EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një prononcimi për gazetarët nga parlamenti është shprehur se opozita nuk e njeh vendimin e përjashtimit të deputetëve nga ana e mazhorancës. Berisha theksoi në fjalën e tij, se asgjë nuk e ndal opozitën.
‘Asgjë nuk na përjashton ne nga parlamenti. Ata mendojnë se na përjashtojnë, por në fakt ne jemi sot parlamentarët e vërtetë të kombit.’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha teksa po i përgjigje interesit të gazetarëve.
Në deklaratën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha hodhi akuza edhe ndaj kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi. Berisha tha se, kur Çuçi ka qenë student në Gjenevë, Zvicër është përzënë për drogë. Ai u bëri thirrje gazetarëve që të hetojnë për të zbuluar faktet të tjera.
FJALA E PLOTE E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA DHE PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:
Në mënyrën më të përsëritur ne kemi paralajmëruar se kjo situatë nuk do mund të pranohet nga opozita.
Dhe se loja me kallp-opozitën është akti më i shëmtuar që mund të bësh në një vend të lirë.
E vërteta është se Edi Rama, jo vetëm ka ecur duke shkelmuar gjithnjë e më shumë Kushtetutën, ligjet, parimet, por është i gatshëm të ecë gjer në fund në rrugën e tij.
Kjo ditë shënon një fillim të ri për opozitën, shënon fillimin e qëndresës së saj me të gjitha format e një beteje gjer deri edhe te mosbindja civile, forma të ndryshme të grevave, protestave, të cilat duhet të rikthejnë parlamentarizmin, duhet të rikthejnë në Shqipëri, votën e lirë për shqiptarët.
Faktikisht, ky parlament është krejtësisht fiktiv. Opozita në këtë parlament është një fiktivitet, janë 6 komisionet hetimore parlamentare që janë refuzuar në shkelje flagrante të Kushtetutës.
Janë gjashtë komisione parlamentare të refuzuara, sepse që të gjitha në një mënyrë ose në një tjetër, çojnë direkt te Edi Rama.
Është refuzuar hetimi i aferës Rama-McGonigal, është refuzuar hetimi i Ismailit, shpenzimit të 22 milionë eurove në më pak se dy vite, nga Edi Rama me avion në dispozicion, si për qëllime zyrtare dhe jozyrtare në një abuzivitet të përmasave të një sheiku.
Është bllokuar, nuk është pranuar komisioni për shqyrtimin e zbatimit të ligjit të konfliktit të interesit. Sepse është Edi Rama personalisht me familjarët, sojin dhe sorollopin e tij, që ka shkelur këtë ligj më shumë se çdo njeri tjetër në 30 vite të marra së bashku. Ua them unë. Më shumë se çdo politikan në 30 vite të marra së bashku.
Është refuzuar komisioni për Portin e Durrësit, i cili në dritën e të dhënave të zhvillimeve të fundit të Amant Josifit dhe bandave, rezulton se prapa Al Alabarit, qëndrojnë bosët e tmerrshëm të krimit, të larjes së parave, të drogës, të vjedhjes së qytetarëve europianë me Bitcoin.
Vetëm afera e Portit të Durrësit, shkon minimumi 4 miliardë euro.
U refuzua hetimi i Taulant Ballës dhe Edi Ramës për TIMS-in, zhdukjen e TIMS-it. Ju e dini se unë që në vitin 2014, kam denoncuar publikisht me dhjetëra herë, udhëtimet e Olsi Ramës me mjetin e adoptuar të grupit të Xibrakës, me të cilin transportonin drogë jashtë kufirit.
Në librarinë time dixhitale janë të paktën, të dokumentuara, 6 udhëtime të Olsi Ramës me makinën e grupit të Hakmarrjes.
Janë denoncime të 54 udhëtimeve të Taulant Ballës me Edmond Begon. Së fundmi kanë ardhur denoncime të reja të udhëtimeve të Taulant Ballës me Pëllumb Gjokën, që siç thuhet i kanë dhënë pasaportë shërbimi me emrin Kolombo.
Janë të gjitha këto që qëndrojnë të stamposura në sistemin TIMS. Dhe Taulant Balla në dy javët e tij të para të qenies si ministër, shkatërroi sistemin.
Pra, janë gjashtë komisione hetimore parlamentare, të cilat në kundërshtim të hapur me ligjin dhe Kushtetutën- të cilat ngrihen automatikisht- që janë refuzuar në mënyrë antikushtetuese.
Së fundmi, akti kulmor i shëmtuar, i caktojnë opozitës përfaqësuesit në komisionin zgjedhor.
Ky do ishte Çuçi që është një mashtrues ordiner. Ju bëj thirrje të hetoni pak për Çuçin. Ka nevojë të hetohet. Hetoni pak vitet e tij, a është përzënë nga Zvicra dhe pse është përzënë? Nga Gjeneva.
Pyetje: Keni informacion ju zoti Berisha?
Sali Berisha: Hetoni pak, informacionet e mia janë pa diskutim, por interesante për publikun janë hetimet e gazetarëve. Shkoni dhe pyesni pse është përzënë nga Gjeneva. Ka qenë më studime atje. Student.
Pyetje: Po për çfarë është hetuar?
Sali Berisha: Është përzënë për drogë. E di vetë ai.
E dyta, pyesni pak se kush është Aranit Arapi. Unë e kam këtu në librarinë dixhitale kushedi sa informata të qytetarit dixhital për të.
Aranit Arapi është krahu i djathtë i Saimir Tahirit në trafikun e drogës për kohën kur ishte.
Për hir të vërtetës, e përzuri Fatmir Xhafaj. Një njeri që nuk e mori Sandër Lleshaj, e kish edhe mirditor, por nuk e mori se e dinte se nxinte. E mori ky dhe e bëri këshilltar kryesor. Ajo sera që u kap me 90 gra në Berat, mbikëqyrej nga Çuçi dhe Araniti. Tani, Çuçi është një gënjeshtar i paskrupullt. Kur themi që komisioni është ngritur mbi bazë konsensusi, nuk nënkupton kurrë që ne do i caktojmë njëri-tjetrit me konsensus anëtarët. Komisioni funksionon mbi bazën e konsensusit. Dmth që ligjet, nenet që ai miraton, duhet t’i miratojë me konsensus.
Dhe e tillë ka qenë në 32 vite. A mund të imagjonojë kush se ne do të pranonim për bashkëkryetar Damian Gjiknurin, një nga protagonistët e dosjes famëzeze 184, kurrën e kurrës. Por ne nuk mund të imagjinojmë të kemi të drejtë ti caktojmë palës tjetër, bashkëkryetarin. Kështu ai është një gënjeshtar ordiner, që nuk di çfarë gënjen. Kurrë ndonjëherë nuk do mund të caktojnë përfaqësuesin e opozitës. Për Oerd Bylykbashin kanë firmosur 30 deputetë të opozitës si përfaqësuesi ynë. Tani unë e kuptoj se ju jeni të interesuar se si do vazhdojë. Ky është vetëm fillimi.
Pyetje: Ky është fillimi, po përfundimi…
Sali Berisha: Përfundimi do jetë fitorja! Nuk ka folur njeri për djegien e parlamentit, por akt i turpshëm ishte fikja e dritave. Çfarë ordinerësh janë këta.
Pyetje: Edhe ju përjashtuan …
Sali Berisha: Asgjë nuk na përjashton ne nga parlamenti. Ata mendojnë se na përjashtojnë, por në fakt ne jemi sot parlamentarët e vërtetë të kombit.
Pyetje: Si do të vazhdoni seancën e radhës z. Berisha, jeni 26 të përjashtuar …
Sali Berisha: Edhe 46 po të përjashtohen, të jenë të sigurt se ne nuk dorëzohemi, nuk tërhiqemi!
Pyetje: Kur ju nuk do të jeni të pranishëm në parlament, si do të vazhdoni…
Sali Berisha: Ashtu mendoni ju, prisni, durim të keni!
Pyetje: Nuk mendon se kemi pasur mjaftueshëm durim dhe ka ardhur koha për të ditur se cili do të jetë hapi i ardhshëm i opozitës.
Sali Berisha: Hapi konkret filloi, ju seancë pas seance do i ndiqni të gjitha. Por një gjë ta keni të qartë, tërheqje nuk ka!
Pyetje: Sekretariati i etikës ka marrë vendimin për të ju përjashtuar…
Sali Berisha: Nuk e njohim vendimin e përjashtimit. Unë them që demokracia nuk e njeh.
Pyetje: Z. Berisha, do të ketë vetëm rezistencë nga deputetët në seancë, apo edhe organizim të qytetarëve në protesta jashtë parlamentit.
Sali Berisha: Edhe ajo kohë do të vijë. E vetmja gjë që kërkoj është që hapat që do bëjmë, do i bëjmë të sigurta, dhe kërkohet durim se kjo nuk është një lëvizje sot për nesër. Kjo është një lëvizje për fitore!
Pyetje: Do të ketë fatin e revolucionit me protesta?
Sali Berisha: Nuk e nisa. Thashë do ta nis, por nuk e nisa. Kjo është lëvizje. Ato ishin prova gjenerale.
Pyetje: Gjatë fjalës tuaj, përmendët edhe mosbindjen civile. Ish bashkëpunëtori juaj, Basha e ka provuar mosbindjen civile duke bllokuar disa rrugë nëpër Shqipëri.
Sali Berisha: I përdori të gjitha për të rënë në krah të Edi Ramës. Leje tani.
Pyetje: Do të ktheheni prap në seancë sot.
Sali Berisha: Do të kthehem, po.