Berisha: Njohëm asamblenë e OSBE-së dhe EPP-në me faktet dhe provat e kundërshtueshme të farsës së 11 majit. Shqipëria është njolla më e zezë në Europë, për eksportin e emigrantëve

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë me gazetarët, pas kthimit nga pjesëmarrja në sesionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Porto, Portugali. Ai u shpreh se, gjatë takimeve e ka cilësuar procesin e zgjedhjeve të 11-majit, si një farsë zgjedhore të orkestruar nga qeveria dhe strukturat e saj.  Në fjalimin e tij, Berisha ka theksuar përdorimin e resurseve shtetërore për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve, duke përmendur praktika të tilla si blerja e votave, përdorimi i administratës publike për qëllime elektorale dhe organizimin e aktiviteteve për të ndikuar tek zgjedhësit, përfshirë evenimente të mëdha si Giro d’Italia. Po ashtu, ai ka folur për shkelje të ligjit në lidhje me legalizimet dhe ndarjen e lejeve të ndërtimit për të fituar mbështetje elektorale.

Kryedemokrati Sali Berisha, u shpreh se një tjetër temë e Asamblesë së OSBE-së në Porto, ishte edhe emigracioni, Shqipëria u paraqit si vendi me situatën më alarmante në Europë për shkak të narkoshtetit.  Ai theksoi se në 10 vite popullsia është pakësuar me 45%, ndërsa regjimi i Edi Ramës ka transformuar institucionet, ekonominë dhe zgjedhjet në një farsë. Berisha vlerësoi rolin e OSBE-ODIHR dhe denoncoi ndërhyrjet e qeverisë për të ndikuar raportet zgjedhore, duke theksuar se do të vazhdojë përpjekjet për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka vijuar akuzat kundër qeverisë dhe procesit zgjedhor të 11 majit 2025, duke e quajtur atë një “farsë zgjedhore”. Në fjalimin e tij gjatë konferencës për media, ai theksoi se kjo farsë nuk mund të justifikohet dhe nuk mund të pranoheshin si të vërteta rezultatet e zgjedhjeve. Berisha e ka quajtur këtë farsë një “krim zgjedhor” dhe ka bërë një krahasim të fortë duke thënë se ky “krim zgjedhor është një krim kushtetues qeveritar”. Ai ka theksuar se, ndërsa qytetarët janë viktima të këtij sistemi, ata nuk mund të fajësohen për shkeljet dhe keqpërdorimet që kanë ndodhur gjatë këtij procesi. Për Berishën, përgjegjës për këtë situatë janë ata që janë në pushtet, dhe më konkretisht “narkodiktatorët”,  të cilët mbështesin dhe lejojnë krimin zgjedhor të ndodhë.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me takimet dhe çfarë premtimesh kishte marrë në Porto, kreu i PD-së Sali Berisha, deklaroi se ndërkombëtarët janë të informuar për raportin paraprak të OSBE-ODIHR, i cili, sipas tij, rrëzon legjitimitetin e zgjedhjeve me konstatimin se “fusha ishte e pabarabartë”. Berisha paralajmëroi se raporti përfundimtar do të jetë bazë për veprim konkret dhe se përpjekjet e Edi Ramës për të fshehur shkeljet po dështojnë.

Lideri i demokratëve, Sali Berisha, në një konferencë për media, u shpreh se zgjedhjet e 11 majit 2025 ishin një farsë totale, ku pushteti tregoi fytyrën e tij të vërtetë. Ai bëri një denoncim mbi mënyrën si u manipulua një mandat, duke përmendur një shembull të tanishëm: “Ata ia hoqën mandatit një deputeteje, sepse i duhej ‘Zegjineja’. Kështu është për këtë narkonomenklaturë, mandatet janë thjesht letra pa vlerë.” Berisha theksoi se kjo është një dëshmi e qartë se pushteti dhe bandat që e mbështesin nuk kanë asnjë respekt për vullnetin e qytetarëve, por vetëm për ata që mund të kontrollojnë.  

I pyetur nga gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha, theksoi se çdo person që nuk zbatojnë ligjin do të mbajë përgjegjësi ligjore pa përjashtim. Ai vuri në dukje se në ndryshimet e fundit në Tiranë kanë ndodhur dy lëvizje mandate, të cilat janë jashtë ligjit dhe moralit, duke përmendur raste konkrete korrupsioni dhe shkeljeje të ligjit të Presidencës. Berisha denoncoi manipulimin e votave të PD-së në Tiranë, duke theksuar se ndryshimet janë bërë pa asnjë bazë ligjore.

Kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ka sqaruar detaje lidhur me kontratën e lobimit, duke theksuar se kjo marrëveshje nuk është e lidhur drejtpërdrejt me PD-në, por mes një fondacioni dhe kompanisë. Ai theksoi se Partia Demokratike pranon vetëm shërbimin dhe se çdo hap është i transparent dhe i njohur për publikun. Sipas Berishës, kontrata është midis fondacionit dhe kompanisë, ndërkohë që ai nënvizoi se ky është një proces që është ende në zhvillim dhe se për çdo vendim të ardhshëm do të informohet opinioni publik.

FJALA E PLOTE:

Sapo u ktheva nga një udhëtim në Porto të Portugalisë, ku zhvilloi punimet sesioni i Asamblesë parlamentar të OSBE. Siç e dini, asambleja parlamentare e OSBE dhe institucionet e OSBE, ndër të cilat ODIHR, janë dhe institucionet e besimit të plotë të vendeve anëtare të OSBE-së, përsa u përket zgjedhjeve, karakterit, të zhvillimit të tyre, zgjedhjeve të drejta apo të padrejta, të barabarta apo të pabarabarta.

Unë shfrytëzoj rastin të falënderoj shumë përzemërsisht presidenten e grupit parlamentar të EPP-së zonjën Gundrun Kugler, për mundësinë që më krijoi të bëj një ekspoze të qartë, të plotë, të faktuar të farsës elektorale që u zhvilluar në Shqipëri në datën 11 maj 2025.

Interesi i kryetares së grupit parlamentar të EPP-së, të asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe anëtarëve deputetë të këtij grupi ishte shumë i madh.

Në ekspozenë tonë, ne paraqitëm me fakte dhe dokumente se çfarë ishte procesi në Shqipërinë e Ramaduros, e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.

Pa krahasuar me asnjë proces tjetër në Europë, informuam për angazhimin total të narkoshtetit, të të gjitha potencialeve të tij njerëzore, financiare, fuqia ekzekutive, për kontrollin e votës së qytetarëve shqiptarë dhe blerjen e saj.

Për përdorimin e gjysëm miliardi euro, për prokurorime publikë në kundështim flagrant me ligjin.

Për organizimin në kundërshtim me ligjin të 4500 evente kombëtare dhe ndërkombëtare duke përfunduar me Giro d’Italia ditët e fundit dhe ditën e zgjedhjeve për të ndikuar tek zgjedhësit.

Tek përdorimi i armatës së punonjësve të paguar nga taksa paguesit shqiptarë për tu shërbyer atyre dhe jo për tu angazhuar si policë elektoralë në procesin zgjedhor.

Firmosjen e mijëra e mijërave leje legalizimi, leje ndërtimi dhe certifikatave të pronësisë, për vota.

Dorëzimin e të gjitha të dhënave sekrete, personale të qytetarëve grupeve të patronazhistëve për ti kërcënuar dhe mikluar ata.

Si dhe vendimin për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis në mbarë vendin për votë, ndërkohë ligji lejon gjithsej 200 hektarë.

Në takimet dhe ekspozetë tona ne informuam ata me të gjithë dukuritë e konstatuara nga vëzhgimi i kamerave ditën e votimit, nga rinumërimi i fletëve të votimit. I informuam për përdorimin më të gjerë të mekanizmit ‘treni Bullgar’. I informuam për shtetëzimin e votës së diasporës dhe procesit të votimit të diasporës.

Me fakte, dokumente me të dhëna.

Mendoj se audienca me lajmet, me dokumentet, provat që dërguam mori informacionin më të vërtetë dhe më të duhur për farsën elektorale të 11 majit.

Gjatë qëndrimit në Porto, Asambleja e OSBE-së kishte një çështje madhore në rendin e ditës, emigracionin.

Dhe aty përsëri ne na ftuar për të marrë pjesë dhe për të diskutua në atë takim.

Shqipëria është njolla më e zezë në Europë, është rekordmene për eksportin e emigrantëve.

Në 10 vite popullata në Shqipëri është pakësuar me 45% dhe e tëra është rezultat i narkoshtetit dhe veprimeve të tij, narkoekonomisë, narkozgjedhjeve, narkoinstitucioneve.

Aty kishte nga Ukraina, luftë prej 3 vitesh, por nga asnjë vend dhe asnjë komb nuk ka braktisur vendin, siç kanë braktisur Shqipërinë shqiptarët, për shkaqe të lidhura me narkoshtetin.

Mendoj se në këtë debat demografik, regjimi i Edi Ramës, narkoinstitucionet e tij morën vlerësimin dhe damkosjen e merituar.

Takim shumë i rëndësishëm ishte takimi me presidenten e Asamblesë Parlamentare të OSBE, Pia Kauma, parlamentare daneze dhe sekretarin e përgjithshëm të kësaj asambleje, Roberto Montela.

Pasi shprehëm vlerësimin tonë dhe falënderimet për delegacionin e OSBE-së dhe ODIHR që vëzhguan zgjedhjet, paraqitëm me fakte dhe dokumente shndërrimin e procesit në një farsë elektorale që turpëron çdo vend dhe që është tipike për narkoshtetet e Maduros dhe Ramaduros. Të dyve. Njëri në Amerikë, tjetri në Europë.

Shprehëm vlerësimin tonë për raportin paraprak. Denoncuam përpjekjet për të ndërhyrë nga institucione të ndryshme të narkoqeverisë së Edi Ramës, për të ndikuar në raporte dhe natyrisht me përfundimin e raportit përfundimtar nga ana jonë do të paraqitemi pranë institucioneve të OSBE-së dhe do të jenë të parat ku do ta dorëzojmë.

Mendoj se me takimet tona në Parlamentin Europian, Këshillin e Europës dhe asamblenë parlamentare ne ja dolëm të paraqesim para audiencave më të rëndësishme të problemeve zgjedhore, farsën elektorale të Shqipërisë.

Përmbushëm një detyrim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë.

Ju e dëgjuat, unë kisha vetëm një kërkesë: të ndihmoni shqiptarët të votojnë të lirë.

OSBE është e themeluar në një nga dy parimet më themelore, është respektimi i votës së lirë dhe të drejtave të njeriut.

Në Porto isha së bashku me Fatmir Mediun, anëtar i Delegacionit të Parlamentit tonë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe Albana Vokshin.

Mendoj se me ndërhyrjet e tyre, Mediu dhe Vokshi dhanë një kontribut me të vërtetë të qenësishëm në ndriçimin e të gjithë shëmtisë së farsës zgjedhore të 11 majit.

Pra në këto kushte ne zhvilluam një debat, jo vetëm me shqiptarët nëpërmjet medias, siç keni parë këtu çdo ditë. Unë kam paraqitur fakte, dokumente, por po kështu edhe me komunitetin ndërkombëtar.

Natyrisht farsa është farsë dhe nuk mund të pranohet kurrë.

Por farsa është farsë e cila zgjidhet vetëm kur qytetarët shqiptarë të marrin në dorë fatin e votës së tyre.

Dhe këtu dua të shpreh qëndrimin tim; asnjë njeri nuk ka të drejtë të fajësojë qytetarët shqiptarë.

Duhet fajësuar për fajin që kanë narkodiktatori, narkopolicia, narkoskapi, narkogjykatat, që heshtin, mbështesin krimin zgjedhor.

Krimi zgjedhor është krim kushtetues qeveritar, dhe qytetarët në një terror nga një anë të bandave në pushtet, nga ana tjetër të bandave në terren ndaj dhe është detyrë e çdo shqiptari të kontribuojë që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Ermal Rizaj, SYRI TV: Z. Berisha, kam dy pyetje. Përveç se ju keni informuar përfaqësuesit e lartë të Asamblesë së OSBE-së në Porto, çfarë garancish morët ju nga ata, pasi paraqitët prova përpara tyre, si në fjalën që mbajtët atje, ashtu edhe në takimet informale?

Sali Berisha: Ata kanë lexuar sigurisht dhe kanë dijeni, janë të informuar për raportin paraprak të OSBE-ODIHR, i cili zgjedhjet i përmbys vetëm me paragrafin ku thotë se; fusha ishte e pabarabartë. Pra zgjedhje të drejta nuk pati dhe pastaj i rreshton të gjitha. Por natyrisht duke e nxjerrë nga gjuha diplomatike të gjithë procesin, farsa paraqitet edhe më e shëmtuar.

Konkretisht pritet raporti përfundimtar dhe do qëndrohet fuqishëm mbi çdo rekomandim dhe çdo konkluzion. Por ki parasysh një gjë, që narkoshteti, Edi Rama po bën përpjekjet më të jashtëzakonshme që ti fshi gjërat dhe ju garantoj se po dështon.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Z. Berisha, a po veproni ju si në vitin 2001, duke informuar partnerët ndërkombëtarë për atë që ka ndodhur në procesin elektoral? Dhe nga ana tjetër, në sesionin e ri politik në shtator, Partia Demokratike dhe ju si përfaqësues të opozitës keni një rol të rëndësishëm në reformat që pritet të diskutohen dhe të miratohen, pasi duhet marrë parasysh se mazhoranca socialiste ka 83 mandate.

Sali Berisha: Partia Demokratike nuk i njeh këto zgjedhje. Ajo ka luftuar dhe do luftojë për një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja.

Ky rezultat nuk shpreh në mënyrë absolute vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Dhe gjersa nuk shpreh vullnetin e qytetarëve shqiptarë, nuk mund të pranohet.

A i patë vetë ju. Shembulli më i fundit.

Numërimi, se filluan ta kritikojnë numërimin, pse e kërkojnë numërimin. Ata që kanë frikë nga transparenca, që janë si me qenë qenie të errësirës, urdhëroni çfarë nxori rinumërimi. Ceno Klosi hajdut me çizme. Ceno Klosi është Lubi Balluku.

Çfarë tregoi tjetër? Se edhe tjetri deputet kishte marrë mandatin.

Tregoi tjetër se për këtë narkonomenklaturën mandatet janë letrat pa vlerë. E patë si i kaloi asaj tjetrës së i duhet Zegjineja.

Shikoni se çfarë janë, nuk ka rëndësi vullneti, nuk ka fare rëndësi qytetari. Qytetarët votuan për atë zonjën tjetër. Brenda 5 orëve mandatin e saj e bënë të paqenë. E kthyen tek Zegjineja.

E kthyen por dolën lakuriq para botës, ja se ç’janë, ja si votuan, ja si i numëruan.

Daniela Maloku, ReportTV: Z. Berisha, duke qenë se ju e hapët çështjen e rinumërimit, harruat të përmendni se rinumërimi në Fier ka treguar se edhe kandidatja e Partisë Demokratike, Silvja Hasja, ka humbur 671 vota. Për këtë të fundit, a keni një koment?

Sali Berisha:  Cilido që nuk zbaton ligjin, për mua do të jetë përgjegjës para ligjit. Pikë. Ky është komenti im.

Por dallimi është i madh. Nuk kemi lëvizje mandati. Sigurisht nuk duhet të ndodhi, pikë. Qëndroj tek ajo që thashë. Kurse këtu lëvizën dy mandate, jo 1, por 2.

Dhe imagjinoni pak Ceno Klosin. I gjithë grupi i Hakmarrjes për Drejtësi, Renato Salihi dhe grupe të tjera, duke punuar nën dhe ditë e natë për Ceno Klosin dhe atë drejtorin tjetër, Jahja.

Dhe aq të pangopur sa tani duhet të vidhnin dhe vota. Mund të krahasosh ti atë, jo nuk krahasohen. Mos të krahasojmë gjërat … E thashë dhe njëherë, ligji është ligj dhe nuk lëshoj aty.

Ka një gjë, nëse vure re ti, si e gjetën mekanizmin në Tiranë, si e gjetën ën Tiranë.

Me një njeri që nuk ka ligj as moral, nuk ka. Ka qenë bashkëpunëtor i imi, por e kam shkarkuar për korrupsion Ilir Rusmajlin. Për atë e kam, i cili në urrejtje patologjike, që qëndron aty në kundërshtim me ligjin. Lexoni ligjin e Presidencës.

Ligji i presidencës thotë, këshilltari i presidentit nuk mund të bëjë asnjë punë tjetër, përveç se këshilltar. Kurse ky njeri që nuk ka ligj e as moral, që është si vetja e veta, e ndonjë mik si ai, ky njeri pse dilte viza pak nga kuadrati, siç më kanë sjellë në zyrë me dhjetëra e dhjetëra, ky i quante të pavlerë.

Ato ndryshime që keni parë në Tiranë ju, ato kanë ardhur krejtësisht në rastin e PD-së nga zhvlerësimi i votave të saj, pa asnjë shkak ligjor.

Daniela Maloku, ReporTV: Sa i përket lobimit, Partia Demokratike ka lidhur kontratën e lobimit në SHBA. A do të vijojë kjo kontratë me lobimin, z. Berisha?

Sali Berisha:  Tani, ajo nuk është mes PD-së dhe kompanisë. Ajo është midis fondacionit dhe kjo varet nga fondacioni.

Ne jemi transparent dhe njoftojmë çdo gjë. Vetë kompania është supertransparente. Ka një uebsite ku publikon çdo dokument.

Daniela Maloku, ReporTV: Gjithsesi, thuhet se kontrata është nënshkruar edhe nga z. Noka, në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Pra, Partia Demokratike është në njëfarë mënyre palë në këtë marrëveshje?

Sali Berisha: Flamur Noka ka firmosur se pranon shërbimin. Kontrata jo midis ne dhe kompanisë, është midis fondacionit dhe kompanisë.

Daniela Maloku, ReporTV: A do ta pranojë Partia Demokratike shërbimin sërish? Pra, a do të vijojë ta pranojë këtë shërbim?

Sali Berisha:  Përsa kohë që nuk ka marrë një vendim do të ju qartësoj. Ky është një proces në vazhdim, por varet dhe nga fondacioni edhe nga të tjera.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale