Berisha: PD do jetë partia e parë në Shqipëri që do të përfitojë nga avantazhet e mëdha që ofron urtësia artificiale

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E DEPARTAMENTIT AI NË PD

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha deklaroi gjatë prezantimit të departamentit të inteligjencës artificiale se PD do të jetë partia e parë në Shqipëri që do të përfitojë gjerësisht nga avantazhet e “urtësisë artificiale” në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj politike dhe organizative.

Ai theksoi se qëllimi kryesor është përdorimi i teknologjisë në funksion të qytetarëve dhe rritjes së transparencës në qeverisje, duke e cilësuar mungesën e saj si një problem madhor në vend. Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një situatë ku “transparenca pothuajse nuk ekziston”, investimet publike nuk përdoren me efikasitet dhe sistemi shtetëror është i prekur nga abuzime dhe mungesë kontrolli.

Berisha akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të fondeve publike dhe për deformim të shifrave zyrtare të investimeve, si dhe ngriti shqetësime për përdorimin e sistemeve digjitale shtetërore, përfshirë AKSHI-n, duke theksuar se ka pasur abuzime me të dhënat e qytetarëve dhe sistemet e kadastrës.

Në fjalimin e tij, lideri demokrat kritikoi gjithashtu nivelin e ulët të edukimit digjital në vend, duke e krahasuar me periudhat e mëparshme kur Shqipëria ishte ndër vendet e para në rajon për pajisjen e shkollave me internet dhe kompjuterë. Ai përmendi edhe probleme me tenderat publikë në arsim, duke akuzuar se pajisjet blihen me çmime shumë herë më të larta se tregu.

Në aspektin e vizionit politik, Berisha theksoi se PD synon të përdorë inteligjencën artificiale dhe teknologjitë moderne si blockchain për të rritur transparencën, për të luftuar korrupsionin dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. Ai nënvizoi se, megjithëse teknologjia është e rëndësishme, ajo nuk mund të zëvendësojë integritetin dhe përgjegjësinë njerëzore në qeverisje.

Në përfundim, kryetari i PD shprehu mbështetje për nismën e re dhe u shpreh optimist se PD do të udhëheqë në përdorimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri.

FJALA E PLOTË:

Mirëmbrëma dhe një përshëndetje shumë të përzemërt.
Një falënderim të përzemërt për Denisën, për ekspozenë e saj të shkëlqyer, Florianën për moderimin e këtij takimi për një zhvillim shumë të rëndësishëm.
Ne sot, të gjithë sa jemi këtu, jemi banorë të një epoke të re.
Jemi të gjithë qytetarë të epokës së urtësisë artificiale. Unë do ta quaj urtësi se është fjalë shqip.
E vërteta është se në qoftë se revolucionet teknologjike kanë çelur epoka në historinë e njerëzimit, urtësia artificiale ka çelur epokën e saj, por ajo nuk është e ardhmja, ajo është e sotmja, ajo jemi ne, janë smartfonët tanë, i kemi këtu aplikacionet, është përdorimi i saj.
Pra ne jemi banorë të një epoke, e cila në rrafshin teknologjik është padyshim epoka më e ndritur e njerëzimit.
Në qoftë se, po të marrim revolucionet teknologjike, me revolucionin e makinës së avullit, me elektricitetin, njeriu shumëfishoi forcën e tij fizike, me revolucionet e mëvonshme, me revolucionin dixhital krijoi epokën e re të komunikimit.
Kurse me epokën e urtësisë dixhitale krijoi epokën e fuqizimit të mendjes dhe trurit të tij.
Nuk ka pasur kurrë një epokë interesante si kjo.
Pak për hyrje, se ne shqiptarët kemi një koincidencë fatlume në këtë epokë.
Njëri nga personalitetet më të rëndësishme të saj është një vajzë nga Vlora, e famshme sot në më të famshmit e teknologjisë në botë, Mira Murati, arkitekte e ChatGTP.
Por në antitezë, ne kemi edhe dy sharlatanët më të mëdhenj në botë të epokës së urtisë artificiale, që e kanë emrin Edi Rama dhe Haram Begaj.
Janë këta sharlatanë të kësaj epoke, që emëruan ministren e parë bot, në trupin e të cilës pas kontrollit nuk u gjet qoftë dhe një qelizë e vetme urtësi artificiale.
Për t’u bërë të famshëm si kryesharlatanët e kësaj epoke.
Dhe kjo është jashtëzakonisht keq.
Kjo tregon, e tha Denisa, në fund të fundit, liderët e ardhshëm të kësaj epoke do jenë liderët të cilët janë armatosur me të gjithë avantazhet e saj.
Avantazhe të jashtëzakonshme në qoftë se ato përdoren në përputhje me rregulla të caktuara, në kuadër gjithnjë të një shteti ligjor.
Rregullat më kryesore për ata që drejtojnë, për ata që merren me politikë, që duhet të përcaktohen në përdorimin e saj, duhet të jenë ato të funksionimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Do t’u jap një shembull.
Në vitin 2005, Shqipëria kishte penetrimin e internetit 4.9 përqind.
Dhe shpallëm si objektiv Shqipërinë dixhitale.
Mediat qeshin me titullin. Të tjerët shihnin me skepticizëm.
U emërua një ministër, ç’është e vërteta, ministër për teknologjinë dixhitale dhe shoqërinë e informacionit, Genc Pollo.
Më pyeti Genc Pollo, ishte historian, por ishte edhe politikan, më pyeti, pse më emërove në këtë post.
I them unë sepse Shqipëria dixhitale është absolutisht një nga objektivat më absolute të miat dhe të qeverisë.
Dhe Genc Pollo me përkushtim të madh, por edhe me vizion, me një epik të vogël, ia doli që penetrimin e internetit në Shqipëri ta arrijë nga 4.9 përqind në 63 përqind.
Mesatarja evropiane ishte 3 përqind më e lartë se kjo.
Por pati një fushë ku ne u bëmë të parët në botë.
Dhe kjo ishte fusha e prokurimeve publike. Shqipëria u bë vendi i parë në botë që përdori platformën dixhitale në prokurimet publike, përveç blerjeve të vogla.
Dhe në një tryezë në Bruksel, me një profesor të shkëlqyer gjerman që kishte themeluar Transparency International, u thotë të pranishmëve, kjo që kanë bërë këta ka qenë një vullnet i hekurt sepse këtu në Evropë të gjithë të tjerët mund ta bënin para tyre, por nuk e ka bërë asnjëri sepse duan të kontrollojnë prokurimet.
Dhe ajo solli që, sot ky sistem ekziston, por në tre vitet e para gjer në vitin 2013, ky sistem i cili u vlerësua nga OKB, u certifikua, dhe Shqipëria u nderua me çmimin e dytë të kësaj organizate për transparencën.
Sot transparenca e prokurimeve publike nga 80 pikë që vlerësohej në vitet 2010-2013, ka zbritur në 65 pikë në vitin 2026.
Pra, përveç kësaj, dua t’u rikujtoj tre të rinj shqiptarë në atë periudhë punojnë vetë dhe përgatisin platformën e kadastrës dixhitale. Një platformë jashtëzakonisht e rëndësishme, themelore.
Banka Botërore fillimisht me skepticizëm absolut ndaj tyre, por kur solli specialistët dhe u ndalën mbi të, Banka Botërore e certifikoi atë dhe filloi të organizojë seminarë me këta ekspertë, që sot nuk e di se ku janë, për platformën e tyre.
Të gjitha këto që u thashë ishin guxim jashtë nivelit të përgjithshëm teknologjik të Shqipërisë.
Por dëshmojnë se përpjekja për vënien e saj në shërbim të qytetarëve, në shërbim të njeriut, është domosdoshmëria më e madhe, është përgjegjësi kryesore e atyre që drejtojnë dhe atyre që punojnë në fusha të ndryshme.

Ndaj dhe ne krijojmë këtë departament me dy qëllime kryesore.
Së pari vetë partia duhet të përjetojë të gjitha avantazhet e epokës së urtësisë artificiale.
Së dyti dhe më e rëndësishmja, nesër në pushtet, ekipi ynë duhet të jetë i gatshëm për zbatimin, aplikimin, zhvillimin e të gjitha avantazheve të jashtëzakonshme që ka inteligjenca artificiale.
Asgjë sot nuk ka garanton transparencën sa Blockchain.
Në qoftë se ka një vend në Evropë dhe në botë që është i zhytur në mënyrë të tmerrshme në falsifikim, në gjërat më themelore, Shqipëria ka më të domosdoshme se kushdo tjetër.
Në departament ka anëtarë të rinj, që nuk janë këtu, por janë jashtë vendit, që punojnë me sukses të madh në Blockchain, të gatshëm të kthehen në vendin e tyre dhe të japin kontribut në këtë fushë shumë të çmuar.
Teknologjia e re dhe urtësia artificiale në veçanti ngjall debate.
E vërteta është se debatet nuk janë të pabaza, sepse përdorimi i saj mbi bazën e rregullave të drejta, transparente, e shndërron atë në një mjet të dobishëm, në një mjet që promovon drejtësi sociale, promovon barazi, promovon transparencë në interes të të gjithë qytetarëve.
Pa u ndalur pastaj në fushat e ndryshme. Përdorimi i saj në fushën e mësimdhënies, në fushën e ekonomisë, në fushën e shëndetësisë me aftësira të jashtëzakonshme në diagnozë për shkak të disponibilitetit që ka në miliona të dhëna.
Është një mjet jashtëzakonisht i çmuar.
Por, përsëri asgjë nuk zëvendëson përgjegjësinë e njeriut, asgjë nuk zëvendëson ndërgjegjen, moralin dhe dinjitetin e njeriut.

Si e përdori Edi Rama teknologjinë dixhitale?
E përdori për të kryer vjedhjet më të mëdha në historinë e një vendi.
Më të çmuara se çdo gjë janë të dhënat e identitetit të njeriut.
Ato të dhëna, të cilat qytetari në besim dhe mirëbesim të ligjit dhe Kushtetutës, i depoziton në qendrat e të dhënave të shtetit.
Të gjitha ato u hakeruan dhe kaluan në dispozicion të patronazhistëve terroristë kriminalë, të bandave kriminale, etj me radhë.
Është abuzimi më ekstrem që mund të bëhet me teknologjinë.
Fusha e dytë.
Edi Rama, në një mënyrë ose në një tjetër, e shndërroi AKSHI-në në gropën më të zezë të vendit, në të cilën për urtësinë artificiale, baxhanaku i tij ka fituar 75 milionë euro tender dhe ka zero kontribut. Ka vetëm transfertën nga thesari i shtetit në kontot e tij.
E ka përdorur për një spekulim.
T’u them unë ju, e-Albania është krijuar në vitin 2012 apo 2011.
Ministri Pollo dhe ata që e drejtonin, nuk kërkuan asnjëherë që të centralizonin të gjitha tenderat në fushën e high-tech në Shqipëri.
Jo, secila ministri, secila drejtori në të gjitha fushat operonin mbi bazën e rregullave të prokurimit.
Kurse ky për shkak të baxhanakut të tij, ky bëri vendimin në vitin 2017, që të gjithë tenderimet të bëhen në një agjenci që u bë agjencia e parë shtetërore në historinë e shtetit që të marrë peng punonjës dhe biznesmenë që guxonin të paraqisnin oferta.
Pra, jam shumë i inkurajuar nga ekspozeja, nga prania juaj këtu dhe u garantoj se do bëjmë gjithçka që Shqipëria, që PD fillimisht, dhe Shqipëria të përjetojnë këtë epokë, epokën më të ndritur në fushën e teknologjisë në historinë e njerëzimit.

FJALA PËRMBYLLËSE

Edhe njëherë një falënderim të përzemërt dhe ju garantoj se do bëj përpjekje shumë serioze për përdorimin sa më të gjerë të urtësisë artificiale në shumë drejtime të veprimtarisë së PD, por duke ruajtur si objektiv më madhor urtësia artificiale në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
Ne sot jemi një vend ku transparenca pothuaj nuk ekziston.
Jemi një vend ku mafia shtetërore dikton me forcë standardet e saj.
Jemi një vend ku investimet publike, paratë e qytetarëve kanë shkallën më të ulët në botë të eficencës së përdorimit sepse vidhen masivisht.
Jemi një vend i mbuluar nga falsiteti.
Qeveria shpall se investon 10 përqind të PBB, e vërteta është se ajo 10 përqind as 4 përqind nuk është.
Jemi një vend ku për fatin më të keq nga përdorimi mafioz i AKSHI-t është realizuar një batërdi e vërtetë më të dhënat e qytetarëve, me kadastrën e vendit.
Pra, sirenat e transparencës bien në të katër anët.
Ne kemi besim të plotë se duke qenë të bindur se asgjë nuk zëvendëson integritetin njerëzor, por se transparenca, rrezja e diellit është antidoti më i mirë, më i shkëlqyer për të mbrojtur ose për një qeverisje të përgjegjshme në interesin më të mirë të qytetarëve.
Qëndrimi ndaj teknologjisë do guxim.
Pra, ua thashë jo më kot ata dy shembuj. Kur ne aplikuam për herë të parë prokurimet dixhitale, ishin dhjetëra vende të tjera që mund ta bënin para nesh sepse ishin nivele shumë më të larta dixhitalizimi.
Do vullnet dhe ne do bëjmë gjithçka ta përdorim në funksion të një qeverisje të përgjegjshme.
Në funksion të një qeverisje transparente.
Në funksion të përshpejtimit të zhvillimit dhe të kapjes së kohës së humbur.
Janë vite të humbura kur sheh se edukimi dixhital është më i ulëti në rajon, ndërkohë që ne ishim të parët që vendosëm internetin në çdo shkollë në rajon.
Çfarë bënë? I vodhën të gjithë kompjuterët.
Gjetëm gjithsej 850 kompjuterë në të gjitha shkollat e Shqipërisë, vendosëm 25.600 kompjuterë në total dhe internetin me satelit.
Shkatërruan çdo gjë si barbarë dhe tani Armand Frangu fiton tenderin për të pajisur shkollat me kompjuterë dhe sjell kompjuterin me çmim tetë deri në 10 herë më të lartë se sa shitet ky kompjuter në dyqane në rrugët e Vjenës.
E kuptoni si e kanë shndërruar këta?
Inkurajohem nga angazhimi i Denisës se do bëjnë gjithçka për edukimin, për promovimin e saj në mënyrë që PD të jetë partia e parë në Shqipëri që do të përfitojë nga avantazhet e mëdha që ofron urtësia artificiale në të gjitha drejtimet.
Ju falënderoj shumë për praninë, për diskutimet dhe i uroj suksese departamentit të ri.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale