Berisha: PD dënon trajtimin çnjerëzor të Ilir Metës dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm! Këto akte janë urdhëruar direkt nga Edi Rama

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në konferencën e sotme për mediat reagoi ashpër lidhur me situatën e ish-presidentin, Ilir Meta, duke e cilësuar trajtimin e tij si ‘akt çnjerëzor’ dhe ‘hakmarrje primitive’. Berisha akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën për urdhërimin e këtyre veprimeve, ndërsa kërkoi lirimin e menjëhershëm të Metës nga paraburgimi. ‘Trajtimi çnjerëzor i kryetarit të PL, Ilir Meta, është akt i hakmarrjes primitive të Edi Ramës,’ u shpreh Berisha, duke shtuar se Meta ‘u paraqit në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm’. Ai theksoi se ndaj Metës ‘nuk ekziston asnjë provë e faktuar për një vepër penale’, ndërsa e krahasoi situatën me ‘skenat e gjyqeve politike staliniste’.

Gjatë deklaratës, kryedemokrati Sali Berisha rikujtoi edhe momentin e arrestimit të Metës në tetor 2024, duke pretenduar se ai u ndalua ‘pa iu paraqitur asnjë fletë arresti’ dhe se gjatë qëndrimit në paraburgim ka përjetuar ‘dhunë dhe terror psikologjik periodik, madje edhe fizik’. Ai theksoi se, ‘janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe më të rrezikshme’ dhe i janë ‘dhunuar të drejtat kushtetuese më elementare’. Në këtë kuadër, Partia Demokratike kërkoi ndërhyrjen e Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës.

I pyetur nga gazetarët për refuzimin e gjykatës për ta bërë publike seancën ndaj Metës, Berisha mbajti një qëndrim të qartë: ‘Kam bindjen më të thellë se çdo seancë, përjashtuar ato që kanë sekrete të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, duhet të jenë publike dhe vetëm publike. Kjo është një normë për çdo vend të lirë.’ Ai shtoi se mbajtja e seancave të mbyllura jashtë këtyre rasteve nuk është standard demokratik. Në lidhje me zhvillimet brenda në PS, Berisha tha se, ajo është ‘parti krimi’. ‘Ajo parti sot është më shumë se kurrë parti krimi, është parti mburojë e vjedhjeve monstruoze ndaj fondeve dhe pasurisë publike,’ deklaroi ai.

Përsa i përket procesit të brendshëm në PD, i pyetur nga gazetarët, lideri i demokratëve Sali Berisha tha se analiza po zhvillohet në të gjitha degët. ‘Po votohet dhe po zgjidhen kryetarët e degëve me vullnetin e lirë të anëtarëve të PD,’ u shpreh ai, duke e cilësuar procesin si në përputhje me statutin e partisë. Berisha u shpreh gjithashtu se, ‘me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Diktatura nuk zhvillon zgjedhje, ka farsë.’ Ai shtoi se opozita do të fokusohet në ‘mbrojtjen e votës’ dhe denoncimin e shkeljeve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli për mënyrat e ndryshimit politik, duke përjashtuar dhunën si mjet. ‘Diktatori rrëzohet me lëvizje të fuqishme, me kryengritje paqësore. Ne nuk jemi parti e marrjes së pushtetit me dhunë.’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët.

FJALA E PLOTE:

Deklaratë e Partisë Demokratike.

Trajtimi çnjerëzor i kryetarit të PL, Ilir Meta, akt i hakmarrjes primitive të Edi Ramës.

Ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i parlamentit dhe ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, aktualisht kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare, Partisë së Lirisë, i burgosur politik, u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë provë e faktuar për një vepër penale të çdo natyre qoftë ajo.

Ky akt çnjerëzor brutal, i urdhëruar direkt nga Edi Rama, riktheu para shqiptarëve skenat e gjyqeve politike staliniste të Enver Hoxhës, babait shpirtëror të Edi Ramës, dhe skulptorit xhelat, Kristaq Rama, babait biologjik të Edi Ramës.

Ky akt hakmarrës i verbër nuk është një qëndrim i rastit dhe as i izoluar ndaj ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, zotit Ilir Meta.

Në tetor të vitit 2024, me urdhër direkt të Edi Ramës, Ilir Meta u arrestua nën filmim, tek hynte në Tiranë, nga policia pa i paraqitur asnjë fletë arresti.

Ai u nxor me forcë në rrugë nga makina me të cilën udhëtonte nën mbrojtjen e Gardës së Republikës, u tërhoq zvarrë dhe u godit para kamerave nga policë të porositur për aktin e tyre dhe si person nën hetim u dërgua në burg.

Gjatë këtyre 17 muajve në burg, si person nën hetim dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ndaj Ilir Metës, është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik periodik, madje edhe fizik.

Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe më të rrezikshme.

I janë dhunuar të drejtat kushtetuese më elementare.

Partia Demokratike denoncon dhe dënon me forcën më të madhe arrestimin, paraburgimin, qëndrimet çnjerëzore në burg dhe në sallën e gjyqit, të urdhëruara direkt nga Edi Rama, bastardi i bllokmenëve hoxhistë ndaj kryetarit të PL, Ilir Meta dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.

PD i bën thirrje Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës të ndërhyjë me urgjencë ndaj akteve të hakmarrjes primitive antikushtetuese ndaj Ilir Metës të Edi Ramës, armik i egër i pluralizmit politik dhe Ramaduro i parë dhe i vetëm në Europë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Daniela Maloku, REPORT TV: Për të qëndruar tek seanca e djeshme e zotit Meta. Krahas kërkesës së tij për të mos qëndruar në kafazin e qelqtë, gjykata i rrëzoi edhe kërkesën që seanca të jetë publike. A ndan Sali Berisha të njëjtin qëndrim me Ilir Metën që seancat gjyqësore të bëhen publike dhe në sytë e opinionit publik dhe të medias për të marrë vesh se çfarë ndodh në ato seanca?

Sali Berisha: Unë mendoj dhe kam bindjen më të thellë se çdo seancë, përjashtuar ato të cilat kanë sekrete të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, duhet të jenë publike dhe vetëm publike.

Kjo është një normë për çdo vend të lirë.

Kur një seancë bëhet e mbyllur, bëhet për qëllime të sekretit shtetëror dhe asgjë tjetër nuk mund të mbahet fshehur nga mediat dhe publiku.

Ky është mendimi im dhe ky është edhe standardi i çdo vendi të lirë dhe jo i diktaturave autoritare dhe aq më pak narkodiktaturave, të cilat ndjekin omertën apo ligjin e heshtjes, heshtjen mediatike e kam fjalën, e kanë ligjin e tyre themelor.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Desha një koment për përplasjet e brendshme në PS, të cilat duken se janë thelluar më tepër duke marrë parasysh atë që ndodhi dje në grupin parlamentar ku Edi Rama ka kërcënuar deri me përjashtim Elisa Spiropalin për shkak të postimeve në rrjetet sociale dhe mospjesëmarrjen e saj në votime?

Sali Berisha: Ajo parti sot është më shumë se kurrë parti krimi. Ajo parti është lubizuar totalisht.

Ajo parti sot është parti mburojë e krimeve monstruoze ndaj shqiptarëve, e vjedhjeve monstruoze që Edi Rama, organizata e tij kriminale qeveri dhe parlamentarët e tij i bëjnë fondeve dhe pasurisë publike.

Ky është komenti.

Partia dhe qeveria janë lubizuar përfundimisht. Janë në grahmat e fundit të një regjimi që bën gjithçka për t’u mbajtur në këmbë, por që shqiptarët kanë vendosur ta hedhin poshtë.

Osman Stafa, NEWS 24: Më 23 maj do të shkoni për të rikandiduar për kreun e PD. Keni bërë një libër me qindra faqe për krimet zgjedhore të pretenduara nga PS në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025. Ndërkohë a e keni përfunduar analizën e brendshme të PD?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Së pari njëherë, ai libër mijëra faqesh është një kontribut historik në mbrojtjen e votës së shqiptarëve.

Ai libër mijëra faqesh është bërë libër traktat themelor në tryezat e të gjithë atyre që besojnë tek vota e lirë.

Së dyti, analiza e PD po bëhet në të gjitha degët, në disa prej tyre është proces në vazhdim, por gjithçka po zhvillohet në përputhje me rregulloret dhe statutin.

Ajo që ka rëndësi më shumë i dashur Osman është se në këtë parti po votohet dhe po zgjidhen kryetarët e degëve me vullnetin e lirë të anëtarëve të PD, në një kohë kur partia e krimit, që në vitin 2009, nuk ka njeri që mund të thotë se ka hedhur një votë të vetme.

Këtu po votohet sipas grafikut të përcaktuar.

Janë në vazhdim disa degë dhe në tërësi kjo analizë do të përfundojë.

Sa i takon zgjedhjeve të vitit 2023, ju keni publikuar po ashtu një libër me shumë faqe ku keni identifikuar krimet zgjedhore të pretenduara nga PS, por keni thënë që do bëhet një analizë e brendshme. Edhe për vitin 2023 është duke vijuar analiza e brendshme?

Sali Berisha: Analiza e brendshme është bërë dhe bëhet. Për analizën e brendshme, krahas drejtuesve politikë, ne ngarkuam 12 koordinatorë për qarqet dhe të garantoj se në tërësi po bëhet dhe është bërë.

Unë nuk mund të them se është bërë e përsosur, por analizë është bërë dhe do bëhet në çdo degë.

Për këtë e sigurt.

Dhe pyetja e fundit, zoti Berisha, në parim si mund të paraqiteni ju si alternativë ndryshimi kur keni qenë për 36 vite figura kryesore e PD? Si mund të paraqiteni ju si alternativa e ndryshimit për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama.

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Osman, po të bësh matematikën e vërtetë, del krejtësisht ndryshe. Në vitin 2006, më fton në një darkë zyrtare në Mynih ish-drejtuesi i SME-ve të Partisë Popullore për të mbajtur një fjalë pasi unë isha protagonist i sistemit me taksat më të ulëta.

Në tavolinë unë pata kënaqësinë dhe nderin të kem një personalitet të shquar të ekonomisë amerikane dhe botërore, ish-këshilltar i dy ose tre presidentëve amerikanë, Paul Walker.

Zoti kryetar i forumit më paraqiti mua tek zoti Walker. Tha, ish-presidenti, tani është kryeministër. Dhe zoti Walker, në mënyrë të shkujdesur kthehet dhe më thotë, qenka si Putini. Siç e bëri Osmani tani.

Pak, me një ndryshim, i them.

Çfarë ndryshimi, tha.

Unë, i thashë, kam qenë 8 vite në opozitë, kurse Putini e ndërroi vendin me Medvedevin. Mirëpo ai u lëndua në vetvete dhe burrë fisnik, ai ishte takimi i parë me mua dhe herët e tjera ai gjithnjë më ka dërguar të fala me personalitete që takonte.

Jo, unë jam njeriu që kam provuar më shumë se çdo sot në skenën politike dorëheqjet.

Unë jam njeriu që kam provuar me shumë se kushdo tjetër udhëheqjen e opozitës.

Pra, është një histori krejt tjetër.

Por në qoftë se merr vitet e pushtetit, Edi Rama ka 25 vite në pushtet kundrejt 13 viteve që ka Sali Berisha.

Edi Rama ka 25 vite në pushtet dhe 25 vite në pushtet të Edi Ramës janë katastrofa e Tiranës dhe e Shqipërisë.

Osman, unë e kuptoj që propaganda e tërë artileria e propagandës drejtohet drejt Sali Berishës dhe ti nuk je pjesë e asaj propagande, por nuk duhet të jesh viktimë e saj.

Edhe diçka, ju e thatë vetë se unë nuk kam qenë pjesë e propagandës dhe as viktimë e saj. Pyetja që shtrova unë nuk lidhej me vitet tuaja në pushtet, pyetja që shtrova unë lidhet me pushtetin që keni pasur në PD pas viteve ‘90, që ka qenë i padiskutueshëm edhe kur Lulzim Basha ka qenë kryetar i kësaj partie. Perceptimi publik ka qenë ky. Por jeni aktualisht sot kryetar i PD, pra keni qenë president, kryeministër dhe përsëri vazhdoni të jeni lider i PD. Sa ju, zoti Berisha, përtej të gjitha arsyeve që argumentoni, mund të përballeni dhe mund të fitoni me këtë makineri që është krijuar dhe të frymëzoni qytetarët shqiptarë për të fituar? Ky është meraku i të gjithëve.

Sali Berisha: Po, po, tani këtu duhet të jemi pak objektivë përsëri. Kjo është një narkodiktaturë, kjo është narkodiktaturë autokratike që bazohet në farsën elektorale, që pranon pluralizmin por e shtyp pluralizmin, siç e patë Ilir Metën dje në kafaz.

Pra, kemi të bëjmë me një diktaturë, e cila në projektet e saj ogurzeza kishte një objektiv madhor, shndërrimin e PD në fasadë të saj. Në aleaten në bashkëqeverisje. Në fasadë.

Aty një njeri ndërhyri dhe ky ishte Sali Berisha.

Gjërat uroj dhe shpresoj të analizohen siç janë.

Nuk është e vërtetë kurrë se unë ndërhyra kur u shpalla non-grata. Jo. E kam thënë atë dhe e them përsëri. Nuk më shërbente.

Por kur pashë duart e zeza të kontrollonin partinë e demokratëve, atëherë ndërhyra fuqishëm dhe së bashku me demokratët e shpëtuam këtë parti.

E shpëtuam, e rikthyem parti të vërtetë opozitare, e rikthyem në genet e saj siç ishte themeluar, parti e parimeve.

Së dyti, e kam thënë dhe e them, 2021-shi nuk ishin zgjedhje, ishin farsë. Por ai që drejtonte nuk kishte preokupim farsën, kishte preokupim si të bënte koalicion me Edi Ramën.

Kurse më vonë, qoftë në vitin 2023, qoftë në vitin 2025, PD arriti ta gozhdojë Edi Ramën si armik të votës së lirë.

Arriti të mbrojë votën e shqiptarëve në kuptimin që në institucionet më prestigjioze të vlerësimit të zgjedhjeve, zgjedhjet në Shqipëri u konsideruan si zgjedhje në kushtet e partisë shtet. Kuptohet që ishin farsë dhe jo zgjedhje.

Zgjedhjet në Shqipëri, u tha me zë të lartë, se organizatat kriminale nuk lejojnë rotacionin e pushtetit në Bruksel.

Se zgjedhjet në Shqipëri shkelën standardet kryesore të dokumenteve të Kopenhagenit për zgjedhjet, të platformës së Këshillit të Europës për zgjedhjet dhe dokumente të tjera.

Pra, kjo parti mbrojti, brenda dhe jashtë vendit, votën e shqiptarëve.

Diktatura nuk zhvillon zgjedhje. Në diktaturë ka farsë.

Po thoni që nuk fitoni dot zgjedhje me këtë qeveri?

Sali Berisha: Jo, me Edi Ramën, e kam thënë gjithmonë, nuk ka zgjedhje.

Po ekzistenca juaj pastaj?

Sali Berisha: Ata që thonë se me Edi Ramën ka zgjedhje, ata janë vegla të Edi Ramës. Ata që pretendojnë se Edi Rama zhvillon zgjedhje, janë vegla të Edi Ramës.

I lëmë të gjitha këto. Merr vetëm një fakt, 2 miliardë euro dy ditë para votimit, jo në një popull me 1.5 milionë votues, por edhe në një popull me 4 milionë votues, prishin zgjedhjet.

I kanë ca rregulla apo jo?

Kështu që Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje.

Ndaj dhe është qëndrimi ynë protesta jonë. Unë këtë ua kam thënë shqiptarëve. Unë jam i hapur me shqiptarët, nuk marrë kurrë përsipër të mashtroj shqiptarët.

Fjala ime ka qenë gjithnjë kjo. Ky nuk zhvillon zgjedhje.

Pse?

Ky është i inkriminuar në mënyrë të tmerrshme.

Ky e di që e presin vite burg për vjedhjet dhe krimet që ka kryer.

Ky është i aftë të kryejë çdo krim tjetër për të mos dorëzuar pushtet.

Zoti Berisha, në zgjedhjet e 23 majit, do u thoni demokratëve, më jepni votën se do fitojmë përballë Ramës apo se do bëjmë libra të tjerë pas çdo palë zgjedhjeve që humbim?

Sali Berisha: Unë u them shqiptarëve se do mbroj votën dhe në qoftë se të kujtohet, zotimi im ka qenë mbrojtja e votës.

Diktaturat nuk bëjnë zgjedhje. Ata që duan zgjedhje, ata duan të përmbysin diktatorin.

Ata të cilët besojnë se mund të ketë zgjedhje në diktaturë, ata mashtrojnë veten e tyre dhe bëjnë lojën e diktatorit.

Si rrëzohet diktatori?

Sali Berisha: Diktatori rrëzohet me lëvizje të fuqishme, me kryengritje paqësore. Edhe të armatosur, për ata që janë ekstremistë të majtë, ne nuk jemi parti e marrjes së pushtetit me dhunë. Jo. Sepse ajo ikën një diktator dhe sjell një diktator tjetër. Rrëzimet me guerile nuk kanë sjellë ndonjëherë demokraci, kanë sjellë dhunë.

Kështu që ne i përmbahemi atyre parimeve mbi të cilat jemi themeluar, parti e vlerave, parti që beson se pushteti duhet të burojë nga vota e lirë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale