Berisha: Një kryeministër që nuk e dorëzon pushtetin, rrëzohet me protesta! Ndërkombëtarët të mos e lejojnë Ramën të rëndojë krizën në Kosovë

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË RRJETET SOCIALE ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi sot gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale me qytetarët se procesi i mbrojtjes së votës përmes denoncimit me prova dhe fakte është jetik për PD për të mos legjitimuar farsën e 14 majit.

Berisha u shpreh se agesioni ndaj forcës më të madhe të opozitës dhe zgjedhjeve të 14 majit shënon një puç të paimagjinueshëm ndaj forcës kryesore politike opozitare dhe njëherazi shënon edhe një proces për shkatërrimin e një kombi.

Lideri opozitar u shpreh se procesi i shkatërrimit të opozitës nuk ka nisur me shpalljen non-grata të Sali Berishës, ky proces është më i hershëm. Ai kujtoi se ky proces nisi kur ambasadori i vendit më mik, demonstronte me megafon para parlamentit kundër opozitës, në një akt të pashembullt në historinë e botës.

Ky proces vazhdoi me kontraktimin e McGonigal, kryezbuluesi i botës, në një kohë kur ishte në detyrë, kontraktimi për të bërë gjahun e shtrigave ndaj opozitës shqiptare.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se forca më e madhe e opozitës do të shkojë drejt një procesi hapjeje dhe se Rama që nuk pranon të largohet nga pushteti me votë duhet të argohet me protesta.

Berisha u shpreh se, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe se protesta paqësore, përfshi mosbindjen civile, të cilën Mahatma Gandi e quan të shenjtë, janë vendimtare për shoqërinë shqiptare dhe kombin shqiptar.

Në lidhje me zhvillmet e brendshme në një fraskion të PD, Berisha u shreh se mbetet i hapur për të bashkëpunuar dhe diskutuar me të gjithë deputetët duke përjashtuar dy pengjet që përdoren nga Rama që janë Basha dhe Alibeaj. Ai deklaroi se nuk do të merret me pengjet, por me pengmarrësin.

Duke komentuar zhvillimet në Kosovë, Berisha i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos rëndojë krizën me Edi Ramën sepse angazhimi i tij, jo që nuk lehtëson, por rëndon krizën në veriun e Kosovës, të krijuar para së gjithash nga projekti i Serbisë së Madhe të Aleksandër Vuçiç.

FJALA E PLOTË

Përshëndetje, dhe ju falënderoj për ndjekjen, praninë tuaj në këtë bisedë, të cilën e ndjej si një nevojë të domosdoshme. Së pari për të ju përgjigjur shqetësimeve dhe pyetjeve tuaja, për të marrë sugjerimet tuaja.

Ajo ç’ka mund të ju them është se vazhdon përpjekja jonë për identifikimin e farsës elektorale të 14 majit 2023, në çdo segment dhe qelizë të saj. Në një proces të cilin unë e konsideroj si mbrojtje të votës. Në rast se ne nuk përmbushim këtë detyrim, defakto ne legjitimojmë farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e vendit. Ndaj dhe po punojmë me intensitet çdo ditë për realizimin e këtij objektivi, sikundër do kalojmë në analizë të plotë të të gjithë problematikës që u konstatua gjatë zgjedhjeve nga PD dhe nga shtabet tona zgjedhore, degët tona, anëtarësia jonë.

Faleminderit! Unë me kënaqësi i mirëpres pyetjet tuaja.

PYETJE-PËRGJIGJE

Pyetje: Përshëndetje doktor, a e keni menduar që të bëhen edhe njëherë tjetër zgjedhje për të gjitha strukturat e PD-së, për tu integruar përmes votës nëpër struktura edhe pakica që nuk ju mbështeti në fillim, me qëllim bashkimin dhe hapjen e PD-së.

Berisha: Me shumë kënaqësi mirëpres në PD të gjithë anëtarësinë e saj. Dhe në këtë kontekst i garantoj se zëri i tyre do të dëgjohet, propozimet e tyre do të përfillen dhe nuk ka asnjë pengesë që ne nëpërmjet procedurave statutore ne të bëjnë zgjidhjet më të mira. Pra e rëndësishme është të ekzistojë vullneti dhe ndjenja e përgjegjësisë, që çdo demokrat e demokrate ka për hapjen dhe konsolidimin e PD-së, jo vetëm ndaj anëtarëve të saj, por ndaj mbështetësve dhe simpatizantëve të saj.

Pyetje: Sa do të zgjasë procesi i identifikimit të manipulimit të votave? Cilat do të jenë gjetjet?

Berisha: Ky proces nuk është tërësisht në duart tona, sepse ky proces varet nga procedura që janë jashtë kompetencave të PD, dhe janë në duart e institucioneve. Shqetësimi juaj është i drejtë, ky proces duhet të kompletohet sa më shpejt të jetë e mundur. Por ka etapa që kalojnë nëpërmjet KQZ-së, KAS-it dhe gjykatës elektorale. Ka dokumente të panumërta që nuk janë në arkivat e PD-së, por të KQZ-së. Ato kërkojnë kohë për tu bërë gati dhe për të ju dhënë forcave politike sipas kërkesave. Kërkojnë vullnet të mos fshihen. Pra kemi të bëjmë me një analizë shpeshherë shumë të rëndësishme të listave milionëshe elektorale, të emrave, adresave. Është një proces realisht kompleks, por dy gjëra dua të theksoj. Ky proces po ecën Aida dhe po ecën me sukses. Së dyti gjatë kësaj kohe në komunikimet e mia me qytetarëve dhe me demokratët, konstatoj se në disa raste më sugjerohet që të mos merrem me këtë proces. Konstatoj se ka demokratë të cilët ndihen, jo të kënaqur nga fakti që ne flasim dhe denoncojmë vjedhjet e zgjedhjeve, të votave dhe denoncojmë farsën elektorale mbasi ata shprehen se kjo është një praktikë që PD e ka bërë të zakonshme tashmë. Kërkoj mirëkuptimin tuaj për një sqarim: Ka disa probleme në këtë qëndrim.

Ka disa probleme në këtë qëndrim. Së pari, nëse ne nuk e bëjmë këtë, ne de facto legjitimojmë, ulim kokën përpara batërdisë elektorale të Edi Ramës. Ne, de facto, i themi atij që nuk kemi një qëndrim të veçantë dhe i japim indirekt dritën jeshile që në zgjedhjet e ardhshme, ai të thellojë edhe më shumë krimin monstruoz elektoral.

Së dyti, ku dallon ky qëndrim në këto zgjedhje ndaj kësaj farse nga qëndrimi që është mbajtur në zgjedhjet e mëparshme?

Unë kërkon mirëkuptimin tuaj të analizojmë këtë çështje.

Është e vërtetë se në zgjedhjet e vitit 2021 është folur për masakër elektoralë. Dhe nëse më pyesni ju se çfarë mendimi kam patur dhe kam për zgjedhjet e 2021. Unë kam shkruar dy ditë pas votimeve se vota e qytetarëve shqiptarë, vdiq pa hyrë në kuti. Kam mbrojtur tezën në mënyrën më të përsëritur se Edi Rama nuk i fitoi ato zgjedhje. Ku e kam bazuar unë këtë deklaratë. Unë këtë deklaratë e kam bazuar së pari në përdorimin nga Edi Rama, sipas faturave zyrtarë të Thesarit të Shtetit, të 93 milionë eurove në prill, që u disbursuan për familjet që kishin meremetime nga tërmeti. Në fakt këto u disburusuan në muajin prill, por po të marrim edhe të marsit, janë disbursuar 130 milionë. Me këto para, Edi Rama, i cili mori shumicën me vetëm 3 deputetë më shumë, jashtë çdo lloj dyshimi ia doli të blejë të paktën 6 deri në 8 deputetë. Ky veprim ishte një veprim flagrant që nuk mund të bëhej kurrë në fushatë elektorale. Pikërisht për këtë arsye, unë deklarova se vota vdiq pa hyrë në kuti. Pikërisht për këtë arsye unë deklarove se Edi Rama nuk i fitoi zgjedhjet.

Faktori i dytë madhor që doli në pah në atë masakër elektorale, siç e quajti ish-kryetari i PD-së, ishte faktori patronazhist, i cili u armatos me të dhënat personale të 1 milionë qytetarëve, për të ushtruar të gjitha format e terrorit psikologjik mbi ta dhe që u denoncua para zgjedhjeve në mënyrën më të fuqishme nga Transparency International. Çfarë ndodhi pas 25 prillit? A u mbrojt vota, a qëndroi PD në mbrojtje të votës? E vërteta është se ndodhi e kundërta. Edi Rama kishte korruptuar kreun e kësaj partie. Dhe këtu në këtë seli gumëzhinin idetë për koalicionin në shtator me PS-në. Në qoftëse se do ishte qëndruar në zgjedhje politike ndaj këtyre dy aktorëve do ishte qëndruar kundër fitores kallp të Edi Ramës. Nuk do të ja mohoja kurrë fitoren një force politike, por nuk do të pranoja kurrë një fitore me 3 deputetë më shumë në një kohë kur u shpërndanë 130 mln euro, në kundërshtim me kodin zgjedhor, parimet e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, kodin e Venecias, të AIFES-it, çdo parim. Kjo nuk ndodhi. Nëse më parë vërtetë u thanë fjalë, u fol për masakër, batërdi, kësaj here po ndodh. Po ju them një gjë. Në rast se do të kishte ndodhur herën e parë, ndofta kjo farsë e tmerrshme nuk do të ishte kjo që është sot. E zgjata këtë shpjegim vetëm për të kërkuar mirëkuptimin tuaj si demokrat, demokrate, qytetare, qytetar, se kjo punë që po bëhet është e një rëndësie jetike në shumë aspekte dhe ne do i shkojmë me durim deri në fund.

