FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË LEKSIONIN E FUNDIT TË SHKOLLËS POLITIKE ME TË RINJTË E FRPD
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në leksionin e fundit të ‘Shkollës Politike’ me të rinjtë e FRPD, u shpreh se kjo ngjarje është e rëndësishme jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për PD-në dhe kombet shqiptar.
Berisha tha se, pavarësisht nga fushat që të rinjtë studiojnë ose punojnë, nuk duhet të harrojnë se liritë dhe të drejtat e njeriut janë vlerat më të rëndësishme. Shkolla që ata përfunduan është një mundësi për të kuptuar dhe vlerësuar më shumë këto vlera.
Lideri demokrat, Sali Berisha tregoi rreth përvojës e tij nga revolucioni i dhjetorit 1990, duke përshkruar guximin e rinisë studentore që u ngrit përballë diktaturës. Ai theksoi se guximi për të qenë vetvetja është thelbësor për të qenë lider. Liderët duhet të jenë të guximshëm dhe të marrin vendime të drejta dhe të mençura.
Berisha foli për vlerat tradicionale të Partisë Demokratike, që janë liria dhe dinjiteti njerëzor. Ai theksoi se këto vlera janë të garantuara që nga Magna Carta dhe ligjet më të lashta të shqiptarëve, ku të gjithë ishin të barabartë në të drejtën e fjalës.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi vlerat e konservatorizmit dhe patriotizmit, duke i bërë thirrje pjesëmarrësve të mbrojnë traditat dhe interesat kombëtare.
Berisha theksoi e rëndësisë së vlerave tradicionale, si familja, që është “votra e shoqërisë njerëzore”, dhe që, sipas tij, është sulmuar nga ata që ai i quan “progresistë”. Ai u shpreh se ky term “progresist” është vetëm një mashtrim dhe nuk ka lidhje me përparimin.
Kryedemokrati, Sali Berisha e përshkroi dashurinë për atdheun si “më të fuqishmen” mes të gjitha dashurive, duke theksuar se kjo dashuri është ajo që ka frymëzuar figura si Nënë Tereza, e cila përfaqëson një harmoni të perfeksionuar mes dashurisë qiellore dhe tokësore. Berisha theksoi se në kohë lufte, njerëzit duhet të sakrifikohen, por edhe në kohë paqeje, dashuria për atdhe është një burim i fuqishëm motivimi për të kontribuar në zhvillimin dhe përparimin e vendit.
Berisha theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve dhe vlerësoi rolin e tyre në politikë, duke i cilësuar ata si liderë të ardhshëm të partisë dhe të shoqërisë. Ai i ftoi ata të nisin betejën elektorale me 300 politikanë të rinj, duke i besuar atyre fushatën dhe fitoren e partisë.
Berisha bëri krahasimin me periudhën e sotme me atë të vitit 1990, duke vënë në dukje ndryshimin e madh që ka sjellë interneti dhe informacioni i shpejtë, që është një mundësi e re për të rinjtë. Kryedemokrati theksoi se, ndryshe nga studentët e vitit 1990, të rinjtë e sotëm janë më të informuar dhe kanë mundësi më të mëdha për të luftuar për vlerat e tyre.
Berisha kritikoi me tone të ashpra ndikimin e diktaturës komuniste dhe të ashtuquajturës “narkodiktaturë”, duke e konsideruar këtë të fundit si formën më të keqe të diktaturës. Ai theksoi se, megjithë vështirësitë që hasin, të rinjtë duhet të vazhdojnë të luftojnë dhe të qëndrojnë të palëkundur.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi rolin e të rinjve në shpëtimin e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, duke i cilësuar ata si forcën e vërtetë që mund të udhëheqë vendin drejt ndryshimit. Ai u shpreh se PD ka vendosur të dorëzojë fushatën elektorale te të rinjtë, pasi ata janë mesazherët më të mirë dhe lidershipi i ardhshëm që do të bashkëbisedojë me çdo shqiptar.
Berisha nënvizoi rëndësinë e guximit dhe të qëndruarit besnik të të rinjve ndaj vlerave të tyre, duke e lidhur këtë me thirrjen e Papa Gjon Palit II për t’u përballur me frikën dhe për të qëndruar të palëkundur. Ai e përshkroi këtë betejë si një betejë për të shpëtuar Shqipërinë nga atë që ai e quan “diktaturën e drogës” të udhëhequr nga Edi Rama, duke e cilësuar këtë formë diktature si më të keqen që ka njohur Europa.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se asnjë diktaturë apo regjim nuk është rrëzuar pa ndihmën e rinisë, ndaj dhe ai beson se tani është koha që të rinjtë të udhëhoqen në një betejë për shpëtimin e Shqipërisë dhe rikthimin e vlerave të demokracisë.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, por edhe një mirënjohje shumë të thellë, të pakufishme ndaj drejtuesve tuaj, Besartit, profesor Arjanit, të gjithë bordit drejtues, kryesisë së forumit për organizimin e kësaj shkolle, një ngjarje e madhe jo vetëm në jetën e gjithsecilit prej jush, por ju garantoj se është një ngjarje e madhe, e veçantë në jetën e PD dhe të kombit shqiptar.
Një përshëndetje kam për deputetët e pranishëm në këtë takim, drejtuesit e PD, të cilët kanë ardhur tek ju për të ndarë këtë ngjarje shumë të rëndësishme.
Sot ju përfundoni një shkollë kushtuar politikës dhe secili nga ju duhet të ndjehet krenar që ndoqi këtë shkollë.
Ju studioni në fusha të ndryshme ose punoni në sektorë të ndryshëm, keni një profesion, synoni një profesion, por nuk duhet kurrë të harroni se në hierarkinë e të vërtetave mbi të cilat njeriu punon, në filozofi në inxhinieri, në high-tech, në mjekësi, janë disa të vërteta të tjera më eprore.
Janë disa të vërteta të tjera që në këtë hierarki janë kurora e saj dhe këto të vërteta janë liritë, të drejtat e njeriut, vlerat universale të njeriut të lirë.
Pra, shkolla që ju përfundoni përbën një drejtim të ri nga ai i profesionit, përbën ama, do thosha drejtimin më të mirë që mund të merrni ju në jetë sepse sado e vështirë që është politika, dhe është arti i të vështirës, por nuk ka tjetër si ajo që të jetë Leva e Arkimedit për të ndryshuar shoqërinë dhe botë.
Por ju keni një fat të madh ndaj dhe unë e vlerësova sepse kjo shkollë iu pajis juve me nocionet dhe dijet më të rëndësishme në këtë betejë që kemi përpara.
Unë kam përjetuar revolucionin e dhjetorit 1990.
Këtu ka ish-studentë të asaj kohe.
Duhet ta dini që ABC-ja e tyre politike ishte vetëm instinkti për lirinë. Mungonin në atë alfabet pothuajse shumica dërrmuese e njohurive, jo vetëm për ata, por për ne që u bashkuam me ta.
Megjithë këtë, ata, mosha juaj ishin, me armën e guximit, dhe këtu duhet të dal, me një guxim epik dolën në rrugën dhe u përballën me diktaturën.
Nga e gjetën ata këtë guxim? Si ka mundësi që ata djem dhe vajza, po qe se ishe student në atë kohë, po qe se ishe i privilegjuar, po qe se ishe pedagog, ishe i privilegjuar, sepse të persekutuari dhe të deklasuarit shumë rrallë mund të shkelnin në bankat e universitetit.
Çfarë i shtyu ata? Thashë instinkti për lirinë dhe guximi i tyre.
Ata guxuan të jenë vetja e tyre. Ndaj dhe të jesh lider, kurrë mos harroni, duhet të guxoni të jeni vetja juaj.
Duhet të guxoni të jeni vetja juaj, por kjo është vetëm një aspekt.
Për çfarë e përdor guximin? Cilat janë vendimet që merr? Lideri është vendimmarrës, një lider merr vendime, i peshon dhe vendos.
Pra, ju në fakt keni dëshmuar dhe keni vendosur t’u dilni zot atyre vlerave që janë vlerat eprore për të gjithë konservatorët në Shqipëri dhe botë.
Vlerat tona janë tradicionale, janë liria dhe dinjiteti njerëzor.
Ju duhet ta dini se këto kanë qenë të garantuara në Magna Carta, në Deklaratën, por absolutisht kanë qenë të garantuara edhe në ligjin më të lashtë të shqiptarëve, në të cilin për fjalën e lirë, ishin të gjithë të barabartë, si ai që ulej në krye dhe të tjerët që ndoshta u binte fjala në fund, por për fjalën ishin të gjithë një.
U ndala te kjo se ne mbrojmë ato vlera të traditës që janë të përjetshme, janë sa tokësore, aq edhe hyjnore.
Mbroni familjen. Në mijëvjeçarë është votra e shoqërisë njerëzore, është qeliza e shoqërisë njerëzore.
Sot, që kur njeriu i qytetëruar besoi tek një Zot dhe një familje, përsëri familja u vu në tavolinën e operacionit të të ashtuquajturve progresistë. Po kujtuat fjalën progresistë, përkthejeni automatikisht mashtrim në kokën tuaj. Nuk ka asgjë të përbashkët me përparimin, ka gjithçka vetëm me mashtrimin.
Mirë që u ngritët, u ngritët për këto vlera se erdhi një moment prove e rëndë për PD-në.
Absolutisht ju ishit midis të parëve që bëtë zgjedhjen tuaj dhe vendosët si liderë të vërtetë.
Kryesia juaj, drejtuesit tuaj, por edhe ju i ndoqët pasivisht dhe qëndruat në anën e vlerave.
Për ne një vlerë eprore është atdheu, është interesi kombëtar.
Ne jemi patriotë, tani po të më pyesni mua, nga gjithë eksperienca e gjatë e jetës sime, çfarë mund t’u them unë ju?
Nuk ka asgjë më të fuqishme se dashuria. Dhe nuk them asgjë të re këtu se kjo, pikërisht ky besim e bëri Nënë Terezën sa qiellore, aq tokësore.
Por unë një gjë mund t’u siguroj se midis të gjitha dashurive, dashuria për vendin është me e fuqishmja.
Dua t’ua përsëris, se e kam thënë herë tjetër dhe nuk më vjen mirë kur përsëris veten, në kohë lufte kërkohet të sakrifikosh, jashtë lufte nuk ka asnjë burim më të fuqishëm motivimi për ju, për çdo njeri se sa dashuria për vendin, ajo që ti ndjen detyrim të kontribuosh në lartësimin e tij, në zhvillimin e tij, ta shohësh atë çdo ditë dhe më të bukur. Kjo është një vlerë e konservatorëve, këtu qëndrojmë ne, ne jemi atdhetarë, jemi patriotë dhe ju e keni dëshmuar këtë.
Të dashur miq, rikthehem prapë tek krahasimi i të rinjve në vitin 1990 me ju sot.
Dallimi është i dy kohëve në informacion, i kohës pre-internet dhe pas-internet.
E mora këtë dallim sepse në kohën e internetit, informacioni që krijohet në një javë tejkalon informacionin e të gjitha kohërave.
Ky është dallimi që ju keni me studentët e asaj kohe.
Por beteja juaj është një betejë e vështirë.
E vështirë sepse sot unë po lexoja një publicist të shquar dhe një prej humoristëve më të mirë, Agim Xhafkën, ‘Ndjesë e vonuar’. Lexojeni atë ese të tij, në të cilën ai tregon se si gazetar në një gazetë kryesore të vendit, ngarkohej të bënte kronika dhe natyrisht në ligjin e kohës, po cili ishte ligji i kohës? Ligji i kohës ishte ligji i dublicitetit.
Diktaturat krijojnë qeniet e dyfishta, qenien që tjetër mendon dhe tjetër thotë. Për të mos thënë pastaj qenien e indoktruar që nuk mendon fare por delegon ndërgjegjen. Po tha partia, nuk e luan topi, po tha lideri është absolute.
Pra, më riktheu në atë kohë, por shkrimtari bënte lidhjen me të sotmen dhe kishte shumë të drejtë.
Ky bublicitet i 46 viteve diktaturë komuniste, për fat të keq ekziston sot i 10 viteve narkodiktaturë.
Po si u krijua? Sepse narkodiktatura është forma më e keqe e të gjitha diktaturave. Akademikët që e kanë studiuar, kështu e kanë cilësuar mobokracinë.
U ndala këtu për të theksuar se ju përballeni me të vështirën, por përballeni jo si liderë të nesërm, por si liderë të sotëm.
Nuk ka fat më të madh për PD-në se sa të nisë betejën elektorale me 300 politikanë të rinj, të cilët kanë çdo dhunti për të qenë lidership i vërtetë i fitores së 11 majit.
Me Besartin kam biseduar gjatë dhe kemi vendosur fushatën elektorale dhe fitoren t’ua dorëzojmë ju. Po!
Në luftën me të keqen, njeriu kurrë nuk duhet të nënshtrohet dhe ju nuk jeni nënshtgruar. Nuk u nënshtruat edhe në atë përpjekje që tejkalon çdo imagjinatë kur u bë një grusht shteti brenda shtetit për t’i dorëzuar Edi Ramës edhe opozitën. Pasi i dorëzuan drejtësinë, pasi i dorëzuan zgjedhjet, duhet t’i dorëzonin edhe atë opozitë që qytetarët shqiptarë në terror, në grabitje e kishin votuar si kundërshtare të qeverisë. Kjo është e vërteta.
Në doktrinë, sovraniteti është i jashtëm kur një armik të mësyn dhe të prek integritetin territorial, por është edhe i brendshëm.
Ky i brendshmi, ne që kemi jetuar në diktatura, e kemi të qartë si drita e diellit se në diktaturë ky nuk ekziston sepse njerëzit janë zero pas njëshit, pushteti i tyre, që duhet të burojë prej tyre, përfundon i tëri në duart e diktatorit, dhe kjo përpjekje u bë tani, që edhe atë pushtet që sovrani ia jepte opozitës, t’ia kalojmë qeverisë. Ju nuk u pajtuat.
Ju nuk u pajtuat, pavarësisht se kush erdhi, se nga erdhi kjo.
Asnjëherë, kurrë. Lider do të thotë të mbrosh të vërtetën dhe të vërtetën e mbron ai, i cili është vetja e tij.
Për mbrojtjen e të vërtetës ka edhe një porosi sa tokësore, aq edhe hyjnore.
E thashë hyjnore sepse ishte një porosi që e dha në kohë Papa Gjon Pali II, ‘Mos kini frikë’. Papa Vojtila ishte një kardinal polak dhe e vërteta është se rrëzimit të diktaturës i priu kombi vigan polak.
Papa, në një meshë historike, lëshon kushtrimin, mos kini frikë dhe kjo thirrje u shndërrua në një moto kryesore me të cilën u përmbysën diktaturat. Ju nuk patët frikë, ju qëndruat, tani do u nxjerrim frikën të tjerëve.
Lider do të thotë të prish me guxim.
Mos harroni kurrë se njeriu është psikologjia e tij. Kaq është njeriu.
Dhe në qoftë se ti vendos t’ia shkatërrosh, ti nuk bën gjë tjetër veçse shoferin e dehur që merr jetë në rrugë. Nuk i shkatërrohet tjetrit psikologjia, i ndryshohet tjetrit psikologjia. I ndryshohet me logjikë, me njerëzi, me respekt, me biseda, me bashkëbisedim, me dialog.
Dhe unë pres nga ju, dhe kjo është një nga arsyet kryesore që PD ka vendosur që fushatën elektorale t’ua dorëzojë ju, nuk ka interlokutorë më të shkëlqyer se jeni ju.
Ju jeni mesazherët më të mirë që mund të dërgohen sot tek çdo shqiptar.
Ndaj edhe në këtë aspekt, si liderë do afroheni me çdo shqiptar duke ballafaquar ato që mbroni ju dhe ato që ai ndan gabimisht.
Asnjë revolucion, asnjë diktaturë nuk është rrëzuar nga askush tjetër veçse nga rinia.
Ndaj dhe duke e mbyllur këtë fjalë, se sot keni edhe shpërndarjen e diplomave, një akt solemn i kurorëzimit të kësaj shkolle, ju ftoj të kalojmë në një betejë epike, në një betejë që do shpëtojë Shqipërinë nga diktatura më e keqe.
Europa ka njohur diktatura naziste, Europa ka njohur diktatura staliniste, ka njohur në të shkuarën e saj diktatura teokratike, por për herë të parë në historinë e saj Europa njeh një diktaturë droge, krimi dhe kjo është diktatura e Edi Ramës.
Ndaj dhe ne duhet të shumëfishojmë forcat tona, energjinë tonë, guximin tonë, të shpëtojmë Shqipërinë.
Ne e shpëtuam PD-në, ju e shpëtuat PD-në, shpëtuat opozitën shqiptare.
Sot shqiptarët kanë një opozitë të vërtetë sepse ju i qëndruat besnikë vetes tuaj, i qëndruat besnikë të vërtetave që besoni.
Sot duhet që me 11 maj, shqiptarët të triumfojnë mbi të keqen dhe të rikthejmë vlerat e demokracisë.
Ju uroj shumë suksese!