FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA GJATË MBLEDHJES SË KRYESISË NË SELI
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh sot gjatë një mbledhje të kryesisë dhe grupit parlamentar, se PD nuk do ta njohë kurrë rezultatin e zgjedhjeve të dominuar nga terrori i bandave, blerja e votës dhe nga komisionerë të paligjshëm në qendrat e votimit.
Berisha tha, se Partia Demokratike po identifikon të gjitha provat dhe faktet nga farsa elektorale e 14 majit.
Kryedemokrati deklaroi gjatw fjalws sw tij tw mbajtur nw mbledhjen me kryesinw, se nuk mund të pranohet asnjë rezultat i zgjedhjeve në të cilin 870 mijë votues morën direkt apo në potencial, bonus me para.
Berisha akuzoi direkt Ramën si njeriun që qëndron pas farsës elektorale të 14 majit, duke kujtuar se në rastin e Shkodrës ka qenë kreu i qeverisë ai i cili ka pajtuar 5 banda kriminale me qëllim për grabitjen e votës me 14 maj.
Lidhur me blerjen e votës, Berisha tha se provat janë publike që nga rritja e pensioneve para fushatës, tek rritja e pagave dhe rasti me flagrant rënia e euros. Ai u shpreh se për rënien e euros në treg duhet të hidhen rreth 30-40 milionë euro në ditë.
Kryetari i PD deklaroi se ka dyshime të fota për ndërhyrje në paisjet elektronike. Ai përmendi dy faktorë të kësaj ndërhyrje, e para ka të bëjë algoritmin e këtyre pajisjeve dhe e dyta, që është e provuar, është ajo e vendosjes së patronazhistëve të PS tek këto pajisje ditën e votimit, të cilët shoqëronin edhe votuesit pë të votuar.
FJALA E PLOTË
Ju përshëndes!
Thirra këtë mbledhje për të diskutuar mbi qendrimet aktuale ndaj zhvillimeve post elektorale në vend. Në krye të radhës unë kam qenë i bindur se detyra më parësore, më kryesore e PD është mbrojtja e votës së shqiptarëve dhe misioni i saj themelor, dhe zotimi solemn dhe i përsëritur i yni në mnëyrë konstante.
Duke qartësuar se mbrojtjen e votës PD nuk e nënkupton një mbrojtje me armë, me dhunë. PD me mbrojtjen e votës nënkupton sot dhe për sa kohë do jetë forcë demokratike përdorimin e të gjitha mjeteve të ligjshme për të nxitur votimin, për të inkurajuar votimin, për të mbikqyrur çdo lloj dhunimi, cënimi në procesin e votimit dhe për të marrë qendrimet përkatëse në varësi të tyre.
Bazuar në këtë koncept, pas rezultatit tashmë të njohur, kandidatët, kryetarët e degëve, ju që jeni këtu jeni angazhuar pikërisht në këtë proces. Jeni angazhuar në këtë proces, dhe unë e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm, themelor, sepse ky proces solli më shumë se kurrë në historinë e këtij vendi krim në pushtet. Ky proces u karakterizua nga konsolidimi i një makinerie gjigande të berjes së votës nga qeveria dhe mafia e saj.
Ky është procesi i parë në 32 vite, i cili nisi me deklaratën e Kryeministrit, se kodi elektoral është një kinezëri për të. Dhe nisur nga ky koncept, të cilin ai e shpalli nga zyra e tij në Kryeministri, vetëkuptohet që zgjedhjet do ishin një proces pa asnjë garanci ligjore. Zgjedhjet do ishin një proces i vullnetit të një njeriu që kushtetutën e zgjedhjeve e quan një kinezëri partish.
Historia e blerjes së votës nuk fillon me këto zgjedhje, por në këtë rast iu them avoketërve të verbër të Edi Ramës, të cilëve ai iu ka verbuar sytë e mendjes, dhe kjo është më tragjikja e një njeriu, dhe bëjnë avokatinë e këtij procesi. Se kjo është hera e parë në histori që vota nuk blihet më nën dorë, por blihet haptas. Publikisht me 670 mijë zarfe, secili prej tyre me 50 mijë lekë në mes të fushatës elektorale dorëzuar çdo pensionisti shqiptar. Se vota për ata që iu janë verbuar sytë e mendjes, se vota në këtë proces u ble haptas, dhe këtë nuk e shpall unë, e shpalli krim-ministri, Edi Rama. Kur mblodhi punonjësit në Kryeministri dhe tha, këtij me zarf, do ta kesh rrogën 2.2 milionë, ti Nexhmijë do ta kesh rrogën 1.3 milionë, e me rradhë e me rradhë.
Pra, ai si asnjëherë më kurrë në histori mobilizoi fondin e pagave dhe të pensioneve për të grabitur zgjedhjet e qytetarëve. Por, a ishte kjo e vetmja blerje masive e votës, e para në historinë e vendit e kësaj natyre, e para, jo nuk ishte kjo e vetmja. Një tjetër blerje nën dorë ishte operative në një pjesë të madhe të bashkive, për të mos thënë në çdo bashki ku ai parandjente rrezikun me qëllimin e vetëm për të ndryshuar rezultatin.
Unë kam dëgjuar avoketërit e megakrimit elektoral në media, të shtrojnë pyetje: na jepni fakte, na jepni prova. Ata denigrojnë veten e tyre me këtë pyetje. Nuk ka provë më të madhe se 670 mijë zarfa për pensionistët. Por nuk ka provë më të madhe se sa rrëzimi përtokë i euros. Ata që kanë njohuritë më elementare të kursit të këmbimit, ata e dinë se të rrëzosh monedhën më të fuqishme në Europë, duhet të hedhësh në treg për çdo ditë, minimumi 30 deri 40 milionë euro.
Le ta quajmë se njerëzit me shumë të drejtë nuk kanë njohuri për kursin dhe shumica nuk ka pse të ketë ndoshta. Por, avoketërit e vjedhjes së votës duket se pikërisht ata që kanë blerë votën, u kanë blerë mendimin dhe gjuhën atyre. Asgjë nuk i pengon ata të shohin tullumbacen ‘Doshi’. Kjo parti në këto zgjedhje, falë qarkullimit të parave Rama-Doshi është rritur me 220%.
Nuk ka papërgjegjshmëri më të madhe, sesa për shkak se mund të jetë paguar nga Tom Doshi, të përpiqesh të injorosh këtë batërdi, këtë blerje masive, dhe të kontribuosh në përligjien e një procesi shkatërrimtar për kombin. Një komb, që ikën dhe vetëm ikën nga kjo situatë.
Dhe ky është vetëm njëri aspekt.
Qeveritarët dhe zyrtarët janë sjellë si terroristë elektoralë. Si kurrë ndonjëherë më parë, gjatë këtyre ditëve po takoj kandidatë, drejtues dhe po përpiqemi të nxjerrim shumësinë e faktorëve. Por kjo ishte një garë e presioneve terroriste në rrafshin psikologjik, të ministrave, zëvendësministrave, zyrtarëve si asnjëherë më parë.
Belinda Balluku arrin gjer aty sa thërret në kërcënim të hapur në shtab, vëllain e kandidatit tonë në Mat dhe i thotë: Ç’punë ke ti me fushatën elektorale? Me dhjetëra e dhjetëra demokratë në Bulqizë u kërcënuan që të mos marrin pjesë në komisione. Administrata u soll si një polici e shëmtuar politike.
Individë që takonin kandidatët tanë, merreshin në proces, një çerek ore, pesë minuta mbrapa. Pse e takove, ç’punë ke ti me të, ç’punë ke me zgjedhjet? Kjo ka ndodhur në Elbasan, kjo ka ndodhur kudo. Në qendrat e votimit, një pushtim i qendrave të votimit kudo në kundërshtim flagrant me ligjin nga punonjës të administratës. Me qindra, në mos mijëra qendra, në kundërshtim flagrant me ligjin, komisionerët ishin punonjës të bashkive socialiste.
Në makinerinë e terrorizimit elektoral të zgjedhësve, nuk mjaftoi vetëm pushteti, por u përdorën edhe bandat, qoftë në shoqërim të zyrtarëve në takimet e tyre, qoftë në misonin e terrorizmit të zgjedhësve dhe shpërndarjes së parave. Nga se përbëhej makineria e terrorizimit të shqiptarëve në këto zgjedhje? Ajo ishte një amalgamë, një konglomerat i qeveritarëve, zyrtarë, banditëve dhe kriminelëve.
Në të gjitha qytetet e mëdha, në Shkodër, Lezhë, Peshkopi, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier e me radhë, bandat dolën nga strofullat e tyre.
Në Shkodër, Edi Rama vendosi paqe mes 5 bandave kryesore të zonës dhe të gjitha me në krye Bajrët, të cilët u liruan nga burgu, u vërsulën dhe me makina të blinduara i binin Shkodrës kryq e tërthor, duke ushtruar terror pranë qendrave të votimit. Bandat darkonin me qeveritarët dhe merrnin misionet. Sigurisht misione për kontrollin e votës, për grabitjen e votës. A ishte kjo situatë në të gjithë Shqipërinë? Jo, nuk ishte në të gjithë Shqipërinë njëlloj, duhet të jemi realistë. Kjo ishte në të gjitha zonat ku ai me çdo kusht donte të merrte mandatin. Pra, çfarë treguan këto zgjedhje? Këto zgjedhje treguan se kjo makineri megakriminale e blerjes së votave dhe terrorizimit të zgjedhësve u përdor pa mëshirë, pa rezerva siç u përdorën zarfat për pensionistët dhe për rrogëtarët. U përdor në dy mandatet, nuk pati sukses kudo 100%, por kurrë një sukses 100% nuk ekziston. Por pati sukses të paktën, minimumi në 85% të zonave ku u aplikuan.
Targetoi, pikërisht mbi krimin, pasi humbi çdolloj mundësie tjetër, përdori ndërhyrjen e krimit si rezervën e fundit. Shkoni në Mamurras, shpërndarje parash ditën për drekë, kërcënim me jetë të eksponentëve tanë. Po kështu, në Lezhë gjithë natën, më dërgonin videot demokratët bandat i shoqëronte makina e policisë kudo ngjitur.
Në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, ne nuk mund të cedojmë përpara kësaj situate. Jo!
Po marr zonat e votimit elektronik. Të ngrihesh kundër makinerisë elektronike nuk është kaq e lehtë. Është opozita ajo që duhet të jetë e interesuar për votimin elektronik. Por, fakte të shumta janë mbledhur dhe po mblidhen për dy llojë ndërhyrjesh në zonën ‘votimi digjital’. Njëra është plotësisht e sigurtë. Cila është? Janë përdorur si militantë të PS operatorët që rrinin, për të ndihmuar, asistuar zgjedhësit në këtë votim. Ata funksionuan si pjesë e aparatit të PS. Ka qendër në të cilin një operator në kundërshti me të gjitha ligjet mund të ketë shoqëruar dhjetëra herë ata që votonin.
Ka qendra tjera në të cilat është përdorur shoqërimi si rrugë kryesore për të diktuar votimin, dhe jo pak. Këta janë të dukshme, të dokumentuara, por ka dyshime të forta që është ndërhyrë në algoritmin e makinerive. Natyrisht dyshimet duhen provuar. Se të themi që është ndërhyrë, ne duhet ta faktojmë këtë, nuk mund të themi. Por ka dyshime të forta që është ndërhyrë në algoritmin e tyre.
Algoritmi përcaktohet nga kompania nënë, e cila nuk mund të ketë kurrë interesa të ndërhyjë dhe të deformojë rezultate në këtë, apo në atë vend. Jo, nuk mund të ketë. Por, e vërteta është që ekspertë të fushës, ekspertë me njohuri në këtë fushë konfirmojnë se këto makineri kësaj radhe nuk kanë qenë të sigurta, dhe ekspertët kanë bërë sugjerimet e tyre, sesi këto makineri mund të bëhen të sigurta. Ata kanë bërë konstatime dhe thonë se nuk kanë qenë të sigurta, makineritë.
Sidoqoftë, ne po ndjekim dhe do ndjekim gjer në fund, për të vërtetuar çdo shkelje ligji, dhunim vote në këtë proces zgjedhor. Nuk mund të njohim ne kurrë rezultatin e zgjedhjeve të dominuar nga komisionerë të paligjshëm në qendrat e votimit. Jo!
Aty ky Edi Rama ka vendosur komisionerë në kundërshtim me ligjin, që të gjitha, sado që të jenë ato, 1000 apo 2000, e me rradhë, ato do kundërshtohen dhe nuk do njihet rezultati i tyre, qoftë cilido rezultat. Se kjo përbën shkeljen më masive, më flagrante të rezultatit. Nuk mund të pranohet asnjë rezultat nën terror. Nuk do mund të pranohet një proces në të cilin 870 mijë votues morën direkt, apo në potencial bonus me para. Që këtu kjo është një piramidë mashtrimi, kjo është një piramidë blerje vote.
Degët, kandidatët dhe kryetarët kanë dorëzuar këto ditë me qindra e qindra dokumente, filmime, deklarata, fotografi dhe të tjera. Një raport serioz do hartohet pas analizës teknike të gjithanshme të procesit zgjedhor. Me përfundimin e kësaj faze, do nisë faza e dytë, mendoj unë.
Faza e dytë do të jetë analiza e të gjithë veprimtarisë sonë. Një analizë me përgjegjësinë më të madhe, transparencën më të madhe. Një analizë siç u takon ta bëjnë atyre që janë në një mision shumë të vështirë, por pa këtë analizë ata hapa të sigurt në misionin e tyre nuk bëjnë dot.
Kjo analizë do përfshijë Partinë Demokratike në të gjitha nivelet, dhe do zbatohet në statutin e partisë që do zbatohet pikë për pikë, siç e keni votuar. Këtu nuk mund të kemi ekuivoke. Por, mendoj, është e domosdoshme që të bëjmë gjithçka për të dokumentuar çdo faktor, çdo ndërhyrje, çdo ngjarje që ka ndikuar në këtë proces, në këtë megafarsë, të cilën Edi Rama pasi e kreu krimin, shpërndau miliona euro për propagandën për të shpifur në historinë e këtij vendi.
Po cila ishte pjesëmarrja, më thoni ju? Nëse 1.3 milion qytetarëve iu ndërrua qendra e votimit dhe votuesve socialistë iu dha patronazhistit dhe aktivistit se ku është qendra, këtu u godit elektorati ynë, i cili dihet për fatalitetin e bojkotit të zgjedhjeve të vitit 2019 , se cili është ai elektorat del brenda 10 minutave në kompjuter.
Shikoni se deri ku arrin propaganda e shpifur në studiot televizive. Nuk erdhën thonë, në votim. Keni para ju ndonjë prej tyre të shtrojë çështjen, se çfarë u bë me 1.3 milionë qytetarë që iu ndryshua qendra e votimit? Asnjë! E kanë paguar nga Rama, njëlloj si nuk shqipëruan njëherë emrin e Doshit. E keni dëgjuar ju të flitet ndonjëherë për Doshin këto ditë në studiot televizive?
Asnjëherë se ua ka blerë gjuhën, siç ka blerë votat. Po! Unë e kuptoj, por sheh që ai bëhet parti, rritet 240% brenda dy viteve. Se nuk është Doshi, është Rama. Paratë nga Rama shkojnë te Doshi, nga Doshi shkojnë te vota, nga vota shkojnë te Rama. Është një rreth vicioz. Nuk flet kush as për këtë, as për 1.3 milionë zgjedhës që ua ndryshuan qendrat me skemën e vitit 2001. U rikthye skema e vitit 2001. Skemë e mirënjohur për të përjashtuar politikisht zgjedhësit nga zgjedhjet. Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që për ne përballë këtij sulmi, kësaj propagande mafioze, antidemokratike që bëhet çdo natë ne do të qendrojmë më të fuqishëm, më të moitvuar se kurrë. Për ata që sytë e mendjes janë verbuar dhe nuk shohin 670 mijë zarfa me 50 mijë lekë votën. Nuk shohin rritjen 240% të partisë së Doshit, dhe nuk guxojnë të thonë një fjalë se i ka paguar Doshi.
Atëherë ne, duhet të qendrojmë edhe më fuqishëm në çdo studio, në çdo vend, bisedë, dhe të mbrojmë të vërtetën, asgjë më shumë.
Nuk jemi ne, në asnjë rast, në asnjë rrethanë njerëz që i shmangemi përgjegjësisë kategorikisht. Nuk presim, por ama të thuash: ti pse nuk e mbrojte votën? Bëhesh palë me hajdutin, nëse e thua një gjë të tillë. Unë e identifikoj, nuk përdorim armë ne për të mbrojtur votën, ai që e totë këtë, ai është palë me hajdutin, palë me qeverinë, me Edi Ramën.
Unë këto kisha. Them edhe njëherë, mund të ishte bërë edhe më parë kjo mbledhje, por duke qenë se ka qenë një fazë shumë e rëndësishme, dhe është shumë e rëndësishme. Janë disa gjëra që kërkojnë një volum shumë të madh punë. Edhe në KQZ kërkojnë një shqyrtim të shumë e shumë dokumenteve. Ne nuk i ndahemi deri në fund të këtij procesi, kompletimi në fund deri në një raport serioz, dhe pasta sigurisht kalojmë në analizën e problematikave të PD të shfaqura.
Por e mbyll duke falëndruar kandidatët, duke falënderuar anëtarët, simpatizantët, jo vetëm të PD, por edhe të koalicionit, të cilët bënë një fushatë të qytetëruar, bënë një fushatë me program, bënë një fushatë në përputje me ligjin, dhe kam bindje të plotë se do dimë t’i japim përgjigjen më të merituar kësaj farse elektorale të maj 2023.
Faleminderit!