Berisha: Nuk ka bandit në Shqipëri, as në botë që të më imponojë mua të shkel Kushtetutën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur interesit të gazetarëve nëse sot do të paraqitet në SPAK, ashtu siç është njoftuar mediatikisht.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se se nuk do të shkelë Kushtetutën. Kryetari i PD-së, theksoi faktin se nuk ka asnjë njoftim nga ndonjë institucion që të paraqitet ndokund.

FJALA E PLOTE:

Së pari, përveç medieve, nuk kam asnjë njoftim!

Së dyti, jam i gatshëm të shkoj në çdo kohë në SPAK për t’u përgjigjur çdo pyetje.

Nuk pranoj kurrë sanksionet antikushtetuese të Edi Ramës dhe bandës së tij.

Çdo qytetar duhet ta dijë, se unë sa herë jam thirrur në prokurori, jam paraqitur gjatë jetës sime.

Nuk kam refuzuar kurrë.

Por unë, jo në mbrojtje time, por në mbrojtje të t drejtave më elementare të çdo qytetari, nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkelë Kushtetutën.

Ai vendim duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot.

Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës.

Nëse për një deputet shkelet Kushtetuta, imagjino se çfarë bëhet me një qytetar të thjeshtë.

Dhe Edi Rama kërkon të vendosë gjer në fund pushtetin e tij personal.

Unë u them demokratëve dhe qytetarëve se ne qëndrimet e mia nuk ka asnjë gjë personale, përveç mbrojtjes së interesave jetike të tyre, duke mbrojtur Kushtetutën.

Kushtetuta ka përcaktimet e veta.

E kam thënë dhe e them, në vitin 2012 unë dërgova ligjin për t’i hequr çdo lloj mbrojtje deputetit. Edi Rama refuzoi në mënyrë kategorike këtë ligj, por u kalua e drejta e hetimit.

Unë që nesër jam i gatshëm të votoj përsëri ligjin që kam dërguar në vitin 2012.

Por përderisa Kushtetuta është në fuqi, nuk ka bandit në Shqipëri as në botë që të më imponojë mua të shkel Kushtetutën.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Z. Berisha, ka një informacion që deputetët që janë përjashtuar nuk do të lejohen të futen sot në Kuvend, 3 deputetë të PD-së.

Sali Berisha: Ka tmerr Edi Rama. Kjo tregon tmerrin e Edi Ramës. Ata janë deputetë, ata janë të përjashtuar për të marrë pjesë në mbledhje komisionet. Por Edi Rama e kaloi në klandestinitet parlamentin. Por një klandestinitet me bakllavaja, me tallavara, etj.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale