EKSTRAKT
Në fjalën e tij në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli për Kosovën dhe ditën e pavarësisë së saj. Pasi uroi të gjithë shqiptarët për pavarësinë e Kosovës, Berisha u shpreh se çdo demokrat sot pushtohet nga një ndjenjë krenarie sepse Partia Demokratike ka si yll polar çështjen kombëtare.
Gjatë fjalës në tubimin qytetar, Berisha, ka përshëndetur presidenti Xhorxh Bush për shpalljen e pavarësisë së Kosovës kur ishte për vizitë në Tiranë.
Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar në rrugën e Shpresës, kryetari i PD-së, Sali Berisha kujtoi sërish liderin opozitar rus, Aleksei Navalni që vdiq në 16 shkurt 2024 në burg në Rusi. ‘Navalni denoncoi sarajet e carit të Rusisë siç denoncojmë edhe ne sarajet e kriminelit të Surrelit’, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar nuk la pa përmendur edhe dënimin me 28 muaj burg të Charles McGonigal, për marrjen e 225 mijë dollarëve nga Edi Rama për të sulmuar opozitën në Shqipëri. Sipas Berishës, kjo çështje nuk do të mbyllet asnjëherë.
Kryedemokrati ka sulmuar sërish Altin Dumanin, duke i thënë se ka marrë në mbrojtje Amant Josifin pasi në bashkëpunim me Edi Ramën u vodhën 2 miliardë euro qytetarëve europianë, dhe i thashë që të arratisej.
Gjatë fjalës në tubimin qytetarë në rrugën e Shpresës, kryetari i PD-së, Sali Berisha i ka bërë thirrje kompanisë amerikane Bechtel që të tërhiqet nga HEC Skavica, që të mos mbetet si monument botëror i korrupsionit.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të zjarrta, mirënjohjen më të pakufishme për ju, misionarët e vërtetë të dinjitetit, të shpresës, të betejës pa kthim për fitoren e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Të dashur miq, sot në historinë e kombit është një nga ditët më të mëdha, është dita e pavarësisë së Kosovës.
Është dita, e cila bëri të lirë pas shekuj e shekujsh kombin shqiptar.
Ne jemi komb me dy ditëlindje lirie.
Ne jemi komb me dy data pavarësie.
28 nëntori i 1912-ës, pavarësia e Shqipërisë, pa të cilën nuk do kishte shtet shqiptar, nuk do kishte Kosovë të pavarur.
Përveç kësaj, ne kemi 17 shkurtin e vitit 2008, ditëlindjen tjetër të lirisë kombëtare, pavarësinë e Kosovës, pa të cilën shqiptarët nuk do të ishin një komb i lirë, nuk do gëzonin liri kombëtare.
Ndaj dhe sot le të shprehim ne krenarinë e madhe, mirënjohjen e pakufishme ndaj arkitektit të pavarësisë së Kosovës, burrit mendjendritur të kombit, Gandit të Ballkanit dhe Europës, presidentit Ibrahim Rugova.
Le të shprehim ne nderimin më të madh ndaj komandantit legjendar, Adem Jashari. Luftëtarëve të lirisë të UÇK, që me guximin epik, bënë luftën më të ndritur në historinë e shqiptarëve për liri dhe dinjitet nga kohërat e Skënderbeut.
Mirënjohje të pakufishme Aleancës së Atlantikut të Veriut, partnerëve tanë, presidentit Bill Klindon dhe Xhorxh Bush, për rolin e tyre përcaktues në pavarësinë e Kosovës.
Por miqtë e mi, një ndjenjë krenarie ka sot çdo demokrat, sepse kjo parti u themelua në dhjetor të vitit 1990, si parti që shpalli yll polar, çështjen kombëtare.
Shpalli yll polar çështjen kombëtare, të tradhtuar për 50 vite nga Partia Komuniste shqiptare, seksion i Partisë Komuniste jugosllave.
Shpalli yll polar çështjen kombëtare, në një kohë kur shqiptarët në vendet përreth mbijetonin si qeniet më të shtypura në Europë.
Por ne nuk mund të ishim parti e vërtetë e shqiptarëve, në qoftë se nuk shpallnim kauzën e drejtë për liri dhe dinjitet të shqiptarëve si kauzë kryesore të programit tonë.
Miqtë e mi!
Forca e vetme ishin idealet tona. Forca e vetme në atë kohë ishte besimi te të vërtetat shqiptare.
PD u shndërrua në mbështetje kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me ardhjen e saj në pushtet, Shqipëria u shndërrua në promotor kryesor të çështjes së shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo.
Qeveria e Kosovës, pushteti paralel i saj, presidenti Ibrahim Rugova por edhe aradhet që nisën luftën çlirimtare, Adem Jashari dhe luftëtarët e tjerë të lirisë, patën Shqipërinë mbështetjen më kryesore të tyre.
Në asnjë rrethanë nuk u tërhoqëm kurrë, përkundrazi bëmë gjithçka në mbështetje që çështja e Kosovës të shndërrohej në çështje në samite ndërkombëtare, në kancelaritë më të mëdha të Europës dhe të botës.
Do të ishte rezoluta e sponsorizuar nga Shqipëria në OKB e vitit 1994, e votuar nga 137 vende, që i njihte popullit të Kosovës të drejtën e vetëvendosjes, e cila do përbënte ligjin ndërkombëtar për Marrëvesjen e Rambujesë dhe për të gjitha aktet e tjera ndërkombëtare që sollën pavarësinë e Kosovës.
PD mbështeti e palëkundur luftën çlirimtare, me moton ‘një komb, një qëndrim’.
Ne dhamë një ndihmë të pazëvendësueshme shqiptarëve në Kosovë në betejën e tyre.
E vërteta është, pavarësia e Kosovës, e cila qëndron mbi gjakun, sakrificën e dhjetëra, qindra mijëra luftëtarëve të lirisë, shpirtin e pamposhtur, luftërat nga 860 në 990 të qytetarëve të saj, u shpall në Tiranë nga presidenti Xhorxh Bush.
Ndaj dhe unë dua t’i përcjell atij miku të madh të kombit në këtë ditë, përshëndetjet më të zjarrta.
Sikundër dua të shpreh mirënjohjen për Aleancën e Atlantikut të Veriut, vendeve anëtare, presidentit Klinton që udhëhoqi betejën ajrore kundër Millosheviçit.
Miqtë e mi!
Kosova vjen në këto 16 vite, vendi më i lirë i rajonit.
Kosova vjen në këto 16 vite, vendi me demokracinë më të konsoliduar, qytetarët e saj votojnë të lirë. Qeveritarët e saj japin llogari para qytetarëve dhe zgjidhen me votën e lirë.
Por Kosova, gjatë këtyre 10 viteve përsëri ra midis dy zjarreve, Beogradit ultranacionalizmit të serbomadhit Vuçiç, që duhej ta kishte vendin në Hagë si autor gjenocidesh në Bosnje dhe Kosovë dhe argatit të tij të shitur, Edi Rama, Pashiqit të Tiranës.
Me largimin e PD nga pushteti, filluan pazaret për ndarjen e Kosovës sipas variantit serb, midis Aleksandër Vuçiçit dhe vasalit të tij, argatit të tij, Edi Rama.
Ju e dini, PD i kundërshtoi ato në mënyrën më të fuqishme.
Këto pazare mbështeteshin fuqishëm nga Sergei Lavrov dhe cari Putin.
Por e vërteta është se ato mbështeteshin nga kryemafiozi Xhorxh Soros dhe i biri i tij, i cili firmoste me OSF-në e tij në Beograd, hartat e ndarjes së Kosovës.
Ne qëndruam, nuk është se ne nuk dinim, nuk është se unë nuk dija se cila është fuqia e perandorisë të multimiliarderit, superspekulantit të planetit, Xhorxh Soros.
Por për mua, interesi kombëtar ishte mbi të gjitha.
Miqtë e mi!
Sot ne, demokrate e demokratë, kauzat e drejta duhet të mbrohen me çdo sakrificë, kauzat e drejta nuk duhet kurrë të humbasin.
Demokrate e demokratë, 20 shkurti është dita e kauzave të drejta të kombit shqiptar, ndaj dhe ftoj shqiptarët të bashkohen me 20 shkurt për triumfin e dinjitetit, qenies, identitetit, të lirive, të ardhmes së shqiptarëve.
Krenarë demokrate dhe demokratë, se pasi dështuan me ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, serbomadhi Vuçiç dhe Pashiqi i Tiranës, zgjodhën projektin e Jugosllavisë së re.
Donin të kthenin Shqipërinë në shtojcë të Serbisë. Dolën me projektin e Ballkanit të Hapur, për t’iu kundërvënë me çdo mënyrë inicativës së Berlinit.
Ky projekt antishqiptar, që ndizte sherre dhe konflikte, kishte vetëm një qëllim, hegjemoninë serbo-ruse në rajon, eliminimin e Kosovës në rajon.
Ky projekt mbështetej fuqimisht jo vetëm nga Sergej Lavrov, që shprehej haptas se jam kundër Ballkanit të Mbyllur të Brukselit dhe jam për Ballkanin e Hapur të Vuçiçit dhe Edvinit, por kishte firmën dhe bekimin e Aleksit dhe Xhorxh Sorosit, të cilët do ishin të pranishëm në çdo samit, paçka se në ligjin ndërkombëtar nuk përfaqësojnë asnjë vend, asnjë komb, asnjë organizatë.
E kundërshtuam, ju u mblodhët dhe protestuat në sheshet e Tiranës kundër tij, nder paçi gjithmonë. Mbrojtët të vërtetat e mëdha.
Demokrate dhe demokratë, keni qenë dhe jeni misionarë të kauzave të mëdha.
Miqtë e mi!
Bota u trondit dhe mbrëmë e nderuam me një minutë heshtje luftëtarin e madh të lirisë, heroin e antikorrupsionit, Aleksei Navalnin.
Çfarë tregon, cila është e vërteta?
E vërteta është se heroi i fjalës së lirë, i dinjitetit njerëzor, u burgos dhe vdiq sepse denoncoi sarajet e carit të Rusisë, barbarit Vladimir Putinit.
Siç denoncojmë ne sarajet e kriminelit të Surrelit, Edi Rama.
Aleksei Navalni denoncoi vjedhjet e Putinit, vajzave dhe familjarëve të tij, siç denoncojmë ne vjedhjet e Edi Ramës, të thjeshtrës, të vëllait të tij, të baxhanakut të tij, të bashkëshortes së tij.
Miqtë e mi, Aleksei Navalni u burgos dhe vdiq, ra për t’u bërë i pavdekshëm sepse denoncoi vjedhjet, korrupsionin e organizatës kriminale që drejton cari i Rusisë. Të Medvedevit, të ministrave të tjerë, me një guxim legjendar.
Siç denoncojmë ne vjedhjet e organizatës kriminale të Edi Ramës, që quhet qeveri.
Miqtë e mi, qytetarë dhe qytetare, korrupsioni nuk është pra vetëm një armik i shqiptarëve. Është armik i njerëzve në mbarë botën. Për shqiptarët, është armik kryesor.
Ju jeni dëshmitarë se jo vetëm Edi Ramën, por ne denoncuam me forcën më të madhe korrupsionin ndërkombëtar të diplomatëve, ambasadorëve, zyrtarëve të lartë, Xhorxh Sorosit, Aleksis Sorosit dhe cilitdo tjetër.
Zoti të vret po nuk i the armikut, armik.
Ndaj dhe ne do i qëndrojmë cilitdo që vjen dhe vjedh shqiptarët.
Miqtë e mi!
Dje u zhvillua një gjyq në Uashington.
Në këtë gjyq, kishte vetëm një dosje dhe kjo ishte dosja Edi Rama-McGonigal.
Kjo ishte dosja e fëlliqur, në të cilën kryeministri shqiptar, sipas burimeve zyrtare amerikane, kishte korruptuar shefin e kundërzbulimit të vendit të madh në botë, SHBA.
E kishte korruptuar për ta përdorur për shkatërrimin e opozitës, për shpalljen non-grata të Sali Berishës pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë të dhënë.
Miqtë e mi!
McGonigal, për të cilin larot e Edi Ramës, duhet të thonë se krimin e ka kryer për vendin e tij, krimin e ka kryer në Shqipëri dhe kundër Shqipërisë. Me Edi Ramën, ku u morën paratë, 225 mijë euro, që iu dhanë atij për të shkatërruar opozitën shqiptare.
A ka krim më të shëmtuar se sa të përdorësh fuqinë e një vendi të madh kundër opozitës së një vendi të vogël?
Ky është krim i përmasave makbethiane.
McGonigal nuk u ndal vetëm me kaq, u them larove të Edi Ramës, por hoqi licenca dhe mori licenca duke detyruar taksapaguesit e varfër shqiptarë, të paguajnë dhjetëra e dhjetëra milionë euro gjoba në arbitrazhet ndërkombëtare për ndërhyrjen e tij.
A ka akte më të shëmtuara korruptive se këto?
Këto nuk mbyllen kurrë. I them unë sot Edi Ramës, jo Xhorxh Sorosi, por forcë në botë që të mbyll dosjen me McGonigal nuk ka dhe nuk do të ketë.
Miqtë e mi!
Lufta kundër korrupsionit është jetikë, shpëtimtare për qytetarët shqiptarë.
Dhe ne e kemi bërë atë. Ju jeni dëshmitarë, pa hezitim, me vendosmëri absolute, me paanësi absolute, kemi denoncuar një nga një, aferat e tmerrshme, vjedhjet e shekullit.
Kemi denoncuar djegësat, Portin e Durrësit, PPP-të, checkupin, sterilizimin, analizat, rrugët,
dhjetëra e dhjetëra të tjera.
Por kemi denoncuar edhe korrupsionin shqiptaro-ndërkombëtar si një nga format më të rrezikshme, më të rrezikshme për korrupsionin.
Do ta denoncojmë gjer në fund, sepse korrupsioni nuk është vetëm shqiptar, korrupsioni është
armik i demokracive kudo në botë.
Çfarë do të thotë kjo?
Amant Josifi, ortaku i Olsi Ramës, ju vjedh qytetarëve gjermanë, qytetarëve spanjollë, italianë, belgë, mbi 2 miliardë euro me callcenterat në ortakëri me Olsi Ramën.
Çfarë ndodh me këtë personazh?
Mbrojtje absolute nga Edi Rama dhe Altin Dumani.
A ka krim më të shëmtuar se ky?
Kur u kërkua arrestimi i tij, Altin Dumani me urdhër të Edi Ramës, deklaroi se krimi ka ndodhur
tjetërkund.
Ky është një kriminel gjakftohtë. Kriminel!
Krimi kishte ndodhur në callcenterat e Tiranës, të patronuar nga Olsi Rama, të cilët mashtronin pensionistët, qytetarët gjermanë, spanjollë, blini Bitcoine se do ua marrim me 20 përqind më shumë dhe ua vidhnin monedhën dhe i çonin në Dubai.
Ne e denoncuam dhe do e denoncojmë dhe i themi Dumanit se do përgjigjesh gjer në një për këtë amnisti kriminale që mban për Edi Ramën.
Miqtë e mi!
A ka krim më të shëmtuar se kjo?
Erdhën prokurorët gjermanë, çfarë bëri Dumani me shokë? I mori dhe i dërgoi në callcentera, ku punonjësit nuk dinin asnjë fjalë gjermanisht. I morën ata dhe i rrasën në burg si derr në thes dhe janë akoma atje, pa kryer asnjë operacion. Sepse nuk ishin callcenterat e Amant Josifit dhe Olsit.
Pra, a mund të heshtim ne? Kurrën e kurrës, të gjithë në shesh në mbrojtje të të vërtetës.
Miqtë e mi, ne denoncuam Skavicën, një nga aferat më të mëdha korruptive.
Dhe unë i them prapë kompanisë Bechtel, çdo tender i fituar pa garë është tender korruptiv, ndaj hiq dorë.
Ti je gjigant në botë, me Sali Berishën ke punuar, ke ndërtuar një kryevepër, por me një garë të pastër ndërkombëtare me 7 kompani të mëdha të Europës.
Hiq dorë nga Skavica, të mos mbetet monument botëror i korrupsionit.
E morët vesh, Butrintin? E morët vesh se si kryekorruptori Edi Rama fsheh raportin e UNESCO-s që denoncon aferën e shkatërrimit të Parkut të Butrintit
Miq!
U ndala pak gjatë, por nuk mund të mos ndalesha sepse armik më të madh liria, dinjiteti, mirëqenia, e ardhmja, shpresa e qytetarëve nuk ka sesa korrupsionin e kësaj qeverie.
Ndaj dhe të marrim fatin në dorë, 20 shkurti është dita e kauzave tona.
Është dita e dinjitetit tonë, e guximit tonë. Nga mbarë Europa, nga mbarë bota, shqiptarët po vërshojnë në Tiranë.
Rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!