Berisha nga Kavaja: Me 5 nëntor iu shtyp koka Sorosit në Uashington, me 11 maj do i shtypet koka Sorosit të Tiranës

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË KAVAJË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, prezantimit të kandidatëve të PD-ASHM në qytetin e Kavajës, falënderoi qytetarët për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Partisë Demokratike dhe demokracisë shqiptare. Berisha e cilësoi Kavajën si qytetin që i pari përmbysi diktaturën komuniste dhe që sipas tij do të përmbysë edhe “narkodiktaturën” e Edi Ramës.

Në këtë takim entuziast, kryetari i PD, Sali Berisha theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare, duke përmendur praninë në takim të figurave të rëndësishme nga Internacionalja Demokristiane e Qendrës (CDI), si Elmar Brok, Antonio López-Istúriz Ëhite dhe përfaqësues nga Suedia dhe Venezuela. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për presidentin e CDI-së, Andrés Pastrana Arango, për etiketimin e regjimit të Ramës si “narkodiktaturë”.

Lideri historik i PD, Sali Berisha akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Rama dhe aleatët e tij, duke i cilësuar ata si pjesë e një bande kriminale shqiptare dhe ndërkombëtare. Berisha shprehu besimin në fitoren e afërt të PD-së, duke përmendur frymën pozitive që kishte ndjerë në jug të vendit gjatë një turi dy-ditor.

Lideri Opozitar, Sali Berisha, në vijim të fushatës në Kavajë, e paraqiti programin e PD-ASHM si një mision të vërtetë kombëtar për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Berisha theksoi se shkaku i të gjitha problemeve që kanë goditur vendin gjatë 12 viteve të fundit është Edi Rama dhe organizata e tij kriminale, që sipas tij vjedh përditë buxhetin, pasuritë publike dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptarë. Berisha deklaroi se çdo ditë e më shumë qytetarët po e përqafojnë programin e PD-së, i cili synon t’u kthejë shqiptarëve dinjitetin dhe mundësinë për një jetë më të mirë.

Programi i PD-së parashikon zhdukjen e varfërisë ekstreme brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re, një minimum prej 200 eurosh për pensionet, ndihmën ekonomike dhe bursat për studentët, pagë minimale prej 500 eurosh, uljen e çmimit të energjisë elektrike në 7 lek për qytetarët dhe në 6 lek për bizneset, përgjysmimin e tarifave të ujit dhe një paketë lehtësuese për biznesin përmes uljes së taksave, reduktimit të gjobave dhe çlirimit nga inspektoratet, deklaroi Kryetari i PD.

Berisha e cilësoi këtë program si një projekt gjithëpërfshirës dhe jo thjesht të një partie, por si një rrugë për shpëtimin e Shqipërisë nga spirali i varfërisë, emigracionit dhe keqqeverisjes që po e shkatërron vendin çdo ditë e më shumë.

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalimit në Kavajë, deklaroi se Partia Demokratike është e vetmja forcë që mund ta çojë Shqipërinë në BE, pasi, sipas tij, në Europë nuk shkohet me krim, korrupsion dhe mjerim, por me shtet ligjor dhe dinjitet njerëzor. Ai premtoi mbështetje të madhe për të rinjtë – heqje të mesatares për universitet, 30 mijë euro për strehim, 0 taksa për 5 vite dhe mbështetje për startupe.

Berisha foli edhe për pesëfishim të subvencioneve për fermerët, dyfishim të buxhetit të shëndetësisë dhe listë barnash të barabartë me Italinë. Ai e quajti këtë program rrugën për rikthimin e shpresës dhe fitoren e Shqipërisë.

Kryetar i PD, Sali Berisha, sulmoi ashpër kryeministrin Rama dhe e akuzoi për mungesë rezultatesh gjatë 12 viteve në pushtet, duke e quajtur fushatën e tij një tentativë qesharake për të përçarë familjen shqiptare. Berisha theksoi se Partia Demokratike është partia e familjes, traditës dhe dinjitetit njerëzor, duke e quajtur 11 majin një ditë historike ku, do t’i “shtypet koka Sorosit të Tiranës”, ashtu siç ndodhi me Sorosin në Uashington më 5 nëntor. Berisha tha se ekstremi i majtë do të përfundojë në “katakombet e historisë” dhe se Shqipëria do të nisë një kapitull të ri me Kavajën si shembull të ndryshimit.

FJALA E PLOTË

Qytetarë dhe qytetare të Kavajës, burra dhe gra, djem e vajza të lirisë, qytetarë të fitores, mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin tim më të madh për ju.

Demokrate e demokratë, për mbarë popullin e Kavajës, për kavajasit kudo që janë sot, në Shqipëri, diasporë dhe kudo që ndodhen.

Kam ardhur në qytetin tuaj të bekuar, ju kam takuar ju, njerëz të nderuar, qytetarë të nderuar, me dhjetëra e qindra herë. Por sonte kam kënaqësinë më të madhe se në çdo takim tjetër që kemi patur së bashku, sepse sonte kemi në Kavajë, miq të mëdhenj, miq të çmuar të Partisë Demokratike dhe të demokracisë shqiptare, që në ditët e para të tyre e gjer sot.

Miqtë e mi, sonte këtu me ne, kemi zv/presidentin e Internacionales Demokristiane të Qendrës, mikun e madh të demokracisë shqiptare dhe të shqiptarëve, Elmar Brok, i cili ka mbështetur në momente kritike Partinë Demokratike dhe demokracinë shqiptare dhe është sot këtu për të mbështetur përsëri në këtë betejë epike, vendimtare tonën ndaj narkodiktaturës dhe triumfin e demokracisë.

Kam nder dhe kënaqësi që jam sot këtu me të nderuarin Antonio López-Istúriz Ëhite, Sekretari Ekzekutiv i e Internacionales Demokristiane të Qendrës, dhe deputet në Parlamentin Europian.

Antonio López-Istúriz Ëhite, është një mik i madh, i shquar dhe i kahershëm i PD-së. Prania e tij sot këtu, njëlloj si në 2005 lajmëron fitoren tonë me 11 maj.

Një mirënjohje të veçantë kam për zonjën 3. Angelika Lang, Ombudsman në Stockholm, Suedi. Marrëdhëniet tona me partinë simotër suedeze, kanë qenë dhe mbeten të shkëlqyera. Mbështetja e tyre për ne këtë fushatë është e një rëndësie të madhe cilësore.

Miqtë e mi!

Ne jemi shumë të nderuar nga prania e miqve tanë nga Venezuela që luftojnë prej vitesh diktaturën e Maduros. Mary Ponte, sekretare primare e partisë ‘Drejtësia e Para’ e Venezuelës.

Si dhe të dashurit Luiz dhe Tereza nga CDI.

Miq, këta miq të nderuar e kanë nderuar Kavajën. Por dhe ju, qytetare dhe qytetarë të Kavajës, keni nderuar njerëz të lirë, keni nderuar lirinë, vlerat virtytet e njerëzve të lirë në Shqipëri dhe në mbarë botën dhe meritoni plotësisht nderimin dhe respektin e tyre.

Ftoj shqiptarët të mos harrojnë se sot paradite në Velipojë, Edi Ramën e shoqëronte Pëllumb Gjoka dhe Charles McGonigal.

E shoqëronte Saimir Tahiri, Lefter Koka, Alqi Bllako, Erion Veliaj. E shoqëronin pra një bandë e vërtetë shqiptare e ndërkombëtare. Edi Rama të ardhme nuk ka.

Miqtë e mi!

Dy javë na ndajnë nga dita e fitores, dita e triumfit. Unë po vij nga tur dy ditor në jug dhe kudo në sheshet e qyteteve, në brigjet në fshatra, frynte erë e fitores, erë e triumfit. Jugu më i vendosur se kurrë, më entuziast se kurrë për tu ndarë me të keqen që e ka emrin Edi Rama.

Por Kavaja është përsëri, përsëri qyteti i cili përmbysi i pari diktaturën komuniste dhe do të përmbysë i pari narkodiktaturën.

Më lejoni në emër tuaj, ti përcjellim presidentit të CDI-së, ish-presidentit të Meksikës, Andrés Pastrana Arango, nderimet më të mëdha, përshëndëtjet më të përzemërta.

Nën drejtimin e tij, CDI-ja do të ishte institucioni i parë madhor, grupon 110 parti politike të qendrës së djathtë të mbarë botës.

Do të ishte institucioni i parë ndërkombëtar që do të damkoste, regjimin e Tiranës, regjimin e Edi Ramës si narkodiktaturë dhe kjo ishte mbështetje e jashtëzakonshme për ne.

Miq!

Kjo fushatë çdo minutë dhe çdo ditë bën të qartë për çdo shqiptar se, shkaku i problemeve të mëdha, se shkaku i varfërimit dhe mjerimit të frikshëm të shqiparëve në 12 vite, se shkaku i largimit të shqiptarëve nga Shqipëria, se shkaku i rrënimit të sistemit shëndetësor, sistemi arsimor, është një dhe vetëm një, është Edi Rama, organizata e tij kriminale, që vjedh çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, shqiptarët, buxhetin, fondet, pasuritë e tyre publike.

Çdo ditë, çdo orë shqiptarët po përqafojnë më shumë programin e PD-së, programi që garanton shqiptarët se, do krijojë një mundësi të re për çdo qytetar.

Programi që garanton qytetarët se varfërinë ekstreme do ta zhdukë në 100 ditët e para nga Shqipëria.

Se nuk do të ketë pension ndën 200 euro, se nuk do të ketë ndihmë ekonomike ndën 200 euro, se nuk do të ketë bursë studenti ndën 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale ndën 500 euro, se do ulë çmimin e energjisë në 7 lek për qytetarët, do përgjysmojë tarifat e ujit, do të japë kartën e konsumatorit për të gjithë pensionistët dhe rrogëultit.

Garanton sipërmarrësit e Kavajës, bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha, se përgjysmimi i taksave, se ulja e çmimit të energjisë në 6 lek nga 18, se përgjysmimi i tarifës së ujit se, çlirimi i tyre nga inspektoratet dhe gjoba janë zotimet tona solemne.

Pra ky program është program për çdo shqiptar, nuk është program i një partie. Është program i një misioni të vërtetë për të nxjerrë Shqipërinë nga ky spiral, nga këto labirinte që po e shkretojnë atë çdo ditë e më shumë.

Miqtë e mi!

Dy javë kanë mbetur, këto dy javë janë një kushtrim, janë një thirrje për çdo të ri dhe të re të Kavajës, të bëjmë përpjeket tona për të bindur çdo bashkëmoshatar, sepse qëllimi më i fuqishëm i këtij programi është t’i rikthejmë Shqipërisë rininë e saj.

Të sjellim kombim në moshën e rinisë dhe garantoj çdo të ri e të re, se mesatarja do hiqet, se dyert e universiteteve do jenë të hapura, se shkollimi dhe punësimi i tyre, qeveria do paguajë sigurimet shoqërore tek sipërmarrësit për çdo të ri të punësuar, 1 vit.

Trajnimin e tyre.

Një çati për çdo çift të ri. Qeveria do japë një grant 30 mijë euro në mënyre që të paguhet kredia.

Do bëjmë gjithçka të rikthejmë nga emigracioni vëllezërit dhe motrat tona.

5 vjet asnjë taksë. Kredi të buta për strehimin. Startupet e tyre do të mbështeten fuqishëm.

Pra miq, është program për çdo shqiptar.

Fermerët e Kavajës dhe Shqipërisë do të njohin 5-fishimin e subvencioneve për ta. Garantoj se për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan, për çdo kokë bagëti, do marrin 5-fishin e atyre që marrin sot.

Suksesi i fermave tona, suksesi i sipërmarrjeve tona, ‘Made in Albania’ është krenaria jonë.

Miqtë e mi.

Ka patur edhe të tjerë diktatorë, por narkodiktator më të pashpirt për qytetarët se Edi Rama, nuk ka patur.

Ju e dëgjuat, 3 muaj më parë deklaroi se, në spitalin onkologjik po kryhen krime kundër njerëzimit. A e dini ju sot, pas 3 muajsh situata është dy herë më dramatike.

Sepse ai e ka mendjen tek luksi i tij.

E ka mendjen tek pasurimi i tij dhe i njerëzve të tij.

E ka mendjen tek plaçkitja e shqiptarëve.

Garantoj çdo qytetar të Kavajës dhe Shqipërisë se, buxheti i shëndetësisë do të dyfishohet. Se lista e ilaçeve të rimbursueshme do të jetë identike me atë të Republikës Italiane.

Se në territorin e Shqipërisë nuk do të tregtohen ilaçe që nuk shiten në dy vende anëtare të BE-së.

Miq, në Europë nuk shkohet me mjerim.

Në Europë nuk shkohet me krim.

Në Europë nuk shkohet me korrupsion.

Në Europë shkohet me shtetin ligjor, me respektin e lirive dhe të drejtave njerëzore.

Me respektimin e dinjitetit njerëzor.

Në Europë shkohet duke rritur mirëqënien e qytetarëve shqiptare dhe jo duke e plaçkitur atë.

Ka një forcë politike e faktuar dhe e provuar, lokomotivë e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Shqipërisë dhe kjo është partia juaj, Partia Demokratike, ky është koalicioni ynë, Koalicioni për Shqipërinë Madhështore, koalicioni për Shqipërinë e fitores.

Hidhni një sy në krahun tjetër.

Çfarë ndodh, çfarë bën. Ka qeverisur 12 vite, nuk ka një rekord për të paraqitur para jush, se edhe atë që ka realizuar ka vjedhur 9 me 1 dhe se thotë dot.

Nuk ka një rekord dhe përpiqet ta kalojë me batuta.

Dhe tani, tani me mantrën e dezintegrimit të familjes, me sulmin kundër familjes, përpiqet tyë grabisë vota.

Ne jemi parti konservatore, parti e traditës, parti e familjes, parti e dashurisë për vendin, e respektit për dinjitetin njerëzor ndaj dhe për ne familja është dhe do mbetet, sa tokësore aq dhe hyjnore.

Dhe i them Edi Ramës se përpjekjet tuaja qesharake, banale, të padenja për të krijuar skeçe gratë kundër burrave, burrat kundër grave janë turpi i dheut, janë turpi yt.

Nënat, motrat, gratë shqiptare janë fisnike, ato së bashku me bashkëshortët, djemtë, vëllezërit i kanë dhënë kombit gjënë më madhështore, familjen e vet.

Ndaj dhe ju garantoj se me 11 maj Edi Rama i shtypet koka dhe bishti në Shqipëri.

Me 5 nëntor iu shtyp Sorosit në Uashington, me 11 maj Sorosit të Tiranës do i shtypet koka. Dhe ekstremi i majtë, i mbuluar, i maskuar me etiketa të ndryshme do të përfundojë në katakombet e historisë.

Përsëri, Shqipëria në shembullin e Kavajës do të ngrihet fuqishëm në një fillim të ri, në një udhëtim të ri drejt të ardhmes, drejt rinisë së kombit shqiptar, drejt Europës.

Rroftë Kavaja, rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale