Berisha: PD mbyll procesin e konstituimit të të gjitha institucioneve të saj, ripërtëritja një proces i vazhdueshëm

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PËR GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një prononcim për mediat, deklaroi se procesi i riorganizimit dhe ripërtëritjes së strukturave drejtuese të PD-së ka përfunduar me konstituimin e të gjitha institucioneve të partisë. Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha tha se ndryshimet e miratuara përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të opozitës.

Sipas kryedemorkatit Sali Berisha, përbërja e re drejtuese sjell një kombinim të eksperiencës politike, profesionalizmit dhe përfaqësimit të brezit të ri. ‘Ditë shumë e rëndësishme në të cilën PD-ja mbyll procesin e konstituimit të të gjitha institucioneve të saj. Kjo besoj se është e qartë, një frymë ripërtëritjeje në tërësi, në zbatim të motos më kryesore të Kuvendit që ishte ripërtëritja’, u shpreh Berisha për mediat.

I pyetur nëse kjo strukturë e re e bën PD-në gati për të fituar zgjedhjet e ardhshme, lideri i demokratëve tha se partia tashmë ka një ekip të pakrahasueshëm me të kaluarën. ‘Me këtë sot, ajo ka një ekip që nuk e ka pasur kurrë më parë. Të garantoj që një ekip si ky në kompetencë dhe eksperiencë, në formim, është ekipi më i epërm i kësaj partie në të gjitha kohërat’, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se në strukturat e reja ka figura me eksperiencë të gjerë, por edhe një përfaqësim më të madh të të rinjve dhe grave. ‘Ka personalitete të cilat kanë publikime në nivelet më të larta botërore, ka prej tyre personalitete me eksperiencë të madhe në fushën e tyre politike dhe profesionale’, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur për mediat, akuzoi mazhorancën për mungesë demokracie të brendshme, duke krahasuar proceset e votimit në PD me mënyrën e funksionimit të institucioneve politike në vend. ‘Votat tona tregohen, kurse ai tjetri që nga viti 2009 ka ekzekutuar votën’, tha kryedemokrati Sali Berisha.

Prononcimi për mediat i kryetarit të PD, Sali Berisha:

Ditë shumë e rëndësishme në të cilën PD-ja mbyll procesin e konstituimit të të gjitha institucioneve të saj. Kjo besoj se është e qartë, një frymë ripërtëritje në tërësi, në zbatim të motos më kryesore të Kuvendit që ishte ripërtëritja.

Pyetje: A është gati Partia Demokratike për të qenë fituese në zgjedhjet e ardhshme me këtë ekip që po votohet sot?

Sali Berisha: Me këtë sot, ajo ka një ekip që nuk e ka patur kurrë më parë. Të garantoj që një ekip si ky në kompetencë dhe eksperiencë, në formim, është ekipi më i epërm i kësaj partie në të gjitha kohërat dhe këtë ju mund të merrni të shqyrtoni me radhë. Në këtë ekip që ju keni sot para, ka personalitete të cilat kanë publikime në nivelet më të larta botërore. Ka prej tyre personalitete me eksperiencë të madhe në fushën e tyre, në fushën politike, pra unë them se asnjëherë në histori një ekip si ky nuk ka patur. Ka një përfaqësim më të madh se asnjëherë të të rinjve, dhe kjo është direktiva e Kuvendit, ka një përfaqësim të zonjave, ka pra një proporcionim të shkëlqyer të të gjitha sensitiviteteve, të të gjitha potencialeve të kësaj partie.

Pyetje: Zoti Berisha, ka pasur zëra kritikë edhe brenda PD-së që ky proces i ripërtëritjes ndoshta nuk është bërë i plotë në të gjitha shkallët. Pra ka shkuar deri tek niveli i sekretariatit apo edhe tek nënkryetarët, por kur ka shkuar, po themi për shembull, tek niveli i sekretarit të përgjithshëm, aty është stopuar ndoshta. Si i përgjigjeni?

Sali Berisha: Këto zëra janë normale, çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Por siç e shihni, ne votojmë me dy kandidatura, votojmë fshehtas, dhe njëherë them, që kandidaturat e paraqitura para Këshillit Kombëtar janë kandidaturat më, do të thosha, të pakrahasueshme në kualitetet e tyre me të zgjedhurit e mëparshëm.

Pyetje: Do të vijojë ky proces edhe me drejtuesit politikë në qarqe apo nuk do të ndryshojnë?

Sali Berisha: Tani, ky është një proces i vazhdueshëm, por gjithçka do jetë doradorës. Gjithçka do bëhet, ndryshimet që do dalin, se ne do presim rezultatet e votimit. Por them dhe njëherë, se ka një ripërtëritje të thellë të të gjithë udhëheqjes, drejtuese, të Partisë Demokratike, të paprecedentë.

Pyetje: Edhe një pyetje tjetër zoti Berisha. Ka nga ata që krahasojnë sjelljen tuaj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kur prezantoni kandidaturat për sekretariatet, me atë që bën Edi Rama kur i njofton ministrat aty në sallë se do jenë ministra. E krahasojnë këtë me njoftimin që ju bëni…

Sali Berisha: Jo, e kanë marrë më përpara vesh.

Pyetje: Sa orë përpara zoti Berisha?

Sali Berisha: Tani sa orë përpara e dinë ata. Ka një moment, do t’jua them haptas. Për zvogëlimin se s’ka asnjë arsye tjetër, por për zvogëlimin në maksimumin e mundshëm të lobimit, që nuk e përjashton dot kurrë, por mbahet një rezervë, se për mua unë mund t’jua kisha dhënë ju që në mëngjes. Por problemi i lobimit nuk është se nuk është një problem shqetësues.

Pyetje: Jeni kundër lobimit brenda partisë?

Sali Berisha: Jam kundër, por nuk e ndalon dot, nuk e ndalon dot absolutisht. Unë nuk di një mekanizëm ta ndaloj, po mund ta zvogëlosh atë. Kështu që e vetmja gjë, në qoftë se ka mbetur ndonjë njeri që e ka marrë vesh në sallë, kjo është habi sepse ata që kur i kanë marrë nga unë ka patur një porosi të prerë që të njoftohen që të gjithë paraprakisht. Dhe mund të ketë mbetur ndonjë tek-tuk për një arsye s’ka hapur telefonin…

Pyetje: Për pjesën e asaj çfarë ndodhi ditën e sotme, ju keni thënë që prisni kritika, jeni parti demokratike, liberale… por sot asnjë zë kundër nuk u la të fliste…

Sali Berisha: E ka gabim. Lësh të flasë, pa diskutim, dhe nuk i mohohet askujt. Çdo njeri shpreh mendimin. Por ka një moment. Unë ia thashë edhe çdo anëtari të Këshillit Kombëtar, në përputhje me statutin do të gëzojë çdo të drejtë. Të paraqesë rezolutë, të paraqitet, vetëm se rezoluta në statut është e përcaktuar si paraqitet.

Pyetje: Duhet të jetë e mirëpërcaktuar nga anëtarësia se çfarë propozon?

Sali Berisha: Ja pra, prandaj, në rastin konkret, unë i kam kthyer një përgjigje sot paradite për kërkesën e tij. Tani në qoftë se bëjmë gjëra jashtë statutit, atëherë nuk është kompetencë e imja. Detyra ime është të mos i mohoj asnjë të drejtë asnjë njeriu në përputhje me atë statut që e kemi miratuar bashkërisht. Nuk ka asgjë tjetër.

Faleminderit. Ju do ta gdhini këtu sot, prisni rezultatin?Rezultatin kjo parti e nxjerr para kamerave. Kjo është e vetmja forcë politike që votën e paraqet para jush.

Pyetje: Te referendumi i kryetarit nuk kishte kaq transparente…

Sali Berisha: Te referendumi i kryetarit i intereson gjithë Shqipërisë apo jo. Megjithatë dolën mbi 1 mijë e sa kundër kryetarit? Po dolën. Më duket se mbi 1500. I përshëndes. Nuk ka asnjë lloj fshehjeje. Por votat tona tregohen, kurse ai tjetri që nga 2009 ka ekzekutuar votën.

Pyetje: Çfarë të gjithë fituese, zoti Berisha sipas statutit. Partia fituese nuk ekzekuton votën…

Sali Berisha: Jo, nuk ka. Aty s’votohet për asgjë. Ah atëherë jo, nuk e kanë bërë kështu të jesh i sigurt. Në statut ajo është parti komuniste. Por ama do dish, edhe kur ishte partia e punës, votonte. Votonte natyrisht sipas përcaktimeve ata. E emëronin sekretarin e parë, e emëronte Enver Hoxha dhe byroja politike, por mblidhej aktivi dhe votonin. Votonin formalisht po votonin. Kurse këtu nuk ka sekretari i parë dhe Enver Hoxha i tyre nuk nxjerr fare për votim, e emëron dhe ti je këtu, thotë s’ka. Kjo s’ka gjë më antidemokratike. Ndaj dhe janë këto protesta kundër kësaj diktature autokratike të urryer, kaq shumë për popullin shqiptar dhe për Evropën dhe botën.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale