FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA, NË KUVENDIN E PARTISË DEMOKRATIKE, DEGA KRUJË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaroi këtë të mërkurë nga Kruja se opozita duhet të nisë një proces të thellë ripërtëritjeje, duke e cilësuar jetik për të ardhmen e PD-së dhe të vendit.
Në fjalën e mbajtur në Kuvendin e PD-së, dega Krujë, Berisha tha se nga ky qytet inaugurohet “Foltorja e Ripërtëritjes”, ndërsa vlerësoi organizimin e degës dhe procesin e bashkimit të strukturave.
Berisha akuzoi qeverinë Rama për përkeqësimin e situatës ekonomike dhe sociale në vend, duke e lidhur largimin e shqiptarëve me gjendjen ekonomike dhe politikat e qeverisë. Ai foli për rritjen e çmimeve, kostot e larta të karburanteve, pensionet dhe të ardhurat e qytetarëve.
Sipas Berishës, Shqipëria ka nevojë për ndryshim, ndërsa PD duhet të jetë një parti më e organizuar, funksionale dhe moderne. Ai kërkoi forcimin e strukturave në bazë, kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe zgjerimin e partisë me figura të komunitetit.
“PD nuk vjen në pushtet për lavdinë e shkuar, por për vizionin për të ardhmen”, deklaroi Berisha, duke theksuar se ripërtëritja duhet të shoqërohet me modernizimin dhe digjitalizimin e partisë.
Në fjalën e tij, lideri demokrat renditi edhe disa prej objektivave që duhet të jenë në qendër të programit opozitar, duke përmendur rritjen e pagave dhe pensioneve, minimumin jetik, përmirësimin e shërbimeve dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
Berisha u ndal gjithashtu te çështja e ndarjes administrative të Krujës, duke deklaruar se PD do të vijojë përpjekjet që Fushë-Kruja dhe Kruja të jenë bashki të veçanta.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha e cilësoi Krujën si pikën e nisjes së një faze të re për organizimin e demokratëve dhe ripërtëritjen e strukturave të Partisë Demokratike.

FJALA E PLOTË
Demokrate dhe demokratë të Krujës, qytetare dhe qytetarë të këtij qyteti të bekuar, një përshëndetje shumë të përzemërt dhe nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush.
Por, të dashur aleatë, të dashur deputetë, drejtues i qarkut të Durrësit, anëtarë kryesie, deputet i zonës, deputetë të Durrësit, sot jemi këtu në një ngjarje, në një eveniment shumë të rëndësishëm të demokratëve të Krujës, por dhe të kryetarit të kësaj dege, Aulon Bej Kalaja, të cilin unë duhet ta përgëzoj shumë përzemërsisht.
Aulon Kalaja, të themi të vërtetën, u bë pararendësi i atij procesi, i procesit të ripërtëritjes së PD, kaq jetik dhe vendimtar për fatin e kësaj partie, kaq jetik dhe vendimtar për fatin e vendit.
Në këtë kuadër, unë duhet t’u them një të vërtetë ju: në axhendën time ekzistonte, ta quajmë Foltorja e Ripërtëritjes, por kam kënaqësi që këtë veprimtari, këtë përpjekje të re, e inaugurojmë këtu në Krujë.
Dhe nuk ka një vend të dytë ku mund të frymëzojë më shumë se Kruja për një përpjekje të madhe.
Miq, ne si PD kaluam periudha jo të lehta.
Por ne sot nuk mund të mburremi as me ato që kaluam, as me ato që bëmë në të shkuarën.
Sot koha na thërret t’i japim përgjigje kësaj gjendje dramatike, t’i japim zgjidhje kësaj rrokullisje të madhe, kësaj gjendje dramatike në të cilën e ka katandisur regjimi i Edi Ramës, Shqipërinë dhe shqiptarët.
Nuk ka pushtim në histori, që t’i ketë dhënë një goditje më të rëndë qenies shqiptare se sa Edi Rama në 10 vite.
Në 10 vite, 47 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria për një shkak madhor, për shkak të vendimit të tij për t’u pasuruar në mënyrë të çmendur, të paligjshme.
Për shkak të shndërrimit të financave tuaja, të taksave që paguani jo në rroga, jo në pensione, jo në infrastrukturë, jo në shërbime, spitale e shkolla, por në llogari bankare të fshehura në bankat offshore.
Sot qytetari shqiptar nuk mund të imagjinojë, dhe unë njerëzisht u kërkoj ta kujtoni këtë fjalë, se koha do provojë se çfarë Edi Rama u ka bërë shqiptarëve.
Asnjë pushtues i egër nuk është sjellë ky ndaj pasurive publike të këtij vendi dhe fondeve.
Në një akt amoraliteti total, të vendosur për të plaçkitur gjithçka dhe çdo gjë, pa asnjë kufi, kanë krijuar format më të pabesueshme të vjedhjes së qytetarëve shqiptarë, djersës së tyre të ballit, të vjedhjes së pasurive publike, të shndërrimit të Shqipërisë në një çiflig hajnash që përzënë çdo ditë shqiptarët.
Ky shok demografik është goditja më e tmerrshme që kemi marrë ne nga çdo luftë.
Kurrë ndonjëherë nuk jemi pakësuar në atë shkallë sa lindjet tona të zbresin në ato të 100 viteve më parë. Asnjëherë nuk është e regjistruar si sot.
Unë e kam përjetuar, kam qenë mjek, dhe t’u them të vërtetën ju, e përjetoja me shumë dhembshuri urinë kronike dhe varfërinë ekstreme të njerëzve kur unë u jepja recetën dhe ata nuk e merrnin sepse nuk i blinin dot ilaçet.
Kur zona të tëra masive merrnin 1 kg sheqer, bukën dhe 1 kg kripë dhe përjetonin sëmundjen.
Atëherë se ishte vendosur hiperkolektivizmi total, i çmendur.
Por sot të jemi të sigurt që janë dhjetëra mijëra shqiptarë që numërojnë kafshatën. Që me atë pension që marrin, nuk sigurojnë dot ushqimin normal të dy javëve.
Me atë pension që marrin, shkojnë në dyqan dhe gjejnë çmime më të shtrenjta se në Dallas, se në Nju Jork, se në Berlin, se në Romë.
A mund të imagjinohet? Ky është realiteti. Një Shqipëri e tjetërsuar, një shpërfillje totale e qytetarëve.
Dëgjoni, edhe në diktaturë, çfarë thoshin? E mo se nuk vdes kush për bukë këtu. Të njëjtat fjalë, të njëjtat shprehje ka përdorur Edi Rama në mënyrë të përsëritur.
Po vdes për bukë, vdes për ilaçe, vdes në spital.
Këtu e ka katandisur Shqipërinë, në një kohë kur potencialet dhe pasuritë e saj janë të pakrahasueshme.
Shikoni, çmimet e ushqimeve u rritën në Shqipëri nga vjet në sivjet 6 herë më shumë se në Romë, në Berlin, në vendet e BE.
Nafta, çmime ndër më të lartat në botë.
Cinizëm ekstrem.
Asnjë qindarkë nuk ul taksën e ushqimeve.
Cinizëm ekstrem!
Ua hoqi fermerëve kompensimin për naftën, e cila në Shqipëri shitet 40 gjer në 50 përqind më shtrenjtë se në Kosovë, se në Maqedoni që nuk nxjerrin një litër naftë dhe që një pjesë të mirë të naftës e marrin në portet tona.
Kjo është Shqipëria.
Shqipëria pret sot më shumë se kurrë ndryshimin.
Shqipëria thërret sot më shumë se kurrë ndryshimin.
Edi Rama është e shkuara e zezë e këtij vendi.
Edi Rama është në rënie dhe rrokullisje të madhe.
Por shqiptarët presin nga PD me një kusht, me një PD të ripërtërirë në mënyrë më të fuqishme.
Ju e patë këtë dokumentar, ishte vetëm pjesërisht një aspekt, aspekti i Aulon Bej Kalasë si qytetar, nuk e harroj kurrë kur tërmeti goditi rrethin tuaj.
Para shteti, ai ngriti çadrat dhe e ndiqja çdo ditë, shpërndante ushqim, bënte çdo gjë për t’ua lehtësuar atë dhimbje të tmerrshme që u krijoi shembja e shtëpive.
E pashë në zjarret, u bë zëdhënësi kryesor jo i PD, i qytetarëve.
Dhe në fakt, për këto arsye, askund nuk meritonte të mbahej Foltorja e Ripërtëritjes më parë se në Krujë dhe kjo është meritë e madhe e jotja.
Ishim dy degë, sherre për bashkimin. Ja që u bashkuam.
Por unë i garantoj qytetarët e Fushë Krujës se kurrë nuk do ndërpresim përpjekjen tonë që Fushë Kruja të jetë bashki e veçantë dhe Kruja bashki e veçantë.
Krujën e ka bërë Zoti kryeqendër, nuk ka nevojë për asnjë qendër tjetër. Dhe ajo rri në vete bashki krenare.
Por rregullat imponojnë këtë zgjidhje dhe Auloni e udhëhoqi bashkë me Andian e bashkë me ju këtë proces dhe sot jemi në finalizimin e një stadi, finalizimin e zgjedhjeve të drejtuesve kryesorë.
Ripërtëritja e PD-së është jetike.
PD nuk vjen në pushtet për lavdinë e shkuar.
Jo, vjen në pushtet për vizionin për të ardhmen.
Vjen në pushtet si forca politike më e organizuar, më e modernizuar
Dhe në këtë kuadër, besoj se shembulli është dhënë këtu në këtë degë.
Seksionet janë mbledhur, kanë zgjedhur kryetarët.
Të mos harrojmë, shpesh i themi njëri-tjetrit se ne jemi frymë.
Jemi frymë, kjo nuk ka diskutim, por nuk duhet të jemi vetëm frymë, jemi realitet tjetër, jemi parti e madhe, një parti e cila në kushtet më të vështira u paraqitën në kutitë e votimit mbi 40 mijë anëtarë.
Kjo është e vërteta.
Por siç e tha zoti mësues, ne duhet të jemi funksionalë.
Ne duhet të jemi seksion funksional, grupseksion funksional, kryesi funksionale.
Dhe mbi të gjitha ne duhet të jemi në kontakt të vazhdueshëm të pandërprerë me qytetarin.
Çdo demokrat që lufton për fitore e ka në duart e veta takimin, bisedën me qytetarin, me fqinjin, me mikun, me shokun.
Sot kemi përpara një pushtet të korruptuar, një pushtet të diskredituar në një shkallë ekstreme, një pushtet të inkriminuar fund e krye.
Ndaj dhe ne na duhet një mobilizim i madh, na duhet një ripërtëritje.
Duhet të zgjerojmë radhët tona me vlerat më të çmuara të komunitetit.
Duhet të respektojmë, të angazhojmë dhe mobilizojmë të gjithë trashëgiminë tonë. Ajo është trashëgimi e çmuar.
Pra, ripërtëritja parashikon si kusht të domosdoshëm modernizimin, dixhitalizimin dhe vizionin me të cilin PD do u përgjigjet me emergjencë problemeve më therëse të qytetarëve shqiptarë.
Dhe këto probleme më therëse janë në radhë të parë të ardhurat e tyre, pagat e tyre, pensionet e tyre.
Është minimumi jetik, dyfishimi i rrogave, dyfishimi i pensioneve, transformimi i shërbimeve, shtypja me zero tolerancë e krimit të organizuar.
Ndërtoi sistemin e krimit dhe do ua tregoj këtu një moment.
Para 12 vitesh, një mik i imi lezhjan më thotë pse e ka kapur kaq me të fortë këtë Edi Ramën?
I them unë, sepse ai në atë Lezhën tënde të mrekullueshme ai bazohet vetëm në tre familje kriminale dhe ju të tjerëve u shumëzon me zero dhe unë këtë nuk mund ta pranoj.
Mbeti ai dhe nuk më tha dot jo.
E takon Edi Ramën, i hap muhabetin, i thotë që Berisha kështu më tha. Më tha që ai Lezhën e mban me tre familje kriminale, po Lezha është një qark i tërë.
Çfarë i tha?
I tha, a e di çke, votat nuk m’i jep ti, votat m’i japin ata.
I tha edhe më shumë pastaj, po unë po u them këtë.
Pra, mbi këtë koncept ndërtoi qeverisjen.
Çfarë ndodhi?
Dy gjëra do u them. U numërojnë shumë gjëra nga ato vite kur ne qeverisëm.
Unë dy do u numëroj ju.
Së pari nga viti 2007 deri në vitin 2014, çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri rritej. Aty janë statistikat. Dhe këtë e quaj arritjen më të madhe.
Arritjen e dytë, po kaq të madhe, e quaj se dolëm në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta. Dolëm nga humnera.
Po pse dolëm? Se dyfishuam rrogat dhe pensionet dhe u bëmë qytetarët me rrogat dhe pensionet më të lartat në rajon. Më të larta edhe se Bullgaria e Rumania.
Pra, ne kemi një vizion dhe duam që ta vëmë sa më shpejt në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe të Shqipërisë.
Miq, unë falënderoj demokratët e Krujës dhe të Fushë Krujës, falënderoj Aulonin, Andian dhe të gjithë, të cilët në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në demonstratat mbi tremujore që zhvillohen në Tiranë dhe kanë shkuar aty si qytetarë.
Ne i kemi mbështetur dhe do i mbështesim ato protesta me të gjithë potencialin tonë, do e mbështesim si qytetarë.
Ne jemi njerëz të moralit, ajo filloi si protestë qytetare, është protestë qytetare dhe ne e respektojmë.
Mund të thotë kush, po çfarë i bënë atë Edi Ramës?
Ua them unë se çfarë i bënë Edi Ramës.
Në qoftë se ka një protestë që e ka zvarritur atë bulevardit për së gjalli çdo natë, është ajo protestë qytetare.
Po, po, e ka bërë njeriun më të urryer jo vetëm në Shqipëri, por më të urryerin në Evropë dhe më gjerë sepse fibra qytetare e pastër interesi qytetar, ai nuk e merr më kurrë veten ndaj dhe ne çdo demokrate e demokrat, do të shkojë aty me fibrën qytetare.
Ato parulla, slogane që një grup armiqsh tanë, opozitë e opozitës, nuk mund të na pengojnë ne kurrë të lëshojmë sheshin se ne jemi njerëzit e sheshit.
Ne kur vjen puna jemi burrat dhe gratë e sheshit dhe nuk e lëshojmë kurrë protestën.
Kërkesat e tyre janë identike me kërkesat tona.
Ne protestojmë dhe mbrojmë ato kërkesa.
Edhe njëherë dua t’u përgëzoj për ringritjen, për ripërtëritjen e fuqishme të PD.
Ftoj demokratët e të gjitha degëve të Shqipërisë të marrin shembull dhe të frymëzohen nga dega e Krujës, drejtuesit e saj.


