Berisha: Parlamenti Europian e dënoi aktin terrorist në Kosovë, kurse ju nuk keni ndërgjegje kombëtare

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E KUVENDIT

EKSTRAKT

Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare në Kuvend, Kryetari i PD, Prof.Dr. Sali Berisha tha se, seanca e sotme i fillua me një albanofobi që do të gdhendet në muret e historisë së parlamentit shqiptar të kontrolluar totalisht nga argati i Vuçiçit, Edi Rama.

Berisha tha se, qendrimi i sotëm i mbajtur në parlament është i pakapërdijshëm, kur deputetët e parlamentit Europian dënuan aktin terrorist të agresionit direkt të Vuçiçit ndaj Kosovës.

Berisha tha se, në vend që në parlament sot të dënohej futja e armëve nga Vuçiçi, regjimi nxori skenare dhe pengje të shpërfytyruara përpara shqiptarëve për t’i mashtruar ata.

Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi kërcënimet që u kanosen ndaj punonjësve të drejtësisë duke thënë se, rrjedhja e informacioneve shndërrohet në pazar nga patronazhistët.

Berisha tha, se një njeri si Taulant Balla, i lidhur më shumë se kushdo tjetër me bandat në krye, si mund të mos dalë çdo sekret.

Berisha tha në parlament se, çdo politikan që përdor telefona të kriptuar, duhet të jetë objekt i dekriminalizimit.

FJALA E PLOTË

E filluat seancën me një albanofobi që do gdhendet në muret e historisë si një nga aktet më të turpshme të këtij parlamenti të kontrolluar totalisht nga një argat i shpifur i Vladimir Vuçiçit, apo siç e cilësuan së fundmi Pashiqi shqipfolës, Edi Rama.

Nuk mundet në qoftë se do të kishit një nanogramë ndërgjegje kombëtare të ishit më pak se qindra e qindra deputetë të parlamentit Europian të cilët u mblodhën para dy ditësh dhe dënuan në tempullin e demokracisë europiane me forcën më të madhe aktin terrorist, agresionin direkt të Vuçiçit, qeverisë së tij ndaj Republikës së Kosovës.

Nuk mundet që ne ta kapërdijmë këtë qendrim tuajin sot në një kohë kur në aulën e parlamentit Europian, deputetët e nderuar nga rajoni dhe jo vetëm nga rajoni, kërkuan vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë, kërkuan sanksionimin e Vuçiçit, dënuan futjen e armëve, kurse ju vini me kurthe e skenare, merrni pengje dhe i nxirrni këtu të shpërfytyruar.

Po çfarë kujtoni ju, se mund t’i mashtroni shqiptarët në këtë mënyrë? Këto vetëm ju turpërojnë më shumë ju.

Del ministri, çfarë ministri është ai? I Mbrojtjes. Nuk tha Kosova, thotë, po tha veriu i Kosovës.

Di çfarë flet ky, apo jo?

Sovraniteti dhe integriteti territorial është një në të gjithë territorin. E çfarë dallimi paska Kosova me veriun e Kosovës atëherë? Na thoni pak ju.

Po si ka mundësi që argati i Vuçiçit në krye tuaj lëshon komunikatën e parë pa shprehur ngushëllime për shqiptarin që derdhi gjakun në mbrotjtje të asaj që ky thotë është ‘no mans land’.

E vetmja mundësi ishte që ishte i marrë vesh me Vuçiçin tre ditë më parë në OKB. E vetmja mundësi ishte se ai ishte i njohur me skenarin, dhe kishte në tavolinë të gatshme deklaratën ku do të kërkonte sapo të kërciste thirrjen e konferencës së jashtëzakonshme.

Por ato ua dogji në dori projektin policia e Kosovës, me guximin, trimërinë, profesionalizmin e lartë të saj. Dhe i tregoi Edi Ramës se ajo është tokë e zotërve të Kosovës.

I tregoi Edi Ramës, se cilado qofshin falangat terroriste të Aleksandër Vuçiç, sa do të armatosura të jenë ato, nuk do mund të dominojnë në një metër katror të asaj toke.

Do ju pyes unë ju. Cili flet prej muajsh në mos vitesh për Donbasin? Cili flet për projektin e Putinit në rajon? Asnjë tjetër, përveç Edi Ramës. Vetëm Edi Rama.

Mirëpo, nuk po përdor shprehje për të prishur gojën time, është jo naive, por idioteske. Donbasi u krijua nga Putini në kufi me Ukrainën, kurse Kosova në veri, në jug, në lindje, në perëndim, në të gjithë territorin e saj, është territor në kuptimin e sigurisë i NATO-s dhe vetëm i NATO-s.

Le ta provojë Putini i vogël njëherë, se si merr përgjigjen e dytë shkatërrimtare për vendin e tij. Se si përballen brenda orësh me një përgjigje të atillë nga NATO, sa nuk mund ta imagjinojë më kurrë tjetër.

E kujt ia thotë ky Donbas, Donbas, Donbas? Çfarë është ky? Çfarë shqiptari është ky? Ky është një lëvozhgë e Aleksandër Vuçiçit. Një i keqpërdorur në shkallën më ekstreme. Në turp kombëtar. Po kush tha Donbas tjetër përveç atij, më thoni pak?

Kush ka folur për republikë KFOR-i gjer më sot, përveç atij? Kush tha se Kosova mund të zhduket, përveç atij? Dhe ju detyron ju që në vend që sot të debatojmë për agresionin, për aktin terrorist të Serbisë ndaj Kosovës, nxirrni pengun këtu. Po çfarë tregoni këtu?

Fytyrën tuaj tregoni ju me pengun. Çfarë kujtoni, se na dëmtoni ne? Jo, jo, në asnjë mënyrë. Ne këtu jemi dhe ne do qëndrojmë në ato gjëra që besojmë janë, dhe kjo është arsyeja.

Dy fjalë do të them për këtë ligj. Albanofob, turp, turp! Ata që iu prisni atë bonus ju, ata sjellin në Shqipëri miliarda. Po ajo është një shenjë ndaj tyre.

Kudo që të lindësh ke një, Shqipëria të prek me diçka, S’është se atyre ua ndryshove jetën. Po turp. Si mund të sillni një ligj të tillë? Si jeni kaq shpirtligj, kaq të kufizuar, kaq joshqiptarë?

Po, dyfishoni për ata që janë në Shqipëri, dhe lini për ata që mund të jenë ta supozojmë po shkoka 20 milionë euro. Po çfarë është 20 milionë euro? Në një kohë kur prindërit e tyre sjellin në Shqipëri qindra milionë euro? Si mund të sillni një ligj të tillë?

Po ju sillni se jeni të shpërfytyruar nga sensi, materia kombëtare. Çfarë t’u thuash ju? Turp të sillet një ligj i tillë!

Së fundmi, dua të dënoj me forcën më të madhe kërcënimet ndaj punonjësve të drejtësisë.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe si një ndër krimet më të rënda, çdo kërcënim ndaj çdo hetuesi, prokurori, gjykatësi, gazetari dhe cilido tjetër.

Por këtu dua të theksoj, dua të ndalem se këto kërcënime shfrytëzojnë rrjedhjen e informacioneve. Shfrytëzojnë pazarin që bëhet me informacionet.

Po kush e bën? Militantët tuaj e bëjnë, patronazhistët tuaj e bëjnë atë.

Ata nxjerrin dosjet në treg te kriminelët dhe kriminelët pastaj  iu vërsulen prokurorëve dhe gjykatësve.

Kujt i vijnë këto kërcënime? A e dini se të gjithë ata që janë marrë dhëmb për dhëmb me bandat, siç ishte kjo, unë nuk e njoh, Selimi, siç është kjo tjetra në SPAK, ata dekonspirohen nga njerëzit tuaj, militantë të cilët shesin informacione.

Si ka mundësi, t’ju bëj një pyetje që nuk gjendet asnjë rrjedhës i informacioneve të dosjeve top-sekret. Dosjet e drejtësisë janë top-sekret kudo në botë.

Kjo është bërë rrugë dhe asnjë nuk gjendet. Kjo është një formë presioni të tmerrshëm ndaj tyre.

Po natyrisht, kur vihet Taulant Balla, njeriu i lidhur më shumë se kushdo tjetër me bandat në krye, nga të mos dalë çdo sekret?

Nuk gjeni një rrjedhës, po se jeni vetë rrjedhës.

Zonjë, propozimi im është ky: çdo politikan, çdo deputet dhe deputete, që ka përdorur EncroChat, që ka përdorur aplikacionin SKY ECC, që ka përdorur telefona të tjerë të kriptuar, ai të jetë objekt i dekriminalizimit.

Shoh se po largoni policë, shumë mirë. Por duhet në radhë të bëjmë të parë transparencën e politikanëve se ata janë udhëheqësit e krimit të organizuar. Të nxjerrë kush ka patur.

Po, pastor, ti në qoftë ke patur nuk e kë patur për Ballën.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale