Berisha: PD-ja një ishull, ku drita e votës përcakton dhe ndriçon, ndryshe nga terri i shpellës së partisë së Edi Ramës

Të nderuar anëtarë të kryesisë së PD-së, sekretarë të kësaj partie.

Kjo mbledhje është thirrur në një moment shumë të rëndësishëm, si në rrafshin elektoral edhe politik. Përfunduan me sukses përveç se në dy degë, zgjedhjet e kandidatëve për qytetarë të parë të bashkive të vendit.

Ky ishte një proces i cili zhvillohej për herë të parë me këtë proporcion, transparencë dhe pjesëmarrje. PD në përputhje me përcaktimet e statutit të rithemelimit të saj të 11 dhjetorit, bëri realitet premtimin e saj dhe sanksionimin e këtij premtimi, se pushtetarët vendorë dhe ata qendror, deputetët do të zgjidhen me votën e anëtarësisë së saj dhe simpatizantëve të saj.

Në garë pati mbi 200 kandidatura, në tërësi veprimtarë të shquar dhe të vendosur të PD-së, por në garë morën pjesë edhe veprimtarë të shquar të shoqërisë civile dhe shqiptarët të shquar në emigracion.

Në këtë garë, e para me këto standarde në historinë e vendit, votuan për qytetarët e parë të bashkive, rreth 55 mijë anëtarë dhe simpatizantë të PD. Kurrë ndonjëherë në këtë parti kaq vota nuk janë hedhur. Ky votim tejkaloi të paktën me 15 % të gjitha votimet e tjera.

Ky është një rast për të falënderuar të gjithë kandidatet dhe kandidatët që garuan, për të shprehur një mirënjohje të thellë të gjithë atyre që organizuan fushatën e tyre, të gjithë anëtarëve e simpatizantëve që morën pjesë në votim.

Komisioni i menaxhimit të zgjedhjeve do të studiojë tërësisht procesin që kaloi, me qëllimin e vetëm përmirësimin e mëtejshëm të këtij procesi. Procesi ka patur në tërësi konkurrencë të ndershme, në një rast komisioni ndërhyri për të mbajtur qëndrimet e duhura, por një rast është një dhe asgjë nuk mund të cenojë, do të thosha qytetarinë e këtij procesi, standardet me të cilat u zhvillua.

Për kuriozitetin tuaj. Në këtë garë ka pasur diferenca në vota mes kandidatëve, por ka pasur raste që kanë qenë të ngushta deri në 1 votë, e në rastin konkret, unë kam kënaqësinë të ju them ju dhe anëtarëve të PD, se në takimet e mia me ta, ata kishin të njëjtin qëndrim dhe mendim, gjë që përbën dëshmi të një shkalle përgjegjësie të vërtetë politike, civiliteti, maturiteti dhe në tërësi kjo ka qenë fryma me të cilën u mbyll gara.

Në disa bashki që mbetën për tu ripërsëritur për balotazh, ato u bënë e në ndonjë rast pati ujdi mes dy kandidatëve, të mos bëhet balotazhi dhe kjo në vlerësimin tim, nuk cenonte, përkundrazi e bënte garën më të besueshme, në kuptimin e asaj se edhe ai që vinte i dyti, e kuptonte se i pari ishte fituesi moral dhe substancial i garës. Natyrisht duke mos pasur asnjë vërejtje për ata që kërkuan balotazhin dhe e kanë bërë me besim, por edhe ata që refuzuan për të bërë një ndeshje për spektatorët, ua quaj mençuri, të dy palëve.

Kjo përbën një arritje të madhe për PD, për vendin në të cilin jashtë kësaj partie, ose në të cilin PD-ja ngjason me një ishull ku drita e votës, përcakton dhe ndriçon, dhe jashtë saj është terri i shpellës më i zi se kudo në partinë e drogës, krimit dhe mafias me në krye Edi Ramën.

