Berisha: Pasi ua premtoi me qindra herë, tani Edi Rama në vend të pasaportës Europiane, po u ofron shqiptarëve pasaportën serbe. 12 marsi dita e kryengritjes qytetare

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku komentoi zhvillimet politike në vend, marrëdhëniet me rajonin, procesin e integrimit në Bashkimi Europian, si dhe situatën e brendshme politike. Gjatë bashkëbisedimit, ai lëshoi akuza të forta ndaj Edi Ramës, duke e akuzuar se po dëmton interesat kombëtare dhe po pengon integrimin europian të Shqipërisë.

Kryedemokrati Sali Berisha u shoreh se, zhvillimet e fundit politike përbëjnë një moment të rrezikshëm për vendin dhe se, sipas tij, qeveria po e largon Shqipërinë nga rruga drejt BE-së. ‘Kriza e vendit ka marrë një dimension tjetër shumë të rrezikshëm. Me zhvillimet e fundit, Edi Rama u provoi shqiptarëve dhe botës se ai është i gatshëm për të mbrojtur vjedhjet dhe krimet e tij dhe të mbyllë për qytetarët shqiptarë dyert e Brukselit’, u shpreh ai. Sipas Berishës, Eid Rama po e rreshton vendin në një linjë politike të afërt me Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiç. ‘Në vend të pasaportës europiane që u premtoi shqiptarëve, Edi Rama tani po u ofron pasaportën serbe’, deklaroi Berisha, duke e cilësuar këtë një veprim që dëmton interesat strategjike të Shqipërisë.

Duke folur për situatën në rajon, lideri i PD-së Sali Berisha i shpreh se, Serbia po përballet me probleme serioze në raport me BE-në, duke përmendur marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe qëndrimet ndaj zhvillimeve në Ballkan. Ai theksoi se Shqipëria nuk duhet të lidhet me këto problematika. ‘Serbia ka probleme madhore me Bashkimin Europian dhe problemi numër një i saj është se ajo vazhdon të dëshmohet si Rusia e vogël në Ballkan’, tha ai.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha u ndal edhe tek zhvillimet në Kosovë, duke theksuar se ka mbajtur gjithmonë qëndrimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të saj. Ai vlerësoi funksionimin e institucioneve kosovare dhe tha se problemet politike atje janë trajtuar brenda kuadrit ligjor. ‘Kosova i ka zgjidhur problemet e veta në mënyrën më demokratike dhe në të gjitha rastet ka demonstruar se institucionet kushtetuese të saj janë funksionale’, u shpreh ai.

Kreu i opozitës shqiptar Sali Berisha komentoi gjithashtu edhe zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e mundshëm për Shqipërinë. Ai tha se nuk sheh rrezik real për vendin, duke theksuar se Shqipëria është pjesë e aleancës së NATO. ‘Sulmi ndaj bazës së muxhahedinëve iranianë në Shqipëri do të ishte sulm ndaj territorit të një vendi anëtar të NATO-s, ndaj nuk ka asnjë rrezik për Shqipërinë’, deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi edhe zhvillimet në administratë dhe në politikën shqiptare, duke u ndalur te çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe raportet e saj me kryeministrin Rama. Ai akuzoi qeverinë për korrupsion dhe për përpjekje për të mbrojtur zyrtarët e saj nga drejtësia.

Në përfundim të bashkëbisedimit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar. ‘Sot ka një kushtrim për çdo qytetar të braktisë shumicën e heshtur dhe të hidhet në sulm për të larguar Edi Ramën nga pushteti’, tha ai, duke theksuar se protesta e 12 marsit synon dorëheqjen e kryeministrit dhe, sipas tij, rikthimin e votës së lirë për qytetarët shqiptarë. Në këtë kuadër, ai i ftoi qytetarët të bashkohen në një ‘kryengritje paqësore’, duke theksuar se ‘12 marsi është dita e qytetarëve’, ndërsa protesta para Parlamentit do të jetë, sipas tij, një moment i rëndësishëm për reagimin qytetar ndaj qeverisë.

FJALA E PLOTE:

Dëshiroj të theksoj se kriza e vendit mori një dimension tjetër shumë të rrezikshëm.

Me zhvillimet e fundit, Edi Rama u provoi shqiptarëve dhe botës se ai është i gatshëm për të mbrojtur vjedhjet dhe krimet e tij, të mbyllë për qytetarët shqiptarë dyert e Brukselit.

Ai bëri një letër së bashku me padronin e tij, Vuçiç, e rreshtoi Shqipërinë krahas Serbisë në raport me procesin e integrimit në BE.

I bëri shërbimin më të keq dhe më antishqiptar vendit tonë.

Serbia ka probleme madhore me Bashkimin Europian dhe problemi numër një i saj është se ajo vazhdon të dëshmohet si Rusia e vogël në Ballkan.

Probleme të tjera madhore të BE me Serbinë janë marrëveshjet që Serbia ka me Rusinë dhe republikat ish-sovjetike.

Janë qëndrimi që mban Serbia ndaj gjenocidit serb në Bosnje.

Janë ndërhyrjet flagrante që Serbia bën në Bosnje dhe Malin e Zi.

Pra, janë një seri problemesh madhore politike me të cilat Shqipëria nuk ka asnjë lidhje përveç tradhtisë së Edi Ramës dhe nënshtrimit pa kushte ndaj Vuçiçit.

Nuk ka gjë më flagrante se kjo miq, pasi si argat i tij u mor me projekte të ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve të saj.


Pasi kërkoi thirrjen e konferencës ndërkombëtare ditën e aktit terrorist në Banjskë të Kosovës, me qëllim që në këtë konferencë të përfshihej Rusia, Big Brother i Serbisë.

Pasi kërcënoi Kosovën se do shndërrohej në kohën e bronzit duke aluduar se Rusia mund të përdorë armë bërthamore kundër saj.

Pasi bëri avokatin e Vuçiçit në të gjitha samitet ndërkombëtare që të mos ndëshkohet Serbia se nuk vendos sanksione ndaj Rusisë.

Pasi firmosi në Novi Sad traktatin e Ballkanit të Hapur që de facto do të thoshte hegjemoni e Serbisë në rajon dhe krijimi i një Jugosllavie të re.

Për të gjitha këto, Serbia mori ndëshkimin dhe kartonin e kuq nga BE.

Në një moment kritik, kur Serbia dënon sulmin e SHBA dhe Izraelit dhe vrasjen e Ajatollah Khameneit, Edi Rama, i provuar armik i egër i Kosovës, njeriu që paditi në gjykatë kryeministrin e Kosovës, i pari që vendosi sanksione ndaj Kosovës, anuloi mbledhjen dhe u përpoq të rrëzonte qeverinë e Kosovës me ndërhyrje të ndryshme, tani del përsëri në krah të Vuçiçit.

Ky është shërbimi më i zi që i bëhet Shqipërisë, shqiptarëve dhe interesave të tyre kombëtare.

Shqipëria, e kemi theksuar dhe e theksoj prapë, në mënyrë absolute nuk plotëson asnjë nga kriteret e domosdoshme për procesin e integrimit në BE përveçse atij gjeostrategjik.

Por Shqipëria nuk ka në hipotekën e asaj asnjërin prej faktorëve antieuropianë të Beogradit, të Serbisë dhe të Vuçiçit.

Rreshtimi i Edi Ramës është jo vetëm një mbështetje në një moment kritik për Vuçiçin, por është njëkohësisht mbyllje e dyerve për shqiptarët.

Dhe ju e dini të dashur miq se një projekt është përgatitur për të shpërbërë plotësisht në varësi nga qëndrimi i qeverisë ndaj shtetit ligjor, imunitetit të Ballukut, një projekt është përgatitur për të zhbërë tërësisht procesin e integrimit të BE me Shqipërinë.

Dhe përballë tyre janë përpjekjet e vazhdueshme të Edi Ramës për të sfiduar haptas qëndrimin e BE ndaj Shqipërisë.

Ju e patë se si Lubi Balluku mblodhi ministrinë dhe me duartrokitje dhe mallëngjime u paraqit para tyre sikur të ishte heroinë dhe jo një delinkuente e zezë, hajdutja më e madhe që kombi ka pasur në tërë historinë e vet.

Ju e patë sfidën që ajo u bëri qytetarëve shqiptarë, e cila po bëhet kazus, po bëhet shkak për rrënimin e të ardhmes së çdo shqiptari.

Ju e patë se ajo me tekstin e përgatitur nga Edi Rama zotohej se ajo nuk ka kryer asnjë vepër, por ka realizuar suksese të mëdha dhe nuk ka bërë korrupsion.

Këto janë zhvillime dramatike.

Këto zhvillime janë një apel, një kushtrim për çdo qytetar të këtij vendi, pavarësisht nga bindjet politike, të bashkohemi për largimin sa më të parë të Edi Ramës si një rrezik madhor kombëtar për çdo shqiptar, për qenien dhe të ardhmen tonë.

BASHKEBISEDIMI ME QYTETARËT:

Erenik Pollozhani: Cili është qëndrimi juaj për zhvillimet në Kosovë.

Sali Berisha: Nëse keni ndjekur qëndrimet e mia, ato kanë qenë gjithnjë mosndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Ju do më dëgjoni mua të prononcohem vetëm nëse Kosova kërcënohet nga Rusia, Serbia apo faktorë të tjerë.  

Sigurisht unë mund të kem mendimet e mia, por Kosova është një vend i pavarur dhe ajo çka unë kam konstatuar gjer sot, ka zgjidhur problemet e veta në mënyrën më demokratike.

Pavarësisht se unë mund të kem mendime të ndryshme për ato zhvillime, por fakti që ato marrin përgjigje brenda kuadrit të shtetit ligjor dhe kushtetueshmërisë përbën një zhvillim të rëndësishëm për Kosovën.

Astrit Veshi: A po rrezikon Kosova nga një demokraci solide, me përsëritjen e shpeshtë të zgjedhjeve dhe jo stabilitetin qeveritar të kthehet në të kundërtën, në një vend që ka demokraci, por që nuk vetëqeveriset dot.

Sali Berisha: Mendoj se është shpejt të arrihet në këtë konkluzion. Duhet të presim sepse siç keni konstatuar, në të gjitha rastet Kosova ka demonstruar se institucionet Kushtetuese të saj janë funksionale.

Unë e kuptoj shqetësimin dhe problemin që ju keni me vendimet e fundit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk kemi të dhëna se kontrollohet nga ajo palë apo kjo palë.

Në vendimet e saj ka dëshmuar në tërësi se është një gjykatë që funksionon mbi bazën e ligjit. Ndaj dhe unë nuk do të avancoja prononcimin tim në një kohë kur gjykata ka marrë përsipër të shqyrtojë vendimin e fundit të presidentes Osmani.

Albanian Americans: Doktor, ka disa zëra në media që thonë se edhe Shqipëria rrezikon nga konflikti në Iran. A janë këta njerëz që ndihmojnë narrativën iraniane të rrezikut apo ka ndonjë rrezik real?

Sali Berisha: Mendoj se regjimi iranian zbatoi strategjinë e eksportit të konfliktit, dhe vetëm për këtë strategji që dëshmoi do t’i heqin të gjitha të tjerat, por gatishmërinë e këtij regjimi për të ndezur konfliktin në një seri vendesh të tjera, në vlerësimin tim duhet të ishte shkaku më themelor i përpjekjeve të largimit qoftë edhe militar të atij regjimi nga Irani.

Sot, le të shohim sa do e mbajnë, Pezeshkian, kryetari i atij regjimi ka deklaruar se nuk do sulmojë më vendet fqinjë.

Tani vijmë tek Shqipëria. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Nga baza e MEK, e muxhahedinëve iranianë në Shqipëri, asnjë sulm konkret ndaj Teheranit nuk është ndërmarrë.

Kështu që sulmi ndaj asaj baze do ishte sulm do ishte sulm ndaj territori të Shqipërisë, ndaj territorit të një vendi anëtari të NATO-s dhe Shqipëria ka të drejtën e plotë të kërkojë mbrojtje nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.

Dhe jam i bindur se asnjë rrezik nuk paraqitet për Shqipërinë.

Dhe ata që u bien borive, përpiqen të mbjellin panik, por asnjë rrezik nuk ka.

Linord Germenji: Rama e gjeti edhe njëherë pretekstin e luftës për të rritur çmimin e naftës. A do dorëzojë PD ndonjë nismë për uljen e taksave në Kuvend?

Sali Berisha: PD do dorëzojë nismë për uljen e taksave dhe është e vendosur në këtë drejtim. Por çmimi i naftës dhe ju e keni kapur shumë drejt, çmimi stratosferik i naftës në Shqipëri nuk është nga lufta, por është nga taksat 1.1 euro për litër që merr qeveria shqiptare si asnjë qeveri tjetër në Europë dhe në botë nga nafta.

Qeveria amerikane e shet naftën me 1.1 dollarë, kurse ky e taton naftën 1.1 euro.

Desada Xhetani: Doktor përshëndetje. Në çfarë rrethanash ju e dinit se Rama do shkarkojë Spiropalin?

Sali Berisha: Siç është e qartë, në të gjitha veprimet, Lubia si një njeri i rrahur me vaj dhe uthull, e ka skllav Ramën sepse aktiviteti vjedhës, korurptiv i tyre është edhe 25-vjeçar.

Ajo ka qenë asistentja kryesore në të gjitha vjedhjet e Ramës në bashki dhe ato kanë arritur sipas raportit të OSBE në 200 milionë euro në bankat offshore, që Rama nuk e kundërshtoi dot kurrë këtë akuzë.

Në këtë kuadër, të them realitetin, është Lubia ajo që komandon plotësisht Ramën.

Dhe ju keni konstatuar se si Rama është bërë avokati më kryesor i saj qoftë në gjykata, qoftë në publik, qoftë kudo, gjë të cilën Spiropali nuk e mori përsipër.

Sepse Spiropali në takimet e saj, ku në çdo takim, çështja e parë që i ngrihej ishte çështja Balluku, Spiropali nuk shprehej se ajo është e pafajshme, por shprehej në mënyrë evazive se shpresoj që drejtësia të mos pengohej dhe të gjitha këto nga shoqëruesit e saj i shkonin direkt Ramës dhe Lubisë.

Dhe unë këtë e pata paralajmëruar prej kohësh se e mora vesh dhe do ketë edhe të tjerë.

Se asnjë nga këta që takohen me të huaj, këta që në parlament rrahin gjoksin dhe bëhen avoketër të saj, në takimeve të huaj nuk thonë një fjalë në mbrojtje të saj, por lënë të kuptohet se gjithçka është nga lidhja e saj me Ramën sa janë të habitur i gjithë komuniteti ndërkombëtar se çfarë lidhje.

Por ata gabojnë një gjë, komuniteti ndërkombëtar.

Të gjithë ata që mendojnë se në shumëllojshmërinë e lidhjeve, disa janë parësore, unë u them atyre se lidhjet më të tmerrshme, më të pazgjidhshme janë lidhjet në krim.

Dhe çdo aludim për lidhje të tjera është i gabuar.

Lidhja e Lubi Ballukut me Edi Ramën është lidhje në krim.

Ky është gjithë problemi, prandaj ai nuk e lëshon dot.

Dhe do ketë edhe koka të tjera.

Si ia mbylli gojën Taos ky? I zgjodhi regjistrimet e Oltion Bistrit. Ajo është marrë me një veprimtari të zezë përgjuese ndaj tyre si askush tjetër.

Dhe Ramën ajo e ka përgjuar në çdo lloj drejtimi.

Genc Gjonbalaj: Dje policia ka sulmuar edhe aktivistët e Adriatik Lapajt. A mendoni se po përshkallëzohet dhuna ndaj zërave kundër.

Sali Berisha: Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj aktivistëve dhe protestuesve paqësor para kryeministrisë të Lapajt dhe heqjen e çadrës së tyre. Ky është një akt, antiligjor, i turpshëm i një frikacaku që ka tolerancë zero ndaj kundërshtatëve.

Sikundër dënoj, aktin kriminal dhe banditesk të Taulant Ballës në parlamentin shqiptar, me porosi të Edi Ramës, në një hakmarrje të verbër, primitive ndaj Albana Vokshit e cila ka qenë zë i fuqishëm në mbarë komunitetin ndërkombëtar ndaj narkoregjimit. Edi Rama urdhëroi Taon e tij për të përdorur një gjuhë prej stërodineri, një gjuhë me të cilën ai meriton ndëshkimin më të madh.

Dënon gjithashtu përjashtimin pa asnjë motiv 20 ditë të deputetit Agron Shehaj nga parlamenti, si një verbëri e Edi Ramës, sepse të gjitha kryhen me urdhër të Edi Ramën, dhe si një përpjekje për të shuan çdo zë opozitar.

Agron Molla: Doktor, kam një pyetje. Janë disa demokratë që tani kanë filluar punë në administratën Rama 4. A kanë të drejtë vote në përzgjedhjen e votës në primare?

Sali Berisha: Këtë duhet ta vlerësojnë degët e PD-së. Asnjë të drejtë vote as në primare, as në sekondare, asnjëherë, nuk kanë ata që kanë bashkëpunuar kundër PD me qeverinë.

Natyrisht ata, të cilët, pavarësisht nga detyra ku janë, kanë qenë mbështetje e PD, nuk mund t’u mohojmë të drejtën e votës.

Xhorxhia Niço: Belinda Balluku u duk shumë e qetë pas dorëzimit të detyrës, mendoni se ka rënë dakord me Ramën që të mos ja dorëzojë imunitetin?

Sali Berisha: Dje ajo tregoi edhe njëherë se Rama është një skllav i saj. Nuk kishte shfaqje më të turpshme se takimi i saj me ata mëkatarë, që dëshmuan se janë bashkëautorë në vjedhjet e Lubisë.

Vetëm njerëz që kanë vjedhur bashkë me të, mund të duartrokisnin Lubinë si heroinën e tyre. Pra në një farë mënyre ajo i ekspozoi ata punonjës në shkallë ekstreme si bashkfajtorë, si bashkëhajdutë.

Unë këtë interpretim do ti jap takimit të saj të djeshëm.

Laert Mera: Doktor, dje ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet edhe sekretarja për marrëdhëniet me publikun, Jola Hysaj. Çfarë po bëhet me organizimin në PD se ikjet sidoqoftë nuk janë të mira, pavarësisht justifikimeve?

Sali Berisha: Jola Hysaj më ka dërguar dje një mesazh në të cilin më falënderon për bashkëpunimin, por më njofton se ka vendosur të japë dorëheqjen. Dhe unë e falënderoj për kontributin që ka bërë dhe respektoj plotësisht vendimin e saj.

Dorëheqjet janë një akt normal në një parti demokratike dhe në një shoqëri të lirë.

Në këtë rast ajo dha kontributin e saj, nuk mund t’i mohohet.

Por nga ana tjetër ajo arriti në përfundimin se duhet të ndërpresë aktivitetin e saj politik për arsye të saj dhe kjo është një zgjidhje që ka bërë dhe unë ia respektoj.

Sylë Ismailaj: Gjendja e vendit është e mjerueshme për shkak të kësaj qeverisje të korruptuar dhe kriminale të drejtuar nga Ramaduro. Për rrëzimin e saj duhet organizim në embrion të PD. Në takimin me kryetarët e degëve ju kërkuat organizim dhe organizim. Sa jeni në dijeni që po zbatohet kjo porosi në terren dhe sa po zbatohet statuti në bazë.

Sali Berisha: Mendoj se organizim, organizim, organizim, mbetet përsëri kryefjalë e veprimtarisë tonë. Nuk mund të mohoj se përpjekjet janë, por përpjekje shumë më të mëdha për organizimin, konsolidimin, ripërtëritjen dhe hapjen e PD-së janë të një rëndësie vendimtare në përmbushjen e misionit.

Mendoj se është i domosdoshëm një dialog intensiv i të gjithë demokratëve me të gjithë qytetarët shqiptarë, të të gjitha bindjeve politike.

Sot qëndrimi në shumicën e heshtur është bashkëfajësi. Çdo qytetar duhet ta ketë të qartë një gjë; Mbështetja më e rëndësishme nuk i vjen narkoregjimit nga zyrtarët e tij, se ata vetëkuptohet që e mbështesin, nga pseudoinstitucionet e tij, por i vjen më e çmuara dhe e rëndësishmja nga shumica e heshtur.

Dhe sot mendoj se çdo qytetar nuk ka asnjë motiv të jetë anëtarë i asaj shumice ku sheh vendin se si po rrokulliset.

Tani po vij nga një takim me mësuesit. Për të gjithë ata që kanë fëmijë, që vlerësojnë dhe besojnë në shkollimin dhe edukimin e tyre, përshkrimet që ata i bënë situatës së arsimit dëshmonin për një shpartallim të këtij sistemi.

Fakti që sot ne numëronim 49.4% më pak nxënës në shkollat parauniversitare se sa në vitin 2013, është një alarm, është një sirenë në ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar.

Le ti shtrojë vetëm qytetari shqiptar. Nëse në 11 vite ne humbëm 49.4% të nxënësve sa do kemi ne nxënës me Edi Ramën, pas 11 vitesh të tjera. A do pranojmë ne këtë katastrofë demografike kombëtare që zhvillohet para syve tanë dhe që zhvillohet vetëm për shkak të vjedhjeve të tmerrshme që kjo qeveri u bën fondeve dhe pasurive publike.

Pra sot ka një kushtrim, ka një apel, ka një thirrje për çdo qytetar të braktisë shumicën e heshtur, të hidhet në sulm në përpjekje me të tjerët në mënyrë që të arrijnë largimin e Edi Ramës nga pushteti, të votojmë të lirë si qytetarë dhe të ecim drejt një Shqipërie me shpresë, me të ardhme për çdo shqiptar.

Silvana Dangëllia: A mendoni se duhet të jenë më radikalë në parlament? A duhet të ndërmerrni hapa të tjerë se ata nuk po pyesin më? Vetë vulosin, vetë firmosin, ngrenë kartonët verbërisht.

Sali Berisha: Parlamenti nuk është më parlament. Parlamenti ditën e parë u hap për herë të parë në 33 vite si parlament i aneksuar totalisht nga shumica në kuptimin që për të akaparuar çdo funksion të rëndësishëm në parlament, për herë të parë si kurrë më parë u rikompozuan komisionet, u hoqën opozitës të gjitha komisionet e rëndësishme dhe një komision u nda në tre komisione.

U bënë ndërhyrje të tjera të njëanshme në kundërshtim flagrant me rregulloren, e cila thotë se rregullorja nuk lëviz pa miratim konsensual.

E përmbysën rregulloren dhe nga ai moment parlament Shqipëria nuk ka pasur.

Ne jemi para kësaj alternative, të shkojmë apo të mos shkojmë në parlament. Midis këtyre të dyjave, ne kemi vendosur të shkojmë në parlament.

Pse? Të garantoj se Edi Rama nuk do asgjë tjetër përveç braktisjes së parlamentit nga ana jonë. Dhe ne nuk mund t’ia bëjmë këtë dhuratë.

Unë u mirëkuptoj ju, por parlamenti nuk ekziston si parlament.

Ai e ka uzurpuar atë.

Dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi plotësisht aktin e aneksimit të parlamentit me ndryshimet. Por njëlloj, ata kanë përgatitur me urgjencë ndryshime të ngjashme në të cilat përgjysmojnë kohën e diskutimit për deputetin.

Pra, jemi në këto rrethana.

Ne do përpiqemi, por zgjidhjen ama duhet ta kërkojmë tek protesta e qëndrueshme kundër këtij regjimi.

Love Albania: Zoti Berisha, a do ketë një task forcë që do gjurmojë vetëm veprimtarinë kriminale të rilindjes në 13 vite pushtet?

Sali Berisha: Një agjenci që do përndjekë të gjitha krimet, pasuritë kriminale, kontot bankare të qeveritarëve do ngrihet dhe ky është premtimi ynë.

Natyrisht nuk mund të them se kjo do zëvendësojë prokurorinë, prokuroria është e pazëvendësueshme, por ajo që do bëjmë ne krahas kësaj, do rishqyrtojmë ligjin antimafia dhe ligjet e tjera, në mënyrë që kuadri ligjor i ri të bëjë të mundur konfiskimin e të gjitha pasurive kriminale të paligjshme në mënyrë të pashmangshme.

Halit Pepmarku: Pse ora e protestave lihet në darkë duke e ditur që njerëzit vijnë nga rrethet dhe policia shfrytëzon rastin dhe bën kërdinë me protestuesit e opozitës?

Sali Berisha: Halit, janë disa arsye që lidhen me punën, lidhen me ditën e punës, lidhen edhe me agjërimin sepse edhe mund ta tolerojnë, por edhe i rëndon protesta gjatë orëve të regjimit.

Pra përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për ta bërë pjesëmarrjen sa më të mundshme.

Megjithatë duhet të them këtu se duke e marrë agjërimin si sakrificë me qëllim që të pranohet nga i gjithëfuqishmi, edhe protesta është një sakrificë që e bën agjërimin edhe më të pranueshëm, edhe më fisnik, edhe më të bekuar nga i gjithëfuqishmi.

Artur Mano: Meqë jemi në festën e 7 marsit dhe ju organizuat një takim të shkëlqyer për arsimin, dua të ju bëj disa pyetje: A do të rivendoset në vend dinjiteti dhe vlerësimi i mësuesit. A do të bëhet realisht buxheti i arsimit sa 5% i prodhimit të Brendshëm Bruto. A do të marrin shkollat tona pajisje didaktike dhe mjete të teknologjisë. A do të mbrohet figura e mësuesit përmes një statusi të veçantë. Programi i PD-së është i shkëlqyer, por a do të ofrojë PD intelektualë dhe mësues të nderuar në ndihmë të realizimit të këtij programi. Numri i nxënësve në këto 10 vitet e fundit pothuajse është përgjysmuar, si do të krijohen organizmat që të adresohet ky problem madhor jo vetëm për arsimin, por dhe për vendin. A do të marrë njeriu vlerën e duhur dhe peshën që i takon në shpërndarjen e të mirave të vendit.

Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjet, të bëra në kohën dhe ditën e duhur. E vërteta është se sistemi arsimor, e thashë dhe pak më parë; nëse do të bësh vlerësimin e arsimit dhe të shëndetësisë, hidhi një sy rrugëve të vendit, të qara dhe të ndara. Arsimi dhe shëndetësia janë më të shpartalluara se sa rrugët që ndërtuan këta.

Arsimi është procesi më serioz i një vendi dhe pavarësisht se ku kemi rënë ne ndryshimin tek arsimi do ta fillojmë me mësuesit. Rivendosjen e mësuesit në piedestalin që meriton, çka nënkupton dyfishimin dhe trefishimin në vazhdim të rrogës së tij, me përparësi të madhe.

Nënkupton rritjen e buxhetit për arsimin në 5%.

Nënkupton modernizmin e mësimdhënies në të gjithë sistemin arsimor dhe kurrikulës.

Nënkupton statusin për mësuesit, nxënësit dhe shkollat.

Nënkupton një mbështetje të fuqishme për universitetet, respektimin e autonomisë së tyre dhe shumëfishimin e investimeve në shkencë për studiuesit në këto universitete.

Pra janë një seri premtimesh të PD-së për sistemin arsimor, dhe këto premtime nuk besoj se ka njeri i cili mund të thotë se bëhen pa bazë. Sepse ne jemi ajo forcë politike që rrogat e mësueseve i rritëm nga 120 deri në 150% sipas kategorisë.

Që dyfishuam numrin e pedagogëve në shkollat e larta. Që katërfishuam numrin e studentëve në shkollat e larta.

Që pajisëm me kompjuter dhe internet të gjitha shkollat e vendit. Nga 850 kompjuter që kishte në këto shkolla ne shpërdamë 26 mijë kompjuter të cilët u vodhën nga rilindja në mënyrë të pamëshirë gjatë këtyre viteve. U vodhën.

Por edhe njëherë dua të theksoj, për çdo mësues, për çdo intelektual. Rreshtimi i plagëve të mëdha të arsimit dhe i alternativës tonë për shërimin e tyre, do të mbeten të gjitha në letër nëse ne nuk largojmë Edi Ramën nga pushteti.

Për çdo mësues, për çdo intelektual misioni më kryesor për të bërë realitet këtë program është të largojmë Edi Ramën si një armik të egër të qenies kombëtare.

Unë po vij nga takimi me mësues, dhe çfarë doli. Vetëm në treguesin demografik sot kemi 49.4% nxënës më pak se në vitin 2013.

Kishim 801 mijë nxënës dhe sot kemi 405 mijë nxënës. Pra kemi 49.4% më pak.

Sa të merrem me çfarëdo fjalë, me çfarëdo alternative, Shqipëria para syve tanë po tretet, ndaj dhe kushtrimi për çdo mësues, çdo intelektual të shpallin armiqësi këtij regjimi. Të mobilizohen më të gjitha mundësitë që ka, me të gjithë nxënësit, me të gjithë studentët, të dalim dhe të largojmë nga pushteti këtë të keqe të madhe që sillet ndaj shqiptarëve si pushtuesi më i keq në histori.

El Meskra: Përshëndetje Doktor, si do të jetë e organizuar protestra e 12 marsit dhe a nuk keni frikë se Edi Rama do e shfrytëzojë protestën që të mbyllë parlamentin brenda pak minutash dhe nuk do lejojë opozitën që të japë qëndrimet e saj për çështjen e Ballukut?

Sali Berisha: Edi Rama çdo skenar mund të zhvillojë dhe është  i aftë të bëjë në parlament çdo provokim dhe të marrë çdo vendim. Por qytetarët vijnë aty për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës.

Qytetarët nuk mashtrohen me Lubi Ballukun.

Qytetarët e kanë të qartë se Lubia është thjesht një shërbëtore e tij që ka vjedhur së bashku me Edi Ramën.

Por hajduti më kryesor i kombit dhe përgjegjës për të gjitha këto është Edi Rama.

Ndaj dhe sqaroj edhe njëherë që protesta e 12 marsit është protestë për dorëheqjen, largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Alban Tirana: Doktor, para disa ditësh ndodheshin në Tiranë 28 politikanë të PPE, të cilët u shokuan nga kapja e shtetit nga Ramaduro, çka tregon se politikanët e PD nuk i kanë informuar kancelaritë evropiane për situatën në Shqipëri. Pra deputetët e PD më shumë duhet të rrinë tek zyrat e BE, PE, KE për t’i informuar për gjëmat dhe bëmat e Ramaduros.

Sali Berisha: Përshëndetje Alban, tani do të rrëfej një gjë personale. Gjatë takimeve me të huaj që kam pasur këto tre vitet e fundit, takimet kanë përfunduar jo në një, por në disa raste me një konkluzion të tyre, se këtu po dëgjojmë gjëra të paimagjinueshme, por që janë të vërteta sepse unë në takime, unë përdor dokumente.

Ngaqë e di vetë se janë të vështira për t’u besuar, atëherë unë çdo paraqitje që bëj, e paraqes me dokumente.

Pra, desha të them se sado që të flasim, sado që themi, mendja e tyre e ka të vështirë t’i rrokë ato.

Ta dish se kjo është një nga arsyet kryesore.

PD dhe deputetët e saj kanë bërë, se 7 rezoluta të miratuara nga organizatat ndërkombëtare në të cilat rreshtohen çështjet kryesore, janë rezultat i përpjekjeve të mëdha të përfaqësuesve të PD.

Janë rezultat i tyre. Por prapë këta njerëz, kur erdhën këtu, çfarë dallimi kishte kjo?

Dallimi ishte se kësaj herë na dëgjuan jo vetëm ne, por shkuan dhe takuan grupe nga më të ndryshmet.

Dhe ata gjetën një realitet që nuk ishte i ekzagjeruar.

Gjetën një realitet që nuk mund ta besonin se ishte.

Në Mal të Zi ata u ulën të bëjnë konkluzionin e vizitave në të dy vendet dhe për Shqipërinë thanë se ishin shokuese ato që konstatuan në Shqipëri.

Pra, janë kaq të pabesueshme zhvillimet këtu saqë lë me gojë hapur çdo njeri.

Jo se nuk jemi përpjekur, por këto tejkalojnë çdo gjë.

Nuk po hyj unë të analizoj unë për shembull presupozimet e tyre se pse Rama mbron Lubinë.

Kështu që në këtë drejtim, ti ke të drejtë që shprehesh në atë mënyrë, por të garantoj se deputetët kanë bërë përpjekje shumë të mëdha.

Por zhvillime shumë të pabesueshme që tejkalojnë imagjinatën në Shqipëri, njeriu e ka të vështirë t’i përtypë, t’i pranojë se ndodhin.

Por ja që ndodhin këtu.

Tonin Ndreu: A jemi të vonuar për primaret e zgjedhjeve të vitit 2027?

Sali Berisha: Tonin, siç e sheh, ne po bëjmë zgjedhjet në degët të drejtuesve dhe po bëjmë procesin në parti.

Jam dakord që duhet të fillojmë njëherë paralel edhe me këtë proces për kandidaturat e zgjedhjeve e vitit 2027.

Eduard Kaja: A do të ketë një rishikim të gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar pa të drejtë nga sistemi në mënyrën më të turpshme me etiketën në kurriz si i korruptuar, njësoj si në vitin 1946 kur u shpallën kulakë? Ju po e provoni vetë mbi kurriz se çfarë do të thotë. A duhet t’i vendoset dinjiteti në vend kësaj elite?

Sali Berisha: Keni shtruar një çështje shumë të drejtë. Sot janë mbi 80, 90 prokurorë dhe gjykatës që kanë paraqitur në Strasburg çështjet e tyre dhe unë i përgëzoj ata.

Njerëz me integritet të cilët kanë vendosur të sfidojnë veprimet arbitrare korruptive të Pamela Ballukut dhe të tjerëve.

Garantoj se çdo gjykatës dhe prokuror që është larguar dhe që faktohet në mënyrë ligjore se është larguar pa meritë, është larguar për qëllime politike, do të marrë vendin e tij të nderuar një përputhje me një proces ligjor.

***

Duke përfunduar këtë bisedë, edhe njëherë ftoj çdo qytetar shqiptar, ftoj qytetarët pavarësisht nga bindjet të bashkohemi në kryengritje paqësore, e theksoj paqësore, të qëndrueshme si rrugën më të sigurtë, më jetike për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe rikthimin e të drejtës së votës së lirë tek qytetarët shqiptarë.

Kjo kryengritjen nuk ka qëllim pushtetin e Sali Berishës, apo të kësaj apo asaj partie. Kjo kryengritje ka në radhë të parë, dinjitetin e çdo shqiptari që nuk mund të nëpërkëmbet nga një organizatë kriminale që i dhunon votën shqiptarëve.

Nga një organizatë kriminale që i vjedh fondet e tyre në masën 90%. Që vjedh miliarda në pasuritë e tyre publike dhe që tani kërkon të bëjë ligje për të ç’kriminalizuar vjedhjen nga qeveritarët, pra për të mbrojtur qeveritarët që vjedhin.

Nuk kanë ndodhur kurrë në histori, akte të tilla flagrante.

Gjithashtu ftoj çdo qytetar që ëndërra e tij për të ardhmen më të mirë është integrimi i Shqipërisë në BE, për atë dhe fëmijët e tij. Të bashkohemi se sot Edi Rama në vllazëri me Vuçiçin, po i mbyll dyert Shqipërisë në procesin e integrimit në BE dhe në vend të pasaportës Europiane që e premtoi me qindra e mijëra herë, ofron tani për shqiptarët pasaportën serbe.

Fatin duhet ta marrim në duart tona.

12 marsi është dita e qytetarëve. Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë të vërshojnë tek parlamenti, në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale