EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur për gazetarët pas seancës parlamentare, u shpreh se deputetët e opozitës nuk do të ndalen dhe se mosbindja civile do të vazhdojë.
Duke folur jashtë ambienteve të Parlamentit, kreu i demokratëve e ka cilësuar seancën e sotme një tjetër sukses të deputetëve opozitarë.
‘Qeveria do marrë përgjigjen që meriton për aq kohë sa shkelen të drejtat kushtetuese’, tha gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTË:
Ju patë sot se si Linda e parlamentit është e aftë të shkatërrojë çdo gjë për hir të Edi Ramës.
Por e garantoj Edi Ramën se nuk ka Lindë në botë që mund ta mbrojë atë dhe se për puçin e tij, për grushtin e shtetit brenda shtetit, dmth për marrjen e pushteteve të parlamentit dhe bllokimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve, ai do trajtohet si puçist dhe do marrë përgjigjen që meriton.
Mosbindja civile sot ishte suksesi i radhës i deputetëve të opozitës.
Ju e patë se si e kishin rrethuar parlamentin, se si ishin vënë 15 në një derë, por asgjë nuk e pengoi aksionin, betejën pa kthim të opozitës dhe u detyruan të funksionojnë si në parlament, si në shpellë.
Kreativiteti në mbrojtje të parlamentarizmit nuk njeh kufi.
Kjo është seanca e turpit, që u shërbye nga deputetë mercenarë që nuk kanë kodin minimal etik të ligjit dhe Kushtetutës.
Ata që folën sot janë mëkatarë kryesorë në grupin parlamentar dhe unë i thashë atij Sinës, se ai e bën për herë të dytë. Ai është grabitqar i pasurive publike të fshatrave të Vlorës, me një gurore ka detyruar që të largohen sa e sa familje. Prandaj e kanë të kapur dhe flet pa asnjë lloj kodi etik, pa asnjë respekt për ligjin dhe Kushtetutën.
Por ne nuk dekurajohemi nga Petro Koçër dhe këta lloj deputetësh skllevër të Edi Ramës.
Ne do vazhdojmë betejën tonë gjer në krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. Gjer në hetimin në çdo qindarkë të sarajeve të Surrelit të ngritura mbi krimin. Në kuptimin të ngritura mbi ryshfetin, të ndërtuara nga ndërtues pas shpërblimeve që u ka bërë Edi Rama me punëra të tjera.
Edi Rama ka ndërtuar gjithsej në kohën e ndërtimit të tyre, 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Parku 5 mijë metër katrorë është blerë me një çmim minimumi 10 deri në 12 herë nga sa është deklaruar dhe është blerë në kushte flagrante të shkeljes së ligjit.
Edi Rama do hetohet për çdo udhëtim të tij, për 140 fluturimet e tij në dy vite, që u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 22 milionë euro.
Do hetohet për të gjitha takimet që ka bërë gjatë këtyre udhëtimeve. Flitet gjerësisht se në Dubai takoi klanet e drogës, ndër të tjera edhe ortakun e vëllait të tij Olsi, famozin Amant Josifi.
Unë kam denoncuar se call-centeret e Amant Josifit janë të gjitha të paprekura dhe në vend të tyre janë arrestuar djem dhe vajza që nuk kanë pasur asnjë lidhje me vjedhjen e parave përmes Bitcoin nga grupi Milton me përfaqësues Amant Josifin dhe Olsi Ramën.
Do hetohet Edi Rama për të gjitha aferat korruptive me PPP-të. Ju e shihni se si djegësi i Tiranës është tërësisht i paketuar, djegësin e Tiranës, Edi Rama që i dha kompanisë së vet 8 përqind bonus, tetë muaj para se kompania të krijohej. Qytetarët duhet t’i dinë këto, ne do i faktojmë me dokumente.
Do hetohen të gjitha PPP-të e shëndetësisë, pasi aty janë krimet më monstruoze të kryera ndaj shëndetit të shqiptarëve. Vetëm sterilizimi ka kushtuar mijëra jetë pasi qytetarët mbetën të paoperuar sepse spitalet nuk blinin dot setet e sterilizimit me çmime 80 herë më të larta.
Do hetohet Edi Rama me shushunjën e kunatit të tij, që quhet Vilma Nushi e cila për të plaçkitur paratë e taksapaguesve regjistron në check-up me dhjetëra mijëra individë që janë ndarë nga kjo jetë prej vitesh.
Do hetohet Edi Rama për të gjithë investitorët strategjikë. Ju e patë se si i ka dhënë 400 mijë metër katrorë Pëllumb Gjokës, porositësit me pagesë të vrasësve.
Do hetohet edhe për Lucën e tij, i cili ka qenë një nga personat më të ndjekur nga autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtare. Dhe tani i kapet veliera dhe shkon e rrëmben velierën e ndjekur nga autoritetet italiane me kokainë.
Do hetohen të gjitha lidhjet. Edhe kjo që patë sot, nuk e vutë re ju, Taulant Ballën me Niko Peleshin. Çfarë ishte diskutimi? Ia mori Stilianon, Taulanti. Ia hoqi. Kishte Niko linjën e tij të trafikut për në Greqi, ia hoqi dhe e mori Taulanti. Absolutisht asgjë tjetër.
Rivalitet në drogë, rivalitet në krime, ky është realiteti i hidhur i këtyre ditëve, i kësaj qeveria. Beteja vazhdon.
Edi Rama do hetohet për të gjitha krimet e tmerrshme që ka kryer. Me tenderat për kovidin me këtë Manastirliun.
Pra, nëse ai nuk ka frikë nga hetimi, të pranojë, përndryshe, grushti i shtetit do përmbyset.
PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET
Pyetje: Ditën e enjte me shumë gjasë buxheti do të kalojë, duke parë dhe vijimësinë e seancave. A keni ju një plan kreativ z. Berisha, sepse edhe seancat e kaluara është bërë buxheti për 5 minuta dhe ai miratohet, është në fuqi. Ju, ju mbetën vetëm kreativiteti dhe flakadanët.
Sali Berisha: Ne na mbetet parlamenti, aty u mbetet turpi, klandestiniteti, shkelmimi i Kushtetutës. U mbeten të gjitha. Çdo gjë e pa bota. Lajm botëror u bë, buxheti në 4 minuta. E vërteta është se parlamenti nuk ekziston për ata që i thonë parlamentit, parlament dhe kushtetutës, Kushtetutë, parlamenti ka kaluar në klandestinitet. Sigurisht masa të forta të merren për radhën që vjen në mënyrë që bota të shohë se cila është e vërtetë e narkoregjimit të Tiranës.
Pyetje: Ju thoni se do të hetoni kryeministrin Rama, por mazhoranca i ka kyçur derë komisioneve hetimore, cili do të jetë hapi i radhës. Dhe çfarë nënkuptoni me grusht shteti.
Sali Berisha: Grusht shteti është kur njëri nga pushtetet merr pushtetin organeve të tjera. Është shumë e qartë që Edi Rama përveç pushtetit ekzekutiv, ushtron sot i plotfuqishëm pushtetin gjyqësor nëpërmjet larove, mercenarëve të tij, të cilët bëjnë çdo gjë përveç ligjit. Edi Rama pasi mori pushtetin gjyqësor dhe vendosi nën thundrën e tij të plotë, atë që unë quajta që në fillim skapi i partisë, tani filloi në marrjen e pushtetit të parlamentit. Çfarë është pushteti i parlamentit? Është e drejta kushtetuese e ¼ së deputetëve për të kontrolluar qeverinë. Është rruga më kryesore e ushtrimit të sovranitetit të të zgjedhurve shqiptarë si fuqi e tyre për të kontrolluar pushtetin e qeverisë. Është klasik, grusht shteti brenda shteti. E drejta e ¼ së deputetëve është e ¼ së deputetëve pavarësisht nga partitë e tyre. Por kur ai ka skllevër si Petro Koçi, apo si të tjerë, ata nuk duan të drejtë tjetër, por vetëm të duartrokasin për Ramën. Por ne të tjerët duam të drejtën tonë, duam të ushtrojmë sovranitetin e qytetarëve, kontrollin e pushtetit të qeverisë. Pra është klasik gusht shteti brenda shtetit.
Pyetje: Z. Berisha si e keni lexuar mungesën e deputetëve mbështetës të Bardhit në Kuvendin..
Sali Berisha: Tani të lutem shumë, jemi në kushtet e betejës kundër grushtit të shtetit. Unë falënderova të gjithë deputetët. Ja ku ishin, e patë. Unike është kjo dhe ju garantoj se ai proces po ecën shumë mirë. Ju përshëndes.