Berisha: Opozita shqiptare ka arsye për të festuar fitoren e Trump. Mosbindja civile do të vazhdojë. Taksa e sheshtë është leva e Arkimedit për qeverisjen e PD

BASHKEBISEDIMI I KRYETARIT TE PD, SALI BERISHA ME QYTETARET NE RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Në nisje të bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, opozita shqiptare ka arsye për të festuar fitoren e Trump sepse ajo u godit nga e majta amerikane dhe Sorosi.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi edhe njëherë se mosbindja civile është rruga drejt fitores në Shqipëri. ‘Unë kam besim se mosbindja civile është rruga e vetme fitimtare në betejën kundër perandorisë së Sorosit’, tha Berisha.

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka bërë të ditur sot, se në krye të policisë së Tiranës do të emërohet banditi që zvarriti presidentin e PL-së, Ilir Meta. Berisha theksoi se, Edi Rama do të detyrohet të firmosë për qeverinë teknike.

I pyetur se çfarë mund të sjellë presidenca e Donald Trump, kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi se, Trump dhe Riçard Grenell nuk kanë mbështetur projektin për ndarjen e Kosovës. Sipas Berishës, Trump ka një tjetër trashëgimin, e cila është marrëveshja që i firmos në zyrën e tij nga kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçit.

Fitorja e Donald Trump ishte një fat i madh për familjen shqiptare, kundër planeve të Xhorxh Soros që kërkon të shkatërrojë familjen tradicionale.

Kryetari i PD, Sali Berisha, shpalosi në një bashkëbisedim online me qytetarët edhe objektivat ekonomikë të opozitës kur të vijë në pushtet. “Problem themelor sot, krahas rivendosjes së gjyqeve politike, burgosjeve politike, është problemi ekonomik.

Sipas Berishës, rikthimi i taksës së sheshtë do të jetë leva e Arkimedit që të rritet GDP e Shqipërisë, njësoj si në vitet 2005-2013 kur me këtë taksë, u dyfishuar GDP e Shqipërisë.

FJALA E PLOTE

Të dashur qytetarë që ndiqni dhe merrni pjesë sot në këtë bisedë timen me ju nëpërmjet rrjeteve sociale, së pari dëshiroj t’u përshëndes përzemërsisht dhe t’u falënderoj me mirënjohjen më të madhe për ndjekjen e bisedës dhe mbështetjen tuaj.

Së dyti, kam kënaqësinë që sot bisedoj në një kohë kur pas bisedës së mëparshme gjer sot kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme.

Kanë ndodhur ndryshime në kahje shumë të favorshme për lirinë, për dinjitetin, për vlerat universale të individit dhe shoqërive të lira në mbarë botën.

Nuk mohohet se rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë shënon një fitore të madhe për vlerat konservatore në SHBA, por për vlerat konservatore në mbarë botën, për ata të cilët iu besojnë dhe i kanë të shtrenjta, të çmuara këto vlera.

Një dallgë marksiste që sundoi apo kulmoi katër vitet e fundit në SHBA, theu qafën në kuptimin që ajo u hodh poshtë në mënyrë plebishitare nga zgjedhësit, qytetarët amerikanë dhe fatmirësisht pas disfatës së flamurmbajtësve të kësaj dallge, sot po lexoja se shumica dërrmuese e mbështetësve të zëvendëspresidentes Harris po rikthejnë mbështetjen e tyre për presidentin Trump.

Në këtë mënyrë unë besoj se çdo njeri i mirë beson në vlerat konservatore si vlerat më të mira.

Ka pasur një rast të festojmë këtë fitore.

Por dy herë më shumë shqiptarët, opozita shqiptare, sepse këto vite, kjo opozitë u përball jo vetëm me narkoshtetin e vetëm dhe të parë në Europë, por për fat të keq u përball me grushtin e shtetit të organizuar kundër saj si forcë konservatore nga e majta amerikane, nga Xhorxh Soros dhe qëndrat që ai ndikonte, lobonte.

Kështu që kjo ishte një periudhë trevjeçare shumë e vështirë për opozitën, por edhe për qytetarët shqiptarë.

Në përpjekje të paimagjinueshme, vendi i madh i lirisë që kishte bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve, ndërmori përpjekjet, masat më absurde, më antidemokratike vetëm e vetëm që të shndërronte opozitën shqiptare në një shtojcë të narkodiktatorit Edi Rama.

Njerëzit flasin me të drejtë sepse e kanë dëgjuar dhe e dinë sanksionimin e Sali Berishës, por qindra prej jush u sanksionuan vetëm për mbështetjen që i jepni Sali Berishës, mbështetjen që i jepni të vërtetës.

Kështu që kjo dallgë, që për fatin më të keq kësaj here vinte nga përtej Atlantikut, theu qafën, do të përdor një term shqiptar, në brigjet e Atlantikut përsëri.

Amerika u rikthehet vlerave. Ata u përpoqën të tjetërsojnë individin, identitetin e njeriut, ata morën ndëshkimin që meritonin nga qytetarët amerikanë.

Mos harroni se kjo zëvendëspresidente shndërroi në politikat e saj shtetërore ndryshimin e gjinisë njerëzore dhe perversitete të tjera, rrënimin e familjes, shndërrimin e prindërve në numra.

Pra, tejkaloi edhe parashikimet marksiste të kohës me këto idera.

Në këtë kontekst, Amerika shpëtoi nga vota e qytetarëve, por edhe ndikimi i saj kulturor, Amerika është një superfuqi kulturore në botë, një agresion i vërtetë kulturor merr fund me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump.

Natyrisht të dashur miq, beteja për ne zhvillohet në Shqipëri dhe këto zhvillime janë një motiv edhe më i madh për ju që mbrojtët në kushte shumë të vështira të një presioni të paimagjinueshëm, brenda dhe jashtë vendit, vlerat që besoni, sot duhet të ngriheni përsëri në një nivel më të lartë se ç’jeni për mbrojtjen e tyre, triumfin e tyre në Shqipëri.

Sepse nëse perandoria e Sorosit mori një goditje fatale në SHBA, ajo qëndron në këmbë me të gjithë dhëmbët dhe fuqinë në Shqipëri.

Unë kam besim se mosbindja civile është rruga më e sigurt dhe e vetme fitimtare në betejën kundër saj.

PYETJE PERGJIGJET ME QYTETARET:

Endri: Jam një punonjës i administratës së Durrësit, nuk jam marrë me parti, por u bënë disa vite që na detyrojnë të dalim në takime dhe mitingje të PS. Kur të vini ju në pushtet edhe ju do të bëni si këta, apo do ta largoni politikën nga administrata.

Sali Berisha: Narkoshteti ndër të parët që shkatërroi në Shqipëri është administrata. Shkatërroi Policinë e Shtetit, të cilën e angazhoi në mbjelljen e kanabisit në vend, e shndërroi nga luftëtare kundër krimit, në bashkëpunëtore të tij. Por për të ju përgjigjur pyetjes tuaj, shkurt dhe direkt, ne mënyrë absolute do të respektojmë administratën dhe punonjësit e saj, jo si një levë e partisë, jo si një instrument i partisë shtet, por si institucione të shtetit, të të drejtës, ligjit dhe kushtetutës.

Enveri: PD këmbëngul për qeveri teknike si garanci për procesin. A mendoni se do të arrihet? Çfarë strategji do të ndiqet për ruajtjen e votës së diasporës: 

Sali Berisha: Së pari, pa një qeveri teknike, Edi Rama, i cili ka kryer krime ndër më të rëndat, së bashku me familjarët e tij, nuk do pranojë kurrë të dorëzojë pushtetin.

Edi Rama bën gjithçka që të shtrëngojë radhët me persona të lidhur këmbë e krye me krimin, ndaj ai emëroi ministër të Brendshëm ushtarin e Troplinëve, emëroi ushtarin e Çelëve drejtor të përgjithshëm të policisë, po do emërojë këto ditë drejtor të Tiranës, narkobanditin që zvarriti Ilir Metën, ish-presidentin, ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e parlamentit në një akt të pashembullt as në diktatura, publikisht me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit.

Pra, jashtë çdo lloj dyshimi se kjo qeveri, se Edi Rama do largohet me votë apo me vullnetin e tij. Atëherë mbetet zgjidhje e vetme krijimi i i qeverisë teknike. A mund të krijohet? Absolutisht dhe kjo është në dorë të demokratëve.

Kur demokratët të angazhohen në një lëvizje të qëndrueshme, në bllokime të qëndrueshme, në protesta të qëndrueshme, në greva të qëndrueshme, Edi Rama nuk mund të rezistojë kurrë.

Nuk ka më forcë që të rezistojë.

Le të vijë ta nxjerrë Xhorxh Sorosin apo Aleksin sa të dojë tanimë, Edi Rama është i detyruar të firmosë qeverinë teknike dhe të hapë rrugën për rotacionin e pushtetit.

Petrit Shalla: Primaret kur do të zhvillohen sepse koha po kalon dhe po afrohemi drejt zgjedhjeve.

Sali Berisha: Është e vërtetë që koha nxiton, por do të zhvillohen në momentin më oportun.Ne jemi shprehur për to, janë mekanizëm themelor dhe ne do zbatojmë statutin tonë.

Adem Marku: Përshëndetje, shumë shqiptarë në diasporë kanë shprehur shqetësimin për sigurinë dhe transparencës së votës së tyre. Çfarë masash do të merren që vota e tyre të jetë e sigurtë dhe transparente dhe që të shmanget manipulimi i tyre.

Sali Berisha: Ekipi po punon për rregullat më transparente dhe më të sigurta për votën e diasporës. Dhe i siguroj emigrantët tanë, diasporën, shqiptarët jashtë vendit se PD do përcaktojë rregullat më të qarta. Sikundër theksoj se më vijnë sinjale se kanë filluar blerjen e votës që tani, dhe ftoj shqiptarët ta evidentojnë këtë akt dhe ta denoncojnë qoftë në komunitetin ku janë, qoftë në Shqipëri, sepse e them se Edi Rama nuk do lërë mjet pa përdorur për të siguruar mandatin pasi e di se veprat e rënda penale që ka kryer i kushtojnë atij pjesën tjetër të jetës.

Meri Lika: Po për Kosovën, çfarë mund të sjellë qeverisja e Trump?

Sali Berisha: Pavarësisht nga zhurma dhe tymi që lëshohet, betimet dhe zotimet që bëjnë, mund të siguroj shqiptarët me përgjegjësi të plotë sa vijon: Së pari, projekti i ndarjes së Kosovës në mënyrë absolute nuk është mbështetur nga Donald Trump. Nuk është mbështetur nga Riçard Grenell. Ky projekt është mbështetur nga Xhon Bolton, i cili nuk e ka fshehur këtë, ka deklaruar se më sollën si një propozim të dakordësuar nga të gjitha palët. Por, meqenëse jemi këtu, duhet të informoj shqiptarët se pas deklaratës së Xhon Boltonit, një bashkëpunëtor i afërt i presidentit Donald Trump ka kundërshtuar në mënyrë kategorike deklaratën e Bolton. Dhe ai e ka bërë këtë me autorizimin e presidentit Trump.

Së dyti, Donald Trump është një president që u mor personalisht me problemin e Kosovës dhe Serbisë. Pra, në këtë aspekt është një fat i madh sepse këta që ishin, këta e njihnin, por nuk zgjidhën gjë se u morën me projektet e Xhorxh Sorosit, se Sorosi bëri projektin e ndarjes dhe ndryshimit të kufijve, ai projekt mban firmën e tij. Se u morën me Ballkanin e Hapur, se faktikisht mbështetën Edi Ramën, që u shndërrua në një faktor negativ të progresit të dialogut Prishtinë-Beograd. Donald Trump ka një trashëgimi tjetër shumë pozitive dhe kjo trashëgimi është marrëveshja qau firmos në zyrën e tij nga kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç. Kjo marrëveshje ishte një ngjashmëri me Marrëveshjen Abraham. Titulli i kësaj marrëveshje ishte për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Pra, nuk pretendoj për zgjidhjen përfundimtare, por me besimin se rruga drejt zgjidhjes përfundimtare shkon me normalizimin e marrëdhëniëve ekonomike, çka unë e besoj plotësisht dhe mbi këtë bazë e kam mbështetur në atë kohë atë marrëveshje me të gjitha mundësitë e mia. Në qoftë se do zbatohej marrëveshja e Trump, rajoni do ishte tjetër sot. Ajo marrëveshje parashikonte 12 miliardë dollarë investime në hapësirën Serbi, Kosovë, Shqipëri. Një transformim të madh të lidhjeve infrastrukturore, por edhe një angazhim të madh të biznesit amerikan në rajon. Shqipëria ishte një nga përfituesit e kësaj marrëveshje. Në Shqpiëri ndërtohej porti më i thellë në rajon. Ndërtohej hekurudha më e mirë që e lidhte me Prishtinën dhe Nishin.

Pra, ajo ishte një marrëveshje transformuese. Dhe përveç kësaj, duhet të themi se e kanë të lehtë të shpikin gjëra që nuk kanë ndodhur, por përveç kësaj, Donald Trump ndërmjetësoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, një njohje shumë e rëndësishme. Pra, në vlerësimin tim, rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë është një ogur i mirë për shqiptarët. Mos harroni se para se të hynin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova kërkoi të mos kishte flamur dhe në fakt u ulën të dy në tryezë pa flamuj, kështu që vendosi barazinë midis tyre. Kështu që unë kam shumë besim se fuqia vendimmarrëse e Shtëpisë së Bardhë do të sjellë një marrëveshje shumë të mirë, ekonomike fillimisht, për t’i çelur rrugë më pas marrëveshjes politike. Ndaj dhe të gjitha komentet e tjera janë krejtësisht të pabaza, janë imagjinata, janë dezinformime të bëjnë individë të caktuar se po të kishte ndërmend ndarjen, kush do e pengonte atë ta thoshte?

Familja Blu, demokrate: Armiku i Trump, Soros, ka vite që hedh para në Shqipëri me shoqata dhe mban afër Ramën dhe shpurën e tij. Edhe tek ne kanë nisur me prindi 1 dhe 2, duan të shkatërrojnë familjen tradicionale. Sa do të ndikojë edhe në Shqipëri zgjedhja e Trump, për këtë çështje.

Sali Berisha: Ishte një fat i madh për familjen shqiptare triumfi i Donald Trump.

Unë mund t’u them shqiptarëve se natën e zgjedhjeve, në selinë e PS, qeveritarët, ministrat, kishin futur arkat e shampanjës dhe kishin mbushur tarracën me arka fishekzjarrësh, të sigurt se edhe pollet e Ramës tregonin se e ka të sigurt fitoren Kamala Harris, dhe kur i kanë parë qytetarët të dalin në orën katër të mëngjesit kokëvarur, fytyrënxirë, të dëshpëruar se prisnin ndonjë lidhje Skype me Aleksin në momentin e triumfit të zonjës Harris, pra, ajo natë i dha një përgjigje të merituar. Por PD zotohet për ligje më të forta për sigurinë e familjes. Të harrojë kush se mund të përdorë terma Prind 1 dhe Prind 2 apo se mund të imagjinojë praktika të ndryshimeve gjinore, të ndërhyrjeve në identitetit e qenieve njerëzore në Shqipëri.

As edhe ato që i sollën në parlament për të krijuar fermat e fëmijëve të tretë me atë praktikë që sollën Edi Rama dhe Erion Veliaj në parlament.

Këto marrin fund. Familja është familje dhe do bëjmë gjithçka për mbështetjen e saj, konsolidimin e saj. Kështu që edhe në këtë kontekst, nuk qe vetëm ekonomia ajo për të cilën amerikanët votuan Donald Trump, por qe edhe agresioni që iu bë nga ekstremizmi i majtë, nga doktrina marksist-leniniste. Kur them kështu, ndokujt mund t’i duket çudi, se propaganda amerikane e ka mbuluar këtë, por iu sugjeroj të gjithëve që cilido që e merr të rëndë termin leninist, apo shpallja leniniste e ‘Ëoke Culture’ le të lexojë për rrymën kulturore bolshevike që shpërtheu pas revolucionit të tetorit në Rusi.

Mos harroni se gjatë diktaturës, qarkullonte si thashethem retushimi që iu fotografive të së shkuarës, dhe kjo sigurisht krijonte te ne një përshtypje neveritëse, por të njëjtën gjë bëri edhe ambasadorja amerikane në Tiranë. Yuri Kim kremtoi në mënyrën më të shëmtuar 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane duke fshirë fotografitë e atyre që ishin promotorët e këtyre marrëdhënieve, sikur të ishin nazistë.

Solla këtë shembull të Yuri Kim për të theksuar se çfarë përfaqësimi të fortë arriti ‘Ëoke Culture’, ky rikthimi i projekt-kultit të leninizmit. Dhe këto morën fund, kështu që pa diskutim rrezatimi kulturor marksist-leninist merr fund.

Do jenë vlerat ato që do prevalojnë.

Ada: Përshëndetje Zoti Berisha, zgjedhjet në SHBA thuhet se u vendosen nga situata ekonomike dhe kostot e jetesës. Si mendoni ju, a mund të bëhet kriza ekonomike, rritja e çmimeve kali kryesor i betejës zgjedhore në Shqipëri, duke mos lënë pas edhe rënien e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Sali Berisha: Problem themelor sot, krahas rivendosjes së gjyqeve politike, burgosjeve politike, është problemi ekonomik. Sot, në qoftë se marrim disa tregues, në qoftë se marrim rritjen ekonomike dhe kontot apo portofolët e qytetarëve, në një zhvillim ndër më dramatikët, por jo i vetëm se është tipik i diktaturave, konstatohet se rritja ekonomike u dyfishua, por varfëria u trefishua. Dhe të dy llojet e varfërisë, si varfëria ekstreme apo mjerimi, i cili ishte 1.04 përqind në vitin 2013 dhe sot është 3.4 përqind, pra është mbi 3 herë më shumë, ashtu edhe varfëria relative, e cila nga 13 përqind ka arritur në 46 përqind.

Për ta bërë më të qartë për qytetarin, po marrim pensionistët. Pensionisti në vitin 2013 merrte një pension 140 mijë lekë. Sot, pa asnjë rritje por vetëm duke pretenduar për indeksim, ky pension është 180 mijë lekë. Por sot me 180 mijë lekë, ky pensionist blen 50 përqind më pak nga sa blinte me 140 mijë lekë. Sot buka është dy herë më shtrenjtë se në vitin 2013. Sot qumështi, gjalpi, djathi, domatet, zarzavatet kanë një çmim dy herë më të shtrenjtë se në vitin 2013. Dhe, ku është dramatikja, janë nga 10 gjer në 250 përqind gjërat më bazë se shtrenjtë se në Itali, Greqi, Gjermani, në vendet që kanë një rrogë minimumi 4 deri në 8 herë më të lartë se shqiptarët. Pensionisti shqiptar, pse po rikthehem, më i dhimbshmi, se qëndrimi ndaj tyre përbën një qëndrim thellësisht çnjerëzor. Pensionisti shqiptar sot merr 3 herë më pak se pensionisti maqedonas. Merr 3 herë më pak se pensionisti serb, malazez, boshnjak, etj. Merr 30-40 përqind më pak se pensionisti i Kosovës.

Po marr vendimin e fundit të qeverisë së Kosovës. Albin Kurti vendosi të rrisë pensionet 20 përqind. Fondi i përgjithshëm i pensioneve ishte 500 milionë euro. Ai mori 100 milionë euro nga buxheti dhe i vendosi te fondi i pensioneve. Çfarë bëri Edi Rama? Edi Rama tha do të indeksoj pensionet 4 përqind në mars. Erdhi marsi, zero indeksim. Dhe indeksoi vetëm në tetor. Mirëpo indeksimi në mars ishte ligj parlamenti. Nuk ka kryeministër që mund të lëvizë buxhetin e miratuar në parlament.

Kurse ai ua mbajti indeksimin e pensioneve nga marsi gjer në tetor dhe ua dha për tre muajt e fundit nga 400 gjer në 700 lekë shtesë. Pjesën që nuk e dha do e ofrojë për bonus në dhjetor, në një kohë kur në parlament është një buxhet 8.2 miliardë euro.

A mund të imagjinoni ju qytetarë që në 8.2 milardë euro, rreth 800 mijë pensionistëve t’u lihen vetëm 16 milionë euro. Indeksim për vitin e ardhshëm vetëm 16 milionë euro. A mund të imagjinoni ju, 40 përqind të shqiptarëve që jetojnë në fshat, t’u lihen për mbështetje fermerëve 40 milionë, një një kohë kur ata japin 40 përqind të prodhimit të brendshëm.

Çfarë ka bërë ky me rrogat e larta? Sot janë rrogat më të larta në rajon. Rrogat e Skapistëve janë më të larta se rrogat e kardinalëve në Vatikan, se të ministrave që është një shtet i pasur. Sepse i duhen për t’i përdorur për gjah kundër opozitës. Pra, ky nuk ishte indiferent, por i përdori të gjitha këto për të ndëshkuar shumicën dhe për të shpërblyer pakicën.

Ajo që ndodh me Shqipërinë nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Praktikat e vjedhjeve në bashki të Edi Ramës janë bërë praktika shtetërore. Edi Rama kur një ndërtues aplikonte për lejen e ndërtimit të një pallati me tre shkallë, i jepte leje për shkallën e parë. Për të vazhduar punën për shkallën e dytë duhej të paguante prapë.

Çfarë bën sot Lubi Balluku? Këta tejkalojnë çdo lloj imagjinate. Unaza e Tiranës, e cila ka filluar në vitin 2010, e cila është gjithsej 27 km, në një hark kohor 3-vjeçar ne kemi ndërtuar 20 km tunel, këto 27 km pa tunel në terren të butë, nga viti 2013 gjer tani, tre lotet e para u ndërtuan në vitet 2010-2013, këtë vit ka arritur të ndërtohet vetëm gjysma e unazës. Dhe del Lubia e mashtron në parlament.

Çfarë ka bërë? E ka copëtuar në 14 kontrata. Po ka hajdutë më të shpërfytyruar se këta? Dhe ajo ulet në tryeza me biftek 1 mijë euro, se nuk mund ta ketë biftekun nën 1 mijë euro.

Pa dyshim që PD ka një përgjigje të shkëlqyer, së pari ne në parlament u futëm për të mbrojtur minimumin jetik prej 200 eurosh, që do vendoset me buxhetin e parë.

Sigurisht për një buxhet me 8 miliardë është e paimagjinueshme që të ketë njerëz të marrin thërrime.

Buxheti është i mirëqenies së qytetarëve, i shpërblimit të qytetarëve, i investimit te kapitali njerëzor mbi të gjitha. Pra, këto marrin fund. Së dyti, objektiv i padiskutueshëm është rroga minimale 500 euro. Nuk do rriten rrogat maksimale, ta dinë. Krim, rroga maksimale sot në Shqipëri janë më të larta se në Slloveni, që i ka të ardhurat për frymë 4 herë më të larta. Rrogat sot duhet të ishin absolutisht të trefishuara me ritmet që ndoqëm ne. Kurse ky bëri një rritje vitin e kaluar, asnjë rritje nuk bëri këtë vit.

Për ta mbyllur, fondet publike dhe pasuritë publike të shqiptarëve do shpërndahen me pasurimin: e mira më e madhe, numrit më të madh. Është një parim xheksonian që ka frymëzuar dhe duhet të frymëzojë çdo qeveri në të gjitha kohërat.

Blerina: Opinionistët po propagandojnë se opozita ka hequr dorë nga mosbindja civile, pas rikthimit të saj në parlament. A do të vazhdojë PD protestat dhe cila do të jetë strategjia e radhës.

Sali Berisha: Së pari nuk ka pasur absolutisht asnjë vendim për bojkotin e parlamentit. Ka patur vetëm një vendim për komisionet meqenëse u përjashtuan 24 vetë nga parlamenti dhe kjo dëmtonte shumë mundësinë e punës në komisione. Por ne kemi shkuar në çdo seancë, me mosbindje civile dhe do të shkojmë në çdo seancë me mosbindje.

Tani është buxheti. Ne kemi paraqitur para qytetarëve, pensionistëve, arsimtarëve, në tërësi kemi paraqitur alternativat tona, por druaj që pensionistët, qytetarët do të donin që këto ti mbronim në parlament, të ua përplasnim në sy në parlament, grabitqarëve, hajdutëve të parave publike dhe kjo është arsyeja se pse ne do të marrim pjesë në debatin parlamentar për buxhetin. Ata e kalojnë buxhetin edhe për 5 minuta dhe këtë duan. Ata duan që ju, të mos merrni asgjë vesh se si u vodh dhe si po vidheni.

Të paktën ne do të jemi aty që të ju tregojmë ju, se si këta po vjedhin dhe çfarë do të bëjmë ne me ligje. Ne do të dërgojmë amendamente, qoftë për minimumin jetik, ilaçet. Situatë katastrofale, çnjerëzore në spitalet tona, situatë e paimagjinueshme që shkon në krime kundër njerëzimit në Onkologjik. A mund të imagjinoni ju një situatë ku për 3 vite, 600 gra ngelen braktiterapi sepse nuk rregullojnë aparaturën, nuk instalojnë aparaturën e blerë me paratë e taksapaguesve. Mungojnë ilaçet më kryesore dhe shndërruar aty në një vërtetë, ministria e Shëndetësisë dhe drejtoria e spitaleve në një lloj burse vdekje që meritojnë dënimet më të rëna pëe ato që kanë bërë, qëndrimin që kanë mbajtur ndaj atyre të sëmureve.

Ato ngjiten në nivelin e krimeve kundër njerëzimit sepse, jo vetëm nuk kanë siguruar ilaçet, por kanë mashtruar të sëmurët dhe kanë patur çdo mundësi për të siguruar ilaçet. Ne do të jemi aty për amendamentet, pikërisht edhe për këtë sëmundje. Nuk është një sëmundje që luftohet kjo, njeriu ka heroizmin e tij në betejën me këtyë sëmundje dhe ti, ti thuash rri vetëm se nuk kam ilaçet, nuk ka krim më të shëmtuar se ky, nuk mund të mos ndodhë kurrë.

Mosbindja do të vazhdojë kudo, edhe në parlament dhe shumë shpejt do të ju njohim edhe me veprime të tjera.

Silvana: Çfarë mendoni për mashtrimin që Basha bëri sikur po bashkëpunon me Endri Shabanin dhe Adriatik Lapajn? Endri Shabani e mohoi. Ju e besoni këtë bashkëpunim?

Sali Berisha: Të çuditesh se mashtron Basha është çudia e çudive. Unë shfrytëzoj rastin që të gjithë ata të cilët mendojnë dhe besojnë se narkoshteti, narkodiktarura dhe Edi Rama, janë e keqja më e madhe e kohërave e këtij vendi, pas diktaturës komunistekomuniste, duhet të bashkojnë forcat kundër Edi Ramës. Kjo është thirrja ime. Opozita e opozitës është thjesht stoli e Edi Ramës.

Çimi: Taksat e larta na janë bërë barrë shumë e rëndë. Keni deklaruar se do të ktheni taksën e sheshtë që do të ishte një ndihmë e madhe për ne bizneset prodhues. A vazhdoni ti qëndroni këtij zotimi.

Sali Berisha: 100%. Ajo është një levë për mua, Arkimedi. I them këtij zotërisë se nga viti 2005-2013, GDP në vitin 2005 ishte 5 miliardë e 400 milionë. Pas 8 vitesh GDP ishte 10 miliardë, u dyfishuar me taksa të përgjysmuara. Po kështu u dyfishua edhe buxheti me taksa të përgjysmuara. Ne jemi parti e vlerave konservatore, ne nuk besojmë kurrë tek taksat e larta.

Me taksa të larta këta sot paraqesin një buxheti 8 miliardë nga e cila në mënyrë absolute 80%, e vjedhin, 10 % janë rrogat, 10 % janë shpenzime të tjera. Vjedh Belinda Balluku me Edi Ramën, kur e ndan unazën në 14 lote dhe e ndërton me çmim 8-10 herë më të lartë se Kroacia, vend anëtar i BE-së. Cilido të shohë çmimin e ndërtimit të autostradës 27 metra të gjerë Billjosek-Manastir në Kroaci dhe ta krahasojë me çmimet e Shqipërisë. Nuk ka asnjë lloj diskutimi që do të ketë ulje drastike të taksave. Kjo është leva jonë, beteja jonë.

Pasuritë publike. Nuk do të ndodhë kurrë më që qytetari më i varfër i Europës të paguajë për një turist nga taksat e tij në vit, 230 euro sepse Edi Rama për resortet turistike, të trafikantëve dhe qeveritarëve shpenzon çdo vit 450 mln euro. Ndërkohë me 10 milionë turistë, 6 milionë netë fjetje në arkën e shtetit përfunduan 8 milionë euro, pra i bie 4 euro për njeri. Çdo shqiptar fitoi nga një turist, 4 euro dhe dha nga buxheti i shtetit 213 euro. Merr fund kjo.

Tani merr fund grabitja, plaçkitja e tmerrshme që i bëhet pasurive publike. Dje i dha kreut të FRESSH apo çfarë është ai, vëllait të tij, 77 mijë metër katror tokë publike.

Të dashur pensionistë dhe pensioniste, nëse ky 6 mln metër katror troje turistike ka dhënë këto vite për investitorë strategjikë do ti shiste, nuk po them as më shtrenjt e as më lirë, por 100 euro metrin katror, do të ishin 600 milionë euro për pensionet tuaja. Pa imagjinoni pak se çfërë janë 600 milion euro, janë pension dyfish për ju, pra merr fund kjo grabitje e tmerrshme e pasurive publike.

Ndaj të angazhohemi të gjithë në mosbindje civile, të krijojmë një qeveri teknike për të zhvilluar zgjedhje të drejta, të ndershme rotacion e pushtetit dhe fitorja e opozitës.

Berti: Në drejtësi, ju e dini më mirë se çdo kush që sistemi është në kolaps total. Kanë kaluar vetingun plot gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar që vazhdojnë të njëjtin avaz. Ka të tjerë që ikën me dorëheqje. Por punojnë si avoketër dhe milionat nuk janë prekur. Në sistem thuhet se kanë mbijetuar edhe disa kokrra nga ish/sigurimi apo nomenklatura e diktaturës. Çfarë do të bëjë PD kur të vijë në pushtet për të rikthyer drejtësinë në shina normale.

Sali Berisha: Reforma në drejtësi ishte pseudoreforma më e shëmtuar dhe atentati më i madh që i është bërë demokracisë shqiptare. Reformë që u refuzua nga Komisioni Europian për Kosovën, Maqedoni ku monstra Xhorxh Soros donte ta realizonte me qëllimin e vetëm për të salduar, për të shndërruar drejtësinë në degë ekzekutivi të të majtës dhe salduar pushtetin e tyre.

Qeveria angazhohet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias për t’i dhënë përgjigje problemeve të tmerrshme që krijoi kjo reformë, me të cilën shqiptarët nuk kanë drejtësi për arsye se duhet të presin 14 vite për një proces civil, janë shifrat e tyre, duhet të presin 10 vite për një proces penal, çka do të thotë se siguria ligjore është zero dhe se akuza është institucion politik që përdoret kundër kundërshtarëve.

Të gjithë ata që e mbrojnë këtë, ata që e bëjnë nga padija, do bëjmë çmos t’ua qartësojmë, ata që e bëjnë me qëllim janë të qëllimligë ndaj shqiptarëve, por u siguroj se shqiptarët do kenë drejtësinë që meritojnë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale