FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E RIPËRTËRITJES DIBËR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi këtë të martë Foltoren e Ripërtëritjes në Dibër, ku prezantoi disa nga zotimet e opozitës për përballimin e problematikave ekonomike dhe sociale me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë. Në fjalën e tij, Berisha u ndal te varfëria, pensionet e ulëta, vështirësitë për blerjen e ilaçeve, mbyllja e vendeve të punës dhe largimi i shqiptarëve nga vendi.
Lideri demokrat deklaroi se, kur Partia Demokratike të vijë në pushtet, në javën e parë do të vendosë minimumin jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar. Ai premtoi gjithashtu dyfishimin e pagave dhe pensioneve, duke theksuar se këto masa do të jenë pjesë e një programi për nxjerrjen e vendit nga ajo që e cilësoi si emergjencë ekonomike dhe sociale.
Berisha kritikoi me tone të ashpra nivelin e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, duke u ndalur te vështirësitë që përballojnë pensionistët dhe familjet në nevojë për të siguruar ushqimet dhe ilaçet. Ai solli edhe shembuj nga përvoja e tij, për të argumentuar se pamundësia ekonomike për të përballuar trajtimin mjekësor po prek një pjesë të qytetarëve.
Një tjetër çështje e trajtuar gjatë fjalës së tij ishte situata ekonomike dhe ndikimi i forcimit të lekut në sektorët prodhues dhe eksportues. Berisha theksoi se forcimi i lekut ndaj euros dhe dollarit po vështirëson aktivitetin e bizneseve eksportuese, ndërsa paralajmëroi për mbylljen e vendeve të punës në industrinë e tekstileve, këpucëve dhe fasonerisë.
Sipas liderit të opozitës, vështirësitë e sipërmarrjeve eksportuese po ndikojnë drejtpërdrejt te punësimi dhe të ardhurat e familjeve shqiptare. Ai akuzoi qeverinë për keqmenaxhim ekonomik dhe korrupsion, duke argumentuar se të ardhurat publike nuk po përkthehen në përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.
Berisha u ndal edhe te largimi i shqiptarëve dhe rënia e lindshmërisë, duke e cilësuar shpopullimin si një nga sfidat më të rënda të vendit. Sipas tij, mungesa e mundësive për punësim, vështirësitë për të përballuar kostot e jetesës dhe pamundësia e të rinjve për të krijuar familje po i shtyjnë ata të kërkojnë një të ardhme jashtë Shqipërisë.
Në këtë kontekst, kreu i PD-së theksoi se ripërtëritja e vendit duhet të nisë nga përmirësimi i kushteve ekonomike dhe nga një qasje e re ndaj qytetarëve. Ai u shpreh se rritja ekonomike duhet të përkthehet në paga dhe pensione më të larta, shërbime shëndetësore më të mira dhe arsim cilësor.
Përveç çështjeve ekonomike, Berisha foli edhe për nevojën e ripërtëritjes së Partisë Demokratike. Ai kërkoi ndryshime në qëndrimet, funksionimin dhe përbërjen e strukturave të partisë, duke bërë thirrje për përfshirjen e më shumë të rinjve, grave dhe vajzave. Sipas tij, PD duhet të ndërtojë një vizion të ri për Shqipërinë, duke u përqendruar te problemet konkrete të qytetarëve dhe duke bashkuar kontributet e demokratëve ndër vite me energjinë e brezave të rinj.
Gjatë fjalës së tij në Dibër, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi edhe për protestën e studentëve dhe përplasjet me policinë e regjistruara gjatë ditës së sotme, duke e cilësuar qëndresën e të rinjve si një përballje të fortë me qeverinë Rama.
Kreu i opozitës akuzoi kryeministrin për drejtimin e një regjimi që po vepron kundër interesave të shqiptarëve.
Berisha deklaroi gjithashtu se Rama ndodhet në fazën e fundit të regjimit të tij, duke e paraqitur qëndresën e studentëve si një tjetër shenjë të kundërshtimit ndaj qeverisë.

FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të qarkut të Dibrës, dibrane e dibranë, matjane e matjanë, bulqizake e bulqizakë, një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufishme ndaj jush sot në këtë sallë dhe kudo që ndodheni në këtë qark, në Shqipëri dhe kudo në botë.
I dashur zoti Xhelal Mziu, udhëheqës politik i qarkut, të dashur kryetarë të degëve të PD, Peshkopi, Bulqizë dhe Mat, të dashur deputetë të qarkut të Matit, Denisa dhe Xhelal, të dashur miq. Jam sot në këtë foltore para jush për të diskutuar me ju lidhur me misionin tonë të madh, misionin tonë të ri.
Misioni ynë i madh, misioni ynë i ri është ripërtëritja e Shqipërisë.
Shqipëria rrallë ndonjëherë në histori është rrokullisur siç është rrokullisur këto 14 vite.
Kurrë ndonjëherë nga vitet 1300 të murtajës së zezë dhe gjer sot, trojet tona në Shqipëri nuk janë pakësuar nga shqiptarët me një shpejtësi të tillë sa këto 10 vite.
Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur në asnjë pushtim, në asnjë luftë që lindshmëria, fëmijët që lindin në një vit, të jenë të njejtë me ata që lindnin 100 vite më parë.
Por, rrallë ndonjëherë ka ndodhur që qindra mijëra shqiptarë të përballen me skamjen e egër.
Në vitin 1986 kam ardhur në këtë qytet të bekuar. Kam punuar tre muaj në spital dhe ndonjëherë me kolegët shkonim në ndonjë fshat përreth për ndonjë të sëmurë.
Një ditë do dilte nga spitali një nga të sëmurët që ishim kujdesur për të. I bëra recetën gati dhe u ula pranë shtratit të tij që t’i shpjegoja ilaçet. Kushtonin gjithsej 12 qindarka. Ai ishte me hipertension. Ia shpjegova. Burrë fisnik, nuk e mori recetën.
Doktor, më tha, faleminderit shumë, por nuk e marr.
Pse, i thashë unë, 12 qindarka janë.
Unë 15 qindarka marr ditën e punës dhe me to duhet të blej bukën bashkë me shoqen time, gruan që kam në shtëpi. Ndaj dhe nuk e marr.
Ajo në fakt më tronditi shumë.
Por absolutisht sot në shumë e shumë, në qindra e mijëra raste është pothuaj e njëjta situatë.
Si? Sot mbi 460 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme.
Por çfarë do të thotë pension i pjesshëm?
Pension i pjesshëm do të thotë 6 mijë lekë, 8 mijë lekë, 9 mijë lekë më pak.
Mijëra e mijëra të tjerë marrin 3 mijë lekë ndihmë ekonomike.
Tani të shkojmë pak pranë tij. Çfarë mund të bëjë ai me 3 mijë lekë ndihmë ekonomike?
Ai mund të blejë një javë, maksimumi dy ushqim. Asnjë ilaç, njëlloj si i sëmuri im në vitin 1986 në kulmin e kooperativizmit që nuk i merrte dot ilaçet.
Edhe pensionisti sot nuk i merr dot ilaçet.
Çfarë ndodh? Mbetet pa mjekim. Në mënyrë mizore i kanë hequr një pjesë të mirë të ilaçeve më të zakonshme për ta nga rimbursimi.
Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që ai nuk i blen dot.
E tregova disa herë, një mik ka qenë person i shquar në fushën e vet dhe ka një pension nga më të mirat, por thotë shkova në farmaci dhe desha të blej ilaçin që të hollon gjakun. Farmacistja më tha që është hequr nga rimbursimi. Bëra hesapin, ai ilaç po ta merrja më kushtonte tre muaj pensionin.
Ai ka pension të lartë, por një pension i zakonshëm, shtatë muaj pension.
Ja ku jemi pra, shndërruar në një mënyrë ose në një tjetër në një spital të madh dhimbjesh njerëzore.
Sot varfëria, skamja troket në mbi gjysmën e vatrave të shqiptarëve.
Një çift i ri, për të rritur fëmijën e parë, duhet t’i kushtojë atij 60 përqind të rrogës.
Një çift i ri, për të blerë një apartament, e ka mollë të ndaluar, nuk e blen dot.
Të gjitha këto bëjnë që ne të ikim nga ky vend, ndonëse ua them me bindjen më të madhe vend me pasuri përrallore si Shqipëria nuk ka.
Por vend që plaçkitet në mënyrën më të pamëshirë nga këta qeveritarë dhe që e katandisin shqiptarin të numërojë kafshatën.
E katandisin qytetarin të mos marrë ilaçin.
E katandisin të riun të mos shohë asnjë mundësi të ndërtojë ëndrrën e tij në Dibër as në Shqipëri, por ta marrë atë rrugëve të botës.
Dje vjen një lajm më i habitshmi që mund të dëgjohej. Leku shqiptar në raport me euron dhe dollarin, krahasuar me 40 monedhat kryesore të botës, rezulton numri 1, më i forti, më i fuqishmi.
Por kjo në vend që të ishte ogur i bardhë dhe krenari për çdo shqiptar është ogur i zi dhe ndëshkim për çdo shqiptar.
Si ndodhi që leku del më i fortë se monedhë tjetër?
Se dollari amerikan, se euro evropiane, se frangu i Zvicrës.
Çfarë ndodhi?
Jo miq, kjo është fortësi e rreme.
Po pse është e rreme dhe pse është fatkeqësi?
Sepse asnjë shqiptar sot me 100 lekë nuk blen dot kurrë ato që merrte 10 vjet më parë. Jo, përkundrazi merr të paktën 40-50 përqind më pak sepse çmimet janë rritur me shpejtësi.
Po atëherë çfarë po ndodh me këtë simbol kombëtar?
Po, kriminelët, trafikantët, kartelet fusin me kontejner, me autobus, me të gjitha mjetet narkoeurot e tyre, i nxjerrin në treg, blejnë lekun se do bëjnë investime dhe cilat janë pasojat?
Pasojat janë shkatërrimtare për ekonominë.
Fermeri i Dibrës që shet mollën jashtë, e shet me euro, por të gjitha shërbimet ia bën me lekë.
Çfarë do të thotë? Do të thotë që i rriten shërbimet të paktën me 30 gjer në 40 për qind, sepse ai eurot do i konvertojë në lekë për të paguar shpenzimet.
Çfarë ka ndodhur miq?
Me mijëra e mijëra, dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilët punonin në sipërmarrjet me fason për prodhim të këpucëve dhe veshjeve dhe ai ishte prodhimi kryesor, në vitin 2013 ne arritëm të jemi vendi i tetë në botë për prodhimin e këpucëve. Arritëm të jemi eksportues qumështi, vezësh. Arritëm disa gjëra, nuk po them se arritëm shumë, por disa gjëra i arritëm.
Kurse tani shpunësim masiv.
Ndërmarrjet e eksportit të tekstileve, të këpucëve dhe çdo eksport tjetër në falimentim njëra pas tjetrës.
Qindra mijëra vende pune asgjësohen dhe shqiptarët marrin rrugët e dheut.
Në vitin 2017, kur SHISH dorëzoi një raport ku thoshte se, në mbjelljen e kanabisit morën pjesë 120 oficerë madhorë policie, pa llogaritur policët e thjeshtë, me mijëra, atëherë kam denoncuar para jush dhe botës narkoshtetin shqiptar.
Se po ta mori droga policinë, i mori edhe aeroportet e ushtrisë niseshin avionët, natyrisht shtetin e kishte marrë droga.
Sigurisht që, kjo pati mospëlqim të madh.
Por unë kam mbetur dhe do të qëndroj gjithmonë skllav i interesit kombëtar të shqiptarëve. Do e mbroj atë, nuk ka gjë në botë që më heq mua nga kjo.
Në atë kohë, të jemi të sinqertë, nuk kishte pasoja të qarta ekonomike.
Por ato pasoja erdhën sot dhe janë të tmerrshme.
Më tregonte një deputete sot, isha në Shkodër tek një fason, kishte pasur 200 punëtorë, kishte gjithsej 30 punëtorë.
Nga Vermoshi në Pogon dhe Kakavijë, Shqipëria është një vend me një florë të jashtëzakonshme, më të larmishmen, më të pasurën në Evropë, me bimë mjekësore nga më të kushtueshmet, të të gjitha llojet.
Ato ishin një eksport, por në radhë të parë me dhjetëra mijëra fermerë siguronin një rrogë, dy rroga, tre rroga në kohën e tyre me mbledhjen e tyre.
Çfarë ndodhi?
Me rrënimin e dollarit dhe të euros, falimentim masiv dhe përparësi të madhe merr Serbia.
Duhet të themi të vërtetën. Ka një regjim autokratik gangsterësh, por nuk është një narkoshtet si narkoshteti i Edi Ramës. Jo. Atje eksportet funksionojnë. Vendet e punës janë. Në Shqipëri, masivisht.
Pra mund të vazhdoj me një listë të gjatë të problemeve të mëdha dhe të rënda me të cilat përballet Shqipëria, por mbi të gjitha me të cilat përballet qytetari shqiptar, që sot konsiderohet statistikë. Konsiderohet numër dhe jo njeri me univers të drejtash, me univers kërkesash dhe problemesh.
Këtu duhet të ndalemi ne.
Ne kemi një të shkuar. Në atë të shkuar, çdo shqiptar gjen disa arritje të mëdha, të pamohueshme, të rëndësishme. Por asnjë shqiptar nuk do ta votojë ne për ato arritje. Jo. Ato janë në muzeum. Shqiptarët do na votojnë ne për vizionin që do u paraqesim për ta ripërtërirë Shqipërinë.
Dhe këtë ripërtëritje ne do ta nisim pikërisht me një ndryshim rrënjësor në qëndrimin tonë ndaj qytetarit, ndaj halleve, problemeve, vuajtjeve, sakrificave, mungesave të tij.
Ne duhet të përmbysim një qëndrim çnjerëzor që varfërinë e quan paaftësi. Që padrejtësinë e shikon me indiferencë ndaj qytetarit. Që i përvetëson atij fonde e pasuri sikur të ishte një kolonialist.
Ne, me programin tonë, me sugjerimet tuaja, me propozimet tuaja, zotohemi se Shqipërisë në emergjencë do t’i bëjmë terapinë emergjente.
Do t’i japim asaj të gjitha zgjidhjet për ta nxjerrë së pari nga emergjenca, nga vuajtjet, nga dhimbja, nga mospasja.
A është e mundur kjo? Plotësisht. 100 përqind.
Javën e parë do vendoset që çdo shqiptar do marrë 200 euro minimumin jetik, se do rritet edhe më shumë.
Po, nuk mund të jetë kurrë problem kafshata. Është krim. Është krim shtetëror që qytetarët e këtij vendi të kenë problem kafshatën e gojës.
Nuk mund të ketë kurrë problem për ilaçet. Është krim shtetëror që qytetarit në spital apo jashtë t’i mungojnë ilaçet.
U garantoj se kjo nuk mund të ndodhë më.
Një qëndrim për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve si kusht për ta nxjerrë Shqipërinë nga emergjenca.
Po ku do merren këto para?
Këto para të gjitha janë.
Edhe njëherë, nuk kam asnjë dëshirë të flas për të shkuarën, por po u them këtu, ne kemi pasur nivelet e taksave 50 përqind më të ulëta se ne besojmë se taksat e ulëta janë rruga më e drejtë për të rimëkëmbur shqiptarët.
Ky mburret dhe thotë se mbledh 8 miliardë. Jo, ne mblidhnim 3.8 gjer 4 miliardë, të tjerat ua linim, nuk ua merrnim.
Por me ato 3.8 deri 4 miliardë ne dyfishuam rrogat dhe pensionet.
Por me ato 3.8 deri 4 miliardë ne ndërtuam 11 mijë e 300 kilometra rrugë në mbarë vendin.
Me ato 3.8 deri 4 miliardë në vit ne ndërtuam mbi 1300 shkolla dhe objekte arsimore.
Ne sollëm Shqipërinë në moshën dixhitale.
Pse po i them këto? Edhe njëherë, janë të shkuara, janë në muzeum, por po i them këto për t’u garantuar se paratë janë dhe pa asnjë lloj vështirësie.
Ka një kusht, të mos vidhen në mënyrë të tmerrshme siç vidhen sot.
Ka një kusht, të mos ndahen brenda një grupi hajdutësh të pamëshirë, të pashpirt që urrejnë të varfrit, që urrejnë njerëzit.
Dhe këtu qëndrojmë.
Nga të gjitha këto, për ju dhe çdo shqiptar kërkoj një mirëkuptim.
Do t’i hidhni një sy një publikimi në vitin 2012 të njërit prej grupeve më prestigjioze në botë, Boston Counsulting Group.
Ata kanë studiuar në 150 vende shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët.
Se po të dëgjosh, thuhet se ka rritje ekonomike, po kujt i shkon ajo? Kush e merr këtë rritje ekonomike?
E marrin 15 oligarkë apo ajo shpërndahet mbi bazën e drejtësisë sociale për qytetarët.
Ky studim gjeti se Shqipëria renditej e katërta në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët.
U them unë ju, miqtë e mi, demokrate e demokratë, kjo ka qenë arritja e jetës sonë, më e madhja sepse kjo është më njerëzorja.
Dhe u siguroj se sa herë PD të jetë në pushtet, ajo këtë rrugë do ndjekë. Ajo këtë praktikë do ndjekë. Ajo rritjen ekonomike, çka do të thotë të mirat e krijuara nga qytetarët shqiptarë, do i kthejë në të mira për ato.
Pse ne dolëm të katërtit në botë?
Nuk ishim ne një qeveri e majtë, jo. Nuk kishim shpallur programe ta majta, jo, ne jemi qeveri e djathtë. Pikë.
Por ne arritëm të katërtit në botë sepse ne kishim një parim edhe ekonomik, por dhe njerëzor. Edhe social, edhe të drejtë. Ky parim ishte t’u kthejmë qytetarëve taksat e tyre. T’u kthejmë qytetarëve rritjen ekonomike të vendit.
Dhe ne e bëmë këtë.
Dhe ne do e bëjmë këtë sa herë të jemi në pushtet.
Dhe unë u garantoj ju, e garantoj çdo shqiptar se për ne ripërtëritja e Shqipërisë synon para së gjithash dhe mbi të gjitha shndërrimin në rroga, pensione, shërbime, arsim cilësor, shëndetësi të të ardhurave të tyre, të pasurive të tyre publike.
Nuk mund të ndalesh në katastrofën demografike që pësoi Shqipëria.
Është thirrje dhe kushtrim për çdo shqiptar.
Në qoftë se, ndonjëherë ky vend ka pasur një kushtrim nga thellësitë e shpirtit është ky sepse ky regjim po e shfaros, por e zbraz Shqipërinë nga shqiptarët më shumë se sa platforma e Çubrilloviçit.
Atëherë? Duhet pra, të angazhohemi.
Duhet të vendosim të ndahemi me të keqen.
Por unë jam këtu edhe në një moment të veçantë.
Tani çdo krahinë ka anët pozitive të vetat, ka të metat e veta.
Por dy gjëra ju nuk mund t’u qortojë kush kurrë. Më punëtorë se ju shqiptarë të tjerë nuk ka, jo.
Por edhe më të mençur se ju, në fakt të paktë janë. Ose nuk ka.
Nuk e harroj kurrë, ua kam treguar edhe herë tjetër. Pata njohur në vitet ’90 një nga njerëzit më inteligjentë që kam takuar në jetë.
Ai ishte një ish-ministër në shtatë qeveri britanike, Xhulian Emerih, një mik i madh i kombit, i cili gjatë luftës që nga fillimi i saj dhe gjer në fund kishte qëndruar në Shqipëri, kishte qëndruar shumë kohë në Dibër.
Dhe një ditë po bisedoja me të, punë historie, punë të ndryshme, ra problemi tek oda.
I thashë unë, në shkolla nuk kemi pasur, por kemi pasur odat.
Më thotë, Sali, oda e Dibrës ka qenë universiteti më i madh për mua. Për atë.
Dhe ky zotëri që ishte dhëndri i ish-kryeministrit britanik, kishte mbaruar kolegjin më të mirë të Kembrixhit.
Tani vjen një shkarravitës, të cilin me të drejtë një kritik arti në Venecia i thotë që vizatimet e tij ishin të një adoleshenti të droguar dhe u thotë dibranëve se jeni çyrykë.
Tani, jo ik, por qërohu.
Ndaj edhe këtu, vjen koha t’i kthejmë restin atij ne.
Sot, studentët bënë një përballje epike me falangat e tij.
Ai është në kohërat e fundit të regjimit të tij antishqiptar.
Ndaj dhe PD, në emër të interesave më jetike të këtij vendi, të emergjencës dhe ripërtëritjes emergjente të saj, duhet të ndërmarrë ripërtëritjen e saj.
Të gjithë ata që qëndruan në kushte shumë të vështira janë heronjtë e mi. Absolutisht.
Por sot kërkohet që krahas tyre të bashkohen vlera të tjera të shumta, të rinj, gra, vajza në mënyrë që t’i japim duart kësaj të keqe të madhe dhe të përpunojmë së bashku vizionin më të mirë për Shqipërinë.
Kuvendi i PD autorizon çdo demokrat, i kërkon çdo demokrati dhe demokrateje që motoja e tij të jetë ripërtëritja.
Dhe kjo moto është moto vetjake për çdo njeri, duke filluar nga kryetari i saj.
Ne duhet të shohim si duhet të ripërtërijmë qëndrimet tona.
Si të ripërtërijmë funksionin tonë.
Si të ripërtërijmë radhët tona.
Shqipëria nga ne pret dhe unë kam besimin më të madh se ne do i përgjigjemi me sukses këtyre kërkesave.
Rroftë Dibra, rroftë Shqipëria.


