Berisha njofton: Fushata elektorale do të hapet me 11 prill në orën 19:00 në Tiranë. Në 11 maj shqiptarët do votojnë origjinalin, jo kopjen

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME TË DELEGUARIT POLITIK DHE KRYETARËT E DEGËVE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zbuluar datën dhe orën e hapjes së fushatës për zgjedhjet e 11 Majit. Kryedemokrati u shpreh se, në 11 prill ora 19:00 fushata do të hapet në Sheshin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, në hapjen me të bukur dhe për këtë ka kërkuar angazhimin e maksimal të të gjithëve drejtuesve dhe anëtarëve të partisë.

‘Secili nga ju duhet të bëjë më të mirën që të bëhet edhe hapja më e bukur dhe më e mirë që kemi bërë ndonjëherë në Shqipëri. Do vijnë edhe përfaqësues nga diaspora, do jetë një hapje madhështore’, theksi kryedemokrati Sali Berisha.

Që në nisje të fjalës së tij në takimin me të deleguarit politik dhe kryetarët e degëve të PD në Shqipëri, lideri Sali Berisha u shpreh se ‘demokratët janë 1-shat e Shqipërisë’.

Berisha theksoi se, kandidatët e ‘PD Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ e kanë për detyrim paraqitjen e projektit/programit të realizuar në bashkëpunim me ekspertizat më të mira të Amerikës dhe Gjermanisë.

‘Është programi që ka pasur mbështetjen dhe ndihmën e madhe të dy fondacioneve më prestigjioze të konservatorizmit në botë, fondacionit Heritage dhe fondacionit Adenauer.

Pra, ne kemi një avantazh të madh në këto zgjedhje sepse ne shkojmë me një projekt shumë të qartë, me një ëndërr dite shumë të bukur për Shqipërinë dhe shqiptarët’, theksoi Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e ka vënë theksin e fjalës së tij, në programin e realizuar nga PD. Gjatë takimit me të deleguarit politik dhe kryetarët e degëve, Berisha u shpreh se, në 11 Maj, shqiptarët do të votojnë origjinalin dhe jo kopjen.

‘Në një suicid elektoral politik, mendoi të gjejë strehë të programi elektoral i PD, duke faktuar me këtë se ai ishte pa asnjë program vetë, së pari.

Kështu që shqiptarët, kësaj pyetje do i japin një përgjigje më 11 maj, përgjigja do votojnë origjinalin, jo mashtrimin, jo kopjen, jo falsifikimin’, theksoi Berisha.

Lideri i opozitës Sali Berisha në takimin me të deleguarit politik dhe kryetarët e partive, ka folur edhe për fushatën e kundërshtarit politik.

Berisha theksoi se, në Tiranë grupi armiqësor i listës së PS është ‘grupi Xhafaj’. Por sipas kryedemokratit, e njëjta situatë për PS-në, është në të gjitha qarqet.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt ju, të gjithë demokrateve dhe demokratëve, njishave të Shqipërisë.

Në çdo interpretim, nga lashtësia gjer në ditët e sotme, njishi del supernumri, supernjeriu, superfenomeni.

Numri i diellit, numri i bashkimit të jetës, të tjerat po ia lëmë letërsisë, mitologjisë.

Duhet të falënderoj shumë ju për punën që keni bërë dhe po bëni, të falënderoj demokratet, demokratët për angazhimin e tyre të fuqishëm në këtë betejë jashtëzakonisht të rëndësishme për të fituar zemrat dhe mendjet e qytetarëve shqiptarë, për ndërgjegjësimin e tyre në rëndësinë vendimtare të 11 majit.

Kjo klimë optimizmi është një terren do të thosha shumë i favorshëm në mënyrë që oferta jonë, ofertë absolutisht reale në çdo premtim të sajin, të përqafohet, të bëhet pjesë e ndërgjegjes së qytetarëve shqiptarë, mjet i tyre në këtë betejë.

Sot, në mbarë Shqipërinë, rivalizojnë propaganda e mashtrimeve me premtime të vërteta, me një projekt real që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë më parë.

Ky projekt i Shqipërisë Madhështore ka dimensionin e tij ndër më kryesorët realitetin. Ky është një projekt i cili në çdo zotim të tij është 100 përqind i realizueshëm.

Ky projekt paraqitet para shqiptarëve nga misionarë të vërtetë.

Kandidatët tanë për deputet janë në një mision së bashku me stafet e tyre, së bashku me demokratët për të ndërgjegjësuar çdo qytetar për rëndësinë e madhe që ka ndryshimi me 11 maj për fuqinë e madhe transformuese që ka ky projekt.

E them edhe njëherë, projekt që nuk është paraqitur kurrë më parë në këto përmasa.

Të tjerat kanë qenë vegime të tij krahasuar me këtë të sotmin.

Të mëparshmet janë vetëm një trashëgimi, janë një eksperiencë që na shërben për këtë që kemi projektuar.

Dhe është programi që ka pasur mbështetjen dhe ndihmën e madhe të dy fondacioneve më prestigjioze të konservatorizmit në botë, fondacionit Heritage dhe fondacionit Adenauer.

Pra, ne kemi një avantazh të madh në këto zgjedhje sepse ne shkojmë me një projekt shumë të qartë, me një ëndërr dite shumë të bukur për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Natyrisht kjo kërkon takimet më intensive që keni zhvilluar në jetën tuaj.

Më të shumta tuajat dhe të shtabeve tuaj, të bashkëpunëtorëve tuaj me qytetarët.

Në këtë garë, vetëkuptohet çdo kandidat do kërkojë votën dhe kjo është normale.

Por të gjithë kandidatët kanë një detyrim madhor, një mision madhor, paraqitjen e projektit.

Dhe mbi bazën e kësaj paraqitje, kërkesën e tyre për votimin për PD dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore si kushti i të gjitha kushteve që ky projekt të realizohet.

Fushata elektorale ka ngjallur një frymë optimizmi tek qytetarët.

Programi i PD ka gjetur një mirëkuptim të gjerë dhe vlerësim real nga qytetarët.

Por tani ne këtë program, këtë projekt duhet ta çojmë në çdo derë, në çdo biznes, në çdo fermë, jo më me ekrane, por direkt vetë.

Siç e shihni, pala tjetër nga mëngjesi gjer në darkë merret me mashtrime, me gënjeshtra dhe shpifje.

Pas 2 muajsh shëtitje në park zoologjik, Edi Rama kuptoi që po rrokullisej me shpejtësi sepse qytetarët u ngopën, u neveritën me monologet e tij në mëngjes dhe me zhabat, hardhucat, zhapinjtë që u servirte ai në këto monologe çdo mëngjes.

Dhe në një suicid elektoral politik, mendoi të gjejë strehë të programi elektoral i PD, duke faktuar me këtë se ai ishte pa asnjë program vetë, së pari.

Së dyti, duke hedhur poshtë ato që kishte deklaruar 3 ose 4 muaj më parë, se elementë të këtij programi janë humnerë dhe katastrofë.

Së treti, indirekt dëshmoi se ky program qenka i realizueshëm.

Natyrisht nuk ka shqiptar që nuk i shtron atij pyetjen: po na thuaj pak, 12 vite ku ishe? Kush të pengoi 12 vite të jetësoje elementë parësorë të paketës së dhembshurisë? Kush e pengoi?

Askush përveç vetja e tij, hajnia e tij, vjedhja e tij.

Kështu që shqiptarët, kësaj pyetje do i japin një përgjigje më 11 maj, përgjigja do votojnë origjinalin, jo mashtrimin, jo kopjen, jo falsifikimin.

I ashtuquajturi program që paraqiti dje ishte fund e krye një piramidë mashtrimesh.

Në ç’kuptim? Se ai është i paktë edhe nga ana e nocioneve, është i reduktuar sa vizatimet që bën.

Kur i leverdiste merrte GDP-në nominale, kur nuk i leverdiste, merrte GDP-në reale.

Pra, bënte një sallatë shifrash që një gjimnazist nuk e bën për ta paraqitur krejtësisht të pabesueshëm çdo gjë që tha

U bë një diskutim sepse ky kontrollon plotësisht mediat, është i papërmbajtur në kontrollin e medieve, dhe arriti ose u përpoq të fshehë kredencialet delinkuente të vetat dhe të kandidatëve të tij me kandidatët e PD-së, të cilët janë njerëz të lirë, të cilët garojnë si qytetarë të lirë.

Në një kohë kur ekipi i tij është ekipi i mëkatarëve të mëdhenj, që ka vjedhur me ta dhe që një pjesë e mirë e tyre u dha një mburojë në lista të mbyllura për t’i hedhur fill sapo të kryejë punë.

Nga Gjirokastra në Tropojë, socialistët, Edi Ramën e njohin si njeriun më të pabesë, që i hedh një nga një bashkëpunëtorët e tij dhe kjo është e vërtetë.

Erion Veliaj e meritonte, ua them unë 100 përqind atë, nuk ka asnjë diskutim. E meritonte plotësisht, por të implikohet e gjithë kupola e partisë pasi ai ishte burgosur dhe arrestuar, të politizojë në këtë shkallë një akt të tillë, kjo është dëshmi, është tipar i ekstremit të majtë, i forcave politike të ekstremit të majtë ose i mafiozëve.

Tani u arrestua, ishte në gjykim, ky merrej me statuset e tij. Absolutisht po. Ky i çonte Ulsiun, organizonin truk pas truku vetëm e vetëm se si ta shpërbënin totalisht në mënyrë që të mos denonconte.

Por natyrisht socialistët këto i kanë kuptuar që ai listën që ka në Tiranë, i ka armiq.

Grupi Xhafaj është grupi armiqësor.

Po, haptas. Është grupi armiqësor.

Se këta në këto koncepte ecin.

Po kjo situatë është kudo, në të gjitha qarqet.

Në garë është bota e krimit.

Ndaj dhe misioni ynë bëhet çdo ditë e më i rëndësishëm.

Secili nga ne duhet ta ketë të qartë se fitorja buron nga ndërgjegjësimi i qytetarëve.

Aftësia jonë për të ndërgjegjësuar qytetarët për programin që paraqesim para shqiptarëve është vendimtare.

Dhe unë u them juve që ky është programi më i mirë që është hartuar ndonjëherë për shqiptarët dhe për Shqipërinë.

Fitorja kalon në fuqinë tonë organizative.

Fuqinë organizative të fushatës, fuqinë organizative të ditës së votimit, të qendrës së votimit.

Të gjithë ju kryetarë të PD të degëve dhe kryetarë të qarqeve, detyrën e parë keni pra organizimin.

Organizimin sa më të sigurt, sa më të plotë të të gjitha infrastrukturës të takimeve dhe infrastrukturës të sigurimit të procesit të votimit.

Trajnimet e të gjithë përfaqësuesve tanë në të gjitha nivelet e komisioneve të votimit janë të domosdoshme.

Janë një rëndësie parësore, duhet të fillojnë menjëherë.

Duhet të zgjidhen personat në kuptimin që mund të përmbushin më mirë këtë detyrë, por ata duan trajnim.

Duhet t’i trajnojmë, t’i kualifikojmë se ato ditë janë të një rëndësie përcaktuese.

Nuk e kemi sekret ne, e kemi të hapur, ne këtë fushatë e kemi të dominuar nga çfarë ofrojmë ne për qytetarin.

Prandaj siç keni marrë porosi gjer sot, unë kërkoj nga ju që ky parim të jetë dominues.

Para se të flasim për kundërshtarin, le të flasim për programin në radhë të parë.

Kjo është shumë e rëndësishme që ta dini, se kjo është zgjedhja jonë.

Mund të zgjidhej edhe rruga tjetër, ai ka zgjedhur rrugën e sharjes, ne kemi zgjedhur qytetarin, ne zgjedhim programin tonë.

Me këtë dua të them se në çdo takim, në çdo prononcim, në çdo postim, ne kemi epiqendër programin.

Në çdo bisedë, ne kemi epiqendër programin.

Natyrisht nuk mund të shkosh edhe në qiell e në tokë po të fluturosh, vjedhjeve të Edi Ramës

nuk u shpëton dot. Por koha për kundërshtarin do jetë e kufizuar.

Koha për programin do të jetë 80 përqind e kohës tuaj.

Në qoftë se ne e përsërisim programin nga mëngjesi gjer në darkë, nëpërmjet takimeve intensive, ju garantoj se ne do e përmbushim me sukses të madh misionin tonë.

Edhe njëherë, është një program që nuk është paraqitur kurrë në historinë e vendit. Por kjo kërkon takime intensive.

Secili nga ju punën duhet ta masë sa njerëz do të takojë ai dhe stafi i tij.

I gjithë stafi, i gjithë drejtimi i partisë është në takim për programin.

Me 11 është data zyrtare ligjore që mund të hapim fushatën elektorale.

Dhe ne do hapim me datë 11 në Tiranë në ora 7 të darkës.

Programin do e paraqesim në një mjedis të mbyllur të nesërmen, por kjo do jetë edhe programi këtu, edhe hapja e fushatës.

Ndaj dhe secili nga ju duhet të bëjë më të mirën që të bëhet edhe hapja më e bukur dhe më e mirë që kemi bërë ndonjëherë në Shqipëri.

Do vijnë edhe përfaqësues nga diaspora, do jetë një hapje madhështore.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale