PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA NGA BRUKSELI
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, nga Brukseli ku po merr pjesë në 50-vjetorin e Partisë Popullore Europiane (PPE), deklaroi se kjo forcë politike mbështet plotësisht Partinë Demokratike dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por mbi bazën e meritës.
Në një prononcim për mediat, Berisha e cilësoi të shkëlqyer raportin mes PD-së dhe PPE-së, duke theksuar se kjo e fundit ka miratuar rezoluta në mbështetje të opozitës shqiptare dhe ka dënuar proceset zgjedhore në vend.
Ai nënvizoi se PPE mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por mbi bazën e meritës dhe standardeve, në përputhje me kërkesat e vetë opozitës.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Berisha tha se Shqipëria ka mbetur pas në procesin e integrimit, ndryshe nga vende të tjera të rajonit. ”Ndërkohë që vende si Mali i Zi po avancojnë, Shqipëria mbetet në një situatë bllokimi për shkak të korrupsionit”, u shpreh lideri demokrat, duke shtuar se vendi është futur në një “labirint” për shkak të aferave që lidhen me kryeministrin Edi Rama.
PRONONCIMI I PLOTË:
Marsi Korreshi, Syri Tv: Z. Berisha, një nga grupimet më të mëdha politike në Evropë, Partitë Popullore Evropiane shënojnë sot 50-vjetorin. Si ndjeheni që jeni këtu?
Sali Berisha: Sot, grupimi më i madh politik i Evropës, grupim politik që ndërtoi Evropën e pasluftës me kontributin më kryesor, mblidhet në 50-vjetorin e themelimit të PPE.
PD është anëtare tre vite pas themelimit të saj, sot është anëtare e asociuar, sepse anëtarësia e plotë këtu përcaktohet nga anëtarësia e vendit në Bashkimin Evropian.
Por ka lidhje të shkëlqyera, lidhje të ngushta.
Para dy javësh, një mision i gjerë me përfaqësues të 30 partive politike ishte në Tiranë në mbështetje të PD.
Sot festohet në një ceremoni 50-vjetori me rezultate të shkëlqyera.
Nesër është samiti i zgjeruar në të cilin marrin pjesë të gjithë kryetarët e shteteve, kryeministrat e partive të qendrës së djathtë dhe kryetarët e partive opozitare të vendeve anëtare dhe të vendeve të asociuara të ftuara në këtë samit.
Samiti është një ngjarje shumë e rëndësishme që përcakton qëllimet e përbashkëta të PPE për çështjet madhore të kohës.
Cili është raporti i PD me Partitë Popullore Evropiane, por jo vetëm, edhe me Brukselin?
Sali Berisha: Raporti i PD me Partinë Popullore është i shkëlqyer.
Janë disa rezoluta që kanë shprehur mbështetjen e plotë për PD dhe dënimin e hapur të farsës elektorale dhe të regjimit të Edi Ramës.
PPE mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por një proces të bazuar në meritë, siç është edhe kërkesa jona.
Edhe një pyetje të fundit. Ky samit dhe të gjitha zhvillimet këtu në Bruksel vijnë pasi në Shqipëri po ndodhin disa zhvillime të tjera politike siç është çështja Balluku ku Brukseli ka bërë paralajmërime të qarta. Ju keni bërë takime dhe do vijoni të bëni në Bruksel, a ka paralajmërime Brukseli?
Sali Berisha: Paralajmërime shumë serioze dhe faktikisht, në qoftë se dje u votua me unanimitet Mali i Zi, Shqipëria mbeti në klasë dhe është në labirintet në të cilat e futi Edi Rama për shkak të dosjeve të tij të tmerrshme me korrupsionin.
Pra, Shqipëria është peng i korrupsionit të Edi Ramës.
A keni një thirrje për Edi Ramën nga Brukseli?
Sali Berisha: Mendoj se Edi Rama nuk dëgjon më thirrje nga Brukseli, por nga disa prej vendeve më të prapambetura të Afrikës.


