KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat ka reaguar ashpër pas dhunës së ushtruar nga policia gjatë protestës së studentëve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e ka cilësuar ndërhyrjen policore si një nga ngjarjet më të rënda të dhunës ndaj të rinjve që prej dhjetorit të vitit 1990.
‘Sot ‘Padrino’ i Shqipërisë, Edvin Kristaq Koleka, tejkaloi në dhunën e egër dhe shtazore që ushtroi ndaj studentëve në protestë paqësore, dhunën e diktatorit Ramiz Alia në dhjetor të ’90 ndaj studentëve çlirimtarë.’, theksoi Berisha.
Gjatë konferencës për mediat, kryetari i PD-së Sali Berisha ka bërë thirrje që nesër në orën 14:00 tek Ministria e Arsimit të mblidhen të gjithë demokratët, qytetarët, pavarësisht nga bindjet politike, të gjithë prindërit e studentëve dhe çdo të ri të vendit të mbështesin protestën e studentëve.
‘Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve, për mbështetje. Ndaj dhe le të bashkohemi nesër student, prindër, të rinj, qytetarë, si të pamposhtur, siç qëndruan sot studentët që sfiduan të vërtetë, mbrojtën kërkesat e tyre.’, theksoi lideri i opozitës, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:
Dita e sotme dhe nata ishin dita e dhunës më të egër shtazore të regjimit ndaj rinisë studentore që nga dhjetori ’90 e gjer sot.
Sot ‘Padrino’ i Shqipërisë, Edvin Kristaq Koleka, tejkaloi në dhunën e egër dhe shtazore që ushtroi ndaj studentëve në protestë paqësore, dhunën e diktatorit Ramiz Alia në dhjetor të ’90 ndaj studentëve çlirimtarë.
Në një akt kriminal dhe pa asnjë motiv, studentë dhe studente, qytetarë të moshave të thyera, gazetare dhe gazetarë që bënin detyrën e tyre u agresuan në mënyrën më barbare.
U thyen gjymtyrët, u gjakosën, u çanë në kokë, u goditën dhe morën plagë në gjoks dhe në gjithë trupin, në dhjetëra e dhjetëra raste.
Dëshmitarë okularë kanë dërguar video të cilat faktojnë barbarinë mbi qytetarin duke i thyer gjymtyrët, në kohë kur ai nuk po kryente në mënyrë absolute asnjë akt ndaj askujt, dhe e morën pa ndjenja, e plasën në makinën e tyre.
Të tjerëve, banorëve, u kanë hedhur në ballkon bomba të gazit.
Gazetarëve të tjerë u kanë çarë kokën. Situata sonte ishte ajo e një terrori të paparë. Protesta studentore e thirrur nga studentët dhe sindikata e universiteteve mori mbështetje të gjerë popullore nga qytetarët.
Dhe Edi Rama, i tmerruar, zgjodhi dhunën e egër ndaj studentëve. Shprehu urrejtjen e tij të pakufishme ndaj tyre.
Janë me dhjetëra të shtruar në spital. Deputetë të Partisë Demokratike kanë ndjekur me shqetësim të madh gjendjen e të plagosurve.
Qarkullojnë dhe lajme të pakonfirmuara, të cilat nuk i bëj publike gjersa të konfirmohen.
Por dhuna e egër, thyerja e kofshëve, e kërcinjve, çarja e kafkave, plagë të tjera mbi protestuesit janë fytyra e vërtetë e Edi Ramës. Fytyra e vërtetë e Ervin Demos.
Imagjinoni shqiptarë kush ka qenë zëvendësministër i arsimit. Se çfarë turpi, çfarë krimineli ka qenë në arsim.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë dhunë të pashembullt, ftoj të gjithë anëtarët dhe aktivistët e Partisë Demokratike, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet politike, ftoj të gjithë prindërit e studentëve dhe çdo të ri të vendit të mbështesin protestën e studentëve, kërkesën e tyre për largimin e Edi Ramës nesër në të njëjtën orë, në ora 14:00 para Ministrisë së Arsimit.
Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve, për mbështetje. Ndaj dhe le të bashkohemi nesër student, prindër, të rinj, qytetarë, si të pamposhtur, siç qëndruan sot studentët që sfiduan të vërtetë, mbrojtën kërkesat e tyre.
Shpresoj dhe uroj që kjo dhunë barbare të marrë dënimin e merituar nga e gjithë rinia universitare dhe parauniversitare, por edhe ajo në punë.
Kjo është fytyra e regjimit ndaj rinisë. Nesër të gjithë në mbështetje të studentëve.
Nesër është dita e studentëve dhe e atyre që mbështesin kauzën studentore.
Faleminderit!