Pyetje: Përshëndetje doktor, një pyetje kam unë si demokrat. Po e latë të bëhet Lul Brava kryetar i vulës, ju duhet të largoheni se demokratët ju kanë ndjekur në këmbë dhe po të rrinë prap. Prandaj merr masa për këtë, çfarë do të bësh?

Berisha: Përgjigja ime për këtë është statuti. Problemet madhore në PD u krijuan nga shkelmimi i statutit dhe unë jam i betuar dhe i vendosur të zbatoj me përpikmëri statutin, i cili në të gjitha momentet kyçe i jep pushtetin anëtarit të PD-së. Pra kryetari i PD-së nëse humbet zgjedhjet lokale, dhe unë e quaj humbje meqë nuk fituam, ndonëse zgjedhjet janë këto që janë, statuti përcakton votëbesimin tim nga anëtarët e PD. Dhe analiza e këtyre zgjedhjeve do bëhet në përputhje me statutin e PD-së. Natyrisht paralel me proceset demokratike të partisë, paralel me rideminsionimin e lirisë dhe zbatimit të ligjit të saj, Edi Rama ka stisur një proces me dy pengjet e tij. Unë mund të them vetëm kaq: pengun nuk ka forcë që e çliron nga pengmarrësi përveç vullnetit të pengmarrësit. Unë nuk merrem me pengje, do merrem me pengmarrësin Edi Rama.

Pyetje: Doktor Berisha, përshëndetje dhe respekte. Duke parë se kemi të bëjmë me një shtet të kapur e drejtësi të superkapur nga mafia qeveritare Sorrosiane, a keni menduar që të rithemelojmë një parti tjetër që të jetë e regjistruar në gjykatë dhe të regjistrohemi në zgjedhje.

Berisha: Të falënderoj dhe ju siguroj se kjo pyetje e juaja shtrohet edhe nga qindra e mijëra demokratë. Si qëndron problemi, pse unë ndjek këtë rrugë. Ky proces në Shqipëri është një proces i pashembullt ndoshta në botën demokratike dhe të lirisë. Ky proces shënon një puç të paimagjinueshëm ndaj forcës kryesore politike opozitare dhe njëherazi shënon një proces për shkatërrimin e një kombi. Historia e këtyre viteve e Shqipërisë dëshmon se më e egër se lufta, më e egër se fatkeqësitë natyrore për stabilitetin e një kombi qenka shkatërrimi i opozitës. Procesi i shkatërrimit të opozitës nuk ka nisur me shpalljen non-grata të Sali Berishës, ky proces është më i hershëm. Ky proces nisi kur ambasadori i vendit më mik më të madh në botë, demonstronte me megafon para parlamentit kundër opozitës, në një akt të pashembullt në historinë e botës. Ky proces vazhdoi me kontraktimin e McGonigal, kryezbuluesi i botës, në një kohë kur ishte në detyrë, kontraktimi për të bërë gjahun e shtrigave ndaj opozitës shqiptare.

Ky proces vazhdoi me bekimin superurgjent të zgjedhjeve të 25 prillit, në kundërshtim me flagrant me atë që shkruhej në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtare. Sepse duhej që Edi Rama të ishte në pushtet dhe opozita të merrte çdo lloj ndëshkimi. Ky proces vazhdoi me akte të tjera të McGonigalit dhe Sorosit kundër opozitës. Sanksionimin e Sali Berishës pa asnjë fakt, provë apo dokument. Lotimin e fuqishëm të ambasadores në SHBA në Tiranë, tek përfaqësitë demokratike paraqitur dot asnjë provë apo dokument, por thjeshtë, fakte kemi por si themi. Deklaratat e saj të përjavshme kundër lëvizjes për ringritjen e opozitës shqiptare dhe shpëtimin e saj. Përpjeket e saj për ti emëruar forcës kryesore opozitare kryetarin e saj. Ndërhyrjet brutale në proceset elektorale të brendshme të partisë dhe në shoqëri. Ndërhyrjet brutale në proceset gjyqësore pikërisht për logon dhe emrin e partisë. Duhet të kuptohemi Arben dhe të gjithë ju miqtë e mi që më ndiqni. Të gjitha këto nuk ishin motive që unë të dorëzohesha, por këto ishin motive që unë të qëndroja në emër tuaj, në emër të opozitarizmit shqiptar. Ju e patë çfarë ndodhi. Për herë të parë në histori, forca kryesore opozitare futet në zgjedhje pa logon e saj, pa vulën e saj. Kandidatët e saj futen në zgjedhje me zero financime. Të gjitha këto për të zhdukur një forcë që qëndron për vlerat dhe sovranitetin. Unë ju kuptoj për shqetësimin që keni, por mendoj se misioni ynë duhet të vazhdojë. Treni ynë nuk ndalet. Ata që u përpoqën të na zhdukin, marrin turpin e historisë. Ne qëndruam. Në këtë zgjedhje ne kemi marrë 500 mijë vota idealistësh në koalicionin tonë, kemi marrë 8 % më shumë se në 1 vit më parë, në atë test të plotë lokal. Sigurisht që nuk është ky rezultati real, por ama ne qëndruam. Ne u dhamë, nuk themi mësim, por ne i dëshpëruam ata që u përpoqën të asgjësojnë PD-në si forcë politike sovrane. Ne do qëndrojmë, kemi besim të plotë se kauza jonë do triumfojë.

Pyetje: Të gjithë jemi të vetëdijshëm se me Edi Ramën nuk shkohet në zgjedhje në 2025, cila është zgjidhja sepse me protesta paqësore edhe më keq sillet në zgjedhjet e radhës?

Berisha: Kemi një dilemë, që të flasim haptas bashkë si demokratë. Dilema jonë është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe kjo është një e vërtetë absolute. Por nga ana tjetër, cila është zgjidhja? Shumicë demokratësh dhe jodemokratësh, mbështetësish tanë, mendojnë se PD ka nevojë për një proces hapje të madhe dhe riorganizimi dhe unë jam plotësisht dakord me ta dhe i garantoj se personalisht do bëj çdo gjë në këtë proces. Dhe është punuar, ka jo pak njerëz që nuk e kuptojnë se PD-në e shpëtoi hapja, e shpëtuan primaret, e shpëtoi institucioni i kandidatëve të lirisë, përndryshe ajo do ishte arkivuar në memorien e njerëzve. Ky institucion i ri i krijuar tërhoqi në kushtet më të jashtëzakonshme votat e 500 mijë shqiptarëve. Nga ana tjetër, e vërteta është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe nëse nuk përballemi me këtë armik të egër, edhe në 2025, edhe në 35, ky, pasi e ka shpallur Kodin Zgjedhor një kinezëri, nuk njeh ligj, moral as normë dhe me votë nuk ikën kurrë nga pushteti. Për ta mbyllur këtë përgjigje, ju them miqve tanë kudo që na ndjekin, si ish-kryeministër ju garantoj se në rast se një kryeministër vendos të mos dorëzojë pushtetin, me votë atij pushteti nuk i merret.

Nuk i merret sepse ai ka në dorë dhe disponon mekanizma gjigante me të cilat kontrollon pamëshirshëm votën e qytetarëve.

Imagjinoni për një moment këto zgjedhje, një industri gjigante e blerjes së votës.

Vetëm me vendime qeveritare u shpërndanë gjatë fushatës, bonuse dhuratë për 683 mijë pensionistë dhe 180 mijë punonjësve iu rritën rrogat. S’po ndalem këtu në qindra milionë euro të shpërndara nën dorë. Vetëm partia e Doshit u rrit me 310 përqind, kur Doshi u garantoi se nuk ka shpërndarë as një të dhjetën e parave që ka shpërndarë Edi Rama.

U ndala për të tërhequr arsyetimin dhe vëmendjen tuaj se një kryeministër që nuk do të dorëzojë pushtetin, rrëzohet me protesta dhe vetëm me protesta.

Dhe unë i qëndroj këtij parimi.

Pyetje: Doktor Berisha, si ka mundësi që PD dhe Parlamenti nuk preukopohen për draftin e Edi Ramës pa konsultime me qeverinë e Kosovës, më duket një lajthitje e këtij kryeministri.

Berisha: I dashur Frrok, në fakt ajo nuk është lajthitje, të garantoj se është një shërbim i Edi Ramës për padronin e tij Aleksandër Vuçiç dhe një goditje pas shpine që këta të dy autokratë të lidhur nga koka te këmbët me krimin, drogën, i dhanë Kosovës. Edi Rama propozoi, jashtë çdo lloj kodi, në një ndërhyrje flagrante në punët e një vendi, projektin e të ashtuquajturit Asociacion. Pa asnjë tagër, pa asnjë autoritet. Ky projekt sigurisht u hodh poshtë nga të gjitha forcat politike të Kosovës. Pasi Kosova nuk e pranoi atë, u detyrua dhe padroni i Ramës të thotë se ai nuk na përshtatet. Por, Edi Rama atë projekt e mori nga sivëllai i tij, padroni i tij Vuçiçi. Përveç projektit, ai përdori një gjuhë ndaj Kosovës, që Putini do ia kishte lakmi. Kosova do kthehet në kohën e bronzit. Mu kujtuar një herë një ultimatum që i jepte paranojaku Nikita Hrushova, Britanisë së Madhe ku i thoshte se, aty ku është ishulli do të jenë ca fuqi që tregojnë se është. Dhe Britania ja ku është. Atë e mori turpi i historisë. Porsa i përket parlamentit ai është një tërësi antidemokratike, antishqiptare në të cilin nuk mbrohet asnjë gjë tjetër nga mëngjesi deri në darkë, vetëm interesat kriminale të qeverisë dhe të kësaj pseudomazhorancë. Ne kemi mbajtur qëndrimet tona, por shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos rëndojë krizën me Edi Ramën sepse angazhimi i tij, jo që nuk lehtëson, por rëndon krizën në veriun e Kosovës, të krijuar para se gjithash nga projekti i Serbisë së Madhe të Aleksandër Vuçiç. Ai kërkon me çdo kusht që ato komuna, pasi dështoi me ndryshimin e kufijve, t’i ketë të qeverisura prej tij. Sikundër u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për bashkërendim dhe bashkëpunim me KFOR-in, BE-në dhe SHBA.

Pyetje: Zoti Berisha a e kaluat në parlament ligjin për minimumin jetik dhe sa është kufiri i tij. Se lista e të mbijetuarve po rritet në mënyrë të frikshme. Viti 2023 dhe shqiptarët akoma rrezikohen nga kafshata e bukës si në kohën Migjeniane. Asnjë qeveri nuk i dha zgjidhje kësaj çështje të mprehtë sociale.

Berisha: Shumë e drejtë, Monda. Me të drejtë e theksuat se asnjë qeveri nuk i dha zgjidhje kësaj çështje, unë ju them se kjo që thoni ju është plotësisht e vërtetë. Por në vitin 2011 dhe 2012, për t’i dhënë pikërisht përgjigje përfundimtare kësaj çështje, pasi ne dyfishuam rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike konstatuam se përsëri 1.04% e familjeve shqiptare jetonin në mjerim, apo varfëri ekstreme.

Pikërisht, për t’i dhënë një përgjigje përfundimtare këtij problemi ne nisëm procesin e digjitalizimit të personave me ndihmë ekonomike dhe me fokus në veçanti te këto 1.04% që përbënin rreth 15 mijë të familjeve shqiptare. Ne e përfunduam digjitalizimin dhe konkluzionet do ishin në ndihmë ekonomike, do shtonim nga 120 mijë do shkonim në 180 mijë familje, pikërisht për të zhdukur varfërinë ekstreme.

Tani çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve?

Kjo 1.04 është bërë 3.4%, pra është rritur me me 4 herë, dhe tani përgjigja e vetme është minimumi jetik. Minimumi jetik do të thotë 200 euro për person. Është llogaritur, jo nga specialistët tanë, por është llogaritur nga Avokati i Popullit në mënyrë të pavarur dhe indipendente. I besojmë plotësisht këtyre përllogaritjeve të cilat nuk kanë asgjë politike, përveçse interesit për të ndihmuar njerëzit në nevojë, dhe ne kemi marrë shifrën 200 euro për person.

200 euro është një shifër e cila nxjerr çdo qytetar shqiptar nga varfëria ekstreme. Dua të theksoj këtu se varfëria ekstreme nuk ekziston në dijeninë time në asnjë vend të BE, por në tërësi humë rrallë, pikërisht se vendet bëjnë shpërndarje të ardhurash, që të mos ketë, jo varfëri, se varfëria nuk zhduket ekziston kudo, por varfëria ekstreme zhduket, është e zhdukshme.

Me 200 euro, çdo shqiptari i takon të marrë 6.8 euro në ditë, dhe kjo përbën një shumë të vogël, por një shumë disa herë më të madhe sesa janë personat në varfëri ekstreme. Përfitojnë nga kjo të gjitha pensionet e ulëta nën 200 euro, përfitojnë nga kjo të gjithë personat me ndihmë ekonomike, të gjithë të papunët, përfitojnë çdo person tjetër në vend dhe do të ishte kjo një hap i rëndësishëm për të qetësuar sirenat e urisë që lemerisin qindra e mijëra shqiptarë çdo ditë.

Ne e kemi dorëzuar në Parlament tri ditë më parë, sepse nuk kishte ligj, si ligj, këtë ligj do të insistojmë ta sjellim në Parlament. Ishte një akt absolutisht i papranueshëm ligji që u votua për rritjen e pagave në të cilat, pagat e deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve më të lartë pothuaj u dyfishuan në një kohë kur në raport me inflacionin pagat e mësuesve të fillores, kopshteve, çerdheve, etj., edhe një pjesë të policëve dhe të ushtarakëve mbetën përsëri 1% ndën vlerën e inflacionit, pra nuk morën as indeksimin, por kjo është një etapë e dytë. Etapa me të cilët ne insistojmë është dhe do mbetet minimumi jetik për shqiptarët.

Pyetje: Sa është e mundur të shtohen degë të reja të PD? Përshembull, Klosi të ndahet nga Burreli, pra të shkojë në bazë të ndarjes territoriale. Faleminderit!

Berisha: Është plotësisht e mundur dhe duhet të bëhet. Nuk duhet PD të mbajë dy standarte. Këtë problem e kemi në degën Matit, e kemi në degën e Sarandës, dhe kësaj ne do t’i japim zgjidhje.

Pyetje: A do të rithemelohet PD, sepse duket sikur ka ngecur ky proces?

Berisha: Ky proces mund të them se nuk ngecet. Primaret ishin dëshmia më madhore e këtij procesi, dhe më vjen keq që e përsëris. Po të kemi parasysh stihinë antidemokratike të turpshme për të asgjësuar këtë parti si forcë sovrane them, ishin Primaret ato që e shpëtuan atë. Ishin ata kandidatë që dolën nga një garë, e para në historinë e vendit që bën që ajo të qendrojë sot forcë kryesore e opozitës. Por, procesi i Rithemelimit është një proces që nuk ndalet. Statuti i kësaj force të rithemeluar është me të vërtetë një statut që krijon të gjitha hapësirat. Faleminderit!

Pyetje: I nderuar doktor! Mjetet demokratike për të ardhur në pushtet nëpërmjet votës kanë shterruar 100%, siç e thoni dhe ju me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. A e parashikoni që protestat që do vijojnë të mos jenë thjesht eksursion, por me çdo mënyrë e me çdo mjet ta vëmë përpara përgjegjësisë kryeministrin ordiner që të zhvillohen zgjedhjet e lira?

Berisha: Unë mbetem plotësisht dakord me ju, se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka dhe se protestat paqësore përfshijnë mosbindje civile, të cilin Mahatma Gandi e quan të shenjtë në një lëvizje paqësore janë vendimtare për fatin e shoqërisë shqiptare dhe të kombit shqiptar.

Pyetje: I nderuar doktor! Çfarë do të bëhet me zgjerimin e PD dhe me anëtarësimet e reja? A mos do të ishte mirë që të krijohej një konfederatë e djathtë, apo opozitare ku të integroheshin të gjitha forcat opozitare? A do të vazhdohet gjyqi për siglën e PD?

Mos ndoshta do të ishte mirë që të dilej me një sigël të re, kjo që është aktualisht tani dhe të shtoheshin dy gishtat lart dhe të emërtohet PD e Vërtetë.

I nderuar doktor! A e shihni dhe njëherë të mundshme një tur tuajin si ai i foltores 2021 për të riforcuar PD? A po punohet që tani për programin e 2025?

Berisha: Unë lidhur me siglën, sqarova. Sigla është një element, padiskutim shumë i rëndësishëm, por përpjekja është dhe ishte asgjësimi i PD. Kjo përpjekje ishte sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare, ç’është e vërteta. Se nuk mund t’i mohojmë gjërat, duhet ta themi realitetin. Por, siç e patë ju, kjo përpjekje dështoi me turp dhe ne na takon detyra që të bëjmë çdo përpjekje për një front të gjerë opozitar. Të bëjmë çdo përpjekje për një lëvizje të fuqishme mosbindjes civile, në mënyrë që votën tonë, të mbrojmë votën e shqiptarëve dhe shqiptarët të votojnë të lirë, të votojnë njëlloj si qytetarë të kombeve të lira, dhe të marrë fund skenari i shkatërrimit të kombit shqiptar nëpërpmjet shkatërrimit të opozitës.

Pyetje: Përshëndetje doktor! Ju uroj të jeni mirë ju dhe familja juaj. Pyetja ime është: A mund të kemi garë midis jush dhe Lulit, dhe kush fiton ai të marrë drejtimin e demokratëve?

Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Mund të më pyesje një garë midis meje dhe Edi Ramës në PD. Ka është e ngjashme. Pse të jap këtë përgjigje, i dashur Kristi. Faktet nuk janë për t’u injoruar, por janë për t’u patur parasysh. Nuk ka asnjë stisje në këto që iu them.

Lulzim Basha ishte në një proces penal, të cilin nuk ia ngriti Sali Berisha, për ngritjen e të cilit Edi Rama pagoi McGonigalin. Në të cilin akuza ishte larje parash 720 mijë dollarë. Edi Rama e menaxhoi procesin e Lulzim Bashës, e çoi gjer në prag të dënimit mimumi me 6 vite burg minimumi, për 720 mijë dollarë pa origjinë. Shërbimet amerikane thonë se janë me origjinë ruse, ai e mohon, por origjinën e vërtetë nuk e ka treguar kurrë. Ai ka mashtruar autoritetet shqiptare e ndërkombëtare se ato para ai i dha për një fondacion te diaspora shqiptare, ç’ka nuk ka ndodhur.

Në këto kushte, Edi Rama ia mbylli dosjen me një prokuror. Ka një prokuror që ka firmosur për mosmbylljen e dosjes. Firma e tij është e mjaftueshme që dosja e Lulzim Bashës nga Edi Rama ta hapë dosjen në çdo kohë. Ju më thoni se pengu i Edi Ramës, të vazhdojmeë të bjemë në skenarin e Edi Ramës.

Ajo që po ndodh është skenar i Edi Ramës për të shëmtuar sa më shumë opozitën. Po pse? Për të shëmtuar sa më shumë opozitën, sepse akoma ka njerëz që besojnë se Lulzim Basha është opozitë. Por çdo njeri që e ka të qartë që ai është një peng, ai është një letër pa vlerë. Në këtë kontekst, u përgjigja pak gjatë, por kërkoj mirëkuptimin tënd se disa gjëra nuk mund të ndodhin, se ka një kod moral në çdo gjë.

Është njëlloj si të më thuash a do bësh garë me Taulant Ballën. Tani, këto nuk mund të ndodhin i dashuri im.

Pyetje: Doktor, zgjedhjet u vodhën me dijeni dhe leje të ndërkombëtarëve, kryesisht të SHBA dhe në bashkpunim me Alibashat. Pyeta është: Se si do e bashkoni PD dhe si do të fitohen zgjedhjet e 2025?

Berisha: Direkt, Komuniteti Ndërkombëtar ka institucione që quhen institucione të besimit të mirë për zgjedhjet. I tillë është ODIHR dhe unë kam vlerësuar dhe vlerësoj pozitivisht raportet dhe qendrimet e tij në këto zgjedhje. Për hir të së vërtetës, edhe në zgjehdjet e 2021 dhe në zgjedhjet e 2019.

Por, individë, apo grupe të caktuara edhe mund të mos përfillin parime për një arsye, apo për një tjetër, nuk po ndalem. PD ka çdo potencial për t’u bashkuar. Çdo deputet i saj, përveç Bravës dhe Alibashës, e ka vendin, ka kontributet është i mirëpritur në PD.

Deputetët të cilët duan të krijojnë fraksion janë të mirëpritur. Janë të mirëpritur të ulemi, të diskutojmë, të negociojmë, të debatojmë si njerëz, si deputetë, si drejtues me përgjegjësinë e madhe për të ardhmen e kësaj partie dhe të opozitës shqiptare.

Pyetje: A do merren masa për pastrimin e PD nga zullumqarët dhe të pabesët që përfituan gjatë qeverisjes suaj, braktisën demokratët, shitën në disa palë zgjedhje PD, dhe në këto zgjedhjet e fundit përpos pozicioneve që kishin në parti, punuan kundër kandidatëve të dalë nga Primaret? Dhe, a do të njihen këto zgjedhje?

Berisha: Së pari, qëllimet amorale nuk shpërblehen, të garantoj dhe të përshëndes. Por, në qoftë se ka patur individë të caktuar që janë joshur nga pushteti i krimit të Edi Ramës në tërësi masa e demokratëve që qendroi me stoicizëm, me përkushtim të madhe ndaj vlerave të demokracisë.

Sigurisht, në analizën që do bëjë PD, do të identifikojë të gjitha problematikat e krijuara gjatë kësaj fushate, sepse betejat janë provë për të gjithë anaëtarët dhe drejtuesit e partisë, dhe vlerësimet do të bëhen në kohën e duhur.

Këto zgjedhje Elion nuk mund të njihen, dhe unë të përgëzoj ty dhe të gjithë demokratët, të gjithë qytetarët e Rrogozhinës, të cilët jeni shembulli më klasik i grabitjes së turpshme të mandatit të kandidatit, Shkëlqim Hoxha. Është rasti më klasik, më i dokumentuar.

Pra, nuk mund të njihen zgjedhje në të cilat janë grabitur dhjetëra e dhjetëra mandate. Nuk mund të njohen zgjedhjet e Elbasanit, në të cilat në 70% të qendrave të votimit ata të cilët ishin të ngarkuar për rregullin, shkelën ligjin në çdo qendër. Nuk mund të njihen zgjedhjet e Durrësit, kur dihej se Igli Cara ishte fitues i pakundërshtueshëm, dhe u bë gjithçka për t’i rrëmbyer mandatin.

Po këto mund të them për Shkodrën, Tiranën. Erion Veliaj ka patur në dispozicion 108 mijë zgjedhës shëtitës për të manipuluar rezultatin e tij. Në Shkodër u derdhën mbi 12 mijë euro dhe u bashkuan të gjitha bandat kundër qytetarëve të Shkodrës për të rrëmbyer mandatin. Lezha, Mati, Klosi, Peshkopia, Laçi, Kurbini, Dumreja, Maliqi, Korça, Devolli, Libohova e kështu me radhë.

Këto zgjedhje nuk mund të njihen kurrë. Do të ishte akt tradhëtie ndaj demokracisë në qoftë se PD njeh këto zgjedhje. Dëgjoj jo pak të thonë: po diferenca? Cila diferencë?

Po në qoftë se ti shpërndan para haptas për 830 mijë zgjedhës, nuk është kjo një ndikim në votë dhe blerje vote publikisht, pa folur për shumën nën dorë që është dhënë. Unë nuk lodhem. Unë do bëj punën time. Ftoj demokratët të mbrojnë votën me çdo qytetar shqiptar. Unë e kuptoj, dhe ju mirëkuptoj se do t’u thonë e do t’u përgjigjen: Po ju kështu e keni opozitarët, këtë thoni. Po mos harroni se këtë thotë Edi Rama. Mos bini në kurthet dhe stratagjemat e Edi Ramës. Se ai pas çdo vjedhje zgjedhjesh thotë: Opozita do më akuzojë për vjedhje, pikërisht për të ndikur tek ju. Mos bini në këto kurthe, por të betohemi që të qendrojmë për të rikthyer votën e lirë tek shqiptarët. Faleminderit!

Pyetje: Ju përshëndes doktor, je e vetmja shpresë për PD! A mos ka ardhur koha për një dëgjesë me qytetarët në çdo qytet të Shqipërisë, se Rama nuk ikën me votë?! A mos ka ardhur koha për iniciativa personale për çdo shqiptar e demokrat?

Berisha: Unë të falënderoj, dhe është absolutisht vetëm ajo dhe vetëm ajo kohë. Në qoftë se qindra e mijëra burra, gra, vajza, idealistë nuk betohen për t’u angazhuar në një lëvizje të fuqishme që Shqipëria nuk e ka parë deri më sot, këtu pas 8 vitesh do kenë ikur nga ky vend edhe 1 milionë e sa shqiptarë, dhe së fundmido të mbetet Edi Rama me klanet e tij të drogës dhe krimit në një çiflig, Shqipëria do marrë fund si vend!

Ndaj edhe, duke iu siguruar se jam i vendosur të bëj gjithçka, të marr çdo tur dhe të bëj çdo gjë, që së bashku me ata burra dhe gra, që janë të gatshëm të sakrifikojnë për idealet e vërteta për kombin e tyre, për votën e lirë të qytetarëve, të angazhohen në një lëvizje nga në të cilën demokracia do fitojë.

Faleminderit shumë dhe ju uroj nga zemra një fundjavë të mbarë të gjithë ju që ndoqët këtë bisedë. Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale