FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PARLAMENT
EKSTRAKT
Duke folur në foltoren e parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se, opozita nuk mund të vazhdojë normalisht punimet parlamentare ndërkohë që, sipas tij, qindra mijëra qytetarë ndodhen prej 18 ditësh në protestë duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe rikthimin e shtetit ligjor.
Në një fjalim të ashpër ndaj mazhorancës, Berisha akuzoi qeverinë për shpërfillje të vullnetit qytetar, ndërsa kërkoi që çdo debat tjetër të pezullohet deri në dorëheqjen e kryeministrit ose zhvillimin e një mocioni mosbesimi në Parlament.
‘Vazhdimi me çështje të tjera në këtë parlament pa ardhur Edi Rama këtu për të paraqitur dorëheqjen, ose në mocion me debat, është një akt sa tradhtie, aq edhe cinizmi ndaj qytetarëve shqiptarë’, theksoi Berisha.
Kreu i opozitës tha se kërkesat e protestuesve kanë marrë mbështetje ndërkombëtare dhe lidhen me mbrojtjen e demokracisë, mjedisit dhe trashëgimisë kombëtare, ndërsa akuzoi qeverinë se po tenton t’i përgjigjet revoltës qytetare me presion dhe kërcënime.
‘Nuk keni asnjë të drejtë të injoroni qindra mijëra shqiptarë që kanë 18 ditë me flamurin e lirisë në dorë, me flamurin e ligjit dhe të drejtave të njeriut’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha në sallën e parlamentit.
Kryedemokrati Sali Berisha hodhi poshtë kritikat e asaj që e cilëson si, ‘opozita e opozitës’, duke garantuar se do të vazhdojë mbështetjen pa asnjë lëkundje për protestën dhe kauzat e saj. ‘Kurrë klithma, thirrje të opozitës së opozitës apo grupuskulave të Xhorxh Sorosit, nuk mund të impresionojnë mua dhe nuk mundet kurrë të më devijojnë të mbroj kauzat që besoj. Unë do ta mbroj gjer në fund kauzën e asaj proteste’, nënvizoi kryetari i PD-së Sali Berisha në sallën e parlamentit.
FJALA E PLOTE
Nuk mund të shtypni me kartona kërkesat mbarëqytetare, të cilat kanë marrë mbështetje të plotë ndërkombëtare.
Kërkesat e qytetarëve për largimin e menjëhershëm të Edi Ramës, për anulimet e të gjitha ligjeve të amenduara nga Edi Rama për mbrojtjen e mjedisit, me të cilën ju ndërtuat aeroportin e Vlorës.
Ndaj dhe flamengot i dënuat me vdekje në aeroportin e Vlorës.
Me të cilën ju ndërtuat pikën e vogël në parkun e Butrintit.
Me të cilën ju shkatërruat trashëgiminë kulturore dhe parqet kombëtare të shqiptarëve.
Duke harruar se nuk janë vetëm pasuri e shqiptarëve, por edhe pasuri evropiane.
Ndaj dhe unë mendoj se edhe njëherë, vazhdimi me çështje të tjera në këtë parlament pa ardhur Edi Rama këtu për të paraqitur dorëheqjen, ose në mocion me debat, është një akt sa tradhtie, aq edhe cinizmi ndaj qytetarëve shqiptarë.
Nuk keni asnjë të drejtë të injoroni qindra mijëra shqiptarë që kanë 18 ditë me flamurin e lirisë në dorë, me flamurin e ligjit dhe të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe mjedisit, sakrifikojnë orë të tëra.
Se kush tregohet fashist tani apo stalinist tani, ju apo ata, këtë le ta gjykojnë vetë qytetarët shqiptarë.
Po ju nuk mund t’i injoroni ata në këtë mënyrë se ata kanë kërkesa të drejta.
Kurse ju keni vendosur t’i zgjidhni me kërcënime mafioze, duke marrë bandat.
Vlora Hyseni, agjentja e përbashkët e Edi Ramës dhe Vuçiçit, ka marrë ekspertë serbë anti-demonstrata se si të ndërhyjnë.
Dhe unë paralajmëroj urgjent hetim parlamentar.
Urgjent hetim parlamentar!
Larg duart nga protesta.
Zëri i qytetarëve nuk mposhtet kurrë.
Pastaj do ikni si minj.
Ua them unë.
Po, po edhe ti që qesh atje.
Do ikni si minj. Po më mirë tani burrërisht.
Kini guxim të votojmë ligjet, të heqim me mosbesim Edi Ramën dhe t’i japim zgjidhje krizës që do jetë shumë herë më e thellë ditët dhe javët që vijnë.
Tani, lidhur me ato që tha parafolësi, e garantoj çdo shqiptar se ajo protestë është protesta më madhështore që ka njohur Shqipëria dhe se demokratët janë të ftuar të marrin pjesë masivisht në këtë protestë.
Dhe se kurrë klithma, thirrje të opozitës së opozitës apo grupuskulave të Xhorxh Sorosit, nuk mund të impresionojnë mua dhe nuk mundet kurrë të më devijojnë të mbroj kauzat që besoj.
Ndaj dhe unë do ta mbroj gjer në fund kauzën e asaj protestë.
E mbroj çdo ditë, do ta mbroj në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka forcë në botë që më tërheq mua nga parimet e mia.
U siguroj që çdo përpjekje e juaj për manipulime, çdo përpjekje e juaj për kërcënime, sikur të gjithë Bajrët, Çelët, Troplinët do t’i përdorni, nuk do ta mposhtni kurrë dot atë lëvizje.


