FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN PËRMBYLLËS ELEKTORAL NË DURRËS
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë takimit përmbyllës elektoral të PD-ASHM në Durrës, paralajmëroi ashpër kundër krimit elektoral, duke thënë se “kriminelët nuk do gjejnë as vrimë miu” dhe se do ndëshkohen pas 12 majit. Berisha falënderoi qytetarët për mbështetjen ndaj PD dhe theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit si një ndarje mes ndershmërisë dhe krimit. Berisha u shpreh se fitorja është e sigurt dhe se Durrësi do çlirohet nga keqqeverisja.
Kryetari i PD, Sali Berisha shpalli “Paktin Kombëtar për Rininë” si prioritet të qeverisë së ardhshme, duke premtuar masa konkrete për rikthimin e rinisë dhe ndihmën për ata që duan të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Ai denoncoi varfërinë, pensionet e ulëta dhe largimin masiv të të rinjve, duke propozuar dyfishimin e investimeve në arsim, paga më të larta për mësuesit, heqjen e mesatares për universitetet, dhe garantimin e vendit të punës për çdo të diplomuar. Po ashtu, Berisha premtoi 5 mijë euro grant për të rinjtë që hapin biznese, 70% zbritje taksash për ata që punësojnë rinisë, dhe një fond prej 5 milionë eurosh për mbështetje të talenteve të rinj në sport, kulturë dhe teknologji.
Lideri Opozitar, Sali Berisha prezantoi programin e PD-ASHM për qeverisjen e ardhshme, duke theksuar se nuk lufton për pushtetin, por për një mision të shenjtë për shpëtimin e Durrësit dhe Shqipërisë. Berisha premtoi një transformim të shpejtë të vendit, duke filluar nga 100 ditët e para të qeverisjes, ku do të përpiqet të ulë varfërinë dhe mjerimin përmes masa konkrete. Disa prej premtimeve kryesore përfshijnë: sigurimin e një minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar, pensione dhe paga më të larta, uljen e çmimit të energjisë dhe naftës, si dhe uljen e taksave për bizneset. Po ashtu, Kryetari i PD premtoi grante për çiftet e reja dhe fermerët, si dhe mbështetje për rinovimin e sektorëve të ndryshëm.
Kryetari i PD, Sali Berisha iu kryeminsitrit Rama me akuza të ashpra lidhur me inceneratorin e Tiranës dhe keqadministrimin e fondit të tij. Berisha theksoi se djegës që nuk është ndezur kurrë do të djegë përfundimisht karrierën politike të Ramës, duke e përshkruar këtë si një “mision të rëndësishëm” të tij për shpëtimin e Shqipërisë. Berisha e akuzoi Ramën për deklaratat e tij cinike dhe shpërdorimin e fondeve, ndërsa premtoi se më 11 maj do të vijë një ndryshim për qytetarët, me një qeverisje të re që do të sjellë dinjitet, mirëqenie dhe punësim.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i PD bëri thirrje për mobilizim të plotë të qytetarëve dhe diasporës për të mbështetur këtë “kapitull të ri” të vendit.

FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Durrësit, Shijakut, Sukthit, mirënjohjen time më të pakufishme, respektin tim më të madh për këtë miting madhështor, të zjarrtë, por mbi të gjitha për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme që i keni bërë në dekada demokracisë, PD-së. Qëndrimin tuaj ndaj lirisë, dinjitetit njerëzor, vlerave të saj, dashurisë tuaj për Durrësin dhe Shqipërinë.
I dashur zoti Oerd Bylykbashi, udhëheqës politik i Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Durrës.
I dashur zoti Agron Duka, kryetari i Partisë Ambientaliste Agrare, aleat i çmuar në aleancën fitimtare për Shqipërinë madhështore.
I dashur miku unë i shquar, Filip Grifin, mik i kryestrategut të rikthimit më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, Kris LaCivita, rikthimit të presidentit Donald Trump.
Të dashur kryetarë të PD të degës Durrës, Sukth, Shijak.
Të nderuar kandidatë dhe kandidate për deputetë të PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, të qarkut të Durrësit, krenari e vërtetë e PD, krenari e vërtetë e qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.
Të dashur miq, ne jemi krenarë me këta zotërinj dhe këto zonja se para së gjithash dhe mbi të gjitha këta janë një grup qytetarësh midis jush, që u përfaqësojnë ju, përfaqësojnë moralin tuaj, vlerat tuaja, interesat tuaja, virtytet tuaja.
Këto zonja dhe zotërinj dallojnë si nata me ditën, si e vërteta me gënjeshtrën me kandidatët e Sakos, me kandidatët e Pojës, me kandidatët e Hajrit, me kandidatët e terroristëve elektoralë, të cilët do marrin ndëshkimin më të merituar pas datës 12 maj.
Miq, këto zgjedhje ndajnë qytetarët, atdhetarët, ndajnë ata që duan Durrësin, ndajnë njerëzit me dinjitet, ndajnë njerëzit e virtytshëm nga ata të cilët komandohen nga bandat dhe krimi dhe besojnë se mund t’i imponojnë Durrësit vullnetin e tyre.
Ja ku po e deklaroj para jush, vrimë miu nuk do gjejnë.
Kudo që të jenë do i kapim, me Sakon, me Gjushin, me kandidatët e tyre.
Për ta nuk ka vend në parlament.
Për ta ka vend në koshin e plehrave të historisë.
E dashur Ermira, krenaria e Durrësit, krenaria e Shqipërisë dhe krenaria e kombit.
Historia që tregove këtu, arritjet tuaja janë një frymëzim për çdo shqiptar, janë frymëzim për çdo të ri dhe të re, dëshmi e asaj se çfarë mund të bëjnë me vullnetin e tyre, me karakterin e hekurt, me guximin e tyre, të rinjtë dhe të rejat mund të kapin Everestet e të gjitha fushave, në sport, në shkencë dhe kudo tjetër.
Miq, 11 Maji është një ditë e madhe në betejën e shqiptarëve për dinjitet njerëzor.
Në betejën e shqiptarëve për mirëqenie, begati dhe punësim.
Është një ditë e madhe në besimin e tyre tek Durrësi dhe Shqipëria.
Shpresat dhe besimin tek e ardhmja.
Durrësi i shekujve dhe mijëvjeçarëve, Durrësi i qytetarëve të mrekullueshëm, kryeurë e kombit me Perëndimin, kam bindjen më të thellë se me 12 Maj gdhin i tëri siç është në shpirt, fitimtar, virtuoz, i pamposhtur.
Me 11 Maj, ne ndahemi nga një lëngatë. Nga një e keqe që kaploi Durrësin dhe Shqipërinë, që i varfëroi nga viti në vit shqiptarët dhe që i largoi ata nga Shqipëria.
Miq, sot 21 përqind e familjeve shqiptare nuk ushqejnë dot me tre vakte fëmijët e tyre.
Sot, 720 mijë burrë dhe gra marrin një pension qesharak dhe të papërfillshëm.
Sot, bizneset shqiptare dhe fermat jetojnë në pasiguri të plotë për shkak të falimentimeve.
Sot, pasiguria ka pushtuar çdo vatër pothuajse.
Qindra mijëra vatra shqiptare që kanë mbetur pa të rinj, kanë mbetur në pasiguri. Shtëpi pa djep, klasa pa nxënës.
Vendi numëron të rinjtë si ujët e pakët.
Nuk kanë ulëritur kurrë sirenat dhe klithmat e shpirtit të këtij kombi sa ç’bien ato më 11 Maj për ta shpëtuar atë.
Miqtë e mi, programi ynë ka një zotim solemn, t’i kthejë kombit rininë e rij. Të kthejë Durrësin dhe kombin në moshën e rinisë.
Ndaj dhe jam këtu sot për të shpallur për mbarë të rinjtë shqiptarë se pakti kombëtar për rininë do të jetë udhërrëfyesi ynë për të rikthyer kombin në rininë e tij.
Do të jetë pakti me të cilin të rinjtë shqiptarë do ndërtojnë në Durrës dhe në Shqipëri ëndrrën e tyre rinore.
Do jetë pakti me të cilin ne do rikthejmë të rinjtë shqiptarë nga mbarë bota.
Ndaj dhe këtu para jush zotohem se do dyfishohet investimi për arsimin, për rikthimin tek shkollat moderne, tek mësues që nuk do paguhen kurrë nën 1500 euro.
Tek shkollat me teknologjitë më të larta.
Hiqet mesatarja për universitetet.
Çdo i ri dhe e re që diplomohet, në kuadrin e paktit kombëtar për rininë, do ketë një vend pune të garantuar në sektor publik ose privat.
Në 100 ditët e para, krijohet fondi i rinisë, me të cilin ne do mbështesim me grante çdo të ri 5 mijë euro grant për çdo të ri që nis biznes apo startup.
Startup Albania do ketë fondin e veçantë.
Çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do ketë 70 përqind zbritje në taksa.
Për talentin e të rinjve, në sport, kulturë, teknologji, një fond i veçantë për të mbështetur ata, fillimisht 5 milionë euro.
Dhe kjo e dashur Ermira, do të lehtësojë garën evropiane dhe botërore të të rinjve tanë.
Qeveria e ardhshme ne epiqendër të programit të saj do ketë fëmijët dhe të rinjtë e Shqipërisë.
Duhet që ata të ndërtojnë ëndrrën në këtë vend.
Vetëm ëndrra e tyre e bën Shqipërinë me të ardhme.
Vetëm ëndrra e tyre e lartëson Shqipërinë në madhështinë e saj.
Miqtë e mi, unë jam tek ju sot për t’u rrëfyer ju se asnjë orë, asnjë ditë të vetme nuk luftoj për pushtetin tim.
Unë nuk luftoj për pushtetin tim, por punoj nga mëngjesi herët gjer në mesnatë në një mision që e konsideroj sot misionin më të rëndësishëm të jetës time.
Që i falem Zotit dhe e falënderoj çdo ditë që më dha mundësi që energjitë e mia, forcën time, t’ia përkushtoj këtij misioni,
Në të cilin, së bashku me ju do të hapim një kapitull të ri për Durrësin, për Shqipërinë, për kombin, për shqiptarët.
Në këtë mision të shenjtë për shpëtimin e Durrësit dhe Shqipërisë, ne së bashku do transformojmë Durrësin dhe Shqipërinë në 100 ditët e para.
Nga çdo skaj i vendit ne do përzëmë me dorë të hekurt mjerimin, varfërinë e skajshme nga vatrat e shqiptarëve.
Çdo qytetar shqiptar do marrë minimumin jetik 200 euro.
Çdo pensionist nuk do marrë pensionin jo më pak se 200 euro.
Ja pse duhen 100 ditët.
Çdo rrogëulët do marrë rrogë mbi 500 euro.
Çdo qytetar shqiptar do ketë të rimbursuara 100 përqind nga shteti atë listë ilaçesh që kanë qytetarët e vendit mik, Italisë.
Energjia do zbresë në 7 lekë për qytetarët.
Nafta nuk do shitet kurrë më më shtrenjtë se në Maqedoni dhe Kosovë, ku është të paktën 40 përqind më lirë se në Shqipëri.
Ndaj dhe jam këtu për të kërkuar 100 ditë në mënyrë që çdo biznesi t’ia ulim energjinë nga 18 në 6 lekë.
Në mënyrë që çdo biznesi t’i ulim tatim fitimin nga 23 në 10 përqind.
Të ulim TVSH-në në 15 përqind.
Jam këtu për të kërkuar 100 ditë që të gjitha taksat e ndërtimit të pjesëtohen me 10 herë. Nuk do ketë më kurrë taksë për çmimin e shitjes, por do jetë 1 e 10 vetëm për preventivin.
Nuk do ketë taksë sociale.
Kjo do i bëjë çmimet të përballueshme.
Miqtë e mi, prapë tek të rinjtë, një çati do garantojmë për çdo çift të ri.
Çdo çift i ri do ketë grantin 30 mijë euro për të blerë apartamentin me kredi dhe paguar interesat e kredisë.
Çdo i ri do subvencionohet për qiranë që paguhet.
Pra, në 100 ditë ne krijojmë një mundësi të re për shqiptarët.
Çdo fermer do subvencionohet pesë herë më shumë se sot, aq sa subvencionohen fermerët në Kosovë dhe Maqedoni.
Fermerët do kenë kredi të buta. Do kenë grante fermerët e rinj.
Pra, çfarë do bëjmë ne? Do ua kthejmë paratë që gjer sot, 12 vite me radhë, i kanë vjedhur si dardha të prishura dhe molla, Edi Rama me ministrat, zyrtarët, kryebashkiakët dhe bashkiakët e tij, me drejtorët dhe stërdrejtorët e tij.
Miq, pastrimi i shtëpisë është detyrë e detyrave.
Në mënyrën më të papërgjegjshme, Edi Rama deklaronte mbrëmë për djegësin, për shkak të cilit ju paguanit taksën më të lartë në Europë për plehrat, 44 euro për ton pleh, ua merr Gjushi me fustan ju për Edi Ramën, dhe deklaronte mbrëmë se i thoshte gazetarit, epo u djegshi në djegës.
Pasi ka marrë 130 milionë euro, tani kur i kërkojnë llogari, u djegshi thotë.
Jo Edi Rama. Të garantoj se ai djegës që nuk u ndez kurrë, do të djegë në mënyrë përfundimtare karrierën tënde politike.
Dhe kjo që me datën 11 Maj, shqiptarët do të presin biletën.
Tre ditë në jetë janë tre ditët e jetës tonë. Janë sa 30 ditë, janë sa tre muaj, janë sa tre vite.
Ndaj dhe u ftoj ju këto tre ditë të kontaktojmë çdo të njohur kudo që është, në Durrës, në Shqipëri, në diasporë, në të katër anët e dheut. Të ftojmë të firmosim bashkë 11 Majin, ndarjen nga e keqja e madhe e kombit.
Hapjen e një kapitulli të ri për dinjitetin e durrsakëve dhe shqiptarëve.
Për mirëqenien, begatimin, punësimin.
Për biznesin, për fermën, për prodhimin.
Për madhështinë e Durrësit, për madhështinë e Shqipërisë.
Edhe njëherë, mirënjohje ntë pakufishme.
11 Maji, dita e fitores, dita e triumfit të idealeve tuaja!
E triumfit të dinjitetit tuaj, të shpresës, të të ardhmes.
Rroftë Durrësi, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!