KONFERENCA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u rikthye nga Shtetet e Bashkuara me një mesazh të fortë politik ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se në takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë amerikanë, në qendër të diskutimeve ishte ajo që ai e cilësoi si ‘narkoshteti’ shqiptar.
Gjatë konferencës së sotme për gazetarët, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha tha se vizita në SHBA kishte si qëllim prezantimin e qëndrimit të opozitës shqiptare për situatën politike, ekonomike dhe institucionale në vend. ‘Garantoj shqiptarët se në takimet tona, nuk ka pasur asgjë personale. Gjithçka ka qenë në interesin e çdo shqiptari që dëshiron të jetojë i lirë dhe me dinjitet në këtë vend’, deklaroi Berisha, duke shtuar se në qendër të bisedimeve me kongresmenë, senatorë dhe zyrtarë të administratës Trump ishte ‘narkoshteti dhe pasojat shkatërrimtare të tij’.
Sipas kryetarit të PD-së, opozita ka paraqitur në SHBA argumente dhe dokumente mbi lidhjet që ai pretendon se ekzistojnë mes strukturave të pushtetit dhe trafikut të drogës. Berisha e lidhi këtë situatë edhe me ekonominë dhe krizën demografike të Shqipërisë. ‘Ne u ndalëm me miqtë tanë në historikun e transformimit të Shqipërisë në narkoshtet si një politikë zyrtare e Edi Ramës’, tha ai.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se ka krijuar një sistem ku, sipas tij, shteti ligjor është zëvendësuar nga interesat e mafies. ‘Dëshira jonë është që Kushtetuta të mbizotërojë dhe shteti ligjor të mos jetë i zëvendësuar nga shteti i mafies’, u shpreh kryedemokrati.
Lideri i demokratëve Sali Berisha i kushtoi një pjesë të deklaratës së tij, fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump në konventën republikane ku mori pjesë delegacioni shqiptar. Ai tha se Trump vendosi në qendër të fjalimit të tij dy rreziqe: komunizmin dhe trafikun e drogës. ‘Dy ishin rreziqet kryesore. Rreziku komunist dhe rreziku i trafiqeve’, tha Berisha, duke shtuar: ‘Nëse ka sot regjim që qëndron mbi këto dy shtylla, është regjimi klasik i Tiranës i Edi Ramës.’
Gjatë fjalës me gazetarët, kryetari i PD-së akuzoi mediat proqeveritare shqiptare se e kanë censuruar këtë pjesë të fjalimit të Trump. ‘Droga dhe komunizmi, komunizmi dhe droga’, deklaroi Berisha, duke e paraqitur këtë si një përputhje mes mesazheve të presidentit amerikan dhe kritikave që opozita shqiptare i ka bërë prej vitesh qeverisë Rama.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, lideri i opozitës Sali Berisha tha se opozita ka gjetur mirëkuptim në takimet e zhvilluara në SHBA dhe se shqetësimet e saj nuk ishin të panjohura për palën amerikane. ‘Ne folëm me fakte, argumente, dokumente, por unë nuk pashë ndonjë gjë që bashkëbiseduesit tanë të habiteshin me atë që thoshim’, tha ai.
Sipas tij, edhe deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për rrezikun që paraqesin kartelet e drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre për sigurinë amerikane janë tregues i vëmendjes që SHBA i kushton kësaj çështjeje.
Kryetari i Partisë Demokratike e lidhi gjithashtu situatën me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë për përdorimin e strukturave kriminale në procesin zgjedhor dhe duke e cilësuar procesin si ‘farsë elektorale’. Berisha në fjalën e tij, paralajmëroi se opozita do të vijojë aksionin politik dhe hetimor ndaj qeverisë, ndërsa e përmbylli konferencën me një tjetër sulm ndaj Edi Ramës dhe kabinetit të tij. ‘Unë po i ndjek me shumë interes dhe jo pa kënaqësi këto zhvillime në klanin e tyre mafioz’, deklaroi Berisha, duke iu referuar përplasjeve të pretenduara brenda mazhorancës.

FJALA E PLOTE:
Pas kthimit nga SHBA, ku së bashku me kryetarin e Partisë Republikane morëm pjesë në delegacionin e IDU si anëtarë delegacioni në Konventën Republikane të zgjedhjeve të mesmandatit, dhe sekretarin për marrëdhënien ndërkombëtare, sekretarin organizativ, nënkryetarin e partisë dhe kryetaren e LDG, morëm pjesë në konventën më të bukur të organizuar në SHBA.
Dhe kur them në SHBA, kjo vetëkuptohet edhe në planetin tonë, pasi askush nuk e ka më të madhe fantazinë dhe magjinë elektorale dhe organizative të të konventave sa e kanë dy partitë e mëdha, dhe tani konkretisht partia në pushtet e SHBA, Partia Republikane.
Sa për hyrje, në mënyrë të çuditshme ky udhëtim sado që është 35 vite larg dhe po të doni thoni edhe vite drite larg udhëtimit tim të parë, i kishte 3 ngjashmëri me të.
Së pari, në udhëtimin tim të parë dhe në këtë udhëtim unë shkoja në SHBA si kryetar i opozitës apo partisë më të madhe opozitare. Kjo është e vërteta.
Së dyti, në atë udhëtim dhe në këtë udhëtim, unë shkova me një qëllim kryesor: të kërkoj mbështetjen e administratës së SHBA dhe të diasporës tonë, atëherë për përmbysjen e diktaturës totalitare komuniste, kësaj here të diktaturës autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Së treti, në atë udhëtim ku unë me mikun tim të ndjerë Gramoz Pashko shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA, thashethemi dhe i tëri establishmenti u tërbuan kundër nesh.
Ata lëshuan ndaj meje dhe Gramoz Pashkos të gjitha epitetet e tradhtisë, agjenturës, etj, etj, por kësaj radhe nuk ishin më të pakëta.
E vërteta është që në Makondën e Kolonel Buendias, kësaj radhe, të themi të vërtetën, për shkak të shumësisë së medieve ishin edhe më të shumta.
Edi Rama u tmerrua.
Atij iu shndërruan sarajet e Surrelit në një bunker terrorizues dhe non-stop lëshonte porosi tek puthadorët e tij, por unë nuk do ndalem në këtë kapitull sepse kjo do të jetë subjekti i një vepre satirike që kanë filluar ta shkruajnë.
Ndaj dhe unë, në detyrim ndaj shqiptarëve, duhet të informoj për takimet që pata, për pjesëmarrjen në konventë, takimet me zyrtarët e lartë, përfaqësues të lartë të Kongresit të SHBA, por edhe të administratës së presidentit Trump, takime me diasporën shqiptare në Nju Jork, në Teksas dhe kudo që shkuam.
Së pari, në vizitën tonë, ne kishim qëllim të qartë të paraqisnim pikëpamjet e opozitës para përfaqësuesve të lartë të popullit amerikan, të SHBA, përfaqësuesve të lartë në Kongres dhe në administratë.
Garantoj shqiptarët se në takimet tona, nuk ka pasur asgjë personale. Gjithçka ka qenë në interesin e çdo shqiptari që dëshiron të jetojë i lirë dhe me dinjitet në këtë vend, që dëshiron të zgjedhë njerëzit që do për përfaqësim, që dëshiron që Kushtetuta të mbizotërojë dhe shteti ligjor të mos jetë i zëvendësuar nga shteti i mafies.
Kështu që në epiqendër të të gjitha bisedimeve tona në takime të veçanta me kongresmenë, me senatorë, me zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump kanë qenë së pari narkoshteti dhe pasojat shkatërrimtare të tij mbi ekonominë, qenien, rendin kushtetues, shtetin ligjor në Shqipëri.
Shokun e tmerrshëm demografik të tij ndaj shqiptarëve!
Unë besoj se në takimet tona të paraqitura gjerësisht para jush për të mos i rikthyer nga e para, ne kemi qenë avoketër të ndershëm të interesave të qytetarëve shqiptarë.
Ne u ndalëm me miqtë tanë në historikun e transformimit të Shqipërisë në narkoshtet si një politikë zyrtare e Edi Ramës.
Në lidhjet direkte të Edi Ramës, qeveritarëve të tjerë, familjarëve të tij me klanet më të rrezikshme, me kartelet më të fuqishme të drogës. Me Sinaloan, me kartele të tjera në Aruba, Majorka dhe vende të tjera.
Pra, në qoftë se me përkufizimin e narkoshtetit, angazhimi i elitës politike me trafiqet dhe drogën është një nga kushtet në Shqipëri është i implikuar direkt kryeministri, vëllai i tij, zyrtarë të tjerë dhe kjo me fakte dhe prova të pakundërshtueshme.
Por narkoshteti ka si tipar tjetër themelor narkoekonominë. Dhe provat për këtë janë flagrante.
Janë unike në planet.
Në rrafshin ekonomik Shqipëria tejkalon çdo shtet tjetër të botës për efektet shkatërrimtare të narkoshtetit mbi ekonominë.
Cilat janë?
Zhvlerësimi në 10 vite me 35 përqind i monedhës më të fortë të planetit, dollarit amerikan.
Zhvlerësimi me 32 përqind i monedhës së dytë më të fuqishme të planetit, euros së BE.
E për pasojë, zhvlerësimi po në këtë proporcion i të gjitha eksporteve të bekuara shqiptare.
E për pasojë, rënia sipas EUROSTAT-it të prodhimit industrial në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës pas Ukrainës.
Faktet tona, të dhënat tona ishin lemeritëse.
Por aq sa të rënda janë pasojat e narkoshtetit mbi ekonominë, akoma më të rënda janë mbi demografinë e këtij kombi.
Shoku demografik që ka krijuar narkoshteti është i paprecedent në tërë historinë tonë kombëtare.
Kurrë nuk ka arritur ndonjëherë një pushtues në 10 vite të pakësojë me 47 përqind materien kombëtare.
Nuk ka arritur kurrë një pushtues me vrasjet, shfarosjet, masakrat e tij që të zbresë 100 vite mbrapa lindshmërinë kombëtare të shqiptarëve siç e ka zbritur narkoshteti i Edi Ramës me largimin e shqiptarëve nga Shqipëria.
A ishin këto dëshmi, këto denoncimet tona, rrufe në qiell të hapur në takimet që kishim?
Absolutisht jo. Jo!
Janë një seri aktesh madhore të administratës së presidentit Donald Trump, ku vihet gishti mbi kartelet e drogës, trafiqet si rrezik madhor për kombin amerikan.
U rikujtoj shqiptarëve këtu se për herë të parë në historinë mesazhin që Sekretari i Shtetit, Marko Rubio u dërgon shqiptarëve për Ditën e Pavarësisë, thotë se partneriteti për luftën ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre që përbëjnë një rrezik për sigurinë e qytetarëve amerikanë, është i një rëndësie jetike për ne.
Vetëkuptohet kush janë bashkëpunëtorët, janë ata që presin përfaqësuesit e Sinaloas në zyrë.
Janë ata të cilët dërgojnë përfaqësuesit e qeverisë në Aruba.
Janë ata të cilët u kanë dorëzuar territorin në 523 projekte mafies.
Por nuk është vetëm mesazhi i sekretarit Rubio, është edhe akti i sigurisë së Kongresit Amerikan në përputhje me direktivën e presidentit Trump që ka fokus kryesor rreziqet.
Në takimet tona, tashmë ato që kemi bërë publike, ne diskutuam gjerësisht për farsën elektorale, që organizon Edi Rama për të qëndruar në pushtet.
Për angazhimin e plotë dhe total të karteleve të drogës në procesin zgjedhor.
Paraqitëm fakte, argumente, dokumente, por këto përsëri nuk ishin për miqtë tanë, partnerët tanë rrufe në qiell të hapur. Jo!
Sekretari i Shtetit, Marko Rubio nuk e uroi për fitoren e zgjedhjeve Padrinon.
Dhe kur gazetarët e pyetën pse nuk e uroi sekretari, zëdhënësi u përgjigj se sekretari uron, përgëzon vetëm asta që bëjnë zgjedhje të lira.
Ia la damkën Edi Ramës.
Dhe ne patëm mundësi dhe u jemi shumë mirënjohës miqve tanë, kryetarë komisionesh shumë të rëndësishme, nënkryetarë komisionesh kryesore, zyrtarë, drejtues të departamenteve shumë të rëndësishëm të administratës Trump për interesin e madh që treguan.
Por, natyrisht edhe gatishmërinë për të ndihmuar shqiptarët si një popull mik, si një vend mik, për të kapërcyer këto problematika shumë të rënda.
Nuk mund ta injoronim në takimet tona përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e Edi Ramës, bllokimin e luftës kundër korrupsionit.
Donim, s’donim, por famëzinjtë Balluku, Rama, Agasi, Lindat, etj, ishin personazhe në diskutimet tona.
Ishin, nuk e mohoj. Dhe duhej të ishin.
Se si u përdorën 83 mandate si mburojë e një personi që vetëm me gjashtë dosje kishte 36 vite burg. Dhe që e presin 60 të tjera për gjykim.
Pa diskutim, që si forca politike të shtetit ligjor dhe kushtetutshmërisë, ne shprehëm shqetësimin tonë të madh për përdorimin e drejtësisë si armë politike nga Edi Rama.
Politizimin e saj në dëmin më të madh të Kushtetutës dhe shtetit ligjor.
Të jemi të hapur, Shqipëria, parcelë eksperimentale e Xhorxh Sorosit, ishte çështje tjetër e rëndësishme.
Paraqitëm me fakte, u rrëqethën audienca dhe njerëzit kur dëgjuan se fëmijëve në Tiranë në moshën 13-vjeçare u jepen hormone në një akt kriminal të paparë, të paprecedent kudo në planet në zbatim të doktrinës së Xhorxh Sorosit.
Miq, në tërësi takimet me kongresmenë, me senatorë, me zyrtarë të lartë të administratës së SHBA, janë paraqitur çdo ditë dhe janë raportuar çdo ditë para shqiptarëve.
Por asgjë nuk mund të përshkruhen dy gjëra të tjera.
Nuk mund të përshkruhet madhështia, fantazia e konferencës elektorale të Donald Trump, i cili në dy ditë, në ditën e parë me dy orë pa ndërprerje, në ditën e dytë me 35 minuta, e elektrizoi një sallë të madhe, një stadium, që ishte i zjarrtë.
Çdo shqiptar, po të kishte ndjekur fjalën e presidentit Trump dhe konventën, do t’i dukej se në raport me rreziqet kryesore që paraqiti presidenti Trump para publikut amerikan dhe mbarë botës, Shqipëria ishte brenda atij kuadri.
Dy ishin rreziqet kryesore. Rreziku komunist dhe rreziku i trafiqeve.
Nëse ka sot regjim që qëndron mbi këto dy shtylla, është regjimi klasik i Tiranës i Edi Ramës.
Ndaj mesa pamë, mediat proqeveritare censuruan tërësisht fjalën e presidentit Trump dhe rreziqet që ai përcaktoi për SHBA, dhe natyrisht në mënyrë identike për Shqipërinë. Droga dhe komunizmi, komunizmi dhe droga.
Çfarë t’u them?
Ato dy ditë, në atë konventë ishin dy ditë në fantazi.
Në Llozhën e Lirisë, ku na kishin nderuar mua dhe zotin Mediu, ne krahas ndjekjes së seancës, zhvilluam edhe një seri takimesh të shumta.
Në llozhë, në mjediset rreth llozhës. Të frytshme dhe me interes të plotë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.
Momenti tjetër që nuk ka të përshkruar me fjalë, që ishte vërtet në nivelin e magjisë, pritja vëllazërore që na rezervoi diaspora shqiptare.
Ajo ishte një pritje që tejkalonte çdo parashikim.
Qoftë në Nju Jork, qoftë në Teksas.
Duhet t’u them se në vizitën time të parë, na është bërë një pritje vëllazërore dhe aty jam njohur me personalitete të shquara të diasporës tonë. Me atdhetarë të flaktë, të cilët bënë gjithçka dhe çdo sakrificë për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimin e Kosovës.
Ai ishte një rast i veçantë të përulesha me shumë nderim para tyre.
Në vetvete shprehja dhimbjen se disa prej tyre nuk ishin më.
Por, të tjerë pata fatin t’i takoj, t’i falënderoj personalisht dhe përzemërsisht.
Në tërësi mund t’u them se diaspora shqiptare që takuam kësaj here ishte 35 vite larg asaj që kemi takuar 35 vite më parë.
Ishte diasporë shumë e shumë herë më e fuqishme.
Ishte një diasporë që numëronte me dhjetëra mijëra, në mos më shumë, biznesmenë.
Por jo vetëm kaq.
Jo vetëm sukses në fushën e biznesit, por edhe sukses në fushën e shkollimit, akademike. Rrethohesha nga të rinj që ishin të mirëvendosur në sipërmarrjet më serioze të atij vendi. Të diplomuar në shkollat më të mira.
Dhe përsëri kishin lënë zyrat e tyre dhe kishin ardhur në takim.
Një potencial shumë i madh. Diaspora është një potencial real i jashtëzakonshëm.
Gjithnjë është thënë, mbaju nënë mos ki frikë se i ke djemtë në Amerikë.
Por kësaj here unë u them ju se djemtë e saj janë më të fuqishëm se kurrë dhe të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta ngritur përsëri Shqipërinë në këmbë.
Ishin emotive shumë takimet, dashuria e tyre, atdhetaria e tyre kudo.
Ndaj dhe u kthyem me një optimizëm shumë më të madh.
E quajta vizitë e ripërtëritjes, pa diskutim marrëdhëniet e opozitës shqiptare me SHBA dhe partneriteti do të njohin nivele të reja të merituara.
Pra, një mirënjohje të pakufishme ndaj miqve tanë për takimet, pritjet që na rezervuan.
Një mirënjohje të pakufishme për shqiptarët në diasporë, për frymën vëllazërore me të cilën na pritën.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, si do të impaktojë aksionin e ri opozitar, vizita juaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimet që keni zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, ashtu siç theksuat ku paraqiten problemet e Shqipërisë, a keni marrë garanci dhe mbështetje nga këta zyrtarë amerikanë lidhur me atë që ju e denoncuat si narkoshtetin. Pyetja e parë.
Sali Berisha: Absolutisht kemi gjetur mirëkuptim në ekspozenë tonë dhe e thashë dhe njëherë, që e vërteta është se ekspozeja jonë nuk u ra atyre si rrufe në qiell të hapur. Jo. Aty informacionet ishin.
Mos harro, gjersa Sekretari i Shtetit në mesazhin për pavarësinë, fut një frazë të tillë, po të doni ua nxjerr, po ua lexoj.
Aty thotë që kartelet e drogës dhe bashkëpunimi me kartelet e drogës me autoritetet shqiptare, konsiderohen një rrezik serioz për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve amerikanë. Pra, po të më pyesësh mua, se u thamë ndonjë gjë të re, ne folëm me fakte, argumente, dokumente, por unë nuk pashë ndonjë gjë që bashkëbiseduesit tanë të habiteshin me atë që thoshim. Jo.
Gjersa Sekretari i Shtetit ka bërë një përkufizim, mos harro se ata kanë para dy muajsh kanë bërë një seancë dëgjimore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe janë cituar të gjitha këto probleme në atë seancë.
Pra, po, natyrisht zëri i opozitës ka peshën e vet dhe ai zë ishte i plotë.
Marsi Korreshi: Zoti Berisha, ndërkohë që ju ishit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, do të denonconte në një intervistë për emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Televizion, një tjetër skandal që ka të bëjë me trafikun ndërkombëtar të armëve dhe dyshimet për lidhje me qeverinë. Keni një koment për këtë skandal dhe çfarë do të bëjë opozita pas publikimit të audio-përgjimit?
Sali Berisha: Ai ishte një denoncim i një rëndësie të jashtëzakonshme, në të cilin provohet se një vend anëtar i NATO-s, në kundërshtim flagrant me ligjin shqiptar dhe ndërkombëtar, merret me punë të pista armësh.
Por u them shqiptarëve, se në qoftë se ka binjakë të pandarë, janë droga dhe armët, armët dhe droga. Ai që bën drogën bën dhe armët, ai që bën armët bën dhe drogën.
Në këtë kuadër, mendoj se denoncimi i Arben Ahmetajt, të cilin unë e përgëzoj për këtë denoncim jashtëzakonisht të çmuar, plotëson kuadrin e vërtetë të këtij regjimi.
Sikundër denoncoj me forcën më të madhe kërcënimet që u janë bërë bashkëshortes dhe familjarëve të Arben Ahmetajt, me urdhër padyshim të Edi Ramës dhe strukturave të narkoshtetit.
Sepse pas këtij denoncimi, kanë vërshuar kërcënimet drejt familjes së tij.
Natyrisht, opozita do të bëjë të gjitha përpjekjet e veta, por Roni Yeffet, që është varianti joshqiptar i Gys Agasit, përbën dhe ai një element tjetër në zinxhirin e akteve mafioze të Edi Ramës.
Dhe sot, janë dorëzuar firmat për krijimin e komisionit hetimor parlamentar mbi veprimtarinë antikushtetuese, antiligjore, korruptive të Edi Ramës dhe kompanisë së tij me Ronin, Veliun dhe si quhet ajo, zonja e autoblindit, famozja Puca.
Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, krahas aspektit politik, si e përjetuat në aspektin personal vizitën në SHBA, e cila në fakt përkon fiks pesë vite pasi ju u përjashtuat nga grupi parlamentar pasi ishit sanksionuar nga SHBA, nga ish-lidershipi.
Sali Berisha: Natyrisht, thashë, e gjitha kjo në tërësi ishte rivendosje e një të drejte. Dhe e thashë dhe në fjalën time aty. Kjo e drejtë u rivendos së pari kur ata që u morën me këtë çështje, morën me kohë ndëshkimin e merituar nga shteti i tyre.
McGonigal, vite burg. Yuri Kim, jashtë shërbimit diplomatik. Antony Blinken, i padëshiruar në vendin e tij. Edi Rama në rrokullisjen e tij të madhe. Lulzim Basha, Lulzim Brava është ndryrë me brava tani.
Këto tani janë realitetet.
Janë realitetet, por duhet të sqaroj me këtë rast një moment për gazetarët, që duhet të jenë korrekt me të vërtetën.
Sali Berisha nuk ka qenë kurrë ‘non grata’. ‘Non grata’ është një akt që bazohet në Konventën e Vjenës. Mbi bazën e kësaj konvente, shtetet që kanë firmosur atë kanë të drejtë të mos pranojnë ose të përzënë diplomatë apo politikanë të caktuar si të padëshirueshëm. Të padëshirueshëm. Ndalimi i vizës sime nuk kishte asnjë lidhje me këtë konventë.
Cilido që merr përsipër të shkruajë të vërtetën duhet t’i referohet ligjit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara 7003 C. Ligj i cili autorizon Sekretarin e Shtetit të shpallë ‘ineligible’, të papërzgjedhshëm… ‘ineligible’ është termi i ligjit, për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, personat që ai gjykon po këto.
Vijmë në rastin tim. Pra, nuk ka qenë kurrë ‘non grata’, ka qenë ky ligj dhe ky neni i tij.
Dhe për t’i sqaruar përfundimisht ata që duan të dinë të vërtetën, me gjithë përpjekjet e bëra sepse nga ky ligj kalohet në dy akte të tjera, të cilat sanksionojnë llogaritë bankare, sanksionojnë pasuritë, ndalojnë bankat ndërkombëtare të kenë depozita nga ky person, ndalojnë shtetasit amerikanë të bashkëpunojnë me persona në biznes e të tjerë.
Por kjo nuk u pranua, ndonëse është dërguar. Është dërguar te thesari, dhe Thesari i Shteteve të Bashkuara, pas vetingut e ka mbrapsht duke deklaruar se në ligjin që ne zbatojmë nuk ka asgjë për filanin.
Kështu që unë mbeta thjesht njeriu me vizë të ndaluar. Atë, po në përputhje me ligjin dhe njëherë, se ligji ka përcaktuar si vepron sekretari, i ka modalitetet kur sekretari mund ta anulojë, dhe këtë e ka bërë Sekretari Rubio për Sali Berishën, ka hequr ndalimin e vizës.
Pra nuk ka asnjë sanksion tjetër, nuk ka qenë kurrë ‘non grata’. Kjo është e vërteta.
Maringlen Kume, MCN: Zoti Berisha, gjatë qëndrimit tuaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me zotin Mediu, publikuat një takim që keni patur me kryeprokurorin atje. Çfarë biseduat me të, folët për emra konkretë?
Sali Berisha: Natyrisht, ai ishte një takim në të cilin ne paraqitëm problemet më kryesore të lidhura me shtetin ligjor, narkoshtetin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë. Këto ishin çështjet kryesore të diskutuara.
Tani që u kthyet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndërkohë në javët në vijim pritet që të vijë në Shqipëri edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Do të takoheni me të, do të keni takime me të në selinë e Partisë Demokratike?
Sali Berisha: Ambasadori është i mirëseardhur në çdo kohë në selinë e Partisë Demokratike. Por agjendën e tij e bën vetë ai. Ne jemi të hapur dhe e mirëpresim.
Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Zoti Berisha, në datën 9 shtator të 2021-shit, kur u përjashtuat nga grupi parlamentar, nisët foltoret dhe pohuat në atë kohë që luftën po e bënit për dinjitetin tuaj. Me heqjen e non gratës dhe këtë vizitë në Shtetet e Bashkuara, a mendoni se dinjiteti juaj u vendos në vend?
Sali Berisha: Mendoj se në atë moment u kam thënë shqiptarëve se unë nis sot betejën për një opozitë sovrane.
Betejën për dinjitetin tim, unë e kam nisur me datën 19 maj. Në letrën që i dërgova Sekretarit të Departamentit të Shtetit Blinken në padinë që bëra në Paris, në qëndrimet e mia në mediat amerikane.
Pra, këto ishin, këto ishin përpjekjet e mia për të mbrojtur dinjitetin tim.
Kurse Foltorja kishte absolutisht një qëllim, Shqipëria duhet të kishte një opozitë të pavarur. Si kusht që ky vend të ketë sovranitet të brendshëm të sigurt.
Foltorja është thirrur në datën 9, atëherë kur Lulzim Basha tha se me urdhër të këtij, e të atij, e të atij, e përjashtova nga grupi parlamentar Sali Berishën.
Dakord? Pra unë besoj të drejtën për të qenë në parlament, apo në grup të caktuar parlamentar, e përcaktojnë votuesit shqiptarë dhe askush tjetër. Dhe kjo ka qenë përpjekja ime pra.
Nuk ka qenë përpjekja personale, se unë betejën personale e bëja shumë mirë. E kisha shpallur publikisht, do ta bëj me gjykatë dhe me media. Kurse partia duhet të qëndronte parti, parti opozitare, sovrane e këtij populli.
Pra në rrafsh personal, gjithçka është rikthyer si më parë me dinjitetin?
Sali Berisha: Nuk kisha asgjë personale në përpjekjen time për një opozitë të pavarur. Kisha vetëm interes kombëtar dhe kam vepruar në përputhje me bindjet e mia.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, dhe një pyetje të fundit. Ka zëra që qarkullojnë që SPAK do të dorëzojë në Kuvend fletë-arrestin e dytë për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Ju keni informacion për këtë dhe a mendoni se do të shkojë Rama drejt lëshimit të saj? Faleminderit.
Sali Berisha: Tani këto ditë mësoj që ka një tension real midis Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.
Dhe ky tension real është rezultat i arrestimit të Ergys Agasit, ku thuhet se dora e zezë e Lubisë është prapa atij arrestimi.
Në këtë kuadër, kam mundësi që Edi Rama të shohë qartë tani se kabineti ekzistues nuk është në Rama-Balluku, por Balluku-Rama. Balluku-Rama.
Dhe unë po i ndjek me shumë interes dhe jo pa kënaqësi këto zhvillime në klanin e tyre mafioz.