Aty  nuk votohet, aty ryshfetohet, paguhet, diktojnë bandat dhe krimi dhe mund të them me bindjen më të plotë se ajo parti në këtë formë është një fatkeqësi e madhe kombëtare. Është një potencial i jashtëzakonshëm për transfigurime në çdo variant anti-demokratik të një force politike anti-demokratike.

Ftoj me këtë rast anëtarët e kësaj partie të mos pranojnë këtë diktat të një njeriu që ka kthyer platformën e Enver Hoxhës brenda partisë. Nuk do të jetë e largët dita kur do të ndihen të damkosur në shoqërinë e lirë shqiptare. Asgjë dhe askush nuk duhet të ju mohojë atyre të drejtën e votës. Duhet të marrë fund, shqiptarët janë ata të cilët e pësuan më shumë se çdo komb tjetër në Europën e pasluftës, delegimin e ndërgjegjes.

Delegimi i ndërgjegjes siç po ndodh defakto tani në PS është dorëzim para krimit, drogës dhe mafias. Dhe ajo sjell vetëm të zeza për PS-së dhe vendin, anëtarësinë e saj.

U them socialistëve mos u mashtroni dhe u rikujtoj këtu se disa vite më parë vendosi nenin sipas të cilit, për kryetarin nuk votohet, kur ai zgjidhet. Por ai po vjedh votën. Tani ai ju hoqi të drejtën edhe për të gjithë forumet e tjera.

Një ligj do të përgatitet sa më shpejt, i cili do të detyrojë çdo parti politike, të respektojë normat bazë të demokracisë në jetën e saj. Ky ligj u miratua nga Bundestagu gjerman, pas daljes nga diktatura naziste dhe ky ligj ka detyruar forcat politike të harkut kushtetues të Gjermanisë, në jetën e tyre të brendshme të zbatojnë standardet demokratike.

Uroj që anëtarët dhe simpatizantët e PS-së të detyrojnë deputetë e tyre të votojnë këtë ligj, përndryshe i garantoj se ligji i parë që do të votohet pas fitores së PD-së, do të jetë ky ligj dhe se çdo forcë politike që nuk e zbaton atë do të dalë jashtë ligjit, cilado qoftë ajo.

Zonja e zotërinj anëtarë të kryesisë.

Kjo ishte faza e parë e zgjedhjeve, por ne jemi në vazhdim. Ne kemi tani procesin e zgjedhjeve të këshilltarëve, proces jashtëzakonisht i rëndësishëm i zgjedhjes së parlamentarëve vendorë.

Natyrisht ky proces nuk mund të bëhej paralelisht me kandidatët, pasi duhej të dilte kandidati që ai të ishte pjesë e këtij procesi. Në këtë proces për të cilin personalisht mendoj se do të jetë vota e anëtarësisë që duhet të përcaktojë, me disa kushtëzime. Kushtëzimet janë të domosdoshme se duhet të ketë përfaqësime të komuniteteve, përndryshe përfaqësimi përqendrohet vetëm në një pjesë të elektoratit dhe mbesin të papërfaqësua dhjetëra zona të komunitetit, elektoratit etj. 

Nëse në primare nuk arritëm të kemi numrin e duhur të vajzave dhe grave për qytetare të para, për këshilltare në mënyrë absolute do të respektohet me rigorozitet të plotë, standardi statutor i kësaj partie pa asnjë ekuivok. Kjo do të thotë se ata janë të garantuar, sigurisht me garë, ndaj dhe ky votim është më i komplikuar.

Do ti lutesha komisionit se duke ruajtur proporcionet, përfaqësimin e komuniteteve edhe për këto vota e anëtarësisë të jetë përcaktuese. I kuptoj vështirësitë se duhen shumë kuti, e kontingjente, por nuk e quaj të pamundur këtë. E quaj të mundshme  nëse e kemi vullnetin dhe do të bëjmë mirë të ja paraqesim edhe këtë anëtarësisë.

Nesër do të kemi një takim edhe me kandidatët që fituan dhe nuk do të humbasim asnjë ditë kohë, por duhet të vazhdojmë.

Qëllimi i dytë i kësaj mbledhje është analiza e situatës politike në vend.

Zhvillimet politike në vend janë tipike për një regjim mafioz, që bazohet në drogën e krimin, që ka vendosur monizmin e plotë, bazuar në vjedhjen e votës së shqiptarëve dhe pasurive të tyre.

Por ky regjim i Edi Ramës, nuk mjaftohet vetëm me votën, nuk kënaqet veç me votën.  Ky ka nisur betejën e egër kundër mendimit ndryshe, qëndrimit opozitar, medieve të lira. Kemi të bëjmë pra me një armik të vërtetë të lirisë në kuptimin më të gjerë të saj. Ju jeni dëshmitarë se çfarë pësoi resorti turistik i presidentit të media grup Hysenbelliu.

Dufet e urrejtjes se një njeri që trashëgon të gjithë shpirtin e zi të babait xhelat, të papërmbajtura e shtynë atë që vetëm dy ditë para samitit të lidervë evropianë ti vendosë 70 kg tritol një resorti të ndërtuar me leje. Të kryejë një akt të cilin ju garantoj se as një ditakturë në prag të samitit të diktatorëve, nuk do ta kryente diktatori këtë.

Të kryejë një akt duke mos kontrolluar urrejtjen e tij patologjike kundër fjalës së lirë, i cili ju siguroj se do të ju kushtojë taksapaguesve shqiptarë, minimumi 40-50 mln euro, vetëm e vetëm se ky bir xhelati nuk kontrollonte dot urrejtjen ndaj kundërshtarit dhe motivit ndryshe.

Të njëjtat motive që shtynë babain e tij në pamje të parë intelektual, të firmosë fill pas diktatorit varjen në litar me ndërgjegje xhelati të Havzi Nelës, absolutisht të njëjta motive e shtynë Ramën të hedhë në erë para shqiptarëve, një objekt turistik që e kishte shpallur krenari të turizmit duke i krijuar një plagë të rëndë turizmit në Shqipëri, por edhe duke gjobitur çdo shqiptar me aktin e tij, se po mbaj gojën, pasi ai meriton çdo fjalë.

Edi Rama është i vendosur të përdorë çdo pushtet që ka në dorë për të zhdukur, asgjësuar jo vetëm mediat e lira, por edhe opozitën e vërtetë shqiptare.

Akti i tij me datën 6 dhjetor, ishte përpjekja e të verbrit mendor nga urrejtja se si në një moment ku zhurma mund të bëhej më e vogël sipas tij, mund ti jepte një goditje fatale opozitës shqiptare. Ka një debat normal sipas të cilit njeriu i fundit që mund të ishte i interesuar për një akt të tillë është Edi Rama. Në fakt ata që e kanë të sinqertë këtë mendim janë fatkëqinj të mashtruar nga Rama, të cilët marrin normalen për jo normale, dhe jo normalen për normale.

Ju them që nuk ka njeri më të interesuar për atë akt dhe e organizoi vetë ai. Nuk ishte një goditje, atentat, apo sido që ta quajmë kundër Sali Berishës, jo. Ai ishte një përllogaritje diabolike ndaj opozitës shqiptare, e llojit të të jatit të vet për opozitën që guxoi të thërrasë protestën ditën e samitit. Dëshmoi se opozita kishte marrë një nga vendimet më të drejta në historinë e saj, thirrjen e asaj proteste.

Marrë në këtë kontekst, ai ishte njeriu më i interesuar dhe kishte qëllime më të qarta me atë akt. Por të gjitha të dhënat e mëpasme dëshmojnë se ai ishte një akt absolutisht shtetëror, i porositur nga Edi Rama dhe i ekzekutuar nga Çuçi i familjes dhe Ardi Veliu me një informator që ka emër, mbiemër dhe emër kod si informator i policisë kriminale shqiptare. 

Çdo njeri që ka ndjekur pas atentatin, apo pas incidentin, kontakton një përpjekje të tmerrshme, të ethshme për të çliruar kriminelin nga barra e krimit. Për ta paraqitur atë si të sëmurë psikik mbi bazën e një dokumenti pa asnjë vlerë ligjore. Një dokument pa vula dhe pa asnjë datë, që mund ti lëshon kujtdo. Por në çdo rrethanë, dokumenti që ata përdorën dhe e nxorën gjysmë ore pas skenarit, i implikonte fund e krye ata vetë. 

U dështoi skenari për ta quajtur një akt islamist, nuk e përdorën dot se ua dogjëm.

Ajo që është tjetër për tu theksuar. Agjencia Rojter, një nga agjencitë më të respektuara në botë, këtu ka një kushëri të Edi Ramës dhe ishte e para që dha lajmin se Berisha u godit nga një protestues. Ishte pjesë e skenarit kjo.

Gerti Shehu me të gjitha evidencat është informator i policisë kriminale i përdorur në rrjetet e drogës dhe si vesh për xhematin e xhamisë. Është aq i dezikulibruar sa Gjykata e ka dënuar si të përgjegjshëm për aktin e tij. Ka fituar edhe patentën. Është aq i dezikulibruar pacienti i Edi Ramës saqë ka marrë kredi në banka. Pra të gjitha këto dëshmojnë qartë një përpjekje për të fshehur gjurmët e skenarit dhe krimit. E këtë e bën Edi Rama që porositi krimin.

Ai atentat, ishte atentat siç e kanë konceptuar ndaj çdo demokrati. Synonte një goditje të rëndë për forcën tonë politike dhe opozitën. Kombinimin e të gjitha formave nga Edi Rama në mënyrë që të reduktojë në hiç opozitën shqiptare. Lexoni pak të gjitha komunikatat e asaj dite, me të vetmen gjë që ndjehem i nderuar. Do të më vinte keq po të derdhnin lot krokodili, në fakt në komunikata e tyre shprehej vetëm hipokrizi  dhe kënaqësi dhe unë për këtë i falënderoj. Të gjitha të shkruara nga zyra e Fugës, e Edi Ramës.

Merrni pak se kush po mbron kriminelin, kë kanë dërguar për mbrojtje. Variantet që ai përpiqet të mbrojnë,  janë aq qesharake, që të gjitha faktojnë se ai ishte i përgatitur, porositur, i paguar për aktin që kreu.

Unë e kam falur Gerti Shehun, por nuk fal kurrë PD-në. Edi Rama do të zhduke PD-në. Askërkush nuk ka autoritet të pranojë, ti dorëzojë një armiku të egër të lirisë së shqiptarëve, forcën kryesore opozitare. Këtë ne nuk mund ta bëjmë.

Ne nga 11 dhjetori dhe deri sot, jemi angazhuar në procesin më demokratik që ka njohur vendi ndonjëherë. Më legjitim, të ndershëm dhe transparent. Përpjekje nga më të turpshmet, nga më kriminalet, nga më antidemokratike, u bënë që ky tren lirie të ndalonte. Sot PD është lokomotiva e lirisë në këtë vend. Gjithçka u bë, por nuk u ndalua dot, sepse kanë ideale anëtarët dhe simpatizantët e saj, sepse kanë bindje se po mbrojnë vlerat dhe idealet demokratike. Kanë bindje të thellë, tek dashuria dhe patriotizmi për vendin, pa të cilën PD nuk duhet të ekzistojë.

U përballëm këtë periudhë me një piramidë të tmerrshme mashtrimi, gjigante. U përballëm si rrallë ndonjëherë, me ndërhyrje brutale kundër vullnetit të demokratëve. Të gjithë ata që u angazhuan, marrin për vete turpin, çfarë do që janë, demokratët qëndruan. Ata qëndruan. Ja ku janë, 55 mijë dolën në votim, me gjithë këto presione e përpjekje.

Duan që PD-ja të ishte fasadë e Ramës, duan që Yuri Kim të emëronte kryetarin e PD-së dhe shqiptarët të mos kishin një forcë sovrane politike, pavarësisht se kjo është forca më e përkushtuar e vokacionit perëndimor shqiptar. Nuk ka rëndësi vokacioni, vlerat, por vasaliteti. Kjo është e vërteta. Çfarë është opozita për Ramën, sot e ka të qartë çdo shqiptar.

Kurrë ndonjëherë nuk do të mbrojmë, vlerat, interesat e parimet, nëse nuk do ti themi gjërat siç janë. Është kushti më elementar. Ne jemi në një betejë të vështirë, por kjo betejë nuk zgjidhet kurrë duke pranuar gënjeshtrën për të vërtetë, duke pranuar nëpërkëmbjen e forcës tonë politike, siç po nëpërkëmbet sot Shqipëria, në mënyrën më të padenjë vetëm e vetëm se Rama është peng i dosjeve të tij.

Kjo është një republikë bananesh, kjo është një republikë bananesh, kjo është një turp. I bëj thirrje presidentit të SHBA dhe qeverisë së tyre, të ndalojnë ambasadorin e tyre të trajtojë Shqipërinë në këtë mënyrë. Ne jemi një vend partner, që e duam Amerikën, që besojmë në vlerat e saj, por nuk mund të pranojnë kurrë banalizimin e vendit. Ja ku është, betejën e ka me Edi Ramën, por as këtë se pranoi dot. Edi Rama është armik ynë, por sepse nuk mund të bëhet, ka një normë, disa parime dhe një vendi nuk mund të ja bëjë kurrë këtë.

Sot quante historike zgjedhjen e Gent Ibrahimit. A e dini se Gent Ibrahimi është i pari për të cilin ONM-ja ka qenë kundër përfshirjes së tij për shkak të karakteristikave në sistemin e drejtësisë. Gent Ibrahimi ka qenë dakord 100% që asnjë nga këta që merret me reformën e drejtësisë, të mos zgjidhet në organet e drejtësisë, se ishte në konflikt interesi. A e dini se Gent Ibrahimi, ka dhuratat më fabuloze në deklarimin e pasurive, nga prindërit.

Në një kohë ku një tjetër prokurore, ja kishte mbledhur i ati rrogën, që të ja jepte për lehtësim, kur të fejohej a martohej, nuk ja quanin. Kurse këtij dhjetëra mijëra euro, dhuratë këtu, shtëpi aty e vilë atje. Dhe na thotë historike zonja, kujt ja thua ti këtë zonjë. Çfarë i quan shqiptarët ti. Kjo mund të ndodhë vetëm në republikën e bananeve. Unë jam i detyruar ti them gjërat, sepse kështu nuk bëhet. Për hir të Xhorxh Soros e bën këtë?

Ne nuk kërkojmë gjë tjetër nga partneri ynë i madh, por standardin. Çfarë standardi është ky kur na thua se qenka historike zgjedhja e Gent Ibrahimit, në një kohë kur ka shkrime dhe jo tonat, edhe para dy muajsh se këta kanë qenë të zotuar për shkak të konfliktit të interesit. Njëri prej tyre merr sa 100 pensionistë, që të mos kandidojnë në organet e drejtësisë. Dhe tani na del Ibrahimi historik. Pse e thotë dhe e bën këtë. Se e ka peng kryeministrin, e ka në dosje, e mban të lidhur. Askund nuk mund ta bëjë këtë, duhet të ketë respekt për shqiptarët.

Këto të gjitha dëshmojnë se në çfarë situate jemi ne. Çfarë na mbetet ne, na mbetet të mbrojmë vlerat dhe parimet që i kemi në statutin tonë, në shpirtin,. zemrën dhe mendjen tonë.

Na mbetet të përgatitemi të përballemi me Edi Ramën. Ne nuk mund të gënjejmë të ju themi shqiptarëve se do të ju rikthejmë votën e lirë. Votë të lirë shqiptarët nuk kanë po nuk larguan Edi Ramën. Si u krijua, tek u krijua është punë tjetër, nuk ka asnjë vlerë. Ne na shërben zgjidhja. Qytetarët kërkojnë zgjidhje. Cilido që mendon se ka një zgjidhje tjetër, unë jam shumë mirënjohës dhe i prirur ta dëgjojë. Por ne nuk kemi autorizim të gënjejmë veten dhe të gënjejmë shqiptarët.

Ne duhet të ju them itë vërtetën shqiptarëve, nuk ka votë të lirë me Edi Ramën. Makineri elektorale është sot, më e egër se asnjëherë. Patronazishtët, ka 1 javë që flet vetëm për ta dhe ju thur himne, terroristë të kuq. Një pjesë e tyre. Droga, lumenjtë vërshojnë nga të gjitha anët.

E bëj këtë analizë se ne jemi ekipi politik i opozitës. Dhe ne duhet të bëjmë një diskutim të hapur njëri me tjetrin sepse do të ishte e pafalshme. Duhet të na dënojnë qytetarët shqiptarë nëse ne vazhdojmë avazin siç vazhdonim. Nuk ka më avaz siç vazhdonim, se nuk votojnë, po ta di që votonin një mijë herë. Votën e futëm për ne në parti, ky kërkon ta zhdukë. Këtu do matemi, ta provojë.

Ky shtyn tre herë gjyqin, sikur ta ketë një takim me shefin e kabinetit të tij. Koha është për revolucion. Kjo zgjidhet vetëm me revolucion. Kësaj situate i dalin zot vetëm ata të cilët në ndërgjegjen e tyre vendosin të qëndrojnë për të vërtetën, vendosin të mos mashtrojnë më tej qytetarët shqiptarë. Përgjegjësia është vetëm e jona si forcë politike.

Vetë kemi ardhur deri këtu. Lulzim Basha do të hyjë në histori, se Edi Rama nuk arrinte dot kurrë në këto përmasa të një përbindëshi të lirisë shqiptare. Edhe sot është peng i tij. E keni marrë vesh ju. Prokuroria ka hapur dosjen e parave ruse. Po, sepse do ta ketë, komandojë, ta urdhërojë. Mund të bëjë çtë dojë me të.

Por problemi është se në këtë trashëgimni gjetën, këtë situatë gjetëm. Kjo situatë nuk pret zgjidhje duke anatemuar Lulzim Bashën, sepse ai ka ikur tani. Kjo situatë pret zgjedhje nga guximi ynë, vendosmëria jonë, e demokratëve e demokrateve dhe përballja me këtë regjim. Unë besoj se kjo frymë duhet të shtrihet në çdo shqiptar.

Askush nuk duhet të ketë frikë nga revolucioni. Ata që kanë frikë, çfarë alternative japin? Largimin nga Shqipëria. Pse more do të shpërbëhemi ne, si mund të shpërbëhet një vend i bekuar nga natyra. Si mund të ikim. Jemi bërë të vetmit në Europë. Ndodhë ndonjëherë kjo. Po pse, shkretëtirë është kjo, nuk është. Ka potenciale të jashtëzakonshme.

E mbyll këtë fjalë timen duke u ftuar ju, të nderuar anëtarë e anëtare të kryesisë së PD-së, por edhe çdo anëtar dhe anëtare të kësaj partie të ndalet në një analizë, debat i cili duhet të jetë përcaktues për fatin e kësaj force politike.

E them edhe njëherë, nëse forca jonë politike nuk u jep zgjidhje problemeve që ka, është e dëmshme dhe jo e dobishme ekzistenca e saj. Është mashtrim ekzistenca e saj. Ne sot jemi të vërtetë. Fakti që Edi Rama përpiqet të na asgjësojë me të gjitha mjetet, do të thotë se dridhet nga ne dhe ka 1000 arsye për tu dridhur dhe ne kemi 1000 arsye për të ju përveshur atij.

Unë kam besim të plotë se në këtë betejë ne do të fitojmë, pavarësisht nga kushtet e rrethanat. Është shumë e vështirë të mposhtet e drejta e një populli që nuk kërkon asgjë tjetër, përveç lirisë dhe dinjitetit që i takon.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale