PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA PAS TAKIMIT ME ZYRTARIN GJERMAN, CHRISTIAN FORNECK
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha zhvilloi një prononcim për mediat pas takimit me zyrtarin gjerman Dr. Christian Forneck, këshilltar për politikën e jashtme dhe të sigurisë pranë grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag në selinë e Partisë Demokratike.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha vlerësoi rolin e Bundestagut si një mbështetës i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se ky institucion ka ndjekur me seriozitet dhe përgjegjësi zhvillimet në rajon dhe ka kërkuar vazhdimisht që integrimi të bazohet në meritë dhe standarde konkrete.
Lideri demokrat bëri të ditur se në takim u diskutua gjerësisht mbi situatën politike në Shqipëri, ku ngriti shqetësime për deformimin e procesit zgjedhor dhe përqendrimin e pushteteve në duart e kryeministrit Edi Rama. Berisha akuzoi qeverinë për lidhje me krimin e organizuar dhe ndikim të grupeve kriminale në vendimmarrje, duke e cilësuar këtë si një rrezik për sigurinë e vendit dhe më gjerë.
Në këtë kuadër, kryedemokrati theksoi se opozita synon të intensifikojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Gjermaninë, për të garantuar që procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian të mbetet i bazuar në shtetin ligjor, funksionimin e institucioneve dhe ekonominë e tregut.
Berisha shtoi se, pavarësisht përpjekjeve që bëhen për të diskredituar opozitën në arenën ndërkombëtare, Partia Demokratike mbetet e përkushtuar ndaj integrimit europian si objektiv kryesor politik. Ai nënvizoi se një proces i bazuar në meritë është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të vetë Bashkimit Europian.
PRONONCIMI I PLOTË
Zyrtarët e Bundestagut janë miq të shkëlqyer të cilët i kanë dhënë një ndihmë të çmuar në opozitë dhe në qeveri, në kohëra të mira dhe në kohëra të vështira, Partisë Demokratike.
Diskutuam gjerësisht për këtë bashkëpunim dhe e njoha mikun e çmuar me të gjitha zhvillimet në Shqipëri.
Me shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale nga Edi Rama, në përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e një njeriu.
Në rolin e jashtëzakonshëm të drogës ku informova në Shqipëri, në dallim nga Gjeorgjia dhe Bjellorusia, nuk është rusi Big Brother, siç është atje, por Big Brother këtu është droga, dhe Big Brother janë klanet e drogës të lidhura me kreun e Meduzës, që është Edi Rama.
Ramë dakord që të intensifikojmë bashkëpunimin në interesin më të mirë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, i cili, theksoj edhe njëherë, duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, sepse vetëm një proces i bazuar në meritë është interesi absolut i qytetarëve shqiptarë.
Është interesi absolut më i mirë i qytetarëve të BE.
Një Shqipëri, epiqendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, të Europës dhe të botës, siç cilësohet në disa raporte të Departamentit të Shtetit, është një rrezik real për paqen, sigurinë në Shqipëri, rajon e me gjerë.
Ndaj dhe kushtet, për mendimin tim, se jemi dakord me miqtë, duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, çka ekzistojnë të gjitha mundësitë, por jo me Edi Ramën.
Edi Rama është udhëheqës kryesor i klaneve të drogës në Shqipëri.
Gazetarët: Z. Berisha, ju keni bërë një seri takimesh sa i përket përfaqësuesve të Bundestagut. Cilat kanë qenë reagimet e tyre pasi ju i keni njohur me këtë, le të themi me faktet tuaja apo pretendimet tuaja në lidhje me qeverisjen e vendit?
Sali Berisha: Tani, duhet të dimë një gjë. Bundestagu është parlamenti që, siç e dini, ka ndjekur në mënyrën më serioze dhe më të përgjegjshme, por edhe dashamirëse, dua ta them këtu, procesin e integrimit të vendeve tona të rajonit në Bashkimin Europian.
Pse dashamirëse? Sepse edhe në kohërat e skepticizmit më të madh, ky institucion nuk ra në një skepticizëm të tillë, por përkundrazi, insistoi dhe insiston që ky proces të vazhdojë i bazuar në meritë.
Ju kujtohet ju, mendoj se plani i tyre, kërkesat e tyre prej 13 pikash për Beogradin kanë qenë një dokument, do ta quaja historik, të cilit në qoftë se Serbia do t’i ishte përmbajtur, do ishte sot absolutisht anëtare e Bashkimit Europian.
Plani prej 15 pikash, që hartuan për Shqipërinë bazuar në misionet e tyre fact-finding, në qoftë se do ishte zbatuar, Shqipëria do ishte, ndoshta afër vendit anëtar ose pothuaj anëtar. Pra, kanë bërë, kanë mbajtur, kanë pasur interesa shumë serioze, shumë të përgjegjshme.
Përpjekja jonë është kjo, thjesht, që Bundestagu të ruajë këtë interes që ka pasur, për këtë proces jetik për shqiptarët. Ne jemi një forcë politike që përkrahim, kemi objektiv kryesor tonin integrimin në Bashkimin Europian.
Ne e kemi deklaruar dhe e deklarojmë, pavarësisht nga mashtrimet që bëjnë lobistët korruptivë të Edi Ramës, apo vetë Edi Rama me ministrat e tij, por që është e vërteta, edhe lobistët korruptivë të Edi Ramës, që nuk janë, se mos kujtoni ju se janë të paktë, janë jo të paktë.
Ata përpiqen ta paraqesin sikur kjo parti nuk ka ndërmend integrimin, por ka projekte të veta, në mënyrë të turpshme. Por fatmirësisht, këto mashtrime kanë marrë fund dhe janë kuptuar se ishin mashtrime të lobuara, të paguara nga Edi Rama.
Ndaj dhe ne jemi të përqendruar që me miqtë tanë të vërtetë të procesit të integrimit, të kontribuojnë, të ndihmojnë që ky proces të jetë proces i bazuar në funksionimin e shtetit ligjor, funksionimin e ekonomisë së tregut, që është dhe interesi absolut më i mirë i shqiptarëve.
Më falni. Akuzat absurde të Edi Ramës se ne po e denoncojmë këtu apo atje, dhe unë u them dhe atyre pak individëve që e mbështesin. Nacionalizmi mafioz, nacionalizmi i mafies është strofulla e mafiozëve dhe s’ka asgjë të përbashkët me interesat patriotike, atdhetare të qytetarëve.
Sipas tyre, ne duhet ta fshehim, ne duhet të eksportojmë kartele droge. Duhet të vazhdojmë të kryesojmë, të jemi vendi i parë në eksportin e kanabisit. Të jemi vendi kryesor në transportin e kokainës nga Amerika Latine në Europë e të tjerë e të tjerë me radhë, dhe këto duhet t’i fshehim. Këto nuk duhet t’i themi.
Në kohë kur këto ne i mësojmë nga bota, janë të gjitha agjencitë e huaja, se po të jetë për agjencitë shqiptare, ato janë të droguara. Janë të droguara.
Ju e shihni, a ka gjë më të turpshme se sa çdo javë një vend europian vjen për të arrestuar kriminelë në call-centra. Asnjë! Pse ndodh kjo? Se të gjitha call-centrat janë në patronazhin e shtetit. Me në krye Olsi Ramën, Amant Josifin që i drejton nga Dubai e të tjerë. Dhe ndaj këtu nuk kapen, dhe çdo javë ka aksion, këtë javë ishin francezët, para tyre ishin austriakët, ishin gjermanët, me radhë.
Pra, e kanë shtruar Shqipërinë, po e shtrojnë Shqipërinë në një gropë të zezë, të turpshme, të vjedhjes, plaçkitjes së pensionistëve të atyre vendeve.
Po që s’mund të ndodhi kurrë në asnjë vendi. Po vende që i ka dhënë miliarda Shqipërisë në rrugën e saj. Por këto, sepse familja Rama, në këtë rast Olsi Rama, është kryepeshkaqeni i call-centerave. Faleminderit!


