Berisha nga Lezha: Do rikthejmë rritjen ekonomike në mirëqenie për xhepat e qytetarëve! Do ndahemi nga mjerimi dhe do i japim goditjen përfundimtare varfërisë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E RIPËRTËRITJES LEZHË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në Foltoren e Ripërtëritjes në Lezhë, vendosi në qendër të fjalës së tij krizën ekonomike, emigracionin dhe nevojën për një riorganizim të opozitës në funksion të rikthimit në qeverisje.

Berisha u bëri thirrje demokratëve të hapin partinë ndaj të rinjve, grave dhe prurjeve të reja, ndërsa vlerësoi qëndrueshmërinë e strukturave të PD-së gjatë viteve të opozitës.

Lideri demokrat akuzoi qeverinë Rama për rritjen e varfërisë dhe kostos së jetesës, Berisha tha se pensionistët po përballen me vështirësi për të siguruar ushqimet dhe ilaçet, ndërsa të rinjtë po largohen nga Shqipëria për shkak të pamundësisë për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme.

“Ka vetëm një shkak kryesor dhe kjo është varfëria, varfëria dhe vetëm varfëria”, u shpreh Berisha, duke e lidhur emigracionin masiv me gjendjen ekonomike të vendit.

Në programin që prezantoi për një qeverisje të ardhshme të PD-së, Berisha premtoi minimumin jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar, përgjysmimin e barrës shtetërore ndaj sipërmarrjes dhe rritjen e mbështetjes për fermerët. Berisha deklaroi gjithashtu se Ballkani i Hapur do të anulohet në javën e parë të qeverisjes së PD-së.

Kreu demokrat u ndal edhe te arritjet e qeverisjes së tij, duke përmendur Rrugën e Kombit, investimet në shkolla e spitale, rritjen e pagave dhe pensioneve dhe zhvillimin e prodhimit vendas. Sipas tij, objektivi i PD-së është që rritja ekonomike të kthehet sërish në mirëqenie për qytetarët.

Në fund të fjalës së tij, Berisha ashpërsoi tonet ndaj kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, duke e akuzuar për pasuri të pajustifikuara dhe duke paralajmëruar konfiskimin e tyre.

“Të ripërtërijmë PD-në, të ripërtërijmë Shqipërinë”, ishte mesazhi i Berishës nga Lezha.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetarë dhe qytetare, demokrate e demokratë të Lezhës dhe të gjithë qarkut, të Kurbinit dhe Mirditës, një përshëndetje të përzemërt për ju që jeni sot këtu, përshëndetje të përzemërt për të gjthë banorët, mirditorët, malësorët, zadrimorët, banorë të këtij qarku dhe mirënjohja më e pakufishme për mbështetjen, për besimin e jashtëzakonshëm që ju i keni thënë PD-së në dekada.

Një përshëndetje të përzemërt kam për kryetaren e PD, për të gjithë deputetët e kësaj partie, për zotin Gjin Gjoni, këtë përfaqësues me një mision të rëndësishëm në këtë qark dhe në këtë rreth.

Ju falënderoj shumë për këtë pritje të nxehtë dhe vëllazërore.

Ne mblidhemi sot në këtë Foltore të Ripërtëritjes në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Lezhën dhe gjithë Shqipërinë.

Ne kemi ardhur në këtë fazë, në këtë moment pas një rruge të vështirë, të dhimbshme, por njëkohësisht dhe ndoshta rrugës më dinjitoze të jetës tonë politike.

Ne qëndruam të pamposhtur, asnjëri prej jush, asnjëri prej nesh për interes personal, jo absolutisht.

Asnjëri prej jush nuk qëndroi as për interesa të ngushta familjare.

Secili prej jush qëndroi për idealet më fisnike të njeriut.

Qëndroi për dinjitetin njerëzor.

Për dinjitetin e vendit të tij.

Qëndroi me besimin dhe bindjen se Shqipëria duhet të ketë një opozitë të vërtetë.

Se kjo opozitë duhet të jetë një zëdhënëse besnike e atyre që nuk duan qeverinë.

Se kjo opozitë duhet të jetë një zëdhënëse besnike e vlerave, e trashëgimisë tonë shoqërore, njerëzore, kombëtare.

Dhe në këtë kuadër, ne duhet të ndjehemi krenarë se përmbushëm me dinjitet këtë mision.

U treguam të pamposhtur.

U treguam të pathyeshëm.

Shqipëria në këto vite pati një opozitë nga më të fortat, nga më aktivet. Shqiptarët patën një avokate të interesave të tyre.

Në këtë drejtim duhet të them se secili nga ju, të gjithë ata të cilët këto vite vendosën të rreshtohen me opozitën, të gjithë ata të cilët këto vite vendosën të mbrojnë kauzën e një opozite sovrane në këtë vend, janë dhe mbeten heronjtë e mi.

Por koha sot na thërret ne, koha na thërret të ripërtërijmë Shqipërinë.

Koha na thërret të përzëmë nga pushteti këtë të keqe të madhe, e cila në disa aspekte është e keqja më e madhe që shqiptarët kanë parë në historinë e tyre.

Koha na thërret që t’u japim përgjigjet më të drejta, më të shpejta problemeve madhore me të cilat përballet shoqëria, me të cilat përballet qytetari ynë.

Sot janë qindra e mijëra shqiptarë në tërësi të moshuar, pensionistë, të cilët me pensionin që marrin, për shkak të rritjes stratosferike të çmimeve, në mënyrë absolute nuk sigurojnë ushqimin normal më shumë se të dy javëve në muaj. Nuk sigurojnë dot tre vaktet në ditë.

Sot janë me qindra mijëra pensionistë, të cilët nuk i marrin dot ilaçet për t’u mjekuar.

Miq, e njëjta ndodhte në diktaturë. Fermerët, fshatarët që punonin në kooperativa bujqësore robtoheshin, por me lekët e ditës së punës, ai që sëmurej, ilaçe nuk blinte dot.

Edhe sot një pensionist nuk blen dot ilaçet.

Po çfarë ndodh me të?

Sëmundja është e pamëshirë, e gërryen atë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dhe i shkurton jetën. Dhe ky është realitet i përditshëm tek ne.

Sot të rinjtë, në përllogaritjet që bëjnë, nuk ndërtojnë dot jetën në Shqipëri.

Ai mbaron universitetin dhe për të krijuar familje duhet të paguajë një qira më të madhe se rroga që merr. Qiraja sot në Tiranë është 720 euro, është mbi rrogën mesatare.

Dhe ky i ri, pasi ndodhet para të pamundurës, vendos të ikë, ta marrë ëndrrën e tij me vete. Të mos e ndërtojë në Lezhë, në Shkodër, në Shqipëri, por të dalë rrugëve të botës.

Kurrë ndonjëherë ne si shqiptarë nuk e kemi braktisur këtë vend sa 10 vitet që kaluan.

Nuk e kemi braktisur këtë vend as në pushtimet më të egra.

Nuk e kemi braktisur këtë vend as në diktaturat më të egra.

Ndërsa duhet t’u them shifrat e fundit të institucionit të statistikave të BE. Sipas këtyre shifrave, në 1 mijë shqiptarë, 466 janë emigrantë në BE.

Pa llogaritur këtu sa janë në SHBA, në Australi, në Lindje të Mesme, në Norvegji, etj, etj.

Sot në Lezhë, sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa lindnin 100 vite më parë kur ne ishim më pak se 1 milion.

A nuk jemi pra ne realisht në një rrezik ekzistencial për shuarjen tonë?

Pse e gjitha kjo?

Cili është shkaku më madhor që nga kjo tokë e bekuar, nga ky vend me pasuri përrallore më shumë se çdo vend tjetër, shqiptarët largohen sikur të ishte një epidemi?

Ka vetëm një shkak kryesor dhe kjo është varfëria, varfëria dhe vetëm varfëria.

Miq, gjatë atyre viteve të qeverisjes ne bëmë disa gjëra jo të vogla, të mëdha. Bëmë Rrugën e Kombit. U kontraktua pas një beteje epike diplomatike gazsjellësi TAP. U kontraktua Kaskada e Devollit, investimi më i madh në energji në Shqipëri.

Por t’u them ju, ka disa gjëra të tjera shumë më të mëdha se këto që ne bëmë dhe janë të pazë. Dhe ato gjëra shumë më të mëdha se këto që ne bëmë janë ajo e vërtetë që ne rikthyem tek qytetarët në mirësi, në mirëqenie rritjen ekonomike të këtij vendi.

Do të mbetet rekordi më i çmuar i jetës tonë fakti kur ne dolëm nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në të cilin kishim udhëtuar për shekuj, dolëm në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

T’u them këtu, varfëria nuk është turp, por kjo është dinjitet dhe shumë miq të mi më thoshin në atë kohë, Sali, keni bërë gjë të madhe.

Sepse në atë grup ku vazhdonim, përfillja ishte superficiale, nuk ishte reale.

Por ka një gjë tjetër edhe më të madhe, ka një grup studimor shkencëtarësh të shquar në Boston dhe ky grup quhet Boston Consulting Group. Në vitin 2012 ky grup studioi 150 vende. Studioi se si këto qeveri e shndërronin rritjen ekonomike në mirëqenie për qytetarët.

Se është e thjeshtë të thuash rritja ekonomike është 5 përqind, është 7 përqind, është kaq përqind, është aq përqind.

Është ajo, po sa konvertohet në xhepat e qytetarëve, në tavolinën e qytetarëve, në mjekimin e qytetarit, në shkollimin e nxënësit, kjo është gjëja më kryesore.

Ku ishim ne? Ne u renditëm vendi i katërt në botë.

Cilindo e ftoj të gjej në Google këtë studim.

Boston Consulting Group ka një parathënie të ish-kryeministrit Tony Blair dhe Shqipëria për konvertimin e rritjes ekonomike në mirësi, në mirëqenie për qytetarët e saj, u rreshtua e katërta në botë në mesin e 150 vendeve.

Pse e përmend këtë? E përmend këtë se ky është zotimi ynë solemn.

Ripërtëritja e Shqipërisë për ne do të thotë para së gjithash ripërtëritje e qëndrimit ndaj qytetarëve.

Si arritëm ne të ngjitemi në çatinë e botës?

Si arritëm?

Ne dyfishuam rrogat dhe pensionet.

Ne arritëm që ato të ardhura që mblidhnim, taksa nga qytetarët, nuk i shndërronim në udhëtime me avionë personalë.

Se ato të ardhura që mblidhnim nga taksat e qytetarëve nuk i shndërronim në vetura luksoze.

Nuk i shndërronim rrugët ne me çmime 8-12 herë më të larta në BE. Dhe ndërtuam rrugë ne sa kurrë ndonjëherë, 11 mijë km rrugë, dhe ja ku janë.

Arritëm se i vumë fre abuzimit. Kishte zëvendësministra qeveria e mëparshme, por nuk kishin vetura. Jo, ua rritëm rrogën sa për udhëtimin dhe kursyem 40 milionë euro.

Si arritëm ne?

Arritëm sepse ndërtuam dhe rindërtuam 1300 shkolla, kopshte dhe objekte për arsimin.

Si arritëm ne të ngjitemi në vendin e katërt në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike për mirëqenie për qytetarët?

Arritëm se investuam mbi 100 milionë euro në aparatura për spitalet tona.

Pra, çfarë ishte kjo qeveri?

Kjo qeveri kishte vetëm një tipar, mendonte për dhimbjen, për hallet, për problemet e qytetarëve. Kaq.

Në qoftë se ti mendon për to, shqiptarët nuk do ishin sot kurrë qytetarët më të keqpaguar në Ballkan dhe në Evropë.

Në vitin 2013 ishin më të mirëpaguar në rajon, përfshi Bullgarinë dhe Rumaninë. Kjo duhej të vazhdonte.

Rritje duhet të vazhdonte të ishte mirësi për qytetarët.

Rritja ekonomike duhej të vazhdonte të shndërrohej në rroga dhe pensione, të shndërrohej në shkolla, spitale, rrugë, shërbime.

Por kjo u ndërpre.

Rritja ekonomike duhet të vazhdonte të nxiste prodhimin.

A mund të imagjinoni ju, Shqipëria që nuk prodhonte dot një këpucë siç duhej, u bë prodhuesi i tetë në botë për këpucët.

Shqipëria që njerëzit detyroheshin të rrinin në orë të tëra në pritje për shishen e qumështit, u bë eksportues qumështi.

Pse po ndalem tek këto?

Për dy qëllime.

E para, po ndalem si zotim që ne këtyre do u rikthehemi, por edhe si garanci që ne i bëmë njëherë këto, do i bëjmë përsëri.

Ndaj dhe ne na duhet pushteti.

Dhe për të ardhur në pushtet, ne duhet të ripërtërihemi.

E them edhe njëherë, ata që e sollën PD-në në këtë fazë, në këmbë dhe të fuqishëm, ata që votuan kandidatët e saj në Lezhë dhe kudo në Shqipëri, ata kanë bërë një heroizëm, një shërbim të jashtëzakonshëm vendit të tyre.

Por tani koha në thërret nën moton, të ripërtërijmë PD-në, të ripërtërijmë Shqipërinë.

Është në detyrimin tonë të hapemi ndaj të rinjve, ndaj zonjave, zonjushave, ndaj vlerave kudo që janë.

Çfarë është kjo braktisje e madhe e Shqipërisë?

Kjo në rrafshin e vlerave është braktisje e madhe e vlerave të Shqipërisë.

Mbi 750 mijë janë këta që kanë ikur.

Ndaj dhe ne duhet të hapemi.

Dhe kjo nuk mjafton.

Ne në çdo qelizë tonë duhet të funksionojmë.

Seksionet tona duhet të jenë në këmbë.

Sot më shumë se kurrë duhet fjala juaj, duhet mendja juaj, virtytet tuaja në dialog me çdo qytetar të këtij rrethi, të këtij vendi, demokrat, indiferent, socialist, çfarëdo që të jetë ai.

A ecet kështu më?

Kemi arritur në një fazë…në rast se zbresim në rrafshin psikologjik, njeriu ka të gjitha vlerat morale dhe virtytet, por u them unë ju që njeriu në thellësitë e psikologjisë së tij edhe barbarinë.

Një studiuese e madhe shkoi në gjyq në të cilin po dënohej një oficer gjerman që kishte marrë pjesë në asgjësimin e disa milionë hebrenjve.

Dhe kjo tani i tha vetes, tani do shoh monstrën e vërtetë. Kur shkoi aty gjeti një njeri që verbërisht zbatonte urdhrat.

Gjeti një njeri që si deputetët e Edi Ramës verbërisht votojnë kundër qytetarëve.

Jo, tha ai, unë zbatoja urdhrat.

Çfarë bëjnë këta deputetë?

Votojnë çdo akt, çdo ligj pa pyetur se ekzistoni ju.

Më falni, a u rrit nafta për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme? U rrit kudo. Çdo vend në botë, qeveria ndërhyri për të ulur naftën.

Dhe ky pikërisht këtë vit u hoqi fshatarëve edhe atë subvencionim.

Çfarë tregon kjo?

Kjo tregon se ti ke një mungesë të tmerrshme ndjesie për problemet e mëdha të atij fermeri.

Me se do e punojë tokën ai? Me parmendë. Me krahë ose do e lerë djerrë.

Një injorim total.

Ne i japim fund kësaj.

Ne do rikthejmë atë virtyt moral që ka mbajtur kombin tonë në shekuj, ndihma që ishte për më të vobektit, më të pamundurit.

Kurse sot ne do rikthejmë me të gjithë forcën tonë rritjen ekonomike në mirëqenie për xhepat e qytetarëve.

U garantoj se të gjithë zhvillimin e këtij vendi ne do ta bazojmë përsëri në aftësinë, në mendjen, gjeninë krijuese të qytetarëve shqiptarë.

Barra shtetërore ndaj tyre do përgjysmohet.

Sipërmarrësit do kenë konkurrencë të ndershme, të lirë.

Fermerët e Lezhës do kenë të njëjtin subvencion që kanë fermerët e vendeve përreth.

Ballkani i Hapur do anulohet javën e parë të qeverisjes.

Do vendoset minimumi jetik 200 euro për çdo qytetar.

Pra, një gjë u siguroj, që do ndahemi nga mjerimi dhe do i japim goditje vendimtare varfërisë.

Ndaj dhe ju ftoj të përgatisim PD-në për këtë mision të madh të ripërtëritjes së këtij vendi të bekuar, të cilin një organizatë kriminale në qeveri po e rrënon çdo ditë e më shumë.

Së fundmi, e kam një mesazh edhe për këtë, çfarë t’i thuash këtij a më kupton.

Pjerin, e kam këtu skedën dixhitale tënden që mund t’i mbaj këta burra dhe gra tre orë duke lexuar veprat e tua të zeza.

Në listën e veprave të zeza nuk të mungon asgjë.

Ndaj dhe në qoftë se nuk jep dorëheqjen tani, nuk ke mend, se të rren mendja, të garantoj se të gjithë pasuritë do të konfiskohen.

Edhe atje, edhe në Zvërnec, se na del pasunar edhe në Zvërnec ky me toka.

Mafia nuk ka kufi, mafia nuk njeh kufi.

Pra, çdo pasuri do konfiskohet.

Dhe meqenëse të rri shpirti tek polici i keq, jo i mirë, edhe një uniformë do ta kesh, por ajo do jetë uniformë burgu dhe jo polici.

Ndaj dhe u ftoj edhe njëherë të vazhdojmë këtë betejë, të përmbushim këtë mision historik, këtë mision të ripërtëritjes së këtij vendi me pasuri përrallore, t’i shndërrojmë ato në mirëqenie për çdo qytetar shqiptar.

Rroftë Lezha, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale