Berisha: Parlamenti është thjesht një institucion privat i Ramaduros dhe klaneve të drogës. Në drejtimin e tij u zgjodh një njeri me 5 dosje korrupsioni

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT JASHTË PARLAMENTIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryetarin e ri të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshin si një qenie amorfe dhe të lidhur me korrupsionin. Duke folur jashtë parlamentit, kryedemokrati Sali Berisha theksoi se, ‘sot në drejtim të parlamentit u zgjodh një njeri me 5 dosje korrupsioni. Niko Peleshi është një qenie amorfe’, u shpreh Berisha para gazetarëve, në momentin e daljes nga kuvendi.

Jashtë ambienteve të Parlamentit, kreu i PD, Sali Berisha u shpreh për lënien e mandatit të deputetit nga Tom Doshi. Ai thotë se ky veprim i tij tregoi se Parlamenti është thjesht një institucion privat i ‘Ramaduros’ dhe klaneve të drogës.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se donte të shuante me çdo kusht Komisionin e Integrimit, duke e vendosur atë nën drejtimin e mazhorancës socialiste. ‘Rama donte të shuante me çdo kusht Komisionin e Integrimit, duke besuar se do ti priste fjalën opozitës në Parlamentin Europian’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij me gazetarët, jashtë sallës së kuvendit.

I pyetur nga gazetarët se çfarë qëndrimi do të mbajë opozita ndaj qeverisë Rama, Berisha u shpreh se, të njëtin qëndrim që është mbajtur ndaj parlamentit. ‘Narkoqeveria. Nëse ne nuk arrijmë në terminologjinë reale, nuk u japim mesazhin e duhur qytetarëve. Nuk kemi të bëjmë me qeveri, por me narkoqeveri. Qëndrimi ynë do të jetë ndaj një qeverie të paligjshme, siç është ndaj një parlamenti të paligjshëm’, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij me gazetarët.

FJALA E PLOTË:

Sot parlamenti i karteleve operoi në shkelmim të plotë të parimeve kushtetuese dhe Kushtetutës së këtij institucioni.

Sot në parlament më të përfaqësuarit e shqiptarëve janë kartelet e drogës më të fuqishmet në Europë, të lidhura me organizata terroriste, kartelet e Amerikës Jugore, Sinaloan e Meksikës, kartelin Medelin dhe kartele të tjera të cilat kanë arritur të penetrojnë, të nguliten në çdo segment, në çdo nivel të narkoshtetit shqiptar.

Jeni dëshmitarë për numrin e deputetëve që mbështetën këto kartele në Elbasan Çela-Çopja, në Durrës Troplini-Hajri-Avdylaj-Dervishi etj., në Lezhë, Tuku, në Fier ‘Hakmarrja për Drejtësi’, Shytët, Renato Salihi, Arben Qimja, në Vlorë bandat të damkosura ndërkombëtarisht, në Shkodër famozët Bajri e kështu me radhë.

Sot në drejtim të përfaqësisë së karteleve dhe krimit, vendoset porositësi i vrasjeve me dokumente zyrtare.

Vendoset njeriu i implikuar zyrtarisht me dokumente me kartelin e heroinës së Elbasanit, me kartelin e kokainës Elbasan-Peqin, me Bajrët famozë dhe me banda të tjera, organizata të tjera kriminale.

Sot në drejtim të parlamentit u zgjodh një njeri me 5 dosje korrupsioni.

Niko Peleshi është historia e korrupsionit, është njeriu që ka firmosur akte madhore korruptive për djegësat, qoftë për prodhimin e energjisë në djegësin e Elbasanit dhe djegësin e Elbasanit, akte të cilat e bëjnë atë përgjegjës automatik për dëme kolosale që u ka bërë shqiptarëve.

Niko Peleshi është i akuzuar për prona në Kolonjë dhe në zona të tjera, kur ka qenë ministër Bujqësie. Peleshi të themi të vërtetën është nga pikëpamja, të themi e konstitucionit, në rrafshin konstitucionalist, jo të Kushtetutës, por të fizikut, ai është një qenie amorfe.

Pra, ky njeri në vend që të shkojë atje ku ka vendin, ky merr kreun e parlamentit vetëm e vetëm se ka vjedhur së bashku me Edi Ramën.

… Tani jemi për betejë, nuk kemi nevojë për tolerancën e tyre fare.

Asnjë nevojë për tolerancën e tyre, ata nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit shqiptar. Ata përfaqësojnë vullnetin e krimit shqiptar, ata përfaqësojnë vullnetin e krimit shqiptar.

Përfaqësojnë kartelet e drogës, organizatat kriminale, përfaqësojnë miliardat e vjedhura të qytetarëve shqiptarë.

Ne e konsiderojmë absolutisht të paligjshëm këtë parlament, dhe beteja jonë nuk falet gjer në ditën e fitores tonë mbi të.

Në këtë drejtim është dita më e zezë në historinë e parlamentarizmit shqiptar.

Unë dua të ju them ju këtu, se parlamenti është parlament. Kanë shkelmuar me dy këmbë Kushtetutën. Kurrë mandati nuk dorëzohet rrugëve.

Kurrë, pazaret me mandatin nuk bëhen rrugëve. Çdo i zgjedhur në ato lista, është i detyruar me ligj, me kushtetutë, me rregullore, të vijë të bëjë betimin dhe pastaj është i lirë të dorëzojë mandatin.

A kishte turp Toma nga mandati, apo Toma nga mandati hajde gjeje, por këtu kishte turp Rama, që e përdor Tomën si limon të shtrydhur. Dil Tomë bli vota, më dorëzo ato mandate, rri ti, se je për kështu apo ashtu.

Çdo njeri aty mund të dorëzojë mandatin, por mandati është i parlamentit dhe jo i individit. Mandati dorëzohet në parlament, deputetit bën betimin. Por kur nuk kanë as zgjedhës, as moral as gjë prej gjëje, veprojnë në këtë mënyrë. Sikur janë letra bixhozi mandatet.

Edhe kjo tjetra e Roskovecit, Zeqineja nuk mund ta merrte kurrë mandatin sot, e merrte ajo zonja tjetër, Bardha dhe e dorëzonte këtu pasi e merrte. Unë thoshte nuk do të qëndroj deputete, e dorëzoj mandatin.

Por ata nuk kanë ligj, nuk kanë rregullore, nuk kanë kushtetutë, këta kanë vetë drogë dhe para, para dhe drogë.

Kjo është historia e tyre.

Edhe një tjetër deputete e Doshit edhe ajo. Po mirë Toma që turpëron padiskutim edhe veten e vet me qëndrimet e tij, po ajo nuk turpëron njeri. Po ajo pse nuk erdhi. Pra edhe ajo merr urdhëra.

Është ky një dimension tjetër antikushtetues, antiligjor i këtij parlamenti. Është ky një dimension që tregon se parlamenti është thjeshtë një institucion privat i Ramaduros dhe klaneve të drogës. Nuk mundet kurrë të veprohet në këtë mënyrë.

Sot çelet parlamenti duke shkelmuar kushtetutën, duke shkelmuar parimet themelore të saj, mbi mandatet.

Ai ka shpallur si për një institucion privat, komisionet, në një kohë kur rregullorja e parlamentit ka të përcaktuara 8 komisione. Janë të përcaktuara 8 Komisione.

Pa ndryshuar rregullorja, dhe rregullorja ka procedurën e vet, nuk mund të ndryshojë në mënyrë të njëashme.

Ai është një atentat, është një provokacion i ulët ndaj opozitës. Nuk jemi fare dakord për një veprim që ka lidhje me interesa kriminale të Edi Ramës.

Donte të shuante me çdo kusht, komisionin e Integrimit duke besuar se në këtë mënyrë i preu mundësinë opozitës të thotë fjalën e vet në parlamentin Europian dhe të vendeve anëtare të BE-së.

Përkundrazi, kjo jo vetëm që nuk ja pret, por kjo do ti shndërrohet atij në një barrë shumë të rëndë.

Opozita nuk humbi asgjë me të, por fakti se ky paraqitej se i kishte dorëzuar opozitës komisionin, ky kishte një lloj makeup, e hoqi këtë nga frika e tmerrshme që ka nga fjala e lirë.

Edhe sot ju e patë aty, nuk u ngritën të mbajnë zi për tribunin e lirisë Azem Hajdari, por dhe për Charlie Kirk, që është padiskutim një hero i fjalës së lirë.

Për Charlien se ç’ka bërë Parlamenti Europian unë nuk e di, por Charlie Kirk që unë e kam ndjekur ishte një polemist i jashtëzakonshëm.

Sigurisht mund të kishte mendime që ti nuk bije dakord me Charlien, por nuk kam parë ndonjëherë debatues më të shkathët, më të aftë se sa atë.

Ai ishte një fenomenalitet, sepse 31 vjeç, një mënyrë thelbësore, të thjeshtë, të guximshme dhe e vranë ata që janë armiq të fjalës së lirë, e vrau e majta.

Pyetje: Brenda 24 orëve dy deputetë të PD-së kanë votuar kundër Partisë Demokratike. Bujar Leskaj votoi kundër grupit parlamentar dhe i dyti Tritan Shehu që sot në seancë iu bashkua votimit.

Sali Berisha: Për të parin, ai shprehi mendimin e tij kundër që në mbledhje dhe unë besoj se ne jemi parti e mendimit të lirë dhe kjo absolutisht as ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë. Dhe nuk i kërkon llogari.

Përsa i përket kësaj të dytës, do më jepni mundësi të bisedoj me zotin Shehu, cila qe arsyeja.

Pyetje: Është e disata herë që ju rrjedhin vota. Për Metën ka pasur në atë kohë.

Sali Berisha: Dua që zoti Shehu të më sqarojë sepse ka shumë mundësi, që mesazhi i dërguar në grup të mos jetë kuptuar si të tjerët dhe kaq.

Pyetje: Edi Rama sot i bëri 84 vota, sepse Niko Peleshi u zgjodh me 84 vota, edhe një që i mungonte e ka gjetur rrugës. Cili do të jetë qëndrimi i opozitës dhe aksioni javën e ardhshme ku qeveria do vijë të votohet në parlament dhe për rregulloren. A do dorëzoni emra?

Sali Berisha: Nuk jam dakord me ju, narkoqeveria. Nëse ne nuk arrijmë në terminologjinë reale, nuk u japim mesazhin e duhur qytetarëve. Nuk kemi të bëjmë me qeveri, por me narkoqeveri.

Qëndrimi ynë do të jetë ndaj një qeverie të paligjshme, siç është ndaj një parlamenti të paligjshëm.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale