FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN E ORGANIZUAR NGA ‘BRAIN GAIN’ PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha mori pjesë në takimin e organizuar nga departamenti “Brain Gain” në nderim të ditës së Pavarësisë së vendit.
Berisha u shpreh se, në rast se bëhet fjalë për pavarësinë e një kombi, kushti i të gjitha kushteve është identiteti i tij, dhe identiteti i çdo kombi, i kombit shqiptar ka për shtyllë kryesore, gjuhën-kulturën, kulturën dhe gjuhën.
Berisha tha se, sot është një ditë frymëzimi, sepse në kushtet kur Ismail Qemali dhe etërit e tjerë të pavarësisë shpallën në Vlorë Pavarësinë e Shqipërisë, ishte një akt i guximit të jashtëzakonshëm,
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, pa pavarësinë e Shqipërisë, nuk do mund të kishte kurrë pavarësi të Kosovës. Pa pavarësi të Shqipërisë, shqiptarët kudo që jetojnë në vende tjera nuk do mund të ishin ata që janë sot
Berisha u shpreh se një armik i qenies shqiptare, një kryeministër që vlerësohet nga politologët e kohës, si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit, nuk e meriton asnjë ditë karrigen që mban.
Berisha tha se, Edi Rama duhet t’i ketë ditët e numëruara. Nuk mund të pranojmë kurrë një dhunues të sovranitetit
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma, dhe një përshëndetje të përzemërt.
Një urim për të gjithë ju, për të gjithë shqiptarët këtë ditë që shënon ditëlindjen moderne të kombit shqiptar. Shënon ditën e Pavarësisë së vendit, një ditë frymëzimi për çdo shqiptar.
Dua të përshëndes përzemërsisht departamentin ‘Brain Gain’ që ka përzgjedhur të nderojmë së bashku këtë ditë me një dimension kulturor, dhe kjo është një përzgjedhje e mençur, e drejtë.
Në rast se bëhet fjalë për pavarësinë e një kombi, kushti i të gjitha kushteve është identiteti i tij, dhe identiteti i çdo kombi, i kombit shqiptar, padiskutim ka për shtyllë kryesore gjuhën, kulturën, kulturën dhe gjuhën.
Ndaj edhe në kremtimin e Pavarësisë sonë në këtë dimension, ne i bëjmë një kremtim vërtet fisnik.
Theksoj edhe njëherë, pavarësia është ditëlindja moderne e një kombi. Është ditë frymëzimi, sepse në kushtet kur Ismail Qemali dhe etërit e tjerë të pavarësisë shpallën në Vlorë Pavarësinë e Shqipërisë, ai ishte një akt i guximit të jashtëzakonshëm, ishte një akt i vizionit të jashtëzakonshëm. Ishte një akt kur nga të gjitha fuqitë e mëdha, përveç njërës, të gjithë ishin kundër.
Askush nuk donte përveç Austro-Hungarisë dhe Kontit Berthold, një shtet të pavarur shqiptar në trojet e tij. Qeverinë e Ismail Qemalit nuk e njohën gjer në gusht të vitit 2013. Por në qoftë se ky burrë i madh vizionar nuk do të ngrihej me një guxim mbi kohën së bashku me Isa Boletinin dhe elitën tjetër të kombit të shpallte në Vlorë Pavarësinë, gushti i 2013 do kishte vendosur shpërbërjen, copëtimin përfundimtar të kombit shqiptar.
Ismail Qemali i vendosi fuqitë e botës që nuk donin një shtet shqiptar para faktit të kryer se shteti shqiptar ekzistonte, se Shqipëria ekzistonte si shtet sovran dhe i pavarur.
Në këtë kontekst, po të shkojmë prapa në ato kohëra dhe të mendojmë këtë akt, ky akt kalon në një legjendë të vërtetë. Por ky akt u bë vendimtar për fatin e kombit, aso kohe të ndarë të pushtuar pothuajse në 2/3 e trojeve të tij. Ky akt ka qenë përcaktues për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Pa pavarësinë e Shqipërisë, nuk do mund të kishte kurrë pavarësi të Kosovës. Pa pavarësi të Shqipërisë shqiptarët kudo që jetojnë në vende tjera në Ballkan nuk do mund të ishin ata që janë sot.
Ndaj edhe, në qoftë se kombe tjera e kanë pavarësinë edhe si dhuratë, apo e kanë ndonjëherë edhe si aksident të historisë, shqiptarët e kanë nga një akt mbinjerëzor i Ismail Bej Vlorës dhe elitës së kombit, atyre luftëtarëve, politikanëve, udhëheqësve popullorë që organizuan kryengritjet e mëdha të Kosovës.
Pra, sa më shumë të ndalesh në paravrësinë tonë, ta mendosh, ta studiosh, të lexosh, aq më mahnitëse, aq më mrekulli, aq më magjepsëse dhe më frymëzuese bëhet ajo.
Unë sot isha në Vlorë për të shprehur nderimet e mia në emër të demokratëve shqiptarë të opozitës, por edhe të të gjithë shqiptarëve që i thonë vetes shqiptar, për Ismail Qemalin, për Vlorën, qytetarët e saj për akt shpëtimtar për kombin.
U ndala në familjen Mezini, pasardhësin e Abaz Mezinit, një familje themeluese e qytetit të Vlorës, me kontribut historik në Pavarësi. Abaz Mezini ish-kryetari i parë i Bashkisë së Vlorës, kishte kryesuar komitetin e sigurisë për shpalljen e pavarësisë në qytetin e Vlorës.
E theksova këtë moment se shpallja e pavarësisë u bë në kushtet kur Shqipëria në shumë anë të saj ishte e pushtuar, por ishte elita fisnike e saj ajo që garantoi këtë akt, së bashku me Isa Boletinin që erdhi nga Kosova, me luftëtarët e tij.
Përpara meje, tek varri i të pavdekshmit, Ismail Bej Vlora, kishte vendosur kurorë edhe Pashiqi i Tiranës. Ishte një përdhosje e veprës së ndritur. Ishte një përdhosje e të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për një Shqipëri të pavarur.
Një armik i qenies shqiptare, një kryeministër që vlerësohet nga politologët e kohës, si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit, nuk meriton asnjë ditë karrigen që mban. Fyen ndërgjegjen kombëtare të çdo shqiptari, fyen të gjallët dhe të vdekurit e këtij vendi që kanë dashur dhe që e duan Shqipërinë dhe kombin.
Miqtë e mi, sovraniteti i vërtetë i një kombi jo në pushtim, në aspektin e brendshëm është fuqia e popullit për të konrolluar qeverinë. Kurse sot ky njeri ka rrëmbyer, ka grabitur të gjitha pushtetet në duart e tij. Beteja që bëjnë deputetët e opozitës në parlament është betejë për sovranitetin e Shqipërisë. Është betejë, pikërisht për të ushtruar kontroll në emër të sovranitetit mbi qeverinë.
Nuk ka sovranitet të ëvrtetë pa kontrollin e qeverisë është sovraniteti i brendshëm. Këtë ka rrëmbyer totalisht Pashiqi i Tiranës. Ai kontrollon sot të gjithë ekzekutivin, të gjithë të emëruarit në institucionet e këtij vendi, përvçse një jashtë mandati ka firmën e tij. Kontrollon totalisht pas një seleksioni të bazuar në besimin fetar, në origjinën krahinore, në bindjet politike, kontrollon totalisht drejtësinë.
Kërkon t’i marrë opozitës atë pushtet, atë veto që i garanton Kushtetuta e vendit, me qëllimin e vetëm që të kontrollojë qeverinë. Dhe këtë nuk e lejon, sepse ai është sot kryeministri ndër më të inkriminuarit në botë. Nuk e lejon se ai ka lidhjet ndër më të rrezikshme në Europë. Nuk e lejon, sepse ai vjedh me firmën e tij çdo ditë pasuritë publike dhe fodet publike të këtij vendi. Ndaj edhe ka zgjedhur të shkelmojë sovranitetin e shqiptarëve, të vendosë diktaturën e tij personale.
Sot kjo ditë frymëzon më shumë se çdo ditë tjetër, inkurajon, u jep zemër dhe guxim shqiptarëve të ngrihen, të kemi parasysh kushtet të cilat Ismail Bej Vlora sfidoi të gjitha llojet e armiqësive, e ambcjeve, e kundërshtive që sot ne jemi të pavarur këtu, Edi Rama duhet t’i ketë ditët e numëruara.
Nuk mund të pranojmë kurrë një dhunues të sovranitetit. Një njeri i cili për pasurimin e tij dhe pushtetin personal i ka rrëmbyer vendit, kombit në Shqipëri të gjitha pushtetet, dhe punon ditë e natë kundës gjysmës tjetër të kombit, kundër Kosovës për ç’ka e kanë quajtur me të drejtë Pashiqi shqiptar, apo Pashiqi i Tiranës.
Edhe njëherë, ju falënderoj shumë për këtë organizim të shkëlqyer.
Në rast se unë u ndala në këtë aspekt dramatik të sotëm, unë jam i bindur se përzgjedhja juaj për të kremtuar Pavarësinë e Shqipërisë me dimensionin kulturor të kombit është një përzgjedhje fisnike dhe e goditur, dhe ju falëndroj shumë për praninë sot këtu të të gjithëve ju.
FJALA PËRMBYLLËSE E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA:
Edhe njëherë ju falënderoj shumë përzemërsisht për këtë event të organizuar në këtë datë të të gjitha datave, të të gjitha festave të historisë sonë kombëtare.
Falënderoj artistët e mrekullueshëm, përfaqësimin dinjitoz që i bënë kulturës sonë popullore, aq e pasur dhe e dashur për shqiptarët.
Ftoj shqiptarët përsëri, kjo ditë të na frymëzojë në mënyrë që t’i japim përgjigjen më të merituar regjimit të bandave, të drogës, krimit, korrupsionit.
Shqipëria sot loton në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së saj. Loton sepse një e treta e shqiptarëve janë larguar në 10 vite nga Shqipëria.
Loton sepse shqiptarët sot janë kombi më i plaçkitur.
Loton sepse pak vite më parë, ata ishin qytetarët me të ardhurat më të lartat në rajon, sot janë me të ardhurat më të ulëta.
Loton se janë larguar nga ky vend 1 milion e 100 mijë shqiptarë, prej tyre 80 përqind të rinj. Janë mbyllur me qindra shkolla.
Loton sepse opozita e saj, autoriteti moral i demokracisë, u bë objekt i sulmeve më të egra. Sepse pushteti është i përqendruar në një dorë, të një njeriu, që nuk ka asnjë interes shoqëror, asnjë interes kombëtar, ka vetëm interesa personale dhe të pasurimit të tij.
Në këtë kontekst, në këtë kuadër, sot shqiptarët presin me të drejtë nga PD, t’i prijë betejës pa kthim për shpëtimin e Shqipërisë.
Sot, shqiptarët me shumë të drejtë presin nga demokratët të ngrihen me guxim, kundër kësaj diktature të re.
Denoncimi është njëra anë, por beteja gjer në fitoren e plotë është vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ndaj dhe le të na frymëzojë kjo ditë për t’u betuar ne, se me të gjithë forcën tonë, do rivendosim sovranitetin e këtij vendi, do rivendosim demokracinë, do presim me forcën e idealeve tona, lidhjen fatale të shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim.
Do bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, njëlloj si qytetarët e vendeve të tjera të Europës, njëlloj siç kishim projektuar dhe parashikuar rilindësit tanë.
Nderim përjetë Ismail Bej Vlorës, etërve të pavarësisë, por edhe qindra e mijëra shqiptarëve që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për lirinë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.