PRONONCIM PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA JASHTË KRYESISË SË KUVENDIT
EKSTRAKT
Pas përfundimit të mbledhjes me grupin parlamentar, në një prononcim të mbajtur për media ditën e sotme, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha se, në mbledhjen e grupit të opozitës u diskutua për protestën në parlament, ashtu edhe për deputetët të cilët përfaqësojnë një opozitë me të drejta të mohuara.
Berisha tha se. Edi Rama për pushtetin e tij po sakrifikon parlamentin, por qytetarët shqiptarë nuk do pajtohen kurrë me sakrifikimin e parlamentit për pushtetin e një njeriu të inkriminuar që po përpiqet të ndryshojë ligjet për t’i shpëtuar përgjegjësive për firmat që ka vendosur.
Berisha tha se, po bëhen gati rigrupime tjera dhe riformatime tjera të qeverisë, të cilat synojnë konsolidimin e krimit ne këtë qeveri.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, futja e Taulant Ballës, ishte dorëzimi përfundimisht i rendit tek krimi. Po shqyrtohet futja edhe e të tjerëve në mënyrë që krimi të saldohet dhe të mbetet populli shqiptar për ta përmbysur atë sa më shpejt.
PRONONCIMI I PLOTË
Diskutuam për të vazhduar protestën në parlament, si deputetë që përfaqësojnë një opozitë me të drejta të mohuar, dhe për të vazhduar përpjekjet për rivendosjen e këtyre të drejtave kushtetuese, pa të cilat pluralizëm politik në parlament nuk ka.
Natyrisht, Edi Rama për pushtetin e tij sakrifikon parlamentin, por qytetarët shqiptarë nuk do të jenë kurrë, nuk do pajtohen kurrë me sakrifikimin e parlamentit për pushtetin e një njeriu të inkriminuar në shkallën më të lartë, të një njeriu që po përpiqet të ndryshojë ligjet për t’i shpëtuar përgjegjësive për firmat që ka vendosur, të një njeriu që po mbyll me disa drejtorë hetimin e inceneratorit të Tiranës, të cilët janë absolutisht të përgjegjshëm para ligjit, por nuk janë kurrë njerëzit më kryesorë, sepse më kryesor në djegësin e Tiranës është Erion Veliaj dhe nuk ka diskutim Edi Rama që firmos për t’i dhënë 8 pikë bonus një kompanie për të cilën ishte njoftuar që nuk ekziston dhe që themelohej 9 muaj prapa vetëm një dita para se qeveria ta shpallte fitues për djegësin e Tiranës.
Ndërkohë, po bëhen gati rigrupime tjera, riformatime tjera të qeverisë, 5të cilat synojnë asgjë tjetër, veçse konsolidimin e krimit ne këtë qeveri.
Unë thashë ju, futja e Taulant Ballës, ishte dorëzimi përfundimisht i rendit tek krimi. Po tani shqyrtohet futja edhe e të tjerëve në mënyrë që krimi të saldohet dhe të mbetet populli shqiptar për ta përmbysur atë në kohën më të shpejtë.
Ju e shihni, ka një klimë të ndezur në publik, ka një zemërim të madh për shkelmimin e të drejtave të opozitës në opozitës në parlament, ka një urrejtje të madhe ndaj krimit dhe revanshit të tij në qeveri.
Kështu që koha e një lëvizje me mosbindje civile në të gjitha aspektet po vjen dhe jam i sigurt në suksesin dhe fitoren e saj.
Pyetje: Z.Berisha sot gjykata e Strasburgut ka dhënë një vendim për ngjarjen e 21 janarit dhe rastin e Aleks Nikës, ku ka thënë se hetimi nuk ka qenë efektiv, nuk janë nxjerrë përgjegjësit. A keni ju një koment?
Berisha: Nuk e kam lexuar, por siç e di ti nu ka ka patur dhe nuk mund të ketë kurrë pengesë hetimi nga Sali Berisha. Kjo është komenti që bëj për çdo gjë. Se si është bërë hetimi, dosjet janë aty, vlerësimin që ka bërë gjykata, nuk kam asnjë kundërshtim.
Pyetje: Z.Berisha, ditën e djeshme aleati juaj Agron Duka ka deklaruar se për të patur një shans për të fituar zgjedhjet e 2025 duhet të bashkohet i gjithë fronti opozitar, përfshirë edhe PD të z.Lulzim Basha. A qendroni ju ende te vija e kuqe e z.Basha?
Berisha: Unë qëndroj plotësisht te vija e kuqe. Siç e shihni ju, çdo javë dalin të dhëna të tjera tronditëse. Mos të mendojë kush se hetimi i 4 gazetarëve të BBC është i porositur nga Tirana. Jo, absolutisht.
Por Lulzim Basha është përfundimisht i pakallur në rrafshin politik, e mban Edi Rama si shpifë arash. E di se çfarë është shpifa e arave?
Ta tregoj unë. Kur fillon të piqet misri ose gruri, vërshojnë zogjtë dhe sorrat për t’u ushqyer. Atëherë fermerët marrin e bëjnë një dordolec, dhe e vënë që shpendët të mendojnë se është një njeri. E përdor Rama në kuptimin figurativ.
Pyetje: Në këtë rast kë po tremb Basha?
Berisha: Jo, e përdor Rama në kuptim figurativ.
Pyetje: Z.Berisha, për shkak të çështjes Belieri, Greqia ka ngrirë çeljen e negociatave për Shqipërinë duke mos lejuar hapjen e 5 kapitujve. Keni një koment për këtë?
Berisha: Komentin për çështjen e Belerit e kam bërë që ditën e dytë të arrestimit të tij, kur unë kam parë filmimet e medieve, që ai ka qenë një arrestim fund e krye politik.
Është në turpin e të gjitha institucioneve të drejtësisë që pranuan për provë atë të cilën Kodi i Procedurës Penale, e hedh poshtë, e ndalon të përdoret për provë.
Kodi i Procedurës Penale e përcakton qartë se nuk mund të përdoret për provë, prova e mbledhur me provokim. Ajo ishte e qartë, sikundër e qartë ajo nëna me tre fëmijë, të cilën e morën barbarisht në orën dy të natës nga Himara në Vlorë dhe që nuk kishte asnjë lidhje.
Pra, ishte gjithçka një krijesë e një njeriu, që unë e kam denoncuar, është shpërblyer për këtë provokim 7 milionë lekë nga një fond që nuk duhej t’i merrte kurrë. Se ai fond ka destinacion tjetër.
Pyetje: Z.Berisha, ju thoni që në aksionin tuaj opozitar jeni të koordinuar me të gjithë aleatët, por ditën e djeshme Dashamir Shehi ka deklaruar që ai nuk është dakord me protestat e opozitës dhe formën që po ndjek opozita
Berisha: Kur them me të gjithë mund të ketë ndonjë përjashtim. Secili ka të drejtën e qëllimit të tij. Opozita është e bashkuar.
Pyetje: Z.Berisha, keni bërë dy ditë mbledhje për aksionin opozitar, por nuk keni dalë me gjë konkrete. Komisionet po mbahen online, seanca e Kuvendit do të jetë më datën 20, nuk do të ketë, a do dalë opozita në një plan konkret për protesta, greva?
Berisha: Më vjen keq, fakti që janë futur në klandestinitet, është efekti më i fuqishëm i protestës opozitare.
Kur asgjësohet parlamenti dhe shndërrohet në fiktiv, shndërrohet në dixhital, do të thotë që opozita ka korrur fitoren më të madh, dhe do të thotë që Edi Rama ka dëshmuar se parlamentin është i aftë ta shumëzojë me zero.