FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME KRYETARET DHE SEKRETARËVE TË DEGËVE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje degëve të partisë dhe mbështetësve të saj të mobilizohen për protestën e së shtunës, e cila, sipas tij, do të zhvillohet në mbështetje të revoltës studentore dhe kundër qeverisë së Edi Ramës.
Gjatë takimit të sotëm me kryetarët dhe sekretarët e degëve të PD-së, Berisha e cilësoi protestën si një moment me rëndësi të veçantë dhe kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave për një pjesëmarrje sa më të gjerë. Ai theksoi se Partia Demokratike do të qëndrojë në krah të studentëve deri në realizimin e kërkesave të tyre. ‘Dita e shtunë është një protestë jashtëzakonisht e rëndësishme. E thërrasim këtë protestë në mbështetje të studentëve. Në mbështetje të plotë të tyre. E thërrasim këtë protestë për t’u provuar atyre se Partia Demokratike është dhe do qëndrojë në krah të tyre, gjithnjë deri në fitore’, deklaroi Berisha.
Lideri i demorkatëve ftoi gjithashtu të gjitha forcat politike që t’i bashkohen protestës dhe revoltës studentore, duke e konsideruar bashkimin e opozitës si kusht për largimin e qeverisë aktuale. Sipas tij, ata që nuk angazhohen në këtë përpjekje ose përdorin protestën për axhenda të tjera politike, nuk synojnë largimin e Edi Ramës. ‘Partia Demokratike sot fton të gjitha forcat politike të bashkohemi në mbështetje të revoltës studentore’, u shpreh Berisha, duke kërkuar krijimin e një fronti sa më të gjerë kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së përsëriti kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e ardhshme. ‘Të largojmë Edi Ramën, të krijojmë një qeveri teknike që përgatit zgjedhjet, të votojnë shqiptarët dhe të zgjedhin atë që duan’, tha ai.
Lideri i opozitës Sali Berisha u ndal edhe te mobilizimi që po bëhet në mbrojtje të kryeministrit, duke akuzuar mafien se përdor paratë e drogës dhe korrupsionin për të mbajtur Ramën në pushtet. Ai deklaroi se kryeministri nuk mund ta ndalë më rënien politike. ‘Ka një angazhim të madh të mafies, të ushqyer me narko-euro, për të vjedhur me korrupsionin, për të mund me mbajt me çdo kusht Edi Ramën. Edi Ramën nuk e mbajnë më. Edi Rama kurrë nuk do mund të ndalojë rrokullisjen e tij’, deklaroi kreu i opozitës.
Në takimin me drejtuesit dhe sekretarët e degëve, kryetari i Partisë Demokratike kërkoi mobilizim maksimal për protestën e së shtunës dhe nxitjen e protestave edhe në rrethe. Ai pranoi se demokratët janë të lodhur nga përballja politike, por u kërkoi të vijojnë qëndresën. ‘Kilometri i fundit, edhe një herë mos harrojmë, më i lodhshmi është gjithmonë kilometri i fundit. Po këtë kilometër do ta bëjmë dhe do ecim të sigurt drejt fitores’.

FJALA E PLOTE
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt dhe falënderim nga zemra për të gjithë ju për angazhimin, përkushtimin që keni treguar, si dhe për të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë që janë mbledhur nga të katër anët e vendit në mbështetje të revoltës studentore, një revoltë e një rëndësie historike.
Shqipëria sot është narkoshteti më i konsoliduar i planetit, çka do të thotë është dhe diktatura ndër më të këqijat, ose më e keqja, midis të gjithë diktaturave autoritare. Diktatura që pranojnë pluralizmin, por përdorin të gjitha mënyrat për ta shtypur pluralizmin.
Dy ditët e fundit, regjimi ka marrë karakter talebanesk. Në studiot televizive dënohen mediat, dënohen mediat për mendimin e lirë që shpreh i ftuari para drejtuesit, moderatorit të debatit. Pra, narkodiktatori koncepton moderatorët e debateve si policët e moralit, njëlloj si talebanët e Afganistanit apo fanatikët e Ajatullahve.
Vendosin gjoba. E ashtuquajtura AMA, do hyjë në histori si institucioni më i turpshëm, të cilës Edi Rama i jep funksionet e xhandarit të mendimit dhe të fjalës së lirë, përdoret për të gjobitur studiot televizive, në rast se shkon aty dhe thua asgjë më shumë as më pak, se Edi Rama është më mirë të ikësh sesa të zvarritesh e të dalësh i zvarritur nga zyra.
Këto janë përpëlitje të një narkodiktature dhe të një narkodiktatori, të cilat, masa që asnjë tjetër si ai përveç talebanëve që janë të njohur për ministrinë e virtytit e të moralit e të tjera e të tjera nuk i ka adaptuar.
Tani protestues paqësorë, krejtësisht paqësorë në bulevard, i merrnin zvarrë dhe u prisnin fletën e gjobës duke shkelmuar njëherazi Kushtetutën e vendit.
Në Gjirokastër, kandidaten tonë, pedagogen e Universitetit të Gjirokastrës, Alma Buci, dekani i saj i pret ditën e punës në një kohë kur universitetet janë në grevë me urdhër të sindikatave. I janë përgjigjur urdhrit të sindikatave dhe dekani faqezi i thotë se dita e punës të pritet, thotë se ke shkuar në protestë në Tiranë.
Po kështu rektori i Gjirokastrës bën presione të jashtëzakonshme pa shkak se universitetet kanë shpallur grevë.
Nuk respektojnë as edhe një normë, as edhe një standard, kjo është narkodiktatura. Nuk ka ligj për narkodiktaturën, ka vetëm shpërthime të matjes së rrezikshme të saj.
Unë dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime autoritare, diktatoriale, mafioze, të pakonceptueshme ndaj fjalës së lirë, ndaj debatit.
Unë dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime autoritare, diktatoriale, mafioze, të pakonceptueshme ndaj fjalës së lirë, ndaj debatit në mbrojtje të kreut të organizatës kriminale, në mbrojtje të Edi Ramës, i cili është autor krimesh monstruoze, i cili Shqipërinë, vend anëtar të NATO-s, Shqipërinë, vend me orientim të fuqishëm europian, shtetin ligjor e zëvendësoi me shtetin e mafies, me narkoshtetin dhe po e zbraz çdo muaj e më shumë.
Por, në qoftë se Edi Rama dhe mafia e pushtetit vendosin në këtë vend për çdo gjë, falë përkushtimit të madh të demokratëve dhe të qytetarëve shqiptarë, themelet e narkoshtetit janë të lëkundur sot më shumë se kurrë.
Sot ka një regjim në shkërmoqje në Europë që po ndjek hap pas hapi regjimin e Beogradit, dhe ky është regjimi i Tiranës.
Dhe këtu, kanë një meritë të madhe të gjithë ata që qëndruan, nuk u përkulën. Të gjithë ata që me protestat e tyre, dëshmuan se Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje të lira por farsë elektorale.
Miqtë tanë në Europë dhe në botë, të cilët e gozhduan atë, e damkosën atë në një seri rezolutash të organizatave partiake më të fuqishme ndërkombëtare, në të cilat edhe ne jemi të anëtarësuar.
Pikërisht, në sfondin e zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin, në sfondin e vjedhjes dhe plaçkitjes së shqiptarëve më shumë se çdo pushtim tjetër, e varfërimit dhe mjerimit të tyre, në sfondin de fakto të dëbimit të tyre nga Shqipëria me kushtet, për kushtet e kalkuluara.
Shpërtheu në fillim të qershorit, protesta popullore më e madhe, më gjigante, më e bukur, më madhështore që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj. Dhjetëra, qindra mijëra shqiptarë nga të katër anët e Shqipërisë, por edhe të dheut, mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës kundër narkoregjimit, kundër kreut të organizatës kriminale dhe narkoqeverisë së tij.
E vërteta që në këtë uragan të paparë, i dominuar nga të rinjtë dhe qytetarët, por që tërhoqi dhe intelektualët ndër më të shquarit, jehona e tij botërore ishte e jashtëzakonshme.
Mirëpo çfarë ndodhi? Për koincidencë fatale, flamingon e kapën për fyti. E kapën për fyti me sloganin sine qua non ‘Rama në burg, Berisha në burg’.
Me këtë slogan, këta besëprerë në zbatim të projekteve të Edi Ramës dhe të tjerëve, menduan se skenari serb i zëvendësimit të opozitës së vërtetë, që kishte qëndruar në kushte më të vështira, që kishte rezistuar një kalvari të paprecedent në historinë e Evropës, një force politike që në mbrojtje të parimeve të njerëzve të lirë, donin ta arkivonin.
Donin ta arkivonin në banesën e harresës dhe orientuan at protestë të paparë ndonjëherë në Shqipëri, në çdo aspekt, pankombëtare, e orientuan drejt shkatërrimit.
Ata të cilët mbërthyen flamingon për fyti, ata meritojnë të kualifikohen në rrafshin social dhe psikologjik si vrasësit më barbarë.
Natyrisht projekti i tyre për një opozitë tjetër në shërbim të Edi Ramës, solli fatkeqësisht shumë drejt shkatërrimit të atij uragani.
Dhe Partia Demokratike ka një qartësi shumë të madhe dhe denoncon me forcë këtë grup makbethian që në zbatim të porosive të Edi Ramës ndërmori akte të tilla.
Por ju dhe të gjithë demokratët duhet të ndjehen krenarë, se ata në respekt të qytetarëve dhe të të rinjve vazhduan protestën dhe ne ishim partia me shumicë, ndër të gjitha partitë në atë protestë sepse kishte dhe nga parti të tjera pa diskutim, kishte dhe socialistë pa diskutim.
Por të organizuar si Partia Demokratike në protestën e flamingove nuk ka marrë asnjë forcë tjetër politike. Dhe bëmë shumë, shumë mirë them unë. Imagjinoni ju në qoftë se Partia Demokratike nuk do ishte bërë pjesë aktive e saj, ndërgjegjja jonë do mbetej e lënduar për vite dhe dekada.
Kishte mjaft, jo pak, që shtronin pyetjen, pse të shkojmë ne atje, ku hedhin parrulla.
Ne ishim shumë të hapur, shumë të ndershëm, ne u thamë mbështetësve dhe simpatizantëve dhe anëtarëve tanë, ne shkojmë atje, ata që hedhin parrullat janë armiqtë tanë.
Por duke konsideruar të keqen më të madhe Edi Ramën, atëherë ne përshtasim parimin e njohur që nga kohët e lashta, armiku i armikut tim, është aleati im.
Në fakt, në fakt ata që kishin atë mision, ata vazhduan. Gjersa Edi Rama bëri një marrëveshje siç e deklaroi, që unë me flamingot jam në rregull dhe ata të tjerë që protestojnë ata janë sorra, çafka, hajdutë e me radhë.
Pra, ishte një kohë, ishte një zhvillim i panjohur më parë për forcën tonë politike.
Sepse promotori i të gjitha protestave nga vitet ’90 e pothuaj të gjithave nuk them të gjithave, e lindur në protestë, nëna e protestave, tani u gjet përballë një gjiganti popullor dhe u rreshtua pas simboleve të saj, në këtë gjigant.
I gjithë synimi ishte krijimi i një opozite tjetër. I një opozite, siç e do Edi Rama me patronin e tij, George Soros. Pyesin shumë, kush ishte mbrapa? Kush organizonte? Po ju e keni parë. Ata kanë emër mbi emër, ishin organizatat sorosiane në krye.
Ishin ato, të cilat, të cilat, hoqën maskat nga organizatat e shoqërisë civile, u shndërruan në qeliza politike të ekstremit të majtë dhe kërkonin të likuidonin opozitën.
Opozitën e këtij vendi, që kishte dëshmuar vendosmërinë dhe qëndresën më të madhe në historinë e opozitave të Evropës. Asnjë.
Jo për dashurinë tonë, por për kompleksitetin e rrethanave, asnjë forcë politike nuk kaloi një kalvar të tillë si Partia Demokratike dhe nuk ishte vetë i pari ky.
Ne kishim kaluar kalvarin e ’97-ës, kur pas rebelimit komunist, e vërteta është që një pjesë e mirë e drejtuesve të kësaj partie, u shmangën, u larguan.
Por ajo prapë u ndërtua. U ngrit si feniksi nga hiri. U ngrit, u ngrit dhe i përzuri me votë ata që erdhën me rebelim. Kjo është e vërteta.
E zhytën në mënyrën më të pamerituar në izolimin më të thellë, sikur të ishte një parti superfashiste, apo supernaziste, apo superkomuniste. Kush? Një parti që po mbronte parimet më të drejta, të lirisë së një formacioni politik.
Çfarë po bënim ne atje? Ne s’po kërkonim asgjë tjetër, vetëm të qëndronim jo si opozitë e qeverisë, por si opozitë e qytetarëve shqiptarë. Dhe rrethanat bënë që të vendosin, ku jemi sot në krahasim me atë?
Sot ne jemi nga opozitat më të respektuara në planet. Më të forta? Më të forta. Më të pamposhtura.
Natyrisht, ka një problem të madh. Ka një problem të madh, dhe historia do ta regjistrojë si një nga skandalet më të mëdha në historinë e Evropës dhe të botës: injorimi i narkoshtetit shqiptar.
Vetëm një muaj më parë, në një drekë kur një deputeti yni do t’i paraqiste fakte të pakundërshtueshme një ambasadori për narkoshtetin, shkëlqesia e tij i përgjigjej: ‘Po si mund ta themi ne këtë, kur Shqipëria po ecën drejt bashkimit europian?’.
E vështirë ta interpretosh këtë reagim apo përgjigje, por e vërteta është se Shqipëria, për tragjizmin, për dramën e saj, vërtetohet sot më narkoshtet se çdo shtet tjetër në planet.
Më shumë se Kolumbia. Sepse shtylla më kryesore, tipari më kryesor i një narkoshteti është ndikimi shkatërrimtar i drogës në ekonomi.
Eurostat publikoi para dy javësh studimin krahasues të raportit të euros me 40 monedhat e planetit dhe leku, që shqiptarët me të blejnë sot 50% më pak se në 2013-ën, doli monedha më e fortë e botës.
Euro dhe dollari, dy kryemonedhat e botës, janë zhvlerësuar në raport me lekun 33 dhe 35%. 6 përqind është zhvlerësimi në Kolumbi i pezos. 12 përqind është zhvlerësimi i pezos në Meksikë. Sepse këtu miliardat e euros vijnë me kontejnerë dhe pastaj vrasin eksportet, zhvlerësojnë eksportet, falimentojnë.
Kursimet e qytetarëve shqiptarë kanë humbur 250 miliardë lekë, qindra mijëra pensionistë që marrin 100 apo 150 euro apo dollarë nga familjarët e tyre, i kanë të zhvlerësuara 30%.
Prodhimi industrial në pikiatë, eksportet 28%.
Drogë ka dhe Serbia, po, dhe janë klane shumë të fuqishme, por problemi është se Serbia nuk u shtrua në parajsën e larjes së parave të drogës të të gjithë trafikantëve, siç është Shqipëria.
Raporti i euros me dinarin ka lëvizur 5%. Droga është një fuqi e të keqes, një superfuqi e të keqes për shqiptarët.
Bisedoja me miq që kanë kaluar jetën e tyre me zgjedhje dhe sapo mbyllej kapitulli i narkoshtetit, nuk ka zgjedhje thoshin ata. Është e kotë, mos hyni fare, nuk mund të ketë zgjedhje. Sepse droga, tonelatat, paratë blejnë gjithçka.
Por ne qëndruam ndaj kësaj të keqeje, pavarësisht nga çmimi. Narkoshteti bëri gjithçka ndaj nesh. Na mori logon, vulën, flamurin. Në dy palë zgjedhje pa të gjitha këto. Vendosën në arrest shtëpie, bllokoi të gjitha fondet.
Gjithçka u bë që ne të shuheshim. Por ne në fakt kemi dalë më të fortë se kurrë. Po, sepse në mbrojtjen e një kauze të drejtë ne ia dolëm dhe është një meritë e jashtëzakonshme kjo.
Na e imponuan, nuk e zgjodhëm vetë, por ne qëndruam.
Dhe tani këta mendonin se me një mikrofon do ta zëvendësonin si në Serbi opozitën, çka treguan se këta nuk kishin hall Edi Ramën, këta kishin hall opozitën.
Opozita në fakt sot është shumicë në Tiranë dhe ju garantoj që është shumicë në Shqipëri.
Por në këtë mbledhje, mesazhi im kryesor për ju është që do bëni çdo përpjekje në rrethet tuaja, në qytetet tuaja, në qarqet tuaja për një front sa më të gjerë antinarkoshtet.
Është koha të bëjmë çdo përpjekje për t’u bashkuar me të gjithë ata që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij vendi. Ne jemi sot forca kryesore politike e vendit. Na përket ne.
Ne jemi sot forcë kryesore politike e vendit, ndaj dhe na përket ne të shtrijmë dorën, të vendosim urat e bashkëpunimit me të gjithë spektrin opozitar në çdo qark, në çdo rreth, në çdo qytet dhe kudo.
Flamingot, u faktua se me diktaturën, me narkodiktaturën sado të dukesh, do një front të fuqishëm opozitar. Ata intelektualë dhe jo të paktë që për idealet dhe parimet e tyre shkonin çdo ditë, ata e kuptonin shumë mirë këtë, që duhej një thirrje, i bashkimit të të gjitha forcave politike.
Por flamingot e kishin kapur për fyti. Ata nuk kishin zë. E kishin kapur për fyti. Tani nuk mund të mohohet që flamingot patën një jehonë të jashtëzakonshme dhe i treguan botës se Edi Rama është një diktator, është një hajdut, është një mashtrues.
Shpërtheu lëvizja studentore dhe këtu Partia Demokratike dhe demokratët kanë një meritë të veçantë, që në orën e parë u bashkuan me këtë lëvizje, me parimin: mbështetje të plotë dhe totale dhe mbrojtje të studentëve.
Lëvizja studentore ishte lëvizja e guximtarëve dhe trimave të paparë gjer sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës. Ajo me shpejtësi të rrufeshme fitoi një simpati të jashtëzakonshme. Skena të qëndresës së atyre vajzave që i gjuanin si barbarë me topa uji dhe që mbronte e ishin kapur njëra me tjetrën, apo skena që qëllonin në ballë pa asnjë shkak protestuesit.
Barbaritë dhe qëndresa e bënë lëvizjen e studentëve shqiptarë lëvizjen më të dashur të njerëzve të lirë në mbarë botën.
Dhe është në nderin tuaj, të demokratëve që u bënë mbështetje e fuqishme, me aq sa patën mundësi, parzmore e tyre, në të gjitha etapat.
Deputetët tanë, studiot ligjore kanë bërë asistencën më cilësore aty në komisariate, në ato blloqet e sigurisë, në gjykata dhe kudo.
Ndaj dhe sot falë kësaj qëndrese, falë protestave të papara ndonjëherë që ajo, e flamingove dhe kjo e studentëve, Edi Rama është krejt tjetër. Është një diktator i izoluar, i dërrmuar, i turpëruar, i pandehur, i pafytyrë nga i cili vendi duhet të shpëtojë sa më parë.
Nuk duhet të ketë paqe për këtë regjim! Në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë. Zhvillimet tregojnë se urrejtja e shqiptarëve ndaj tij është e pashlyeshme. Se ajo shpërthen dhe rishpërthen në mënyrë të papërmbajtur.
Zhvillimet treguan se ata që u përpoqën të krahasojnë Partinë Demokratike me Partinë Socialiste, u faktuan në SPAK-un sharlatan, me së shumti e shumë gjëra të tjera mund të themi.
Atyre që janë të tronditur nga zhvillimet u them se keni arsye. Keni arsye.
Nuk jemi ne që bashkojmë qelbësirat, por ne do bashkojmë dhe do bashkohemi me të gjitha forcat politike, qytetarët, idealistët, trimat e vendosur për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim. Qelbësirat do t’i kthejmë, do t’i çojmë atje ku e kanë vendin, para ligjit.
Të gjitha këto përpjekje që dëgjoni ju, ‘si t’ja bëjmë, mirë se Rama duhet të ikë, po kush do vijë?’… Po do vijnë ata që do të përcaktojnë shqiptarët! Dhe unë u them që sot, ligji, ligji, gërshërët e tij ju pret ju dhe banditët tuaj në shpella dhe kudo që janë.
Zero tolerancë!
I shihni ju se si janë mobilizuar? Çdo natë, çfarë kanë këta?
Janë tmerruar nga ligji dhe shteti ligjor. Se këta janë që të gjithë kori i narko-shtetit dhe narko-euro. Këta ushqehen me narko-euro.
Vjen ai e përzënë nga Kosova, vjen hap portal këtu për të mbrojtur Edi Ramën. Dhe kur zhduken i thoshte gazetari, e pyeste shokun: ‘Po ku janë ata të tre?’ ‘S’e di’, thotë, ‘po ç’ke me ta?’ ‘Po me këtë do mbrojmë kryeministrin ne?’
Po ekzakt këtë po ju them unë juve.
Pra, ka një angazhim të madh të mafies, të ushqyer me narko-euro, për të vjedhur me korrupsionin, për të mund me mbajt me çdo kusht Edi Ramën. Edi Ramën nuk e mbajnë më. Edi Rama kurrë nuk do mund të ndalojë rrokullisjen e tij.
Dhe kjo, garant për këtë duhet të jetë Partia Demokratike.
Ndaj dhe dita e shtunë është një protestë jashtëzakonisht e rëndësishme. E thërrasim këtë protestë në mbështetje të studentëve.
Në mbështetje të plotë të tyre. E thërrasim këtë protestë për t’u provuar atyre se Partia Demokratike është dhe do qëndrojë në krah të tyre, gjithnjë deri në fitore.
Partia Demokratike sot fton të gjitha forcat politike të bashkohemi në mbështetje të revoltës studentore. Ata që nuk gjejnë forcë, por nxjerrin pretekste, ata nuk duan largimin e Edi Ramës.
Jo! Nuk duan largimin e Edi Ramës, absolutisht.
Të tjerë, që e përdorin protestën, jo për largimin e Edi Ramës, po për axhendë të veten politike, edhe ata nuk duan largimin e tij.
Po koha është provë e madhe për çdo politikan dhe për çdo shqiptar sot: të largojmë Edi Ramën, të krijojmë një qeveri teknike që përgatit zgjedhjet, të votojnë shqiptarët dhe të zgjedhin atë që duan. Të bëjmë të mundur që shqiptarët të votojnë.
Autokrat ishte ai, krime ka kryer Vuçiçi. Po, po, pa diskutim. Edhe vinte ishte i implikuar në krime, genocid e të tjera me radhë. Por pushtetin e dorëzoi. Pushtetin e dorëzoi!
Në qoftë se ka një mësim, një mësim që ne duhet ta marrim nga opozita dhe nga lëvizja studentore, është bashkimi. Të bashkohemi.
Të bashkuar. Dhe ne duhet të bashkohemi, unë u them të gjithëve. Bashkohemi, të arrijmë këtë qëllim. Të bëjmë atë kod dhe atë reformë zgjedhore që pranohet nga të gjithë.
Secili teston veten para shqiptarëve. Ata që mendojnë t’i caktojnë Partisë Demokratike kryetarin, ata domethënë janë, apo çdo force politike, nga mendësia u takon të jenë hitlerianë, enveristë, janë të paguar.
Ata ia kanë falur shpirtin mafies për të thënë gjëra që s’mund të imagjinohen. Po këta janë pakicë.
Këto nuk kanë asnjë vlerë dhe ne tek ne nuk kanë asnjë ndikim.
Kështu që këtë të shtunë, përpjekjet të jashtëzakonshme për mobilizimin më maksimal tonin. Ndërkohë në rrethe do të nxisni çdo lloj proteste kundër këtij regjimi.
Nuk mund të ketë paqe për narko-diktatorin e vetëm në Europë, Edi Rama. Asnjë ditë.
Sot më shumë se kurrë, Partia Demokratike duhet të qëndrojë në këmbë.
Unë e kuptoj vijnë dhe më thonë me të drejtë drejtues që demokratët janë lodhur, ne në këtë jemi lodhur.
Janë lodhur, s’ka diskutim.
Por kilometri i fundit, edhe një herë mos harrojmë, më i lodhshmi është gjithmonë kilometri i fundit. Po këtë kilometër do ta bëjmë dhe do ecim të sigurt drejt fitores.
Faleminderit!


