KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për shtyp me gazetarët, akuzoi Edi Ramën dhe ish-zv/kryeministren Belinda Balluku si njerëzit kryesorë për bllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ai theksoi se pa ndëshkimin e tyre për aferat e pretenduara korruptive, vendi nuk mund të bëjë përparim drejt Bashkimit Europian. ‘Shqipëria, ëndrra evropiane e saj, procesi më thelbësor për të ardhmen e vendit, vazhdon të mbahet peng nga Edi Rama dhe Lubi Balluku,’ deklaroi Berisha. Sipas tij, përpjekjet për të ‘arkivuar dosjen Balluku’ janë ‘përpjekjet më kriminale’ që dëmtojnë interesat kombëtare. Berisha nënvizoi se lufta kundër korrupsionit është në rrezik serioz: ‘Pa dënimin, pa heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit. Pa thirrjen e Edi Ramës për të gjitha ato që mban dosja Balluku, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit.’
Kryedemokrati Sali Berisha u fokusua edhe te procesi i integrimit dhe raporti IBAR, i cili sipas tij nuk është miratuar për Shqipërinë. Ai kundërshtoi deklaratat e mazhorancës, duke theksuar se disa vende anëtare të BE-së kanë refuzuar ta votojnë raportin. ‘Për Shqipërinë absolutisht nuk është votuar. Janë disa vende që nuk kanë pranuar të votojnë IBAR-in, i cili miratohet me unanimitet,’ u shpreh ai. Sipas Berishës, pa miratimin e këtij raporti, nuk mund të mbyllet asnjë kapitull negociues, veçanërisht kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Ai shtoi se: ‘Pa ndëshkimin e korrupsionit dhe përgjegjësinë e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë hap drejt BE.’
Lideri i opozitës Sali Berisha ngriti një sërë akuzash të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një ‘organizatë kriminale’ dhe duke përmendur disa çështje që, sipas tij, përbëjnë afera të mëdha korruptive. ‘Afera Balluku është afera më e shëmtuar në këto 32 vite,’ tha ai, duke shtuar se përgjegjësia reale, sipas tij, bie mbi kryeministrin Rama. Ai përmendi gjithashtu çështjen e AKSHI-t, duke pretenduar se përmasat e saj janë ‘edhe më lemeritëse’. Në vijim, ai akuzoi qeverinë për propagandë dhe mashtrim lidhur me procesin e integrimit: ‘Këta kanë zgjedhur mashtrimin për të gjitha problemet. Të gjitha variantet e tjera janë mashtrime dhe vetëm mashtrime.’
Kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke e cilësuar atë si të dështuar në arenën ndërkombëtare. ‘Mund të them se ka ngjallur përçmim të madh nisma Vuçiç-Rama në Europë. Është kuptuar si një përpjekje e dy pengmarrësve të vendeve të tyre,’ deklaroi ai.
Gjatë konferencës për mediat, kreu i PD-së Sali Berisha bëri thirrje edhe për protestën e paralajmëruar më 17 prill, të cilën Berisha e cilësoi si vendimtare. ‘Protesta e 17 prillit është kryengritja paqësore më e rëndësishme e qytetarëve shqiptarë,’ u shpreh ai, duke shtuar se opozita nuk ka më mjete të tjera përveç protestës, pasi sipas tij parlamenti është ‘asgjësuar’.
Duke iu përgjigjur akuzave të mazhorancës se opozita po pengon integrimin, Berisha theksoi se PD e mbështet procesin, por jo në mënyrë formale apo të bazuar në ‘mashtrim’. ‘Ne mbështesim procesin e integrimit, por nuk mund të mashtrojmë në zbatimin e kritereve. Ne kemi thënë të vërtetat dhe ato po faktohen,’ deklaroi ai. Ai akuzoi kryeministrin se po përhap narrativa negative për shqiptarët në arenën ndërkombëtare: ‘Edi Rama dhe tellallët e tij dalin dhe thonë se korrupsioni është si punë geni tek shqiptarët. Ky është racizëm i mirëfilltë antishqiptar.’
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në lidhje me kërkesën e dorëzuar për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e AKSHI-t, Berisha u shpreh skeptik për miratimin e saj nga mazhoranca. ‘Edi Rama i ka mohuar opozitës të drejtën themelore kushtetuese për komisione hetimore. Jam i sigurt se do të bëjë gjithçka që të mos lejojë,’ tha ai. Sa i përket strategjisë politike, Berisha deklaroi se objektivi kryesor mbetet largimi i Ramës nga pushteti: ‘Strategjia jonë është largimi i Edi Ramës si kryetari i organizatës më të rrezikshme kriminale që ka qeverisur Shqipërinë.’

FJALA E PLOTE:
Shqipëria, ëndrra evropiane e saj, procesi më thelbësor për të ardhmen e vendit, vazhdon të mbahen peng nga Edi Rama dhe Lubi Balluku.
Përpjekjet për ta arkivuar dosjen Balluku, de facto dosjen Rama, janë përpjekjet më kriminale, përpjekje të cilat shkelmojnë interesat personale, shoqërore dhe kombëtare të çdo shqiptari.
Edhe njëherë, është goditja më e rëndë që i bëhet interesave të shqiptarëve në dy aspekte.
Së pari, lufta kundër korrupsionit merr fund. Pa dënimin, pa heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit.
Pa thirrjen e Edi Ramës për të gjithë ato që mban dosja Balluku, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit.
Pa ndëshkimin e korrupsionit dhe përgjegjësinë e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë hap drejt BE.
Edhe njëherë, raporti IBAR është shtyrë tre herë gjatë muajit mars.
Po bëhet gjithnjë më i madh numri i vendeve që kundërshtojnë në mënyrë të prerë të votojnë IBAR-in.
IBAR-i është raporti i vlerësimit të standardeve dhe luftës kundër korrupsionit.
Votimi i këtij raporti është kusht që kapitujt e tjerë të mund të mbyllen dhe ky votim është i ndërmjetëm, nuk është përfundimtar për dy kapitujt, 23 dhe 24, kapitujt për shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut.
Mund të them se ka ngjallur përçmim të madh nisma Vuçiç-Rama në Europë.
Është kuptuar si një përpjekje e dy pengmarrësve të vendeve të tyre, që nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të pushtetit të tyre.
Edhe vende të cilat kanë një skepticizëm të qartë në procesin e zgjerimit të BE, dëshmojnë mospajtim të plotë me këtë nismë të ndërmarrë nga dy diktatorë autoritarë, nga dy individë të lidhur këmbë e kokë me krimin, me bandat dhe trafiqet.
Pra, nisma Vuçiç-Rama po përfundon aty ku e ka vendin.
Ka ngjallur përçmim dhe ka dëshmuar se këta dy zyrtarë nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të tyre kriminale dhe të xhepit.
Por, po kaq është dosja e AKSHI-t.
Dy javë më parë, Ergys Agasi e kanë rrahur shumë keq.
E kanë shtruar në dru.
Po, po.
Sipas qytetarit dixhital, është dërguar në një spital privat, por duhet të dini një gjë, Ergys Agasi mbrohet nga shteti.
Nuk ekziston mandat ndërkombëtar arresti për Ergys Agasin.
Nuk ekziston!
Kurse mandati në Shqipëri është i pavlerë sepse atë policia nuk e arreston, ai ka hequr ministra, por këto janë zhvillimet për këtë prestanome të Edi Ramës, sepse në fakt Ergysi është vetë Rama, të kuptohemi.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Dje në parlament në lidhje me raportin IBAR, Taulant Balla u shpreh se, jo të gjitha vendet kanë qenë ndonjëherë dakord për hapjen e negociatave për integrimin, duke gjetur këtë si arsye, e jo Belinda Ballukun dhe se çfarë ka ndodhur në parlament. Cila është e vërteta e një bllokimi të mundshëm të procesit të integrimit.
Sali Berisha: E vërteta është ajo që Bashkimi Europian e bëri publike nëpërmjet një radio publike siç është Radio Europa e Lirë.
Në atë radio u njoftua nga zëdhënës të BE-së, së pari se për Malin e Zi, IBAR është votuar me unanimitet dhe jo siç mashtron zëdhënësi i jashtëm i Ramës këtu, që jemi ne para. IBAR për Malin e Zi është votuar me unanimitet.
Së dyti, për Shqipërinë absolutisht nuk është votuar. Nuk është votuar dhe sipas atij njoftimi, janë jo një, por disa vende të cilat nuk kanë pranuar të votojnë IBAR-in i cili miratohet me unanimitet, janë disa vende.
Është absolutisht e pavërtetë se është votuar. Por këta kanë një gjë, këta kanë zgjedhur mashtrimin për të gjitha problemet. Dhe po sipas zëdhënësit të BE-së, asnjë kapitull nuk mund të mbyllet, pa u votuar unanimisht IBAR. IBAR është i ndërmjemë. Ky votim që bëhet për IBARI-n është i ndëmjetëm, por pa këtë vendim, asnjë kapitull nuk mbyllet.
Këto ka njoftuar dhe unë marrë të mirëqenë, të sigurtë. Nuk po them pastaj burime të tjera që më konfirmojnë të njëjtën gjë, por po marr burimin zyrtar të 3 ditëve më parë, të dhënë një radioje që është publike, Europa e Lirë.
Të gjitha variantet e tjera, janë mashtrime dhe vetëm mashtrime.
Edi Rama mashtroi dje në mënyrë monstruoze para studentëve.
Taulant Toyota Yaris, po kështu. Është Lubi Balluku shkaku më kryesor. Dhe këtë, cili do që di të lexojë, ka parasysh reagimin që bënë, jo një, por disa nga ambasadat e vendeve anëtare të BE-së në Tiranë, për aferën Balluku.
Afera Balluku është afera më e shëmtuar në këto 32 vite, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Sepse është kuptuar se Balluku është thjeshtë fasada, se e vërteta është Edi Rama. Kjo është bërë shumë e qartë.
Sikundër dua të ju them unë ju, se përmasat e AKSHI-t janë edhe më lemeritëse. Keni parasysh se te AKSHI, aty ku është Mirlinda lexoni Linda e Surrelit. Se çfarë është Linda e Surrelit, atë e dini vetë ju.
Kur unë e denoncova me dokument të ardhur nga prokuroria, regjistrimin ambiental. Mediat e injoruan. Por tani ato janë të gjitha në dosje. Ajo dosje nuk mund të zhduket. Ajo dosje qarkullon në Europë. Po.
Ndaj dhe ka një fantazmë sot, ka vetëm një kryeministër fantazmë, kryeministri fantazmë është Edi Rama. I pakallur. Pritën qytetarët, të dalë çdo ditë dhe të mashtrojë. Dëgjoja dhe një ditë zëdhënësin e tij të jashtëm, që ne jemi të parët. Mashtrim i turpshëm.
Malit të Zi ju votua, ndonëse kanë një seri vërejtjesh, por IBARI-n ja votuan.
Dhe pavarësisht se ja votuan IBARI-n përsëri nuk ka gjë të sigurtë se, ka ndryshuar ligje, ka ndryshuar dy ligje dhe ndryshimi i atyre dy ligjeve, kërcënon avancimin e procesit.
Kurse Edi Rama është bërë parzmore e korrupsionit. Përdori 83 mandatet për Lubi Ballukun.
Edi Rama është kreu i organizatës kriminale, jo vetëm në rastin e qeverisë, por edhe në rastin Balluku. Ju e patë sa vetë ishin aty. Aty ka njerëz për dy organizata kriminale, por ligji njeh një. Për dy grupe të strukturuara kriminale. Absolutisht jo. Është mashtrim, mashtrojnë kryekëput çdo ditë që dalin, nuk është votuar. Nuk është e vërtetë.
E vërteta është se, është një histori e ngjashme me raportin paraprak të zgjedhjeve. Ju e patë se çfarë përpjekje banditeske bënë për të ndryshuar raportin. Dështuan, dështuan përkundrazi raporti u ridemonsinua, nuk është se nuk ndërhynë, ndërhynë shumë, me të gjitha mjetet. Dështim i plotë.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Për të mbetur te kjo çështje, nga njësia 14 në Kashar, kryeministri Edi Rama ka përmendur sërish procesin e integrimit, ku hedh akuza për të paudhët që me qëndrimet e tyre kundër, po i mbyllin Shqipërisë dyert e BE. Keni një kundërpërgjigje për këtë deklaratë?
Sali Berisha: E para, nuk kam dëshirë të ndërhyj në punët e brendshme të partisë së krimit, se ai po bën turneun e punëve të brendshme të partisë së krimit, por ajo është punë e tij.
Së dyti, është absolutisht mashtrim dhe e pavërtetë, ju jeni dëshmitarë që në këtë konferencë, në këtë platformë, por dhe në ato ndërkombëtare, qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet, ne mbështesim procesin e integrimit, ndonëse Shqipëria përveç kriterit gjeostrategjik, nuk plotëson asnjë kriter tjetër.
Ky ka qenë qëndrimi ynë, por në qoftë se ne marrim përsipër të mashtrojmë në zbatimin e kritereve, standardeve, kërkesave, atë nuk e bëjmë kurrë.
Ne kemi thënë të vërtetat, dhe të vërtetat tona po provohen, po faktohen. Dhe do i themi vazhdimisht.
Kurrë nuk mund të mashtrojmë ne komunitetin ndërkombëtar, sepse po i mashtruam ata, është gjëmë ndaj shqiptarëve.
E kundërta është, këto kohë është makineria propagandistike e Edi Ramës që përhap lajmet në të katër anët se puna e korrupsionit është si punë trashëgimie, si punë geni tek shqiptarët, dhe çfarë keni ju meqenëse shqiptarët e pranojnë këtë.
Pra, me një fjalë, Edi Rama dhe tellallët e tij dalin nëpër botë dhe thonë, kur i vjedhuri e pranon hajdutin, ç’punë keni ju me këtë.
Prandaj ata pasqyrojnë me kulturën në Shqipëri për çështjen e korrupsionit.
Kush e përhapi këtë? Kush guxoi ta thotë këtë? Këtë racizëm të mirëfilltë antishqiptar? Albanofobi e mirëfilltë?
Edi Rama i pari me ministrat e tij për të mbrojtur veten.
Pra këta janë që e dëmtojnë më shumë Shqipërinë.
Kurse jo, ne kërkojmë një proces të bazuar në meritë, sepse ne besojmë se janë absolutisht të realizueshme kriteret.
Si nuk qenkan të realizueshme kriteret, në një kohë kur në vitin 2011, një zëvendëskryeministër i një partie tjetër në koalicion, jo i partisë kryesore, i cili po të tërhiqej nga koalicioni, binte qeveria, dha dorëheqjen, dorëzoi imunitetin, edhe para se ta kërkonte imunitetin.
Gjenetike është kjo?
Ministrat, sa herë u kërkua imuniteti, është dorëzuar imuniteti. Nuk ka ekzistuar në një qeveri ku sundon ligji kurrë koncepti i imunitetit mburojë.
Përkundrazi ne e dërguam në parlament dhe kërkuam heqjen e imunitetit për korrupsionin.
Pra, janë të gjitha mashtrime.
Të paudhë janë ata që vjedhin.
Nuk ka më të paudhë se Edi Rama që ndërton me para të vjedhura sarajet 720 metra themele të gjata, me materialet më të kushtueshme që ekzistojnë, ndërkohë që ka një rrogë zyrtari dhe asnjë të ardhur tjetër që të tregojë se si mbiu me parkun 8500 metër katrorë dhe rrënjë ullinjsh që kushtojnë mijëra euro.
I paudhë është Edi Rama që ka ndërtuar në sheshin e pallateve, ka dhënë leje për pallatin e Lindës së tij, për të cilin nuk ka asnjë faturë doganore, tatimore, bankare apo ndërtimore.
Shihni rrugët, kompania e atij që ndërtoi pallatin, i ka ndërtuar.
I paudhë është ai i cili firmos tetë muaj përpara për t’i dhënë kompanisë 8 pikë, që nuk ekzistonte, për djegësin e Tiranës, dhe djegësi i Tiranës sot nuk ekziston.
I paudhë është ai që për dufe dhe urrejtje përzë televizionin AGON dhe gjobit shqiptarët 120 milionë euro.
I paudhë dhe bajloz korrupsioni është ai që grabit portin mijëravjeçar të shqiptarëve me një vlerë 4 miliardë euro. Dhe duhet të ndërtojnë shqiptarët tani një port të ri.
I paudhë është ai që merr Lubi Ballukun për krahu, prish tenderin për tunelin e Llogarasë për të cilin ishte ofruar oferta sllovene me 130 milionë euro, dhe shkon merr kompaninë turke, të cilës i jep 190 milionë euro, ndërkohë që tunelin e ofron Gjoka që kishte ofruar 130 milionë, zhduken 50 milionë me një të rënë të lapsit.
Ky është Edi Rama, këto janë të paudhët që i bllokojnë Shqipërisë rrugën për në BE, që lënë pensionistët me pensionet më mizerabël, që lënë studentët me tarifat më të larta.
A e dini ju se studentët në Shqipëri, pas Britanisë së Madhe dhe Holandës, paguajnë tarifat më të larta në Europë? Studentët e vendit më të varfër paguajnë tarifa të paktën 6 herë më të larta se Austria.
Apo se gjermanët apo vendet e tjera.
Këta janë të paudhët, jo opozita, e cila në mbrojtje të interesit të qytetarëve, u thotë shqiptarëve të vërtetën, dhe u thotë partnerëve tanë të vërtetën.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Sot PD në mënyrë zyrtare ka dorëzuar kërkesën e saj për ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen e AKSHI-t. A besoni se do ta pranojë mazhoranca duke marrë parasysh se, ka refuzuar të gjitha kërkesat e opozitës, për komisione hetimore deri tani.
Sali Berisha: Gjer sot Edi Rama i ka mohuar opozitës të drejtën themelore kushtetuese, Komisionet Hetimore. Jam i sigurtë se, do të bëjë gjithçka që të mos lejojë. Dhe siç e shifni prej 8 muajsh nuk ka asnjë komision hetimor.
Ndaj dhe ne u jemi drejtuar, ndaj dhe protesta e 17 prillit është kryengritja paqësore më e rëndësishme e qytetarëve shqiptarë.
Parlamentin e kanë asgjësuar me të gjitha mjetet, me rrugë banditeske, me turpe, me çfarë të thuash, nuk kanë turp. Kanë vetëm se, si të mbrojnë krimet që kanë kryer, vjedhjet që kanë bërë dhe ne kemi vetëm protestën si mjetin më kryesor.
Rugova Dunisha, RTSH: Zoti Berisha, ditën e mërkurë këtu në selinë e PD, disa anëtarë të kësaj force politike të Durrësit, të përjashtuar, kërkuan një takim me ju që të sqarohen në lidhje me përjashtimin e tyre, ndërkohë hodhën poshtë pretendimet se kanë bashkëpunuar me PS. Pse nuk u pritët dhe a do i prisni në ditët në vijim?
Sali Berisha: Së pari, nga ata që janë përjashtuar aty ishte vetëm njëri dhe ai është përjashtuar me motive të qarta. Ai ka qenë nënkryetar, në fushatë elektorale ka punuar për kundërshtarët, për të mos thënë edhe ca gjëra të tjera, nuk ka nevojë, por edhe ai dhe çdo njeri tjetër, ka një gjykatë kjo parti, duhet të paraqesë ankesat.
Nuk është Sali Berisha gjykatësi i partisë. Po, Sali Berisha ka premtuar me kohë që do bëhen analiza.
Ka premtuar me kohë që në këto analiza do nxirren përgjegjësitë, pa diskutim.
Në qoftë se iksi apo ipsiloni për shkaqe, nuk më interesojnë, bën fushatë dhe bën thirrje të votohet, bën thirrje ditën para votimit që të votohet për kandidatin e Tom Doshit, unë mendoj se është më e pakta që mund të them pacipësi ekstreme të pretendojë se ka ndonjë gjë të përbashkët me PD.
Ka shkelmuar vetë investimin e vet dhe keqpërdoret.
Pra, ata persona që jepen me qira, që japin veten me qira, kanë bërë një zgjedhje ata.
Partia është një institucion që ka të gjitha forumet dhe cilido që ka vërejtje, ka pakënaqësi, ka të drejtë të ankimojë.
Por absolutisht ata që kanë punuar për kundërshtarët, nuk do kenë vend në PD.
Jo, ke punuar për kundërshtarin, shko…
Marrin përsipër një mision të turpshëm, të neveritshëm. Mirë, ti e bëre atë, dikush thotë se bashkëjeton me të, nuk di asgjë, nuk merrem, por e bëre atë, ti vazhdo, nuk të thirri njeri për të të thënë pse e bëre. Bëre zgjidhjen tënde dhe unë e respektoj zgjidhjen e gjithsecilit.
Shkove bëre fushatë për deputetin kundërshtar, tani shkon të më shitesh mua se të mbaroi periudha e qirasë?
Jo.
Këto janë përpjekje të dëshpëruara të Edi Ramës dhe atyre që bëhen lolo të tyre.
Por e vërteta është se këto janë në përputhje me atë zotim që analiza do bëhet dhe çdo njeri që nxirret nga lista që ka punuar për kundërshtarin, sa janë, nuk mund të them, por janë. 10, 15, 20, janë ata, nuk mund të them se nuk janë. E kam thënë gjithnjë se do bëhet analiza.
E kam thënë gjithnjë se ata që kanë punuar për kundërshtarin do marrë atë që meriton.
Megjithatë secili ka të drejtën të ankimojë dhe të faktojë se është ndëshkuar në mënyrë të pamerituar.
Rugova Dunisha, RTSH: Ndërkohë që PS vazhdon me takimet për zgjedhjet e ardhshme vendore, cila është strategjia juaj përballë pushtetit të Edi Ramës. Do vijoni vetëm me protesta apo keni një strategji e cila nis edhe me një punë në qendrat e tjera për të maksimizuar votat.
Sali Berisha: Strategjia jonë është, largimi i Edi Ramës nga pushteti, si kryetari i organizatës më të rrezikshme kriminale që ka qeverisur Shqipërinë.
Si një rrezik real edhe për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë, për shkak të lidhjeve të tij me organizatat më agresive.
Ju e patë besoj, se nuk e jepni, mund ta jepni ju. A e patë ju emisionin e fundit të RAI-t, çfarë thoshte: Mafia shqiptare më e rrezikshmja në Europë, ose mafia më e rrezikshme ndërkombëtare, e lidhur me Edi Ramën. Pastron paratë në Shqipëri kryesisht, përdor Shqipërinë si platformë për të shpërndarë krimin në të 4-anët.
Merreni dhe jepeni këtë dokumentar, jepeni në mënyrë që të kuptojnë shqiptarët se cili është imazhi i kësaj qeverie, por edhe i Shqipërisë së narkoshtetit për fqinjët, Europën dhe botën.
Se të jesh rrezik për sigurinë je rreziku më i keq. Pra kjo është strategjia jonë dhe ne vazhdojmë të palëkundur në këtë strategji.


