Berisha nga SPAK: Dumani është mashtrues. PD mbështet investimet e huaja dhe protestën e Koalicionit për Familjen

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË SPAK

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë deklaratës për mediat para ambienteve të SPAK, hodhi akuza të forta ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Ai komentoi edhe çështjen e projektit në Zvërnec dhe shprehu mbështetje për protestën e Koalicionit për Familjen.

Kryedemokrati Sali Berisha e cilësoi Dumanin si një ‘mashtrues të pafytyrë’ dhe deklaroi se ka mospërputhje në deklarimet e tij pasurore. ‘Ky kryevetor është një mashtrues i pafytyrë, i paskrupull, pa dinjitet. Thotë se kontratën për blerje apartamenti e kam bërë me 18.8.2006, ndërsa deklaron se në apartament ka filluar të banojë prej tetorit të vitit 2004’, u shpreh Berisha. Sipas tij, këto dokumente hedhin dyshime mbi integritetin e kreut të SPAK. ‘Më thoni ju mua, ka ky njeri fytyrë, dinjitet, autoritet të kapë një dosje në dorë kur ndodhet para një mashtrimi të tillë?’, deklaroi ai. Berisha ngriti gjithashtu akuza edhe për vilën që, sipas tij, lidhet me Dumanin. ‘Dokumentet shtetërore zyrtare faktojnë se në vitin 2004, ai truall ku është ndërtuar vila Dumani ka qenë arë’, tha kreu i PD-së.

I pyetur për projektin turistik në Zvërnec dhe hetimet e SPAK për tjetërsimin e pronave, lideri i PD-së, Sali Berisha tha se dënon çdo akt dhune ndaj protestuesve, por njëkohësisht mbështet investimet e huaja. ‘Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja’, deklaroi ai. Berisha kujtoi një ligj të miratuar gjatë qeverisjes së PD-së, sipas të cilit shteti mban përgjegjësi për çdo problem pronësie që lind pas miratimit të projekteve të investitorëve të huaj. ‘Në qoftë se qeveria ka firmosur, atëherë qeveria mban përgjegjësi për të gjitha pasojat e firmës së saj’, tha ai. Në lidhje me hetimet e SPAK, Berisha u shpreh: ‘Inkurajoj çdo hetim. Pa asnjë diskutim.’

Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se, opozita do të mbështesë protestën e organizuar nga Koalicioni për Familjen në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. ‘Shanset janë që ne të mbështesim sot protestën e Koalicionit për Familjen’, tha Berisha. Ai kritikoi ashpër çdo mundësi të përdorimit të terapive për ndryshimin e gjinisë tek të miturit. ‘Kjo është t’ia rrëmbesh prindërve fëmijën nga gjiri i tyre. Ky është një akt i shëmtuar’, deklaroi kreu i opozitës. Sipas tij, vendime të tilla duhet të merren vetëm në moshë madhore. ‘Mosha më ideale është mosha e përgjegjësisë, 18-22 vjeçare. Çdo veprim para kësaj moshe është një atentat në identitetin njerëzor’, tha Berisha.

Në fund të deklaratës për mediat kryetari i PD-së Sali Berisha kritikoi mënyrën e mbulimit mediatik të aktivitetit të opozitës, duke pretenduar se shumica e televizioneve po transmetonin paralelisht aktivitetin e kryeministrit. ‘Nga 12 media, 11 transmetojnë vetëm mashtrimet e tij dhe censurojnë Sali Berishën’, u shpreh ai. Megjithatë, Berisha ai dallim mes gazetarëve dhe pronarëve të mediave. ‘Unë falënderoj gazetarët për punën që bëjnë dhe i garantoj se një nga aktet më madhore do të jetë çlirimi i tyre nga pronarët e tyre’, deklaroi kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha.

FJALA E PLOTE

Armikut primitiv të pluralizmit politik dhe votës së lirë të shqiptarëve, mashtruesit të lindur, drejtësia vonon por nuk harron.

Sivëllait siamez të Irena Gjokës, drejtësia vonon, por nuk harron.

***

Ju e morët vesh se si dosja e Irena Gjokës u përmbys.

Po nuk dini tjetrën ju, që Irena çon porosi në sekretari dhe u thotë mos e bëni publike.

Po, ekzakt kjo që u them.

Këta janë klonët më të shëmtuar të qenieve njerëzore.

Rikthehemi pak edhe tek kryevetori, se ju e morët vesh që kur u ndërpre vetingu, Dumani u emërua si kryevetor i Shqipërisë.

Ky kryevetor është një mashtrues i pafytyrë, i paskrupull, pa dinjitet.

Ky kryevetor thotë se me datën 18.8.2006, bëri kontratë porosie, pra që do ndërtohej në vitin 2006, në një godinë pallat pesëkatësh 127.14 metër katrorë me shumën simbolike 50 mijë euro.

Por në faqen 8 të aktmashtrimit të tij, Dumani deklaron se ka filluar të banojë në këtë apartament prej tetorit të vitit 2004.

Pra thotë kontratën për blerje apartamenti e kam bërë me 18.8.2006, thotë në apartament kam filluar të banoj prej tetorit të vitit 2004.

A mund ta zbërthejë kush këtë mashtrim ordiner dhe qëllimet e këtij mashtrimi vulgar?

Dhe ky ka kryesuar institucionin kryesor të akuzës së vendit.

Dhe ky është përgjegjës për vetingun e prokurorëve dhe gjykatësve.

Më thoni ju mua, ka ky njeri fytyrë, dinjitet, autoritet të kapë një dosje në dorë kur ndodhet para një mashtrimi të tillë që e nxjerr përnjëherësh jashtë nga shërbimi i tij?

Ky është vetingu i Dumanit, që ta dinë ata qindra gjykatës dhe prokurorë që janë larguar, ca me të drejtë, ca me të padrejtë, se ja kush e ka bërë vetingun e tyre.

Dhe thotë se ka blerë në vitin 2006 me 390 euro.

Ky person kërkon bashkë me këtë xhelatin e Sigurimit të Shtetit, Krajën, që ndërtimet e viteve ’70 të kohës së diktaturës të vlerësohen me çmimet e tregut të vitit 2026.

Tani, ju që jeni gazetarë investigativë, u bëj thirrje të ndërmerrni një investigim ndaj këtij njeriu se i bëni një shërbim te madh, megjithëse u garantoj se kjo dosje do ta ndjekë atë gjer ditën e fundit të jetës së tij.

Për këtë mos ketë dyshim se edhe Irena arriti të tejkalojë, arriti, të mos përdor një term banal, KLGJ-në, ILD-në, Olsin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe me radhë, por erdhi puna dhe i ngeci në sharrë.

Dhe ju, mediat, u ftoj prapë ta merrni atë dosje, të shihni se çfarë abuzimi të tmerrshëm ka në veprimtarinë e këtyre organeve, të cilat duhet të jenë të paktën në raport me ligjin, shembulli i zbatimit të tij.

Por Dumani nuk ka vetëm këtë.

Dumani, i cili ka nxjerrë nga vetingu gjykatës se ke pirë kafe me nipin tënd, nipi yt, i cili dyshohet se merret me këto dhe ato, vetë Dumani hedh valle me Andon Pangon, delinkuent, i dënuar 6 vite burg sepse në një pallat pesëkatësh, ku ka marrë zyrën, se ka dy këtu, edhe zyra, edhe apartamenti i banimit janë tek pallati i Andon Pangos, në këtë pallat pesëkatësh, ky zotëri pretendon se Andon Pango, që ndërtoi pallatin dhe që hodhi valle me të në Miçigan apo në Nju Jork, i dërgoi badigardin e tij, të paguar nga shteti, nuk ndodh kurrë, për të nxjerrë një çift të moshuar nga apartamenti, të cilin Pango e kishte shitur dy herë.

Shikoni si është puna, prokurori dërgon badigardin për të nxjerrë dy të moshuar nga apartamenti që i kishin paguar Andon Pangos, por Andon Pango e kishte shitur për së dyti.

Cili ishte shpërblimi që merrte Dumani nga Andon Pango, atë duhet ta hetojnë organet kompetente.

Por vjen çështja interesante, ja një deklaratë e famshme e bërë nga vjehrri dhe vjehrra, prindërit e Dumanit…

Klodiana Lala: Zoti Berisha, këto janë çështje të përsëritura. Kemi çështje më të rëndësishme sot…

Sali Berisha: Prit Klodiana, siç e keni marrë vesh, unë përgjigjem me çështje të lidhura me këtë ndërtesë. Të jeni të bindur se nuk ka njeri më të hapur se unë për pyetjet.

Por ka një gjë që thotë gjithçka në vendin e duhur. Dhe vendi i duhur për pyetjet e tjera, është selia e PD.

Pra, kanë deklaruar vjehrri dhe vjehrra në veting se kanë përfunduar vilën në vitin 2003.

Vila ku banon Dumani është përfunduar në vitin 2003. Ka filluar në vitin 1999. Ky mashtrim, vetëm me një qëllim të mos hamendësojë kush se Dumani ka futur paratë e veta për ndërtimin e vilës.

Kjo është arsyeja pse kanë gënjyer.

Po cila është e vërteta?

E vërteta është se jo në vitin 2003, por dokumentet shtetërore zyrtare faktojnë se në vitin 2004, ai truall ku është ndërtuar vila Dumani, ai truall ka qenë arë, sipas familjes Çullhaj, sipas kryetarit të lagjes, sipas dokumenteve të hipotekës.

Të gjitha këto janë mashtrimet e tij.

Çfarë e shtyn të mashtrojë, të fshehë larje parash që ky zotëri ka bërë në këtë vilë?

Ju e shihni se çfarë figurash, çfarë personi ka pasur në dorë prokurorinë speciale.

Ndaj dhe ky mbetet vetëm një armik i egër i pluralizmit.

Klodiana Lala: Zoti Berisha, prej dy vitesh ka protesta në lidhje me një projekt në Zvërnec, pas të cilit është dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ju personalisht, dhe forca që ju drejtoni, nuk ka bërë një reagim publik deri më tani. Cili është qëndrimi i Sali Berishës dhe i Partisë Demokratike për sa i përket projektit të Zvërnecit?

E para. Dhe e dyta, prokuroria e posaçme ka urdhëruar ditën e sotme një sërë kontrollesh mbi personazhe që kanë të bëjnë me një histori të tjetërsimit të pronave të dyshuara në Zvërnec. A keni ju një qëndrim tuajin në lidhje me këtë çështje?

Sali Berisha: Klodiana, së pari, në qoftë se është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit. Një.

Së dyti, nuk kam asnjë faqe, asnjë fletë, asnjë gjë të atij projekti. Megjithëse t’ju them këtu, e kam ndjekur me shumë interes të gjitha publikimet që janë bërë.

Së treti, meqenëse e doni këtu, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja. Dhe kjo parti në pushtet, ja këtë tani ju kërkoj ta mbani shënim, ka patur një ligj. Një ligj i cili zgjidhte në mënyrë të plotë dhe totale çështjen e pronësisë.

Cili ishte ligji? Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut. Ja u them këtu, pse u vu ky ligj?

U vu ky ligj sepse konstatoja që me investitorë shqiptarë nuk ndodhte, kurse me investitorë të huaj vraponin pas pengmarrjes. Dhe informacionet që më vinin, dilte njëri e i thoshte jo, do paguash kaq se jam unë kaq. Dhe kjo linte vendin pa investime. Atëherë ne ç’bëmë?

Në qoftë se ti djem, nuk jam unë ai që them se s’di ç’janë dokumentat, por që është dokument shtetëror, do t’i dalë zot dhe do mbajë përgjegjësi. Do t’i dalë zot dhe do mbajë përgjegjësi shteti.

Klodiana Lala: Po zoti Berisha, kam disa pyetje të lutem në lidhje me këtë…

Sali Berisha: Të lutem, të lutem, një minutë. Një minutë ta sqaroj këtë se është shumë e rëndësishme kjo. Unë do t’i dal zot dhe do të mbaj përgjegjësi. Dhe në qoftë se ty pronar, të kanë shkelur të drejtën e pronës dhe janë firmosur dokumente mbi të, përgjegjësia është e shtetit. Dhe ai që ka bërë këtë do mbajë përgjegjësi dhe shteti do të përgjigjet ty me vlerë tregu. Është ligji që detyron shtetin me vlerë tregu.

Dhe do t’ju them një gjë, që kur doli ai ligj e gjersa lamë pushtetin, ka pasur zero probleme. Dilte një njeri, po i thoshte ku e ke, në qoftë se faktonte, e bënte, i përgjigjej shtetit. Këto janë qëndrimet pra, ne jemi shumë respektues për çështjen e pronësisë, por jemi mbështetës absolut të investimeve të huaja dhe gjatë periudhës tonë ju nuk keni parë pronar të protestojë ndaj një protestuesi të huaj se po më rrëmben tokën.

Jo. Ishte shteti që në qoftë se kishte firmosur, do t’i përgjigjej njëlloj sikur i kishte marrë ai tokën, me vlerë tregu.

Klodiana Lala: Zoti Berisha, cila është përgjigja juaj ndaj zërave të cilët thonë publikisht, forca të reja politike, aktivistë apo eksponentë të tjerë, që Partia Demokratike është e kapur nga projekti i Zvërnecit dhe për këtë arsye nuk flet.

Sali Berisha: Partia Demokratike është partia që proteston sot më fuqishëm se kurrë. Partia Demokratike shpreh këtu, ato që kam që thashë: mbështet absolutisht investimet e huaja, garanton pronën dhe pronarin me një ligj që ndoshta nuk ekziston diku tjetër, por e bëmë në atë kohë, ai ligj është aty dhe ai ligj është shumë i drejtë.

Klodiana Lala: Po në lidhje me hetimin e SPAK?

Sali Berisha: Më fal një minutë. Pra, më thuaj mua pak, çfarë mund të bëjë një shtet më shumë, qoftë për pronarin, qoftë për investitorin? Besoj se, nuk është shteti që thotë, ‘Epo unë nuk i di këto, nuk i di ato’. Në qoftë se ke firmos, je kryeministër dhe ke firmos, atëherë ti mban përgjegjësi për të gjithë pasojat e firmës tënde. Kjo është e vërteta. Dhe, nuk besoj se ka interes më të mbrapshtë për shqiptarët sesa përpjekja për të përzënë investitorë të huaj. Këtë ta kemi shumë të qartë.

Klodiana Lala: Kush po i bën këto përpjekje zoti Berisha?

Sali Berisha: Tani unë po them. Shteti ka një ligj. Shteti aty ku ka firmos, duhet t’i dalë zot firmës së tij. Kjo është e tëra. Nuk është çështje e pronarit me investitorin, jo. Është çështje e shtetit me firmën e tij. Prandaj dhe ju duhet t’ia kërkoni shtetit, nuk duhet të trembeni nga shteti. Shteti ka ligje dhe duhet t’i dalë zot ligjeve. Ky është koncepti im për këtë punë.

Klodiana Lala: Zoti Berisha, sot në orën 19:00 keni lajmëruar çdo të hënë foltore. Në të njëjtën kohë edhe ka një protestë për Zvërnecin. Do ta zhvilloni në foltore, apo do jeni në të njëjtin vend?

Sali Berisha: Do të diskutohet, sot ka disa aktivitete tani, kemi disa probleme sot. Sot është dita e fëmijëve, por Koalicioni për Familjen ka vendosur, më thonë se edhe ai do bëjë një protestë. Dhe shanset janë që ne të mbështesim sot protestën e koalicionit për familjen. Sepse, është 1 qershori. Ju e patë që, po kjo do njoftohet. Ju e patë domethënë, se në ç’mënyrë më kriminale, perverse, Edi Rama me Salën, me këtë ministren, vendosën që të përdorin terapinë për ndryshimin e gjinisë tek 14-vjeçarët. Jashtë çdo lloj, jashtë çdo lloj kriteri, qoftë biologjik, qoftë sociologjik, qoftë të përgjegjësisë. Kjo është t’ia rrëmbesh prindërve fëmijën nga gjiri i tyre.

Dhe ky është një akt i shëmtuar, antiligjor, nuk jemi kundër, më fal, ka një moshë të caktuar në të cilën fëmija, se nuk jemi t’i injorojmë, diskriminojmë, jo. Por jemi, mosha më ideale është mosha e përgjegjësisë, 18-22 vjeçare. Çdo veprim para kësaj moshe është një atentat në identitetin njerëzor. Dhe unë shpreh solidaritetin tim me aleancën për familjen.

Klodiana Lala: Nuk më thatë përgjigje zoti Berisha, në lidhje me hetimin e SPAK për tjetërsimin e pronave të dyshuara në Zvërnec. A e inkurajoni ju këtë hetim të prokurorisë së posaçme?

Sali Berisha: Inkurajoj çdo hetim. Inkurajoj çdo hetim. Pa asnjë diskutim, veçse në rastin konkret, qeveria që firmos, qeveria duhet ta ketë të qartë se një ligj e detyron atë, një ligj e detyron atë që për fill të respektojë çdo pretendim të vërtetë lidhur me pronësinë, mbasi është shteti që i ka dhënë investitorit dokumentet për të bërë projektin.

Fatjon Gjinaj: Zoti Berisha, a keni një koment, nga 12 media në një platformë, 11 po flisni paralelisht me kryeministrin Rama. Në këto momente po flisni paralelisht me kryeministrin Rama. Nga 12 media, 11 po raportojnë fjalën e tij.

Sali Berisha: Fjalën e tij e sheh? Dëgjojeni. Tani po flet dhe kryemashtruesi i kombit. Shikoni diagnozën. Po të doni hapni pak celularët dhe shihni. Nga 12 media, 11 transmetojnë vetëm mashtrimet e tij dhe censurojnë Sali Berishën.

Dhe kjo, dhe ky është e turpit, dhe ky është turpi i atyre mediave të cilët i japin hapësirë totale dhe vendosin blackout, terr, ndaj opozitës. Dhe pastaj, pastaj sapo shuhen, sapo ikën, janë njëlloj, janë të barabartë. Këta janë domethënë… është një problem i madh kjo narkomedia, por përsëri ne në betejën tonë synojmë çlirimin e saj. Ne jemi pro mediave.

Klodiana Lala: Zoti Berisha, kur i drejtohesh medias me narkomedia, si rregull ne duhet të heqim mikrofonat. Në lidhje me atë çfarë…

Sali Berisha: E kam bërë dallimin, edhe po të duash, edhe po të doni, edhe po të…

Klodiana Lala: Atëherë, në lidhje me transmetimin live. Çështja e kryeministrit ka interes kombëtar sepse po flet për Zvërnecin, e para. E dyta, Sali Berisha, të paktën televizionin ku unë punoj, Neës 24, nuk është censuruar asnjëherë dhe ju garantoj që kjo deklaratë e juaja do të jepet tërësisht e plotë. Pra, për ta sqaruar. Megjithatë e dëgjojmë versionin tënd.

Sali Berisha: Tani, tani Klodiana. Mos ngatërro pronarët me gazetarët. E kam theksuar shumë herë dhe u them të gjithë demokratëve, në betejën tonë me mafien e rrezikshme të fjalës së lirë, asnjëherë nuk duhet të konfondojmë pronarët me gazetarët.

Klodiana Lala: Cilët pronarë? Ata të cilët në fakt kanë bashkëjetuar me politikën?

Sali Berisha: Ata të cilët në fakt bëjnë përpjekje, ose kanë marrë tituj, kanë përfituar tendera, kanë përfituar lokale e të tjerë e të tjerë, ose përpiqen, të penduar, të bëjnë gjithçka për t’u përqafuar me qeverinë.

Këta pronarë përfaqësojnë mafien më të rrezikshme të kombit, dhe do të jem përballë tyre në çdo dalje sepse janë gërshërë, janë instrumenta të qeverisë.

Unë falënderoj gazetarët për punën që bëjnë dhe i garantoj se një nga aktet më madhore do të jetë çlirimi i tyre nga pronarët e tyre.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale