FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË KONFERENCËN PËR PJESËMARRJEN E GRAVE NË PROCESET POLITIKE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur Konferencën për Pjesëmarrjen e Grave në Proceset Politike dhe Fitoren e Zgjedhjeve organizuar në Tiranë nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionit Jarl Hjalmarson.
Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve, Sali Berisha u shpreh se Shqipëria ka një fatkeqësi të madhe, pasi ka kryeministrin më mizogen të Europës.
‘Shqipëria kë një fatkeqësi të madhe, ka kryeministrin më mizogen të Europës. Shpërthimet mizogenike të të cilit nuk përmbahen as në publik në parlament, jo vetëm ndaj deputeteve të opozitës, por siç është parë në mënyrë të përsëritur edhe ndaj ministreve të tij, çka të bëjnë të besoj se ky njeri në mbledhjet e kabinetit sillet si dikur diktatori boksier Idi Amin, që grushtonte ministrat e tij’, u shpreh kryedemokrati.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij në konferencën për Pjesëmarrjen e Grave në Proceset Politike dhe Fitoren e Zgjedhjeve organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë u shpreh se PD qëndrimin e saj ndaj grave dhe vajzave e konsideron një qëndrim themelor të emancipimit tonë shoqëror, të shpalosjes së të gjitha potencialeve njerëzore të pashtershme.
FJALA E PLOTE:
Mirëmëngjesi dhe një përshëndetje të përzemërt, për ju Albana, për të gjitha zonjat dhe zonjushat e pranishme, deputete drejtuese të PD, por në mënyrë të veçantë unë dua të përshëndes praninë në këtë aktivitet tuajin shumë të rëndësishëm, të Margareta Cederfeldt, deputete dhe anëtare e Komisionit të Jashtëm të parlamentit të Mbretërisë së Suedisë.
Zonjën Hanna Ëerner, anëtare e Këshillit të qarkut, zonjës Alva-Li Borgs, menaxhere e projektit të fondacionit Jarl Hjalmarson Foundation.
Tu shpreh mirënjohjen time të thellë për praninë e tyre në këtë aktivitet, një mbështetje shumë e çmuar për Lidhjen Demokratike të Gruas në Shqipëri dhe për Partinë Demokratike.
I dërgoj një përshëndetje të përzemërt, mikeshës tonë të çmuar, zonjës Eva Gustavson.
Kam ndjekur me interes punimet e kësaj konference, e cila vërtetë mblidhet në një klimë elektorale, por mblidhet për një problem themelor të PD-së dhe shoqërisë tonë, rolin, potencialin e madh të gruas në zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe në fitoren elektorale të zgjedhjeve, por dhe në drejtimin e Shqipërisë.
Të nderuara zonja, beteja juaj për afirmimin gjithnjë e më të madh të rolit tuaj përcaktues në shoqëri dhe në vend, është një betejë e vështirë, është një betejë që përballet me murin mijëra vjeçar të patriarkisë, i cili defakto është sot dhunuesi më kryesor i lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, Europë dhe botë.
Beteja kundër këtij muri, beteja për rrëzimin e tij është nga betejat më të rëndësishme për emancipimin njerëzor dhe ju me përpjekjet tuaja, jepni një kontribut shumë të çmuar.
Vitet e qeverisjes socialiste, defakto narkosocialiste kanë qenë vite të një regresi të vërtetë në shumë aspekte lidhur me problematikat e mëdha të Shqipërisë, të shoqërisë tonë në raport me gratë dhe vajzat.
Është fakt i pamohueshëm se në rast se u arrit që diskriminimi financiar të marrë një goditje të mirë dhe hendeku financiar në paga mes burrave dhe grave të zbresë nga36 % në 17.8% në vitin 2013, pra të afrohet shumë me atë që ekziston në BE, përsëri pas vitit 2013, ky hendek u thellua pa ndërprerë dhe sot ka shkuar aty ku kemi qenë.
Po kështu dhuna ndaj grave ka njohur një rritje të papranueshme. Në këto 10 vite, në kundërshtim me çdo traditë shqiptare, janë vrarë 160 gra, ndërsa të cilat një pjesë e mirë në mbrojtje ligjore. Kurse aktet e dhunës janë rritur me mi 50%.
Por nëse ndiqni dhe sigurisht që shqiptarët e ndjekin, qëndrimin dhe diskursin e përditshëm, fjala grua, dhunë ndaj saj, barazi e saj me burrin, luftë kundër diskriminimit, politik, social, ekonomik janë zhdukur nga fjalori i qeveritarëve, mjerisht edhe ministreve të Shqipërisë.
Zëri i tyre mungon në çdo rast kur ato duhet të jenë avokate kryesore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Zëri i tyre mungon edhe në rastin e dhunës ekstreme ndaj grave. Është e papranueshme që me gjithë numrin e konsiderueshëm të tyre në parlament, ndonëse kanë sjellë rezoluta për të dënuar opozitën nuk kanë sjellë një rezolutë për të mbrojtur dhe sanksionuar të drejtat e grave dhe të fëmijëve, në atë parlament.
Në pamje të parë kabineti i Shqipërisë ka numër më të madh se shumë e shumë kabinete të tjera, zonja dhe zonjusha. Por Shqipëria kë një fatkeqësi të madhe, ka kryeministrin më mizogen të Europës. Shpërthimet mizogenike të të cilit nuk përmbahen as në publik në parlament, jo vetëm ndaj deputeteve të opozitës, por siç është parë në mënyrë të përsëritur edhe ndaj ministreve të tij, çka të bëjnë të besoj se ky njeri në mbledhjet e kabinetit sillet si dikur diktatori boksier Idi Amin, që grushtonte ministrat e tij.
Nëqoftëse vini re, dhe sigurisht mund të mos vini re, prania e atyre zonjave në qeveri është një akt pozitiv dhe e kemi përshëndetur, por kur sheh se ato sillen njëlloj si të ishin në një kabinet sulltani, duke i bërë elozhe publike, njëra Skëndërbe, e tjera Zeus, etj., atëherë kupton presionin e madh mizogenik që përjetojnë ato zonja në kabinet dhe në mjediset e tjera.
U ndala në këtë moment, jo për të bërë politikë, por nuk mund të mohohet se mizogenia e Edi Ramës, është në vetvete një problem madhor, për gratë, vajzat, shoqërinë shqiptare.
Partia Demokratike qëndrimin e saj ndaj grave dhe vajzave e konsideron një qëndrim themelor të emancipimit tonë shoqëror, të shpalosjes së të gjitha potencialeve njerëzore të pashtershme.
Është një anë pozitive sot, falë karakterit të tyre dhe të familjeve tyre, ato dominojnë në shkollat e larta të vendit.
Testi i Flint, vitet e fundit në mënyrë të përsëritur fakton se intelekti tek gratë dhe vajzat është më i avancuar se sa tek burrat dhe djemtë, çka do të thotë se promovimi, lufta kundër murit të patriarkisë, krijimi i mundësive për shpalosjen e të gjithë potencialit të vajzave dhe grave në shërbim të shoqërisë, është një domosdoshmëri e madhe.
Ju garantoj se, ne do të bëjmë gjithçka së bashku me ju, në betejën pa ndërprerë kundër çdo forme diskriminimi, në një betejë që duhet të rrafshojë murin e patriarkisë, një dhunues më i madhi i lirive dhe të drejtave njerëzore sot.
Ju uroj suksese dhe ju falënderoj shumë për kontributin shumë të çmuar që jepni në Partinë Demokratike, në parlament dhe në shoqërinë tonë.
Faleminderit dhe suksese.
BASHKËBISEDIMI ME GRATË NË TAKIM:
Alta Haluci: Përshëndetje doktor, dhe faleminderit që ishit pjesë e këtij takimi kaq të frytshëm për ne, por prania juaj i dha peshën që i takon takimit tonë.
Faleminderit që na thatë për vlerën për rëndësinë tonë në zgjedhje. Pyetja që unë kisha, dhe besoj e kanë të gjitha zonjat. Jam e sigurt që të gjithë sëbashku do ia dalim, edhe pse situata vazhdon të jetë e turbullt.
Na jepni shpresë ju lutëm që, sa më shpejt të dilni se prania juaj fizike rrit atë ndjesinë dhe efektivitetin tonë në punën e së përditshmes.
Unë në emër të grave dhe vajzave, jo vetëm që jam këtu, por unë premtoj që të gjitha sëbashku do t’i ngremë të gjitha forcat për të dalë kundra kësaj diktature dhe për të dhënë besimin. Ne kemi nevojë për rritjen e besimit, ai na mungon. Të gjitha sëbashku, dhe jam e sigurt që në 2025 ne do t’ja dalim. Doktor, ne ju duam fizikisht me ne, se me mendje jeni totalisht me ne. Ju falënderoj!
Sali Berisha: Shumë faleminderit Alta për komentin, ndërhyrjen. Siç është e qartë, këtu është vendosur një regjim diktatorial, i cili nuk është një diktaturë komuniste, naziste, apo teokratike, por siç thotë Samuel Huntigton, në studimin e tij për diktaturat, është një diktaturë e bandave. Sipas këtij historiani shquar, studiuesi të madh, diktatura e bandave është forma më e keqe e diktaturave, sepse nuk njeh asnjë rregull, asnjë ligj dhe kjo faktohet çdo ditë në Shqipëri.
Mirëpo ne përballemi me një vështirësi, sepse një pjesë e madhe e popullatës në Shqipëri kanë kujtesë, klishenë e diktaturës komuniste, me yll të kuq, drapët e çekan, kampe përqendrimi etj. Pjesa tjetër nga ’90 e këtej, nuk e njohin dhe nuk e dinë se çfarë është diktatura.
Dhe së fundmi, Europa njeh forma të ndryshme diktaturash dhe nuk ka njohur kurrë narkodiktaturë dhe kjo ka vështirësuar shumë betejën tonë. E kanë të vështirë ta imagjinojnë se si, një piktor i dështuar si Edi Rama, të mos respektojë asnjë parim, por të vendosë të marrë mandatin e katërt duke burgosur, njëlloj dhe më keq se Sajedi i Tunizisë, të gjithë kundërshtarët politikë.
Kjo e ka vështirësuar shumë punën tonë. Por përsëri një ndryshim ekziston dhe ky ndryshim po thellohet. Miqtë tanë të kahershëm kanë treguar interes për zhvillimet në Shqipëri. Dy rezolutat e miratuara janë një radiografi autentike e realitetit shqiptar. Natyrisht beteja me diktaturën është një betejë e vështirë, por ajo që ka rëndësi është, që ne kurrë të mos dorëzohemi sepse diktaturat të ardhme nuk kanë. Dhe kjo diktaturë do të arkivohet dora, dorës në mënyrë të pashmangshme.
Dhurata Malka: Kam kënaqësinë dhe unë të falënderoj Dr.Berishën. Në protestat e zhvilluara muajin e kaluar, kryesisht në Qarkun e Fierit unë isha një nga pjesëmarërset midis disa të tjerave, të them të drejtën u ndjeva pak keq, se në listën e tyre që kanë thirrur në Rajonin e Policisë Fier isha e vetmja femër, nuk u ndjeva mirë, por megjithatë unë shkova dhe u përballa me ta. Pasi mbarova mësimin, më njoftoi policia në orën 10 të paradites dhe i thashë: unë nuk mundem të vij tani, por që do të vij, do të vij patjetër, i thashë. Sepse nuk kam frikë të përballem me ju, por mbarova procesin mësimor dhe shkova në orën 3.
Dhurata: Atje po rrinin po më prisnin. Të them të drejtën nuk ua kisha frikën, sepse kisha një ligj në dorë, që janë protestat, që janë të ligjshme. Më kërcënuan që të mos të shohim herën tjetër në protestë.
Iu thashë, më vjen keq por jam e para përsëri në protestën e radhës. Ndaj z.Berisha, ne do të jemi gjithmonë mbështetëset tuaja dhe ju mbështetësi ynë. Faleminderit nga zemra!
Sali Berisha: Shumë faleminderit për mbështetjen Dhurata, shumë faleminderit.
Dava Marku: Si gra të forta që kemi treguar që vërtetë ia dalim mbanë, unë do të doja nga ju si një burrë që mban fjalën, përfaqësimin e grave në PD, përfaqësimin në vendimmarrje të PD të ishte pak më i gjerë, pak më i përfaqësuar. Të falënderoj nga zemra për gjithçka që bën për ne dhe faleminderit nga zemra.
Donika Haxhia: Përshëndetje doktor, jo vetëm ne shqiptarët, por edhe të huajt tashmë e kanë kuptuar që shkencërisht, ju e keni gjetur vaksinën për të përballuar këtë pandemi që qeveria ka hedhur mbi ju. Unë e kam thënë edhe herë tjetër dhe e rithem që, jeni një shembull qëndrese që nuk njeh moshë. Pyetja është shumë e shkurtër, ku e gjeni forcën?
Sali Berisha: Njëherë ju garantoj se PD do të bëjë gjithçka për ridimensionimin e rolit të vajzave dhe grave, në drejtimin e saj dhe në qeverisjen e saj, nesër.
Si individ, natyrisht mbrojtja e atyre që besojnë është një detyrim dhe pothuajse çdo njeri e bën këtë, por unë e kam më të lehtë, sepse mbështetja jua, e demokratëve e demokrateve, qytetarëve, është një burim i pashterrshëm force për mua. Ju jeni dëshmitarë, ne kaluam një kalvar të paimgjinueshëm, një forcë politike demokratike, që kishte përmbysur një diktaturë, që kishte udhëhequr vendin, anëtarësuar në NATO dhe gjer në propozimin e statusit për vendin kandidat. Kishte transformuar Shqipërinë më shumë se çdo vend tjetër, krahasuar me fillimin e saj dhe kjo gjindet papritmas para një agresioni mafioz të mafias shqiptare e ndërkombëtare, para një grushti shteti.
Në ç’kuptim grusht shteti? Xhorxh Soros dhe mafia e tij, pasi i dha Edi Ramës drejtësinë dhe e shndërroi në një degë ekzekutivi bastioni i fundit që kishte mbetur, ishte opozita dhe natyrisht, pavarësisht se unë absolutisht nuk kisha rol qendror, isha i tërhequr plotësisht, por nuk mund të pajtohesha me një Shqipëri pa opozitë, apo me një Shqipëri fasadë opozitë të qeverisë.
Mirëpo nëqoftëse unë kisha një trashëgimni në diktaturën e parë, shumica prej jush e nuk keni këtë trashëgmini, nuk e keni njohur atë diktaturë, por ju më mbështetët me bindjen e thellë se Shqipëria duhet të ketë opozitë. Se një vend pa opozitë është një vend pa sovranitet të brendshëm. Ndaj ju thashë grusht shteti. Nuk është grusht shteti vetëm kur një vendi i rrëzon qeverinë, apo ja ndryshon, por edhe kur një vendi i ndërhyn në pushtetin e brendshëm për të forcuar qeverinë dhe ja shndërron opozitën në fasadë.
Ne të gjithëve na takoi të angazhohemi në një mision të ri që nuk e kishim menduar më parë, në misionin e krijimit të opozitës së vërtetë për vendin dhe ja dolëm, me vështirësi të madhe dhe ja arritëm.
Tani misioni ynë është, shqiptarët të votojnë të lirë dhe opozita në pushtet. Edhe këtë mision ne do ta përmbushim. Kauza jonë është e drejtë dhe kauza e drejtë fiton dhe ne do të fitojmë.
Folësja: Përshëndetje doktor, dhe ju urojmë jetë të gjatë për fitore kundër neodiktaturës. Para 3 vitesh ne organizuam takimin më të bukur me ju, me Foltoren e madhe dhe LDG. Aty, në atë foltore ne morëm forcën më të madhe nga ju që ne këtë neodiktaturë do ta shembim. Dhe sot, pas tre vitesh, ju vërtetë e shembët këtë neodiktaturë duke ia çjerrë maskën me dy deklaratat e forta që u dhanë kundër neodiktaturës, u vërtetua që ço gjë kundër jush ishte bërë për të shembur demokracinë, por ne kurrë nuk do ta shembin demokracinë, por do ta ringrejmë se ju kemi ju të fortë. Dhe ne ju presim sa më shpejt të mbushim sheshet bashkë me ju.
Jetë të gjatë!
Sali Berisha: Lidhja Demokratike e Gruas është partneri ynë kryesor dhe unë ju garantoj ju se mirëpresim programin më të mirë që ju do të paraqisni për rolin e gruas në jetën politike, shoqërore, ekonomike, të gjithanshme në Shqipëri dhe ju siguroj se PD do të bëjë gjithçka për konkretizimin e këtij programi, në interesin më të mirë të shoqërisë dhe vendit.
Neada Stana: Vij nga Departamenti Brain Gain, ku 41.2% janë femra në këtë departament. Unë mendoj që femrat nuk janë vetëm kuota, ato duhet të jenë sepse e meritojnë që me punën e tyre mund të arrijnë gjithçka.
Mendoj që , duhet të jemi të gjithë bashkë bashkëluftëtarë të kësaj beteje. Femrat krah burrave dhe të gjithë bashkë për të fituar këtë betejë.
Femrat mund të jenë si nëna dhe familjare të shkëlqyera, ashtu si edhe zonja në karrierë. Kështu që, me pasion, punë dhe vullnet mund të arrihet gjithçka.
Ju falënderoj!
Sali Berisha: E vërteta është se ju keni merituar shumë më tepër, por e marrim këtë si një betejë të pandërprerë. Edhe njëherë ju përzgëzoj për takimin e shkëlqyer që keni organizuar dhe falënderoj me shumë mirënjohje mikeshat e ftuara nga Suedia dhe mbështetjen e këtij aktiviteti. Prania e tyre në Shqipëri është një mbështetje e një rëndesie të veçantë për gratë dhe vajzat e PD-së dhe opozitës shqiptare.
Faleminderit dhe suksese!