Berisha: Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë! Çdo demokrat e çdo qytetar të solidarizohet me studentët, diaspora po vërshon drejt kryeqytetit

DEKLARATË PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve, prindërve, demokratëve, bizneseve dhe diasporës që të bashkohen nesër në Tiranë në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë.

Në një deklaratë për shtyp, Berisha e cilëson qëndresën e të rinjve si një betejë epike për dinjitetin dhe të ardhmen e tyre në Shqipëri, ndërsa akuzon Policinë e Shtetit për dhunë dhe keqtrajtim të protestuesve, përfshirë të mitur dhe vajza.

Ai u bën thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit të solidarizohen me studentët, duke theksuar se ata po mbrojnë të ardhmen e tyre dhe ëndrrën për të jetuar në Shqipëri. Berisha shprehet gjithashtu se shqiptarë nga diaspora po udhëtojnë drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar kësaj mbështetjeje.

“Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë”, deklaroi kreu i PD-së, duke e cilësuar solidaritetin me studentët të një rëndësie të jashtëzakonshme.

DEKLARATA E PLOTË

Mirëmbrëma!
Të dashur qytetarë dhe qytetare, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, u drejtohem sonte para së gjithash si prind, si gjysh, si qytetar, por edhe ish-president e ish-kryeministër i këtij vendi.
Të gjithë ju, prindërve, qytetarëve dhe qytetareve, të gjithë anëtarëve të diasporës tonë kudo që janë, të rinjve dhe të rejave në të katër anët e vendit, nesër është një ditë shumë e rëndësishme, tejet e veçantë.
Që nga data 13 gjer sot, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, narkobanditë me uniformë janë sjellë në mënyrën më shtazore me akte barbare ndaj studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës.
I kanë keqtrajtuar, torturuar, ndaluar dhe arrestuar me qindra e qindra prej tyre.
Kanë mbushur komisariatet me të mitur, me vajza, me qytetarë dhe të moshave më të shtyra.
Barbaritë e tyre mbi trupat e rrëzuar të të rinjve dhe studentëve, thyerja e kockave, çarja e kafkave me bombola gazi, me plumba gome, përdorimi i granatave të gazit dhe zhurmuese, përdorimi i tonelatave gaz të skaduar ariu, spraj ariu, shkopinjtë e gomës shoqëruar me shufra hekuri.
Tirana nuk ka njohur një barbari të tillë ndaj të rinjve shqiptarë as në vitet ’90.
Nesër gjimnazistët dhe studentët e Tiranës kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e çdo shqiptari në betejën e tyre epike.
Në betejën e tyre të pamposhtur.Nesër, mijëra e mijëra burra, gra, djem dhe vajza, nga mbarë Evropa vërshojnë drejt Tiranës.
Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, çdo prind, nënë, baba, ftoj të gjitha bizneset e vendit të solidarizohemi nesër në Tiranë me studentët, të cilët në këtë betejë epike po mbrojnë më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen e tyre në këtë vend, ëndrrën e tyre shqiptare nga një zjarrvënës, armik i egër i kombit.
Po mbrojnë dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.
Janë ngritur viganë kundër bandave të drogës në qeveri, narkoshtetit me pasojat e tij shkatërrimtare, kreut të këtij narkoshteti, Padrinos Edi Rama.
Solidariteti dhe mbështetja jonë për studentët është e një rëndësie të jashtëzakonshme.
Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale