Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli për mediat teksa mbërriti në sallën plenare të Kuvendit.
Berisha tha se, parlamenti do të jetë vendi ku Edi Rama do të marrë atë që meriton.
DEKLARATA E PLOTË:
Edi Rama iku njëherë në Paris, kësaj here në Marsejë.
Kësaj here hajduti shkon me avion privat personal.
Megjithatë, parlamenti do jetë institucioni qendror ku ai do marrë atë që meriton.
Pyetje: Çfarë skenari keni sot …
Sali Berisha: Asgjë nuk zbulohet paraprakisht.
Pyetje: Do të mund të shohim një seancë normale sot?
Sali Berisha: Nuk ka më gjë normale, gjëja më e përgjegjshme, më e shenjtë që mund të bëjë një deputet është të mbrojë të drejtën kushtetuese. Ky është misioni më kryesor. Ata që betohen në Kushtetutë, duhet ta mbrojnë atë me çdo çmim. Deputetët prej një muaji nuk po bëjnë asgjë tjetër veçse po mbrojnë Kushtetutën. Do të sqaroj një gjë. Mendoj se ky është vendimi më i përgjegjshëm. Alternativa e këtij vendimi do të ishte bojkoti, por bojkoti do të ishte një dëshirë dhe kënaqësi e Edi Ramës, të cilën nuk do ia plotësojmë. Ne do vazhdojmë betejën këtu. Ai ka një muaj që nuk hyn në parlament, nuk respekton interpelanca, nuk respekton pyetje, nuk respekton asgjë, çka shkel Kushtetutën, kurse ne mbrojmë Kushtetutën.
Pyetje: A ju ka motivuar progres raporti që për hirë të së vërtetës, në disa pika i ka dhënë të drejtë opozitës, për sa i përket komisioneve hetimore që është e drejtë kushtetuese për tu ngritur?
Sali Berisha: Ne vlerësojmë progres-raportin dhe konstatimin e tij se në këtë parlament, Kushtetuta shkelet me dy këmbët. Por natyrisht janë shqiptarët, gjithnjë janë shqiptarët që duhet t’i japin përgjigjen e merituar këtyre akteve të pashembullta. Dje, Edi Rama bëri sikur do paraqitet në interpelancë dhe tani sikur i doli papritmas i doli ky problem. Po edhe sikur në Hënë të niset, do zbresë prapë dhe do marrë atë që meriton.
Pyetje: Një pjesë e deputetëve të PS kanë mbërritur më herët se sa ju…
Sali Berisha: Le të mbërrijnë më herët, asgjë nuk do ta ndalojë veprimin tonë, asgjë.
Pyetje: Deri në ç’farë do ta përshkallëzoni aksionin, z. Berisha.
Sali Berisha: Ky është një aksion pa kthim. Një aksion që do kalojë në të gjithë stadet e veta deri në rivendosjen e Kushtetutës në parlament dhe në vend.