Doktor, të përshëndes. Nëse dosja Balluku e implikon edhe Ramën, duhet që anëtarët e Komisionit të Mandateve ta dërgojnë tek institucionet e BE që ata të marrin vendimin përfundimtar për këtë qeveri.

Sali Berisha: Faleminderit shumë Sokol për sugjerimin, por unë të garantoj se ata e kanë.

Institucionet ndërkombëtare e kanë atë dosje.

Megi Zogaj: Si e interpretoni faktin që Balluku mbetet sërish drejtuese politike në Fier. A është kjo shenjë force apo dobësie e qeverisë?

Sali Berisha: Përkundrazi dëshmon se Edi Rama është tërësisht i kapur nga Balluku dhe është shenjë forcë e Ballukut.

Mos u çudit nesër që ajo të zgjidhet Sekretare e Përgjithshme e partisë së krimit.

Apo sot, kur e kanë atë mbledhje.

Gjergji Grabocka: Përshëndetje Doktor, një shpurë e fëlliqur analistësh dhe opinionistësh që paguhen nga paratë e krimit dhe korrupsionit siç del edhe nga dosja Balluku, helmojnë shqiptarët me propagandë false. Si do të këpusni këto fije mes medies dhe këtyre mbrojtësve të krimit dhe korrupsionit?

Sali Berisha: Censura, manipulimi dhe mashtrimi janë shtyllë kryesore e narkodiktaturës së sotme dhe përbëjnë një problem madhor për kohën që ne jemi në opozitë.

Rruga e vetme e tamponimit të tyre është përdorimi i mjeteve sociale.

Secili nga ne duhet të denoncojë, të shkruajë, të komentojë pa u lodhur sepse kjo brigadë puthadorësh që nga mëngjesi gjer në darkë përpiqen në mënyrat nga më të ndryshmet të mbrojnë Edi Ramën, në çdo lloj forme, edhe duke u depersonalizuar në shkallë ekstreme, përbëjnë vërtet një faktor tepër të dëmshëm të kësaj diktature.

Ndaj dhe është e rëndësishme shumë t’i emërojmë dhe t’i turpërojmë me të gjithë fuqinë tonë në mediat sociale.

Sepse këta çdo porosi e marrin nga zyrat e Edi Ramës.

Të gjitha tezat këta i marrin nga zyrat e Edi Ramës.

Këta nuk flasin edhe sot kur bota flet në unison për farsën elektorale në Shqipëri, këta vazhdojnë flasin për zgjedhje, këta vazhdojnë të thonë se opozita e ka fajin, vazhdojnë të trillojnë çdo lloj argumenti vetëm e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën sepse mbrojnë pagatorin e tyre, mbrojnë interesat e tyre.

Agustin Molla: Doktor, çfarë do bëhet me reformën territoriale? A do të jeni pro që Mirdita të shkojë në kufijtë e vitit 1946, aty ku ka qenë?

Sali Berisha: Tani, ky është premtim jo për këtë reformë se për këtë nuk kemi vota dhe nuk mund ta premtojmë.

Por që Mirdita duhet të shkojë në kufijtë e vet, aty ku është e mundur, jam plotësisht dakord.

Fatmir Topi: Doktor në vitin 2005 erdhët në pushtet si pasojë e lëvizjeve për hapjen e partisë. Ndërkohë që nuk shohim asnjë ndryshim. Kjo sjell apati në elektorat. A do të ndodhin këto ndryshime në maj, kur të zgjidhen strukturat e reja.

Sali Berisha: Padiskutim që do të ndodhin, por të jeni i sigurtë që ndryshime ka.

Fatmir, 2005 me 2026 ndryshojë si nata me ditën. Pse ndryshojnë? Ndryshojnë sepse në 2005, kryeministër ishte një njeri që kishte vendosur të pranojë verdiktin e qytetarëve dhe e pranoi, e faktoi.

Ju e dini se ne i kemi vendosur 100 etiketa Fatos Nanos, tani i ndjerë, por ai verdiktin e qytetarëve e pranoi.

Kurse Edi Rama, të garantoj se bën gjithçka për ta shkelmuar atë.

Sigurisht që partia do të bëjë ndryshime dhe për këtë të jeni i sigurtë për asnjë lloj ekuivoku. Por krahasime nuk duhet të bëjmë.

Nuk janë këto, çfarë do ndryshimi që të bëjë partia, me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Kur edhe institucionet ndërkombëtare, krejt të pavarura që janë institucione jashtëzakonisht të kujdesshme, por e shpallin autokraci elektorale, apo diktaturë autokratike Shqipërinë, do të thotë se Shqipëria zhvillon farsë dhe jo zgjedhje.

Dhe farsat nuk i fiton opozita, prandaj dhe përpjekja jonë për protestën, rruga jonë, sepse farsa i fiton gjithnjë e më thellë qeveria. Jo vetëm që i fiton, por i fiton ato gjithnjë e më thellë.

Zonja Demokrate: Përshëndetje të përzemërta Doktor Berisha, nga një zonjë demokrate që ka lindur dhe do vdesë e tillë. Unë ndjek në mënyrë aktive të gjitha zhvillimet politike dhe jam prezente fizikisht bashkë me familjarët e mi në çdo protestë të zhvilluar ku pavarësisht vështirësive në frymëmarrje nga gazi, nuk jemi dorëzuar. Ajo çka unë kam konstatuar personalisht dhe mendoj se duhet të ndryshojë në protestë është unifikimi i qëndrimit mes deputetëve dhe qytetarëve. Unë shoh në vijë të parë të protestës të njëjtët njerëz, kurse pjesa më e madhe e deputetëve, gra e burra, shpërndahen mes turmës duke bërë xhiro në bulevard apo duke ecur krah për krahu me njëra-tjetrën sikur kemi dalë për festë. Qëndrueshmëria duhet të nisë nga gratë deputete që duhet të qëndrojnë në vijë të parë, të shoqëruar nga kolegët e tyre deputetë e kështu me radhë. Rezistenca ndaj regjimit duhet të nisë nga të gjithë deputetët, që edhe qytetarët të ndjehen të motivuar. Çdo deputet duhet të vijë me familjarët e tij dhe të sjellë minimumi 100 qytetarë nga njësitë e tyre sepse unë shoh shumë mangësi në organizim. Duke u falënderuar për kontributin që po bëni për përmbysjen e komunizmit dhe në këtë moshë, u uroj shëndet dhe çdo të mirë për ju dhe familjen tuaj. Unë do të vazhdoj të jem prezente dhe aktive ashtu siç kam qenë në vitet ’90 kur u kemi shpëtuar plumbave në bulevard me shpresën se kjo do të jetë lufta e fundit dhe do të rilindë shpresa për kombin shqiptar. Fitore!

Sali Berisha: Unë të shpreh mirënjohjen më të thellë për kontributin tuaj dhe mbetem borxhli dhe mirënjohës ndaj jush dhe familjes tuaj.

Por një sqarim do bëj. Deputetët kanë porosi të mos rrinë të parët, por të shkojnë kryesisht tek qytetarët e rretheve të tyre, e zonave të tyre në protestë.

Edhe mund të ndryshojë, por kjo ka qenë një taktikë dhe një qëndrim i yni, që ata të rrinë me qytetarët.

Mbase duhet të qëndronin në krye aty ku rri unë me një grup të vogël dhe me të tjerë.

E sigurt të jesh që gjatë këtyre ditëve ata punojnë dhe kanë punuar që pjesëmarrja të jetë sa më e madhe.

Sidoqoftë organizimi duhet përsosur dhe jam plotësisht dakord me ju.

Shyqyri Myrtollari: Përshëndetje, a keni ndonjë informacion pse nuk ka asnjë lëvizje për  dosjen Agasi. Duket qartë se pas kësaj qëndron Rama.

Sali Berisha: Jo vetëm nuk ka lëvizje, por Agasi lëviz lirshëm Tiranë, Durrës dhe kudo, madje siç thashë, një ditë e panë tek ngjitej për në Surrel.

Agasi është Rama dhe i paprekshëm. Lëvizja në dosjen Agasi është lëvizja në dosjen Rama.

Ju duhet ta dini se edhe Agasi dhe Mirlinda kanë qenë Rama dhe Linda. Dhe krimi monstruoz i AKSHI-t ka në bosht, grabitjen e qindra milionë eurove nga kunati i Linda Ramës, Armand Frangu, i cili ka fituar me qindra tendera me procedurë sekrete në kundërshtimet më flagrante me ligjet.

Për të cilin janë marrë peng biznesmenët që të mos guxonin të paraqesin oferta. Dhe këto që po ju them unë i kam lexuar një për një, në një kohë kur isha në arrest shtëpie, i kam lexuar në miting para qytetareve, siç më erdhën nga prokuroria direkt.

Dëshmia sepse sipas Gerond Meçes, kompania ABS që ishte në emrin e Gerondit, faktikisht ishte në emrin e Armand Frangut dhe se tenderat i përcaktohet Linda Basha se kush do të fitonte. Prandaj dhe aty nuk lëviz dot se, ky më vendimin që mori dhe me paralajmërimet dhe sulmet që i ka bërë Skapit, i ka treguar se, ai nuk e njeh si institucion më.

Të gjitha këto janë një kushtrim, apel për qytetarët. Është në detyrimin tonë, në vullnetin tonë të qëndrojmë dhe ti japim duart këtij regjimi.

Petrit Matia: Doktor, përshëndetje, si ka mundësi që ambasada amerikane nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për çështjen Balluku?

Sali Berisha: E vështirë të shpjegohet. Nuk kam ndonjë shpjegim të saktë sepse e vërteta është që në mënyrë të përsëritur ambasada ka shprehur mbështetjen e saj për funksionimin e SPAK dhe institucioneve të drejtësisë.

Por, se cila është arsyeja që nuk bëri deklaratë, nuk mund ta them.

Nuk e di pse.

Mos harro edhe një gjë, që ka dhe një moto, e cila është ‘Amerika e para’, dhe ‘Amerika e para’ përbën një lloj vetëkufizimi dhe përqendrim kryesisht tek problemet e veta, por nuk e cila është arsyeja. Nuk mund ta them.

Mund t’ia bëni vetë ambasadës këtë pyetje dhe ajo me siguri do u përgjigjet.

Adi Fiku: Zoti Berisha, Edi Rama ka deklaruar në asamblenë e PS se do e ulim akcizën 20 përqind kur çmimi i naftës të kalojë 2200 lekë. Kjo është një tallje e hapur…

Sali Berisha: Absolute, ky është cinizëm i ulët, do të thotë se çmimi do të shkojë 2200 lekë. Do të thotë se ky është lubia që po përfiton më shumë nga çmimi i naftës. Se kur çmimi i naftës shkon 2200, përfitimi i tij nga ky çmim rritet me 40 përqind dhe tani zotohet se do nxjerr sytë dhe do vë vetullat.

Është e turpshme, është cinike.

Ky është një motiv për çdo qytetar të nxjerrim makinat, të bllokojmë rrugët, të mos lëmë një kryehajdut të sillet në këtë këtë mënyrë.

A e keni marrë vesh, ka një gjë shumë të rëndësishme, për herë të parë në historinë e pluralizmit këtë vit, ekonomia nuk është kontribuuesi kryesor në prodhimin bruto të vendit. Jo. Janë taksat dhe rrogëtarët e shtetit.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se janë rritur kaq shumë taksat, saqë të ardhurat vijnë prej tyre.

Është një rreth vicioz shumë negativ për ekonominë, që e frenon ekonominë, dhe tani t’u premtosh shqiptarëve se kur të arrijë në 2200 nafta, atëherë do ul akcizën, është tallje cinike dhe do të thotë edhe njëherë që të nxjerrësh sytë dhe t’i çosh vetullat.

Prandaj qytetarët shqiptarë të dalin, ta rrëzojmë, e kemi në dorë.

Të heqim qafe një njeri të papërgjegjshëm.

A e morët vesh sot? Ka marrë përsipër të paguajë borxhin e Air Albania, të paguajë 35 milionë euro tek Air Albania sepse i ka shpenzuar me 150 udhëtimet turistike, etj, etj me radhë. Dhe tani detyrohen taksapaguesit të paguajnë 35 milionë euro të kompanisë private që ka falimentuar.

Arjan Geci: Rama tha se do të çojë përpara ligjin për referendumet, do të ulim numrin e deputetëve dhe do të thërrasim shqiptarët në referendum. A e mbështesni këtë nismë të të PS-së?

Sali Berisha: Nuk mbështes asnjë nisme të PS-së, në mënyrë të prerë. Asnjë nisme.

Sabri Islami: A do të hiqet taksa e rrugës së veriut të Shqipërisë.

Sali Berisha: Akti i parë, javën e parë. Nuk do të ketë diskriminim të veriut.

Vetëm për këtë Edi Rama meriton vite të tëra burg, për diskriminim që ju bëri zonave më të varfëra të vendit. Vite të tëra burg meriton.

Arsen Dushku: Rama ka deklaruar sot se do të hartojë një ligj për uljen të deputetëve në parlament. A jeni dakord me këtë nismë, a mendoni se duhet ulur numri i deputetëve apo Rama po mendon ndonjë skemë tjetër manipulimi.

Sali Berisha: Rama po mendon se Shqipëria po shkon drejt shuarjes dhe nuk i duhen deputetët. Unë jam dhe kam qenë për dy dhoma. Për të patur Dhomën e Deputetëve dhe Dhomën Senatit.

Nëse kjo bëhet, atëherë mund të mbahet numri 140 nga të cilët 100 të jenë deputetë dhe 40 senatorë.

Pra me një dhomë nuk jam që të ndryshojë.

Ludovik Tetaj: Përshëndetje Doktor, kam ardhur nga Teksasi për protestën. Mendimi im është që të rrimë pa ndalim deri në rrëzimin e qeverisë…

Sali Berisha: Të përshëndes shumë përzemërsisht Ludovik. Nuk është hera e parë, por kjo është hera e shumtë që fluturon kaq gjatë për të dhënë kontributin tënd në protesta.

I sigurt të jesh se rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është protesta e qëndrueshme dhe opozita në kohën më të parë të mundshme do të kalojë në protesta të qëndrueshme.

Gjon Lajthia: Përshëndetje gjigand, a do ta përshkallëzojmë protestën gjer në bllokimin e aeroportit dhe portet. Jam për protesta në çdo qytet, deri në largimin e kësaj keqqeverisje.

Sali Berisha: Mirënjohje të madhe për ju dhe propozimin tuaj shumë të drejtë, shumë, shumë te drejtë.

Unë dua të ju them sot shqiptarëve se, mendjet, zemrat e mbarë kombit janë të drejtuar tek opozita dhe aksioni i saj, por u garantoj se po kaq edhe e miqve të Shqipërisë.

Të cilët që nga tetori i 2024 e gjer sot, me një seri rezolutash i kanë dhënë mbështetjen më të madhe opozitës shqiptare, denoncimin më të madh regjimit në Shqipëri. Dhe së fundi, këto qëndrime u konkretizuan në raportet të Parlamentit Europian. Edhe bashkëbiseduesit të parë i them, cilido që të mundësojë të vërtetën të lexojë njoftimin që ka lëshuar dje për vizitën në Shqipëri dhe për raportin e shkëlqyer që thotë Edi Rama, Komisioni i Jashtëm i PE-së, ku në çdo fjali ka një ndëshkim për regjimin e Edi Ramës.

Ndaj dhe në këtë kuadër, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç protestës, kryengritjes paqësore të fuqishme.

Unë kam besim tek njerëzit idealistë, kam besim tek shqiptarët, që pavarësisht nga bindjet e tyre e projektojnë si të ardhmen më të mirë për vete dhe shqiptarët, anëtarësimin në BE, lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve, prosperitetin.

Pra pavarësisht nga të gjitha këto, që do ti përgjigjen thirrjes për të vazhduar kryengritjen paqësore gjer në përmbysjen e Edi Ramës.

Ky është një mashtrues më ordiner.

Sot me një cinizëm ekstrem deklaronte se, Shqipëria është vendi i dytë në botë për rritjen ekonomike, çfarë tregon një injorancë absolute dhe cinizëm ekstrem.

Nuk po hyj këtu tek nocioni i rritjes, që ky është një mashtrim i mirëfilltë. Ka vende që kanë rritje ekonomike sot 2-3 herë më të madhe se Shqipëria.

Por po të marrim rritjen vetë, kjo rritje për oligarkët, kjo është rritje për qeveritarët hajdutë dhe nuk është rritje për qytetarët, mbasi rritja e çmimeve sot tejkalon me 40% rritjen e rrogave dhe pensioneve, ndaj dhe qytetarët vazhdojnë të mbeten më të varfërit, më të vjedhurit në Europë.

Rruga e vetme është kryengritja paqësore.

Ftoj nesër edhe njëherë të gjithë qytetarët që të bashkohemi që zëri ynë të ushtojë në Shqipëri, Europë dhe botë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale