Berisha: Pa guximin e ambasadorit Walker, ndoshta historia e Kosovës nuk do ishte kjo që është sot. Nderimi i Kavajës për çdo njeri që ka luftuar dhe lufton për lirinë, është një nder i veçantë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË CEREMONINË E DEKORIMIT NË KAVAJË

EKSTRAKT

Në ceremoninë e dekorimit të organizuar nga Bashkia Kavajë dhe Shoqata e të Përndjekurve Anti-Komunistë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se ambasadori William G.Walker është jo vetëm një hero i Kosovës, por është një hero i Shqipërisë dhe hero i çdo shqiptari, pasi ai ka bërë për lirinë kombëtare, si individ, ka dhënë një kontribut që shqiptarët nuk i dalin borxhit kurrë.

‘Masakra e Raçakut, në njëfarë mënyre falë këtij burri që kemi ne sot, ishte rasti kur flijimi i 45 burrave, grave, fëmijë, u shndërrua në dritë lirie për mbarë Kosovën dhe kombin shqiptar’- u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e dekorimit të organizuar nga Bashkia Kavajë dhe Shoqata e të Përndjekurve antikomuniste, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se Kavaja është një qytet i veçantë me njerëz punëtorë dhe të ndershëm. Berisha i tregoi ambasadorit Walker dhe pak nga historia e Kavajës dhe të rinjve shqiptarë.

‘Kavaja është një qytet shumë i veçantë, është një qytet i njerëzve punëtorë, të thjeshtë, të mençur dhe të ndershëm. Është një qytet i njerëzve të besimit tek Zoti. Shumicë janë sunitë, por ka një komunitet të nderuar ortodoks që shkojnë në harmoni të plotë’, theksoi gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës, Sali Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij të mbajtur në ceremoninë e dekorimit të organizuar nga Bashkia Kavajë dhe Shoqata e të Përndjekurve Anti-Komunistë, nuk ka lënë pa përmendur edhe dy gazetarë të njohur shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Amerikë, Beqir Sina dhe Ilir Ikonomi, për kontributin e dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën.

‘I dashur Fisnik, ke përzgjedhur të nderosh sot edhe personalitete të shquara të shqiptarëve jashtë vendit, Ilir Ikonomin, Beqir Sinën. Ilir Ikonomi është një nga gazetarët, publicistët, por edhe në fakt edhe historianët më të shquar të vendit.

Zëri i Amerikës luajti një rol të jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës komuniste si burim i vetëm informimi e inkurajimi i shqiptarëve’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE

Mirëdita dhe një përshëndetje shumë të përzemërt të gjithëve ju në këtë sallë, qytetarëve të Kavajës kudo që janë sot.

Një përshëndetje të përzemërt ambasadorit Walker, këtij personaliteti, emri i të cilit skalitet me daltë në memorien e çdo shqiptari që do lirinë.

Në muret me historisë së këtij kombi, ambasadori Walker është jo vetëm një hero i Kosovës, por është një hero i Shqipërisë dhe hero i çdo shqiptari, pasi ai ka bërë për lirinë kombëtare, si individ, ka dhënë një kontribut që shqiptarët nuk i dalin borxhit kurrë.

I dashur ambasador, historia e Kosovës është medalje me dy anë. Në njërën anë është qëndresa e pamposhtur e qytetarëve të saj ndaj përpjekjeve të pandërprera për eksterminimin e tyre, ndaj përpjekjeve të pandërprera për shpopullimin e saj, për shfarosjen e shqiptarëve nga masakra në masakër, por është edhe histori barbarish ndaj Kosovës.

Masakra e Raçakut, në njëfarë mënyre falë këtij burri që kemi ne sot, ishte rasti kur flijimi i 45 burrave, grave, fëmijë, u shndërrua në dritë lirie për mbarë Kosovën dhe kombin shqiptar.

Ambasador, ka pasur masakra të tjera shumë herë më të mëdha, mjerisht disa prej tyre të kryera nga serbë dhe shqiptarë, nga Beogradi dhe Tirana komuniste, e tillë është famëzeza masakër e Tivarit, që mund të renditet e dyta pas Luftës së Dytës Botërore, pas asaj të Katinit.

Por ato i mbuluan ndryshku i kohës, balta e kohës, tymi i kohës sepse ato nuk patën një dëshmitar vigan si ambasadori, i cili me qëndrimin e tij u shndërrua, me klithmën e tij zgjoi ndërgjegjen e mbarë botës së qytetëruar, por para të gjithash, të vendit të tij të madh, të vendit të lirisë, të SHBA.

Pa qëndrimin tuaj, pa guximin, pa ndershmërinë tuaj, ndoshta historia e Kosovës nuk do ishte kjo që është sot.

Ndaj dhe ne kemi një mirënjohje të pakufishme ndaj jush.

Me këtë rast unë dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosen që ka zgjedhur të shprehë nderimin e këtij qyteti ndaj jush.

Por dy fjalë dua t’u informoj ambasador.

Kavaja është një qytet shumë i veçantë, është një qytet i njerëzve punëtorë, të thjeshtë, të mençur dhe të ndershëm.

Është një qytet i njerëzve të besimit tek Zoti.

Shumicë janë sunitë, por ka një komunitet të nderuar ortodoks që shkojnë në harmoni të plotë.

Kanë një meritë të jashtëzakonshme se në periudhat më të zeza të diktaturës, qytetarët e këtij qyteti dhe banorët e këtij rrethi, nuk u lëkundën në besimin e tyre tek Zoti.

Dhe, shumë herë kam pyetur veten, ndoshta edhe ky ishte faktor përcaktues që këta ishin qyteti i parë në Shqipëri që u çliruan nga diktatura komuniste.

Në mars të vitit 1990, Shqipëria ishte moniste.

Të rinjtë shqiptarë vriteshin në kufi sepse kërkonin të dilnin në botën e lirë.

Dhe jo vetëm kaq, por trupat e tyre zvarriteshin në rrugët e qyteteve për të terrorizuar popullatën.

Djemtë e këtij qyteti zbritën në stadiumin e tyre si gladiatorë të lirisë dhe u përballën me diktaturën.

Rexhep Rugeja, Ilir Rugeja e shumë të tjerë u ndeshën me komisariatin e policisë. Në fakt, çliruan qytetin e tyre.

I thashë këto dy fjalë sepse vërtet nderimi i Kavajës për çdo njeri që ka luftuar dhe lufton për lirinë, është një nder i veçantë dhe ju e meritoni këtë plotësisht.

I dashur Fisnik, ke përzgjedhur të nderosh sot edhe personalitete të shquara të shqiptarëve jashtë vendit, Ilir Ikonomin, Beqir Sinën.

Ilir Ikonomi është një nga gazetarët, publicistët, por edhe në fakt edhe historianët më të shquar të vendit.

Zëri i Amerikës luajti një rol të jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës komuniste si burim i vetëm informimi e inkurajimi i shqiptarëve.

Për shqiptarët, Zëri i Amerikës ishte zëri i të vërtetës. Në rast se asokohe, shumë zëra të tjerë mendonin se Shqipëria duhej të mbetej Kuba e Adriatikut, këtë mendim nuk e kishte Zëri i Amerikës, por as edhe administrata e SHBA.

Zëri i Amerikës ka mbetur një radio dhe televizion i dashur për mbarë shqiptarët.

Arriti të rezistojë, duhet ta themi këtë, mrekullisht edhe censurofilisë së çmendur të viteve të fundit që shpërtheu në vendin e madh të lirisë. Qëndroi përsëri zëri i të vërtetës, çka e bën edhe më të admirueshëm për të gjithë shqiptarët këtë organ të informimit nga SHBA.

Ilir Ikonomi ka shkruar disa nga veprat më të arrira për personalitete ndër më të shquarat e historisë tonë kombëtare. Kontributi i tij përbën një rishkrim të historisë, sepse ne kemi pasur fatin e keq të jemi një komb me histori të ndaluar, me histori të falsifikuar, me histori të deformuar.

Veprat e tij kanë paraqitur para publikut të vërteta për personalitetet tona të mëdha, burra që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në pavarësinë e vendit, në rilindjen tonë kombëtare dhe në shumë fusha.

Ndaj dhe përzgjedhja juaj për të nderuar zotin Ilir është jashtëzakonisht nder për qytetin e Kavajës.

Beqir Sina, përfaqësues i asaj shtrese që u sakrifikua, u martirizua për vlerat më të arrira të njeriut, të asaj shtrese që pas Luftës së Dytë Botërore do përjetonte kampet e përqendrimit, të ngritura me modelin e kampeve naziste, me qëllim të vetëm, shfarosjen e shtresës armike.

Kjo është e vërteta.

Beqir Sina përfaqëson atë shtresë, e cila si elitë e kombit, u projektua të zhdukej, të mos ekzistonte.

Dhe të krijohej pastaj njeriu i përçudnuar, njeriu i ri.

Beqir Sina, një gazetar i talentuar, por edhe shkrimtar, me veprat e tij ka plotësuar serinë e veprave të letërsisë sonë ‘Rrno për me tregue’, pa të cilën letërsia e Shqipëria dhe historia e saj do ishin gjysmane. Madje jo vetëm gjysmake, por edhe e turpëruar se ai ishte një realitet shumë dramatik.

Dhe në qoftë se kombi do të pranonte të flinte mbi këtë gjëmë të madhe kombëtare, shumë vështirë se do gjente rrugën drejt të ardhmes.

Ndaj dhe unë dua ta falenderoj shumë kryetarin e bashkisë për nderin që ui bën sot plotësisht të merituar Beqir Sinës.

Do ta mbyll me një fjalë të marrë hua nga Shkodra, po të deshi Kavaja, të duan të gjithë njerëzit e lirë.

Po të nderoi Kavaja, e njëjta gjë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale