Berisha: Nga secili prej nesh, duke filluar nga kryetari, kërkohet ripërtëritje! Komunikimi me qytetarin është Thembra e Akilit. Politika e ripopullimit do të jetë boshti kryesor i qeverisjes sonë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË ‘FOLTOREN‘ E ‘RIPËRTËRITJES‘ NË VLORË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka nisur turin e ‘Foltores së Ripërtëritjes‘. Takimi i parë i këtij turi është bërë në Vlorë. Gjatë fjalë së mbajtur në këtë takim, Berisha deklaroi se, demokratët janë ata që do ta shpëtojnë Shqipërinë nga kjo bandë në pushtet. Kryedemokrati foli edhe për zhvillimet e sotme, ndërsa tha se, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda i është gjetur në shtëpi një snajper superspecial.

Lideri i demokratëve Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Vlorë, u ndal te nevoja për ripërtëritjen e PD-së, duke e cilësuar komunikimin me qytetarët si një nga sfidat kryesore të opozitës. ‘Nga secili prej nesh, duke filluar nga kryetari, kërkohet ripërtëritje’, deklaroi ai. Duke folur për fazën e re të Partisë Demokratike, ai theksoi se modeli i funksionimit gjatë periudhës së rezistencës nuk është i mjaftueshëm për sfidat e reja. ‘Kërkohet të bindim veten se me atë mënyrë funksionimi, me atë model që kemi praktikuar në qëndresë, në rezistencë, nuk do përmbushim dot rolin tonë’, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, kryetar i PD Sali Berisha, akuzoi qeverinë për situatën demografike, varfërinë dhe problematikat e pronave. ‘Shoku demografik është poshtërsia më e rëndë e këtij pushteti’, deklaroi Berisha, duke kritikuar rënien e lindjeve dhe emigracionin. Kryedemokrati premtoi rritje të pagave dhe pensioneve, ndërsa për çështjen e pronave në Vlorë tha u shpreh se, kadastrën në këtë qytet e hëngri ‘kuçedra’. ‘Ku shkoi kadastra? Cila kuçedër e hëngri kadastrën? Ai ka vetëm një emër, ai quhet Edi Rama, për pronat e veta.’, theksoi Berisha. Berisha tha se PD synon një proces të gjerë ‘ripërtëritjeje’ për Shqipërinë.

Lideri i demokratëve Sali Berisha, gjatë fjalës në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ në Vlorë, kërkoi mobilizimin e demokratëve përballë zhvillimeve të fundit politike. ‘Zhvillimet kërkojnë që PD t’u përgjigjet flakë për flakë. Ne nuk mund të pranojmë një poshtërim të përditshëm të shqiptarëve nga ky regjim’, deklaroi Berisha. Ai theksoi nevojën për ripërtëritjen e strukturave të PD-së, duke kërkuar më shumë angazhim të të rinjve dhe grave. Në përfundim, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje në protestat në Tiranë: ‘Sot vendi i çdo demokrati është në shesh, është në përballje, është në betejë.’

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në Vlorë se ripopullimi i Shqipërisë dhe rikthimi i shqiptarëve nga emigracioni do të jenë në qendër të programit të tij qeverisës. ‘Politika e ripopullimit do të jetë boshti kryesor i qeverisjes sonë’, u shpreh Berisha gjatë ‘Foltores së Ripërtëritjes’ në qytetin bregdetar. Ai tha se do të zbatohen edhe politika demografike për rritjen e lindshmërisë, duke theksuar se rikthimi i shqiptarëve në vend do të jetë një prioritet. ‘Një komb që shkon poshtë, ka humbur fatin e tij, ka humbur të ardhmen e tij. Ne do t’i rikthejmë Shqipërisë fatin, të ardhmen e saj’, deklaroi Berisha. Ai u ndal edhe te potencialet ekonomike dhe turistike të Vlorës, duke argumentuar se ato mund të krijojnë mundësi për banorët dhe për shqiptarët që janë larguar nga vendi.

FJALA E PLOTE

Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë të Vlorës, në këtë sallë, në qytet, në të katër anët e qarkut dhe në të katër anët e dheut ku jeni, një përshëndetje shumë të përzemërt.

Zonja kryetare e PD, zoti deputet i PD, Bujar Leskaj, zoti nënkryetar i PD, Nikola Kedhi, zoti drejtues politik i qarkut, Aurel Bylykbashi, drejtues zoti Klevis Balliu, Sekretar Organizativ, një përshëndetje të përzemërt dhe vlerësimin tim për të gjithë punët dhe përpjekjet.

Të dashur miq, ne mblidhemi sot në një moment kritik të një roli të ri që duhet të marrë PD.

Ky rol i ri i PD përcaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga emergjenca kombëtare e këtij vendi, emergjenca kombëtare e Vlorës, emergjenca kombëtare e Tiranës dhe e Shqipërisë.

Ne, forcë politike me një trashëgimi, e cila bën krenar çdo anëtar dhe mbështetës të saj, kemi përpara një detyrë jetike për vendin, por një detyrë të vështirë, përmbushja e së cilës do jetë përcaktuese në shumë aspekte për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Çdo ditë qytetarët lexojnë dhe dëgjojnë nga një faqe të zezë nga libri i zi i këtij regjimi.

Çdo ditë dalin dëshmitë më rrënqethëse se si kurrë më parë shqiptarët sot janë në pushtimin e krimit, në pushtimin e një regjimi kriminal.

Një regjimi në të cilin, marrim ditën e sotme, del se kreu i SHISH, që ka detyrë më kryesore sigurinë kombëtare, sigurinë e gjithanshme, është një ushtare e shpifur e krimit të organizuar.

I jepte bandave dhe krimit të gjitha mjetet që bliheshin me taksat, paratë tuaja, të regjistrimeve, të filmimeve, të survejimeve për ata që kërcënonin rrezikun.

Ish-drejtori i policisë, që iu kontrollua banesa, gjendet me snajper superspecial në banesë, i blerë në funksion të sigurisë së qytetarëve, por kurrë një person të dhënë, i blerë për funksione të caktuara.

Pra, mund të vazhdoj gjatë e gjatë në këtë aspekt, por një gjë do t’u them, se çdo gjë që keni dëgjuar dhe do të dëgjoni për Belinda Ballukun, për Vlora Hysenin, për Ermal Beqirin, Ergys Agasin, në mënyrë absolute që të gjitha janë bërë nën urdhrat e Edi Ramës.

Asnjë prej tyre nuk është bërë pa urdhrin e tij.

Dhe ju, dhe shqiptarët, do mësojnë shumë e shumë gjëra të tjera nga aktet e shëmtuara kriminale të kësaj bande.

Para saj, ne jemi forca politike me detyrim madhor të shpëtojmë vendin.

Roli i demokratëve është roli i shpëtimtarit.

A mundet ju, a mundemi ne ta përmbushim këtë rol, këtë detyrim?

Po, ne përmbushëm edhe më të pamundurën.

Kaluam një kalvar në të cilin jeni dëshmitarë, donin të na zhduknin, nuk na zhdukën dot.

Ne qëndruam, për asnjë prej demokratëve, për asnjë interes personal, jo, përkundrazi, në atë kalvar secili prej atyre që qëndroi e kishte shumë herë më të lehtë rrugën tjetër.

Por qëndroi si atdhetar.

Qëndroi si njeri me ideale të veta.

Qëndroi se besonte që Shqipëria duhej të kishte një opozitë sovrane, jo të kontrolluar nga qeveria, jo false, jo mashtrim për qytetarët.

Dhe ne e realizuam këtë me gjithë përpjekjet më të papranueshme që u bënë.

Por sot prapë jemi në këtë prag, në këtë ag.

Ne duhet të përmbushim këtë rol, këtë mision.

Për të përmbushur këtë mision, ne që qëndruam, ju që qëndruat të pamposhtur, ju jeni të pazëvendësueshëm, por nga secili nga ne, duke filluar nga kryetari, kërkohet ripërtëritje.

Kërkohet të bindim veten se me atë mënyrë funksionimi, me atë model që kemi praktikuar në qëndresë, në rezistencë, nuk do përmbushim dot rolin tonë.

Kërkohet të studiojmë, të shohim cilat janë kapacitet dhe aftësitë tona të tjera.

Dhe ato janë të forta, të fuqishme.

Ato janë në radhë të parë një përpjekje e re e përbashkët për ta bërë PD-në një parti funksionale.

Unë u përgëzoj ju për punën që keni bërë këtë me seksionet, me grupseksionet, pra jemi parti strukturash, por jemi parti strukturash në parti. Duhet të themi të vërtetën.

Pse? Sepse vetë ne nuk u jemi përkushtuar në shkallën e duhur funksionimit të këtyre strukturave, modernizimit të këtyre strukturave.

Pse unë thashë të pazëvendësueshëm? Po, PD nuk mundet kurrë të imagjinojë se 50 mijë anëtarët e saj tani nuk ka nevojë për ta, ka nevojë sot më shumë se kurrë për ta. Por ka nevojë që secili prej tyre të pranojë të ripërtërijë veprimtarinë e tij, qëllimet e tij në raport me anëtarësinë, në raport me njëri-tjetrin, në raport me qytetarin.

Ne do bëjmë gjithçka për modernizimin e partisë. Modernizimin e mesazhit, modernizimin e komunikimit, dixhitalizimin.

Të gjitha këto me një qëllim kryesor, komunikimin me qytetarin.

Aty është Thembra e Akilit. Aty është Toka e Anteut, aty është i gjithë problemi.

Ne nuk shkojmë tek qytetari as për të mbrojtur të shkuarën tonë, ne shkojmë te qytetari për të paraqitur vizionin tonë për ripërtëritjen e Shqipërisë.

Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për ripërtëritje.

Vetëm një Shqipëri që hyn në një proces tërësor ripërtëritje, do mund të shohë nga e ardhmja.

Bashkë mund të rreshtojmë me qindra akte kriminale, poshtërsira të këtij pushteti.

Por njëra është më e rënda, njëra është ajo të cilës Vlorës, Shqipërisë, nuk ia ka bërë dot kush kurrë.

Dhe ky është shoku demografik, goditja e tmerrshme demografike që morëm në 10 vite.

Sot në Vlorë, sot në Shqipëri lindin aq fëmijë sa ç’lindin 100 vite më parë, kur ne ishim më pak se 1 milion.

Nuk ka në këtë rrafsh, nuk ka regjim më antishqiptar, i huaj apo vendas, në të gjitha kohërat se regjimi i 10 viteve të fundit. Nuk ka!

Nuk po ndalem te tregues të tjerë demografikë që kanë të bëjnë me ekzistencën tonë.

Ndaj dhe në qoftë se ka një thirrje sot për çdo atdhetare dhe atdhetar të këtij vendi, që sheh me sytë e tij se si po shkrihemi dhe shuhemi, se si çdo vit rritet në mënyrën më të frikshme grupmosha e rritur e shqiptarëve, si pakësohen grupmoshat e reja, si në asnjë luftë tjetër, atëherë çdo njeri duhet të gjejë formën për të shumëfishuar energjitë e veta, përkushtimin e tij në funksion të atij qëllimi për të nxjerrë, për të larguar nga pushteti këtë regjim kriminal.

Ndaj dhe kjo ripërtëritje e jona kërkon para së gjithash të ulemi me çdo qytetar, të diskutojmë me ta me durim, me gjakftohtësi, me mirësjellje për këto probleme të mëdha.

Nuk i kishte Shqipëria këto.

Nga viti 2007 deri në vitin 2014, çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri është rritur dhe kjo është statistika e institutit të kësaj qeverie.

Çdo vit, nga viti 2005 deri në vitin 2013, pati rritje të rrogave dhe pensioneve dhe arritëm nga thellësitë e varfërisë të dalim në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.

Nuk po numërojmë gjëra të tjera, por këto ishin premisa shumë të mira.

Arritëm të marrim rrogat dhe pensionet më të larta në rajon.

Po sot? Sot nuk ka kolektivizim, por në mënyrë absolute janë qindra e mijëra familje shqiptare në të cilat mjerimi troket në atë sallë sa ç’trokiste dikur në kohën e hiperkolektivizimit.

Po pse? Se pensionet e tyre janë qesharake. Po sa janë këta? Po këta janë 700 mijë burra dhe gra. Po nuk ka turp më të madh mbi tokë, nuk ka krim më të shëmtuar se t’i lësh ata duke mos marrë dot ilaçet më shumë se të një jave ose të asnjë jave.

Duke mos marrë dot ushqimet më shumë se të dy javëve.

Dhe pse? Çfarë ndodhi?

Absolutisht vetëm një shkak: vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja.

Nuk kishte më shumë në vitin 2005-2013. Jo. Ne kishim taksat më të ulëta.

Por ne patëm mundësi të dyfishojmë rrogat dhe pensionet.

Dhe sot në vend që të kishim edhe dy-tre herë më të larta ato, sot kemi zbritur të fundit në rajon për rroga dhe pensione.

Takova tani në drekë një pensioniste demokrate.

I thashë, pse paske ardhur?

Erdha nga Greqia, tha, se më kërkojnë të paraqitem njëherë në gjashtë muaj për të marrë pensionin, që jam gjallë.

Por unë biletë harxhova pensionin.

Shikoni çfarë cinizmi, çfarë diskonsiderate për njerëzit.

Pra, Shqipëria ka nevojë urgjente për ripërtëritje.

Dhe kjo ripërtëritje është absolutisht zotimi ynë solemn.

Do të dyfishojmë rrogat dhe pensionet dhe mbidyfishojmë.

Asnjë vend në Ballkan nuk ka pse të ketë rroga më të mëdha se ne. Ne kemi pasuritë më të mëdha.

Asnjë vend në rajon nuk ka pasuritë natyrore që kemi ne. Jo. Nuk ka potencialet tona, asnjë. Absolutisht.

E pse atëherë ata do paguhen më shumë?

Problemi është se këto pasuri shndërrohen në mallkim për qytetarët, plaçkiten, vidhen.

Ndaj dhe ne kemi një projekt për zhvillimin.

T’u bëj një pyetje vlonjateve, le të lexojnë, i garantoj se të paktën me dokumente, nga viti 1400 e gjer para një viti, nuk kanë qenë pa kadastër.

Po, janë defteret osmane.

Ku shkoi kadastra?

Cila kuçedër e hëngër kadastrën?

Ai ka vetëm një emër, ai quhet Edi Rama, për pronat e veta.

Po, po!

Sepse bëri gjithçka që të merrte toka, të cilat në asnjë metër katror nuk ishin të familjes së tij.

Sepse hajduti i shpërfytyruar pretendon për pronat e Spiro Kolekës, burrit të shtetit, ministrit të Luftës të Vlorës dhe Sulejman Delvinës, ish-zyrtarit të lartë të Perandorisë Osmane, në një kohë kur krahu i tij kishte tre dhi e një gomar, me regjistër.

Ndaj dhe këtu u ndryshuan 16 drejtorë, që nuk kishte ndodhur kurrë, dhe në fund e mori në Tiranë për të bërë atë që do të bëjë.

Pra, ngrita këto probleme për emergjencën ku jemi.

Detyra është e vështirë se Vlora në këtë betejë nuk është vetëm këtu, nuk është vetëm në Sevaster, nuk është vetëm në Novoselë, nuk është vetëm në Orikum, Selenicë apo Konispol.

Vlora tani është në Bari, Romë, Uashington, Paris, Berlin. Vlonjatët janë kudo!

Ripërtëritje do të thotë që ne të krijojmë një tërësi me demokratët vlonjatë dhe shqiptarët kudo që jemi për t’iu përgjigjur kësaj emergjence kombëtare.

Ndaj dhe kam shumë besim tek ju, por ripërtëritje do të thotë të afrojmë çdo vlerë.

Të afrojmë çdo të ri dhe çdo të re.

Unë kënaqem shumë sot, dhe ke përgëzime kryetare për praninë e zonjave këtu, por të garantoj se jemi larg ripërtëritjes aty ku sallën e mbushim me burra dhe kemi një rresht me zonja dhe zonjushe.

Dhe kjo vlen, në qoftë se ju keni bërë një punë të tillë shumë të mirë, duhet të marrin shembull të gjitha degët e PD.

Nuk ka ripërtëritje pa vendosur në piedestalin e merituar vajzat, nënat, motrat, zonjat, zonjushat e Vlorës dhe të këtij vendi.

Nuk ka ripërtëritje pa të rinjtë, pa energjinë, guximin, përkushtimin dhe angazhimin e tyre,

Misioni ynë nuk përmbushet dot.

Pra, duhet t’i shohim të gjitha këto si element thelbësor të ripërtëritjes tonë, të misionit të ri.

Miq, ju i keni ndjekur zhvillimet.

Zhvillimet kërkojnë që PD t’u përgjigjet flakë për flakë. Ne nuk mund të pranojmë një poshtërim të përditshëm të shqiptarëve nga ky regjim.

Këto që dëgjojmë dhe që dalin çdo ditë, këto janë turpe kombëtare, janë krime kombëtare, janë krime kushtetuese dhe krime kombëtare.

Ndaj dhe ne duhet t’u përmblidhemi, duhet t’u japim përgjigjen më të të fuqishme, më të vendosur.

Qytetarët janë në rrugë, janë në shesh në Tiranë.

Sot vendi i çdo demokrati është në shesh, është në përballje, është në betejë.

Dhe unë u garantoj se do bëjmë gjithçka me një program të ri të kësaj partie, vizion të ri.

Po si ka mundësi që Vlora me këto pasuri përrallore që ka, dhe ai që shkonte në Vajzë dhe i shkonte kryetarit, na e nxore detin në mal, një injorant që nuk ka njohuritë e një nxënësi, se ujëra të kripura nuk mund të ketë në male, sipas tij.

Pra, Vlora me potenciale të jashtëzakonshme, Vlora me potencialin e saj turistik, me zonat e tjera, ka potencial dhe fuqi për të begatuar jo vetëm vlonjatet që jetojnë sot këtu, por edhe ata që janë larguar gjatë këtyre 30 viteve për t’u kthyer këtu.

Ndaj dhe ne, një zotim këtu, një zotim para jush, se politika e ripopullimit do të jetë boshti kryesor i qeverisjes sonë.

E deklaroj këtu para jush se ripopullimi i këtij vendi, rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri, pa diskutim edhe politikat demografike të lindshmërisë, do zbatohen pavarësisht nga çmimi i tyre sepse ato janë të dobishme për çdo çmim.

Një komb që shkon poshtë, ka humbur fatin e tij, ka humbur të ardhmen e tij.

Ne do i rikthejmë Shqipërisë fatin, të ardhmen e saj.

Ndaj dhe në këtë kuadër, secili nga ju, çdo demokrate e demokrat kudo që ndodhet, duhet të ndjejë peshën e madhe të përgjegjësisë që merr para vetes së tij, para familjes së tij, para komunitetit dhe Shqipërisë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale