FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E KUVENDIT
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha është drejtuar me tone të forta për deklaratën e bërë nga kryeministri Rama për Kosovën, se ajo është tokë e askujt.
Berisha tha se, kjo deklaratë armiqësore nuk është bërë kurrë ndonjëherë jashtë Beogradit për Kosovën.
Berisha tha se, kjo deklaratë e turpshme u bë pas një jave kur toka e veriut të Kosovës u la me gjak nga njeriu që deshi ligjin.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, NATO ka refuzuar me përçmim të plotë një deklaratë të tillë të Vuçiçit dhe pengut të Vuçiçit, argatit të tij Rama.
FJALA E PLOTË
Këtu ka një përpjekje të turpshme, të pafytyrë për të mbuluar me zhurma, me mashtrime dhe gënjeshtra, deklaratën superskandaloze, deklaratën më armiqësore të bërë ndonjëherë jashtë Beogradit për Kosovën, se veriu i Kosovës është toka e askujt.
Ju nuk e mbuloni dot me asgjë, nuk e mbulon dot me asnjë lloj recitimi zonja Zilie Fali.
E ka dashtë vetë, nuk ia kam vënë unë atë. Unë po flas me terma frojdianë, se po t’ia them me ato terma që ia thotë Rama, ju pastaj bërtisni, thoni shih sa vulgar që është ky. Nuk e bëj unë atë. Po flas me terma medikalë.
Pra, nuk e mbuloni dot me asgjë këtë deklaratë të bërë vetëm një javë pasi ajo tokë u vadit me gjakun e atij që deshi të bënte ligjin.
Nuk e zhbëni dot ju këtu vetëm një javë pasi djemtë trima me uniformë, vendosën të përballen me një grup terroristësh dhe ta përzënë me turp nga ai territor, që i thotë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç se është tokë e askujt.
Nuk e zhbëni dot, nuk e maskoni me asgjë, me asnjë skenar, me asnjë skenë, me asnjë skllav, me asnjë peng, me asgjë tjetër, deklaratën që kërkon të shkëpusë veriun e Kosovës dhe ta kthejë në protektorat të NATO-s.
NATO ka refuzuar me përçmim të plotë një deklaratë të tillë të Vuçiçit dhe pengut të Vuçiçit, argatit të tij.
Nuk e zhbëni dot kërkesën e tij për të thirrur konferencë ndërkombëtare me Lavrovin.
Ju mund të thoni se jo, ai foli për kancelarin gjerman dhe presidentin francez.
Po, po por problemi është se Vuçiçi shkon aty si Putin i vogël dhe Putinin mund ta kundërshtojnë. (Kryetarit të PD, Sali Berisha i fikin mikrofonin në foltore)