Berisha: Pa 20 shkurt, nuk do të kishte triumf të revolucionit demokratik, nuk do të kishte përmbysje me votë të lirë të sistemit komunist!

DEKLARATË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA

Mirëdita!

Jam sot në rastin e 32 vjetorit të përmbysjes së shhtatores së diktatorit Enver Hoxha, të cilin në Konventën e Partive të Qendrës së Djathtë në Europë, në deklaratën e tyre në Paris në prill të vitit 1991, do ta quanin Hitleri shqiptar i pasluftës.

Europa kishte njohur shumë diktator komunistë dhe jo-komunistë, por ai që ngjiste si vëlla siamez me Adofl Hitlerin, ishte Enver Hoxha. Në qendrimin e tij ndaj opozitës, mendimit ndryshe, në qendrimin e tij ndaj lirive dhe të drejtave njerëzore, ndaj besimeve fetare, në qendrimin e tij ndaj pronës dhe interesit kombëtar, ai paraqitet si figura më e zezë, më negative, më e urryer e kombit shqiptar në tërë historinë e tij.

32 vjet më parë kulti i Enver Hoxhës ishte omnipotent dhe omniprezent në këtë vend. Studentët e universiteteve të Tiranës, në një vendim epik të organizuar nga PD dhe shoqata e tyre, nisën në 17 shkurt të vitit 1991 grevën e urisë më masiven që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. Ndër më masivet në historinë e grevave të vetëflijimit në Europë dhe në botë.

Qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, të thirruar nga PD dhe sindikatat vërshuan nga të katërta anët dhe mbushën si kurrë ndonjëherë Qytetin Studenti në çdo rrugë, rrugicë dhe shesh të tijin. Nga ky qytet ishin të ftuar nga artistja e mirënjohur Rajmonda Bulku nën thirrjet “tek sheshi, tek sheshi.”

Masa qindmijëshe e më shumë u derdh drejt qytetit të Tiranës dhe Sheshit Skënderbej, përmbysi në ora 2 e 4 minuta shtatoren e njeriut që kishte zhytur vendin në shtypjen më të egër, izolimin më të thellë, varfërinë më të skajshme, indoktrinimin më të fortë.

Kjo datë ishte data në të cilën, PD-ja u shndërrua në parti të vërtetë opozitare. Kjo datë, ishte data në të cilën, guximi masiv dominoi mbi frikën dhe terrorin masiv. Kjo datë, ngjarje kulmore e revolucionit të vitit 1991, bëri të mundur triumfin e këtij revolucioni. Pa 20 shkurt, nuk do të kishte triumf të revolucionit demokratik, nuk do të kishte përmbysje me votë të lirë të sistemit komunist, nuk do të kishte votë të lirë.

Mesazhi i 20 shkurtit është sot më aktual se kurrë.

Pas 32 vitesh, Edi Rama, nipi i xhelatit që 32 vite më parë kërkonte të fuste tanket te studentët, i Spiro Kolekës pra, i biri i një xhelati tjetër që firmoste varjen në litar të disidentit Havzi Nela në vitin 1998, në një akt hakmarrje tipike të etërve, kërkon të asgjësojë opozitën shqiptare. Ky pasardhës i denjë i bllokmenëve hoxhistë, është sot, pa diskutim njeriu që ka vjedhur shqiptarët më shumë se kushdo në historinë e tyre.

Me politikat që ka ndjekur ka tejkaluar suksesin e platformës së Çubrilloviçit për shuarjen e kombit shqiptar. Shuarjen e këtij kombi. Edi Rama përbën rrezik madhor ekzistencial.

Për çdo shqiptar të ri, të rritur, të moshuar, pavarësisht nga bindjet e tij politike demokratë, të pa parti, të partive tjera, për çdo shqiptar që do Shqipërinë, për çdo shqiptar që i beson Shqipërisë, Edi Rama është fatkeqësi jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, me aktet që ka kryer, me korruptimin e shefit të kundërinteligjencës së partnerit tonë kryesore, SHBA, me qëllim rrënimin e opozitës shqiptare.

Ndaj, edhe 3 marsi është ditë kushtrimi. 20 shkurti frymëzon më shumë se çdo gjë tjetër, shqiptarët të ngrihen në një revolucion. Se vetëm nga një revolucion do mund të përmbyset ky regjim që shkelmon votën, që shkelmon liritë, që vjedh pasuritë, vjedh buxhetin, që nuk njeh normë, moral e ligj, kushtetutë.

Ata të cilët besojnë se Shqipëria rrokulliset, Shqipëria ecën në një drejtim të shpërbërjes dhe katastrofës së saj. Ata të cilët i thonë vetes shqiptarë, që e duan këtë vend, duhet të bashkohen me këtë revolucion. Nuk duhet t’i trembë fjala revolucion, përkundrazi duhet t’i thërrasë ndërgjegjes së tyre se rrugë tjetër aty ku vdes vota, përveç revolucionit, për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk ka.

Ndaj dhe ftoj të gjithë shqiptarët të bashkohemi në këtë revolucion, të vazhdojmë betejën tonë deri në fitoren e plotë të tij.

Por sot është edhe ditë e kujtesës kombëtare, dhe unë jam këtu para jush për t’u përulur me nderimin më të thellë, me mirënjohjen më të pakufijshme ndaj dhjetëra e dhjetëra e mijëra burra, grave dhe të rinjve, të moshuarve, martirëve të lirisë që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në kasaphanë e luftës së klasave, në gulaget, në kampet dhe burgjet e përqendrimit të diktaturës komuniste. Dhe vetëm e vetëm për idealet më të larta njerëzore, për dashurinë e pakufijshme për Shqipërinë, për besimin e madh te liria, tek të drejtat, tek Zoti.

Në këtë kontekst garantoj se, PD e cila ka tek kjo shtresë trashëgimininë e saj më të çmuar, do bëjë gjithçka për të ngritur në piedestal rolin e tyre. Do bëjë gjithçka për një ridimensionim të plotë të të vërtetave historiike të këtij vendi.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale