Berisha nga Dibra: Në forumin e IDU-së, PD gjeti mbështetjen më të madhe për qëndresën tonë ndaj narkoregjimit. Ne nuk ndalemi gjer në fitoren tonë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E DIBRËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike mbajti ‘Foltoren’ e radhës këtë herë në Dibër, ku gjatë fjalës së tij, sulmoi ashpër qeverinë e Edi Ramës për abuzimet financiare, për qëndrimin ndaj Kosovës dhe për atë që ai e quajti ‘korruptim të gjuhës’ nga mediat e kontrolluara. Berisha u kthye nga forumi i IDU-së në Zagreb ku tha se PD gjeti ‘mbështetjen më të madhe ndërkombëtare ndonjëherë.’

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, gjatë takimeve në Forumin e IDU-së në Zagreb ku PD bashkë me Partinë Republikane mori pjesë me një delegacion si opozitë.  ‘Misionin tonë në Shqipëri e kemi të vështirë. E kemi të vështirë sepse aty ne ishim nga të paktët përfaqësues të një force politike në një vend në të cilin nuk bëhen zgjedhje, por farsë zgjedhore. Në një vend në të cilin kartelet e drogës bëjnë ligjin dhe vendosin ministrat dhe çdo gjë’, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së mbajtur para demokratëve dibranë, Berisha u shpreh se, qeveritarët ‘sillen si anëtarë të një organizate kriminale’, duke akuzuar për korrupsion të përhapur dhe varfërim të qytetarëve. Ai u shpreh se, këmbëngulja për të vazhduar betejën politike nuk do të ndalet, pavarësisht presioneve dhe izolimit të mëparshëm ndërkombëtar. ‘Ne qëndruam për të vërtetat e mëdha të këtij populli, Dhe sot jemi bërë zëri më i dëgjuar ndërkombëtarisht.’, theksoi Berisha. Ai theksoi se Partia Demokratike ka qenë e izoluar në të kaluarën, por sot, sipas tij, qëndrimet e saj janë mbështetur nga forcat e djathta në mbarë botën, të reflektuara në ‘8 rezoluta ndërkombëtare’.  

Lideri i demokratëve Sali Berisha ngriti akuza të forta për keqpërdorim të fondeve publike dhe përkeqësim të standardit të jetesës nga ana e kreut të qeverisë, Edi Rama dhe ish-zv/kryeministres Belinda Balluku. ‘Në 8 afera janë abuzuar 1.2 miliardë euro, ndërsa janë administruar 12 miliardë euro taksa.’ Gjatë fjalës, ai e krahasoi situatën aktuale me vitin 2013, duke pretenduar se atëherë shqiptarët ishin ndër më të paguarit në rajon, ndërsa sot kanë pagat dhe pensionet më të ulëta. ‘Sot shqiptarët janë njerëzit më keq të paguar në rajon, ndërsa çmimet janë ndër më të lartat në Evropë.’, tha Berisha.

Lideri i opozitës Sali Berisha lëshoi kritika edhe për mediat, që sipas tij, nuk kanë të bëjnë me sulmet personale ndaj tij, por me mungesën e verifikimit të deklaratave qeveritare. ‘Kur korruptohet gjuha, është fundi i lirisë. Fjala përdoret për të mos u thënë të vërtetën qytetarëve.’ Ai shtoi se në epokën e teknologjisë, verifikimi i fakteve është i menjëhershëm dhe mungesa e tij përbën dështim publik.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha i’a kushtoi  çështjes së marrëdhënieve me Kosovën. Berisha e akuzoi Edi Rama sui kryetradhëtar në lidhje me qëndrime që, sipas tij, dëmtojnë interesat kombëtare. Ai përmendi takime dhe iniciativat e Vuçiçit dhe Edi Ramës,  që sipas tij janë të rrezikshme për integritetin territorial të Kosovës dhe ndryshime kufijsh. ‘A ka njeri që mund të ketë shkelmuar në këtë mënyrë interesat e shqiptarëve më shumë se Edi Rama?’, u shpreh Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e mbylli fjalimin duke u bërë thirrje jo vetëm demokratëve, por edhe socialistëve të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë që të vënë atdheun mbi partinë.

‘U bëj thirrje socialistëve të Dibrës: mos harrojnë se para se të jenë socialistë, janë shqiptarë. Mos harrojnë se të parët e tyre s’kanë qenë socialistë, kanë qenë atdhetarë. Njeriu i qytetëruar është patriot. Njeriu i qytetëruar do vendin e tij, do kombin e tij, mbron interesat e vendit të tij, pavarësisht nga bindjet. Edi Rama kudo që shkon, shkon si armiku më i egër pas Enver Hoxhës i kombit shqiptar. Ne nuk tërhiqemi. Ne nuk mposhtemi. E faktuam. Dhe ky është kilometri i fundit.’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, demokratë e demokratë, qytetarë e qytetare të Dibrës në këtë sallë, dibranëve dhe dibranëve kudo që ndodhen sot në këtë rreth, në Shqipëri dhe në botë.

Një përshëndetje të përzemërt deputetit Xhelal Mziu, kryetarit të Partisë Demokratike, Jeton Kaloshi, deputetëve të qarkut të Dibrës dhe të gjithë ju miqtë e mi.

Vij sot tek ju, pas një udhëtimi në Zagreb, ku mora pjesë në forumin e Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë, forumi më i rëndësishëm politik i partive politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në botë, i cili drejtohet apo ka si frymëzues dhe drejtim kryesor Partinë Republikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ne si opozitë, misionin tonë në Shqipëri e kemi të vështirë. E kemi të vështirë sepse aty ne ishim nga të paktët përfaqësues të një force politike në një vend në të cilin nuk bëhen zgjedhje, por farsë zgjedhore.

Në një vend në të cilin kartelet e drogës bëjnë ligjin dhe vendosin ministrat dhe çdo gjë.

Në një vend në të cilin qeveritarët, kryeministri dhe qeveritarët e tij sillen si anëtarë të një organizate kriminale, vjedhin ditë e natë pa ndërprerje shqiptarët, i varfërojnë, i mjerojnë, e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm dhe i detyrojnë të largohen nga Shqipëria.

Por duhet t’ju them këtu se në atë forum, Partia Demokratike ka patur, gjetur, ka gjetur dhe gjeti mirëkuptimin dhe mbështetjen më të madhe.

Dhe kjo mbështetje, ky mirëkuptim është i një rëndësie të jashtëzakonshme për qëndresën tonë. Është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe për misionin tonë.

Misioni ynë është të themi të vërtetën shqiptarëve dhe miqve të shqiptarëve kudo në botë, pavarësisht nga çmimi, pavarësisht nga kostoja, të mbrojmë shqiptarët, të mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë, të mbrojmë interesat e Shqipërisë.

Të dashur miq!

Në rast se rikthehemi pak vite më parë, këtë rrugë që zgjodhëm në kushte të vështira, kjo rrugë na nxori me faqe të bardhë. Kjo rrugë që zgjodhëm, faktoi shqiptarëve dhe botës se ne, demokratët e Shqipërisë mbrojmë të vërtetat, sakrifikojmë për të vërtetat. Dhe e bëmë këtë në kohën kur ishim forca politike më e izoluar në planet. Nuk u lëkundëm, se kishim bindjen më të thellë se ne po mbronim interesat tuaja, interesat e qytetarëve shqiptarë, po mbronim të vërtetat tuaja, të vërtetat e Shqipërisë.

Dhe në një hark kohor të shkurtër, ato të vërteta që mbronim ne u bënë të mbrojtura nga forcat politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në mbarë botën. Në 8 rezoluta. Si asnjë forcë tjetër politike.

Ju garantoj se po të mos qëndronim ne në këmbë, edhe emri do na ishte harruar. As emrin s’do na e kujtonte kush se kemi ekzistuar. Por ne qëndruam për të vërtetat e mëdha të këtij populli, të këtij vendi. Dhe u bëmë sot zëri më i dëgjuar. U bëmë forca politike më e mbështetur.

U përballëm me mafien më të rrezikshme shqiptare dhe botërore. Po ja ku jemi. Të pamposhtur në misionin tonë. Sot, vetëdija për zhvillimet dramatike në Shqipëri është botërore.

Është mbarë kombëtare. Por sot kërkohet më shumë se kurrë nga ne në kilometrin e fundit, të qëndrojmë, të qëndrojmë, të qëndrojmë. Imagjinoni pak për një moment. Vetëm zhvillimet nga dhjetori gjerë sot.

Zhvillimet më poshtëruese për një komb. Zhvillimet më të turpshme, më antiqytetare. Një zv/kryeministre me kryeministrin kapen me dokumente, me dhjetëra, qindra dokumente se në 8 afera kanë plaçkitur, kanë abuzuar me 1.2 miliardë euro. Dhe këto janë vetëm 8 afera. Dhe mos harroni se ajo korbë e zezë e korrupsionit, Lubia, ka administruar 12 miliardë euro taksa tuaja.

Po sa janë 12 miliardë euro miq? 12 miliardë euro janë sa rrogat tuaja 12 herë më të mëdha, më e madhe. Janë 12-fishi i rrogave të përgjithshme të Shqipërisë. 12 miliardë euro. Ju garantoj se po të përdoreshin sipas ligjit, shqiptarët do kishin sot rroga jo 3, por 4 herë më të mëdha.

Ku janë sot shqiptarët? Janë njerëzit më keq të paguar.

Në 2013-ën ne u bëmë njerëzit më mirë të paguar në rajon. Nuk them në të pasurit, po më të paguarit. Dhe kjo ishte një arritje me të vërtetë e jashtëzakonshme për ne, që na kishte ndjekur varfëria në shekuj. Nuk u bëmë të pasur, të mkëmur.

Por me ato ritme kur dolëm të paguhemi më shumë se të gjithë banorët e vendeve përreth nesh, përfshi Bullgarinë dhe Rumaninë, ajo dëshmonte se ne kishim një të ardhme të shkëlqyer në këtë vend. Dhe se ajo u arrit, asnjë nga ju të mos e harrojë, u arrit me taksa sa gjysma e taksave që janë sot. Me taksa sa gjysma e taksave që janë sot.

Kurse tani, në vitin 2026, rrogat dhe pensionet tuaja dhe ndihma ekonomike janë më të ulëtat në rajon. Çmimet janë më të lartat, jo në rajon, por çmimet e ushqimeve bazë janë më të larta se në Greqi, se në Itali, se në Gjermani.

Nafta është ndër më të lartat në Evropë, ndër më të lartat në botë. Ka një mekanizëm për ta lënë tokën djerrë, rrit çmimin e naftës. Nuk e harrojmë, si harroj vitet ’90. Kosova mbeti djerrë. Mbeti djerrë sepse Milosheviçi naftën që mirrte e ruante për Shumadinë dhe zona të tjera, kurse Kosovën e linte me çmime nafte stratosferike, në të cilat nuk ja vlente të punohej toka.

Dhe ky njeri, në kulmin e problemit me naftën, në një kohë kur çdo qeveri në Evropë, e sigurtë kjo që ju them me studim. Çdo qeveri në Evropë ka dyfishuar masat e ndihmës për qytetarët dhe fermerët për naftën.

Gjermania ka dyfishuar, Maqedonia ka dyfishuar. Dhe Maqedonia ja shet naftën me 1500 lek. Jo për bujqësinë, po për qytetarët. Kurse ky thotë e mbylla atë. Nuk ekziston në Evropë i thoshte atij qytetarit. Nuk ka më subvencione nafte në Evropë.

Ky njeri që ditë e natë vetëm nxjerr mashtrime para jush.

Dhe inati im me mediat. Nuk e fsheh.

Nuk ka të bëjë me asnjë sulm që më bëjnë mua, absolutisht. Por ka të bëjë me qëndrimin e tyre ndaj interesit publik. A pa ndonjë media të kapë, të futet në Google apo të futet në ChatGPT apo në, në Claude apo në Gemini, të pyesë sa janë çmimet e naftës? Çfarë masash kanë marrë?

Dhe t’u thotë shqiptarëve që ja shiko, ky thotë s’ekzistojnë, po ja që ekzistojnë, ja që i kanë rritur. Ky mashtron. Çfarë po ndodh? Po korruptohet gjuha. Dhe kur korruptohet gjuha, është fundi i lirisë. Drama më e madhe. Kur fjala përdoret për të mos u thënë të vërtetën qytetarëve.

Ajo është skllavëruese, nuk është emancipuese.

Më thoni ju mua, a ka dhimbje më të fortë për fermerët shqiptarë sesa në kulmin e kësaj krize t’ia heqësh subvencionin e naftës? A patë ju ndonjë emision në këto media? Po këta e meritojnë, këta janë 30% e popullit shqiptar. Plus që kanë një impakt të jashtëzakonshëm në tregun, në xhepat, në punësim e të tjera e të tjera me radhë. Nuk ekzistojnë.

E tha ai që vendet e Evropës e kanë hequr subvencionin dhe nuk marrin përsipër. Kanë korruptuar gjuhën, qeveria ka korruptuar gjuhën. Bashkëpunëtorë janë dhe mediat kur përdorin, kur nuk demantojnë, nuk përgënjeshtrojnë mashtrimet e qeverisë.

Sot falë zhvillimeve, brenda 20 sekondave mund të vërtetosh çdo gjë.

Sa është e vërtetë, sa s’është e vërtetë, sa qëndron, si është këtu, si është në Argjentinë, si është në Afrikë të Jugut, po të duash. Por ne qëndrojmë.

Ne qëndrojmë dhe do qëndrojmë. Qëndresa jonë është etike.

Imagjinoni në qoftë se ne nuk do ishim ngritur në protestat e fuqishme ndaj qëndrimeve të Edi Ramës, mbrojtjes që i bëri vetes tij dhe Lubi Ballukut.

Edhe me ngritjen tonë, lobistë racistë anti-shqiptarë, deklaronin fshehtas në mbledhje të mbyllura, se Imuniteti është interpretim shqiptar. Në një kohë kur në 2009-ën, në 2010-ën, në 2011-ën, imunitetet ishin hequr zëvendëskryeministrit, ministrit të mbrojtjes, ministrit të punëve publike dhe ish-kryetar partie.

Pse ishin hequr?

Se është çështje drejtësie juaj. Po s’mund të mbrojë. Të akuzojë drejtësia, do shkosh, do mbrohesh aty dhe do dalësh. Kurse ajo atje thoshte, ata atje thoshin, jo po. Ose për AKSHI-n. Merr në, në agjencinë shtetërore merren peng punonjësit dhe biznesmenët. Shtetërore, jo private. Epo kjo është kulturë shqiptare.

Nuk është kjo kulturë shqiptare? Këto janë lobistë e Edi Ramës. Sigurisht që ne përballemi me ta. Dhe e kemi për krenari të përballemi me ta.

Dhe jemi të sigurtë, të jeni të sigurtë që e vërteta vonon, po nuk harron. Siç kanë dalë të vërtetat, siç janë, siç janë mishëruar në tetë rezoluta ndërkombëtare, si kurrë për ndonjë vend tjetër, në një hark kohor më pak se dy vjeçar.

Çdo e vërtetë që ne mbrojmë, do të dalë. Dhe ata të cilët mbrojnë regjimin e Edi Ramës do damkosen si korruptokratë dhe bashkautorë në krimet e tij. Por ne duhet të vazhdojmë betejën. Duhet të vazhdojmë këtë betejë. Të palëkundur, me besim të madh.

Edhe njëherë, ishim në nivel deti, në izolimin më të thellë. Ja ku dolëm. Me dritën e të vërtetës, me asgjë tjetër, dhe guximin tonë, se guxuam.  Të gjithë ju guxuat. Guxuam së bashku.

Dhe tani e vazhdojmë këtë betejë ne. E vazhdojmë gjer në largimin e këtij regjimi. Ky është një regjim i cili nuk ka asnjë legjitimitet.

Edi Rama kudo që shkon, shkon si një kryehajdut i kombit shqiptar. Edi Rama kudo që shkon, shkon si një kryemashtrues i shqiptarëve. Edi Rama kudo që shkon, shkon si armiku më i egër pas Enver Hoxhës i kombit shqiptar.

Dibrane dhe dibranë, shqiptarë dhe shqiptare, mendoni pak. Mendoni pak çfarë i bëri Kosovës. Më tepër se Vuçiçi. Absolutisht më keq.

Ja të ndalemi. Erdhi në pushtet, drejt e në Beograd. Nuk ishte me katër sy. Ishte me gjashtë sy, aty ishte dhe Batoni, ish-agjenti personal i Stankoviçit.

Çfarë ra dakord aty? Çfarë u bë? Doli që Kosova duhet të dorëzojë territore. Doli që duhet të ndryshojnë kufijtë e Kosovës. Paçka se Kosova kishte fituar gjyqin ndërkombëtar.

Paçka se në gjykatë ndërkombëtare nuk kishte paditur Kosova, kishte paditur Serbia, Kosovën. Dhe Kosova kishte, dhe Serbia kishte humbur gjyqin. Dhe gjykata i kishte njohur kufijtë ekzistues si kufi ndërkombëtar të Kosovës. Gjykata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po ato nuk i njihte Vuçiçi. Dhe tani duhet t’i vinte në diskutim edhe argati i tij. Dështoi me këtë.

Shkoi në Novi Sad.

Mos harroni kurrë atë hartë të vendosur në katedrën ku po flisnin, e cila tregonte Kosovën pjesë të Serbisë. Në qoftë se simbolet flasin, ai ishte simboli më i urryer ndaj shqiptarëve.

Edi Rama fliste aty duke patur përpara një hartë në të cilën Kosova ishte shkrirë, s’ekzistonte më. Dhe këtë hartë e postoi në Facebook-un e tij.

Cili ishte kuptimi? Kosova duhej të ndahej. Projekti i parë që thoshin, ja po ti kalojmë ca fshatra të të, aty Preshevës vijnë këtej, këto shkojnë andej e këto me radhë, absolutisht s’ishte asgjë tjetër, vetëm Serbia gjer tek Patrikana në Pejë, i merrte të gjitha ato territore.

Ky projekt ishte i Slobodan Millosheviçit dhe e ka sjellë në zyrën time nëpërmjet ndërmjetësve nga Greqia dhe Turqia disa herë. Por natyrisht s’më shkonte mendja kurrë të pranohej.

Dështoi dhe me këtë.

 Vuri sanksione, i pari në Evropë që vuri sanksione ndaj Kosovës. A mund të ndodhë kjo mor miq? Po çfarë duhet të bëjë tjetër më shumë të quhet kryetradhtar? Si moj i vure sanksione? Çfarë të bëri Kosova ty që i vure sanksione?

Përveç respektit. Ju e dini çfarë respekti dhe adhurimi kanë për Shqipërinë.

Paditi kryeministrin e Kosovës në gjyq, s’ka ndodhur kurrë. Një kryeministër të padisë kryeministrin tjetër. Ky po, e paditi. E paditi sepse natyrisht nuk mund të pranonte kurrë aktet e tij të copëtimit të Kosovës.

Do hartonte ky, Paniç i ri, statutin e Asociacionit të komunave serbe si një shtrirje të shtetit serb në Kosovë. Po si mundet? Si mundet një shqiptar?

Po se mori përsipër këtë as kryeministri i Maqedonisë, as i Bullgarisë, as i Rumanisë, asnjë! Si mundet ti të jetë një argat i verbër i Vuçiçit?

Dhe Veriu i Kosovës tokë e askujt. Ta marrin në dorë KFOR-i. Do kthehet në kohën e bronzit.

Se sipas tij Putini do hidhte armë bërthamore në Kosovë.

Dhe tani së fundmi pasi ka dalë në mbarë Shqipërinë disa kohë më parë me pasaportën evropiane, tani i vjen urdhri nga Beogradi të firmosin bashkë letrën.  

Dhe firmosin letrën e turpit ku thonë se ne nuk ka nevojë të anëtarësohemi plotësisht, ne duam një proces ku të kemi të drejta tregtare dhe lëvizje, kaq.  

Por të tjera s’kemi nevojë, as votë nuk duam, as komisioner nuk duam. Pra nuk duam integrimin dinjitoz siç e ka statuti.

Dhe kjo pse?

Prisni. Pse? Sepse padronit të tij për ta fituar integrimin e plotë, i duhet të njohë Kosovën. Shiko çfarë janë këta? Ai nuk integrohet dot pa njohur Kosovën.

Është në ligj themelor të BE-së që nuk pranon vende që kanë sherr me fqinjët. Dhe tani do t’i bëjë shoqëri ky. Po ç’punë kemi ne?

Nuk kemi asnjë sherr me asnjë fqinj.

Dhe ky e bën veten, i jep krahun atij edhe unë po rri dhe unë me ju tani.

A ka interes, a ka njeri që mund të ketë shkelmuar në këtë mënyrë interesat e shqiptarëve si ky?

Unë u bëj thirrje socialistëve të Dibrës, mos harrojnë se para se të jenë socialistë, janë shqiptarë.

Mos harrojnë se të parët e tyre s’kanë qenë socialistë, kanë qenë atdhetarë. Dhe çdo shqiptari i bëj thirrje, të ndalet, t’i thotë vetes, njeriu i qytetëruar është patriot.

Njeriu i qytetëruar do vendin e tij, do kombin e tij, mbron interesat e vendit të tij, pavarësisht nga bindjet.

Çfarë bën ky?

Shkelmon kudo interesat shqiptare dhe tani në fund e thirri ai. Tani tha firmose pak këtë letrën.  Dhe ky firmosi letrën. Që mos ta kërkoni, këto sepse ai sigurisht s’mund të bëjë një hap pa njohur Kosovën. Atëherë, çfarë do bëjmë ne?

Ne do protestojmë me të gjithë forcën tonë të pamposhtur gjer në fitoren tonë. Ne nuk tërhiqemi.

Ne nuk mposhtemi.

Ne e faktuam.

E faktuam që jemi të pamposhtur.

Dhe ky është kilometri i fundit.

Dhe këtë kilometër ne do ta bëjmë në, me forcën më të madhe, me dinjitetin më të madh.

Faleminderit shumë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale